Pjetër
    Footnotes
    Theme

    Pjetër

    Në Dhjatën e Re, Pjetri fillimisht njihej si Simeoni ose Simoni (2 Pj. 1:1), një peshkatar i Betsaidës që jetonte me gruan e tij në Kapernaum. Jezusi shëroi nënën e gruas së Pjetrit (Mr. 1:29–31). Pjetri u thirr me vëllanë e tij, Andrean, të ishin dishepuj të Jezu Krishtit (Mt. 4:18–22; Mr. 1:16–18; Llu. 5:1–11). Emri i tij në gjuhën aramike, Kefa, që do të thotë “shikues” ose “gur”, iu dha atij nga Zoti (Gjo. 1:40–42; PJS, Gjo. 1:42). Ndërsa Dhjata e Re përmend disa nga dobësitë e vdekshme të Pjetrit, ajo gjithashtu tregon se ai i mposhti ato dhe u bë i fortë me anë të besimit të tij në Jezu Krishtin.

    Pjetri rrëfeu se Jezusi ishte Krishti dhe biri i Perëndisë (Gjo. 6:68–69) dhe Zoti e zgjodhi atë të mbante çelësat e mbretërisë në tokë (Mt. 16:13–18). Në malin e Shpërfytyrimit, Pjetri pa Shpëtimtarin e shpërfytyruar, ashtu edhe Moisiun dhe Eliasin (Elijan) (Mt. 17:1–9).

    Pjetri ishte apostulli kryesues i kohës së tij. Pas vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes në qiell të Shpëtimtarit, ai e mblodhi Kishën së bashku dhe drejtoi thirrjen e një apostulli për të zëvendësuar Judë Iskariotin (Vep. 1:15–26). Pjetri dhe Gjoni shëruan një burrë që ishte i çalë që nga lindja (Vep. 3:1–16) dhe u çliruan nga burgu në mënyrë të mrekullueshme (Vep. 5:11–29; 12:1–19). Ishte nëpërmjet shërbesës së Pjetrit që ungjilli u përhap fillimisht mes johebrenjve (Vep. 10–11). Në ditët e mëvonshme, Pjetri, me Jakobin dhe Gjonin, erdhën nga qielli dhe u dhanë Priftërinë Melkezedeke dhe çelësat e saj Joseph Smith-it dhe Oliver Cowdery-t (DeB 27:12–13; 128:20).

    Letra e parë e Pjetrit

    Letra e parë u shkrua nga Pjetri nga “Babilonia” (ndoshta Roma) dhe iu dërgua shenjtorëve në atë që sot quhet Azia e Vogël, pak kohë pasi Neroni filloi t’i përndiqte të krishterët.

    Kapitulli 1 flet për rolin e parashuguruar të Krishtit si Shëlbuesi. Kapitujt 2–3 shpjegojnë se Krishti është guri kryesor i themelit të Kishës, se shenjtorët mbajnë një priftëri mbretërore dhe se Krishti u predikoi shpirtrave në burg. Kapitujt 4–5 shpjegojnë përse ungjilli u predikohet të vdekurve dhe përse pleqtë duhet ta ushqejnë tufën.

    Letra e dytë e Pjetrit

    Kapitulli 1 i nxit shenjtorët ta bëjnë thirrjen dhe zgjedhjen e tyre të sigurt. Kapitulli 2 paralajmëron kundrejt mësuesve të rremë. Kapitulli 3 flet për ditët e mëvonshme dhe ardhjen e dytë të Krishtit.