Ndihma për Studimin
Introduction


Parathënia

Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta përkufizon doktrinat, parimet, popujt dhe vendet e zgjedhura që gjenden në Biblën e Shenjtë, Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Ai gjithashtu jep për ty referencat kyçe të shkrimeve të shenjta për t’i studiuar për secilën temë. Ky Udhëzues mund të të ndihmojë në studimin vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta. Ai mund të të ndihmojë t’u përgjigjesh pyetjeve rreth ungjillit, të studiosh tema në shkrimet e shenjta, të përgatisësh biseda e mësime dhe të rrisësh njohurinë e dëshminë tënde për ungjillin.

Udhëzuesi ka tri pjesë: (1) një renditje alfabetike të temave, (2) pjesë të zgjedhura nga përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it (PJS) dhe (3) harta, fotografi të vendeve të shkrimeve të shenjta dhe një kronologji të historisë së Kishës.

  1. Renditja alfabetike e temave. Kjo pjesë jep një përkufizim të shkurtër të secilës temë dhe rendit referencat më domethënëse të shkrimeve të shenjta për atë temë. Çdo referencë paraprihet nga një citim ose përmbledhje e shkurtër e shkrimit të shenjtë. Referencat e shkrimeve të shenjta shfaqen sipas rendit të mëposhtëm: Dhjata e Vjetër, Dhjata e Re, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe.

  2. Pjesë të zgjedhura nga Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it. Në vitin 1830, Zoti e udhëzoi Profetin Joseph Smith të fillonte punën për një rishikim ose përkthim të versionit të mbretit Jakob për Biblën. Qëllimi i Profetit ishte të rivendoste disa nga të vërtetat e qarta dhe të çmuara që ishin humbur nga tekstet origjinale të Biblës. Ai e mbaroi pjesën më të madhe të punës deri në korrik 1833. Megjithatë, deri në vdekjen e tij më 1844, ai vazhdoi të bëjë ndryshime, ndërsa e përgatiste dorëshkrimin për shtyp. Megjithëse i tërë vëllimi nuk është përfunduar, as nuk është pranuar nga Kisha zyrtarisht, Përkthimi i Joseph Smith-it përmban shumë ide lidhur me kuptimet e shkrimeve të shenjta dhe është një ndihmës i vlefshëm për të kuptuar Biblën. Disa nga rishikimet më të rëndësishme përfshihen në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta. (Për më shumë informacion, shih temën “Përkthimi i Joseph Smith-it [PJS]” në Udhëzues.)

    Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përdor si përkthimin e saj zyrtar në gjuhën angleze versionin e mbretit James për Biblën. Ai luajti rol thelbësor në rivendosjen e ungjillit dhe vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm në shumë kombe kudo në botë.

  3. Kronologjia e histories së Kishës, harta dhe fotografi, dhe harta e fotografi të Biblës. Duke njohur gjeografinë e tokave që diskutohen në shkrimet e shenjta, ti mund të kuptosh më mirë ngjarjet e shkrimeve të shenjta. Udhëzuesi përfshin 14 harta të vendeve të Biblës, 6 harta të zonave të rëndësishme në historinë e Kishës dhe një hartë të botës. Për të gjetur një vendndodhje, përdor indeksin për grupin e hartave që të interesojnë. Indeksi do të të referojë tek harta e duhur dhe koordinatat e vendndodhjes në atë hartë. 32 fotografitë biblike dhe 18 fotografitë e historisë së Kishës gjithashtu kanë përshkrime që do të të ndihmojnë të kuptosh më mirë ngjarje të caktuara të shkrimeve të shenjta.

    Kronologjia e historisë së Kishës rendit datat e ngjarjeve të rëndësishme në rivendosjen dhe rritjen e Kishës së Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme.

Për të të ndihmuar më tej në studimin tënd të shkrimeve të shenjta, Udhëzuesi përmban disa tipare të tjera ndihmëse. Për shembull, në qoftë se kërkon fjalët “Jezu Krishti”, do të gjesh një renditje të kuptueshme të çdo teme në Udhëzues që siguron informacion që lidhet drejtpërdrejt me Shpëtimtarin dhe shërbesën e tij. Kjo është tema e vetme në Udhëzues me një renditje kaq të zgjeruar, e cila thekson rëndësinë e Krishtit për gjithë njerëzimin. Si shtesë, nën temën “Kronologjia” renditen disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohërave biblike dhe të Librit të Mormonit, së bashku me data të përafërta. Tema “Ungjijtë” përmban një harmoni të Ungjijve. Kjo harmoni krahason mësimet e Shpëtimtarit siç gjenden në Mateu, Marku, Lluka, Gjoni dhe zbulesa e ditëve të mëvonshme.