Mormon, Profet Nefit
Footnotes
Theme

Mormon, Profet Nefit

Një profet nefit, gjeneral ushtarak dhe mbajtës analesh në Librin e Mormonit. Mormoni jetoi rreth viteve 311–385 pas K. (Morm. 1:2, 6; 6:5–6; 8:2–3). Ai ishte një udhëheqës ushtarak për pjesën më të madhe të jetës së tij, duke filluar në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare (Morm. 2:1–2; 3:8–12; 5:1; 8:2–3). Amaroni e mësoi Mormonin të përgatitej për t’u ngarkuar me analet dhe mbajtjen e tyre (Morm. 1:2–5; 2:17–18). Pasi regjistroi historinë e jetës së vet, Mormoni përmblodhi fletët e mëdha të Nefit në fletët e Mormonit. Më vonë ai ia dha këtë anal të shenjtë birit të tij, Moronit. Këto fletë ishin pjesë e analit prej të cilit Joseph Smith-i përktheu Librin e Mormonit.

Fjalët e Mormonit

Një libër i vogël në Librin e Mormonit. Ndërmjet fjalëve të fundit të Amalekit në librin e Omnit dhe fjalëve të para në librin e Mosias, Mormoni, redaktori i të gjitha analeve, bëri këtë ndërfutje të vogël. (Shih “Një Shpjegim i Shkurtër rreth Librit të Mormonit” në fillim të Librit të Mormonit.)

Libri i Mormonit

Një libër i veçantë brenda vëllimit të shkrimeve të shenjta të njohur si Libri i Mormonit. Kapitujt 1–2 tregojnë për Amaronin, një profet të nefitëve, duke udhëzuar Mormonin kur dhe ku t’i merrte fletët. Gjithashtu, luftëra të mëdha filluan dhe të Tre Nefitët u morën për shkak të ligësisë së njerëzve. Kapitujt 3–4 tregojnë për Mormonin duke u bërë thirrje për pendim njerëzve, por ata ishin pa ndjenja dhe ligësi më e madhe se ndonjëherë më parë u përhap në Izrael. Kapitujt 5–6 shënojnë betejat përfundimtare ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Mormoni u vra së bashku me shumicën e kombit nefit. Në kapitullin 7, para vdekjes së tij, Mormoni u bëri thirrje njerëzve—atëherë dhe në të ardhmen—që të pendohen. Kapitujt 8–9 shënojnë se më së fundi vetëm biri i Mormonit, Moroni, kishte mbetur. Ai shënoi skenat përfundimtare të vdekjes dhe kërdisë, duke përfshirë fundin e popullit nefit, dhe shkroi një mesazh për brezat e ardhshëm dhe për lexuesit e këtij anali.