Ndihma për Studimin
Samuel, Profet i Dhjatës së Vjetër


Samuel, Profet i Dhjatës së Vjetër

Bir i Elkanahut dhe Anës, Samueli lindi në përgjigje të lutjeve të nënës së tij (1 Sam. 1). Si fëmijë ai u vu nën përkujdesjen e Elit, prift i lartë në tabernakullin e Shilos (1 Sam. 2:11; 3:1). Zoti e thirri Samuelin në një moshë të re të bëhej profet (1 Sam. 3). Pas vdekjes së Elit, Samueli u bë profeti dhe gjykatësi i madh i Izraelit dhe rivendosi ligjin, rregullin dhe adhurimin e rregullt fetar në vend (1 Sam. 4:15–18; 7:3–17).

1 Samuelit 28:5–20 përmban një rrëfim të Samuelit të sjellë përsëri në jetë nga shtriga e Endorit me kërkesën e mbretit Saul. Ky nuk mund të ketë qenë një vegim nga Perëndia, sepse një shtrigë ose komunikues të tjerë shpirtërorë nuk mund të ndikojnë një profet që të shfaqet me kërkesë të tij ose të saj (1 Sam. 28:20; 31:1–4).

Librat e 1 dhe 2 Samuelit

Në disa Bibla librat 1 dhe 2 Samuelit janë një libër. Në të tjera ato janë dy libra. Librat mbulojnë një periudhë 130 vjeçare, që nga lindja e Samuelit deri pikërisht para vdekjes së mbretit David.

Libri i 1 Samuelit

Kapitujt 1–4 përshkruajnë se Zoti e mallkoi dhe e dënoi familjen e Elit dhe thirri Samuelin si prift të lartë dhe gjykatës. Kapitujt 4–6 tregojnë sesi arka e besëlidhjes ra në duart e filistinëve. Kapitujt 7–8 shënojnë paralajmërimet e Samuelit për të paturin e perëndive të rreme dhe të një mbreti të lig. Kapitujt 9–15 përshkruajnë kurorëzimin e Saulit si mbret dhe mbretërimin e tij. Kapitujt 16–31 tregojnë historinë e Davidit dhe fitimin e fuqisë së tij—Samueli e vajosi Davidin i cili kishte vrarë Goliathin. Sauli e urrente Davidin, por Davidi nuk pranoi ta vriste Saulin, edhe pse pati mundësi ta bënte këtë gjë.

Libri i 2 Samuelit

Libri përmban hollësitë e mbretërimit të Davidit si mbret i Judës dhe së fundi i të gjithë Izraelit. Kapitujt 1–4 tregojnë për një betejë të gjatë mes pasuesve të Davidit, pasi u kurorëzua nga Judea, dhe pasuesve të Saulit. Kapitujt 5–10 tregojnë se Davidi bëhet i fuqishëm anë e mbanë shumë vendeve. Kapitujt 11–21 tregojnë rënien e forcës shpirtërore të Davidit për shkak të mëkateve të tij dhe kryengritjen brenda vetë familjes së tij. Kapitujt 22–24 përshkruajnë përpjekjet e Davidit për t’u pajtuar me Zotin.