Ndihma për Studimin
Eksod


Eksod

Një libër i shkruar prej Moisiut në Dhjatën e Vjetër, i cili përshkruan largimin e izraelitëve nga Egjipti. Historia e hershme e popullit të Izraelit, siç regjistrohet në Eksodi mund të ndahet në tri pjesë: (1) Skllavëria e popullit në Egjipt, (2) largimi i tyre nga Egjipti nën udhëheqjen e Moisiut, dhe (3) përkushtimi i tyre në shërbim të Perëndisë në jetën e tyre fetare dhe në jetën e tyre politike.

Pjesa e parë, kapitujt 1–15, shpjegon shtypjen e popullit të Izraelit në Egjipt, historinë e hershme dhe thirrjen e Moisiut, Eksodin dhe fillimin e Pashkës, dhe marshimin deri në Detin e Kuq, shkatërrimin e ushtrisë së Faraonit dhe këngën e Moisiut për fitoren.

Pjesa e dytë, kapitujt 15–18, tregon për shëlbimin e Izraelit dhe ngjarjet gjatë udhëtimit nga Deti i Kuq për në Sinai, ujërat e hidhura të Maras, dhënien e shkurtave dhe të manasë, mbajtjen e Shabatit, dhuratën e mrekullueshme të ujit në Refidim dhe betejën atje me amalekitët; arritjen e Jethros në kamp dhe këshillën e tij për qeverisjen civile të popullit.

Pjesa e tretë, kapitujt 19–40, merret me përkushtimin e Izraelit ndaj shërbimit të Perëndisë gjatë ngjarjeve solemne në Sinai. Zoti e veçoi popullin si një mbretëri priftërinjsh dhe një komb të shenjtë, ai dha Dhjetë Urdhërimet dhe ai dha mësime rreth tabernakullit, pajisjeve të tij dhe adhurimin në të. Më pas pason rrëfimi i mëkatit të popullit në adhurimin e viçit të artë dhe, së fundi, rrëfimi i ndërtimit të tabernakullit dhe furnizimi për shërbimet e tij.