Ndihma për Studimin
Perëndi, Kokë e Perëndisë


Perëndi, Kokë e Perëndisë

Ka tre persona të veçantë në Kokën e Perëndisë: Perëndia, Ati i Amshuar; Biri i tij, Jezu Krisht; dhe Fryma e Shenjtë. Ne besojmë në secilin prej tyre (NeB 1:1). Nga zbulesat e ditëve të mëvonshme mësojmë se Ati dhe Biri kanë trupa të prekshëm prej mishi e kocke dhe se Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit, pa mish e pa kocka (DeB 130:22–23). Këta tre persona janë të bashkuar në unitet dhe harmoni të përsosur qëllimi dhe doktrine (Gjo. 17:21–23; 2 Ne. 31:21; 3 Ne. 11:27, 36).

Perëndia, Ati

Në përgjithësi është Ati, ose Elohimi, të cilit i referohemi me titullin Perëndi. Ai quhet Ati, sepse është ati i shpirtrave tanë (Mal. 2:10; Num. 16:22; 27:16; Mt. 6:9; Ef. 4:6; Heb. 12:9). Perëndia, Ati, është sundimtari më i lartë i gjithësisë. Ai është i gjithëfuqishëm (Zan. 18:14; Alma 26:35; DeB 19:1–3), di gjithçka (Mt. 6:8; 2 Ne. 2:24) dhe është i pranishëm kudo nëpërmjet Shpirtit të tij (Psa. 139:7–12; DeB 88:7–13, 41). Njerëzimi ka një lidhje të veçantë me Perëndinë, e cila e veçon njeriun nga të gjitha gjërat e tjera të krijuara: burrat dhe gratë janë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë (Psa. 82:6; 1 Gjo. 3:1–3; DeB 20:17–18).

Ka pak raste të shënuara ku Perëndia, Ati, iu shfaq ose i foli njeriut. Shkrimet e shenjta thonë se ai i foli Adamit dhe Evës (Mois. 4:14–31) dhe ai e paraqiti Jezu Krishtin në disa raste (Mt. 3:17; 17:5; Gjo. 12:28–29; 3 Ne. 11:3–7). Ai iu shfaq Stefanit (Vep. 7:55–56) dhe Joseph Smith-it (JS—H 1:17). Më vonë ai iu shfaq si Joseph Smith-it ashtu dhe Sidney Rigdon-it (DeB 76:20, 23). Atyre që e duan Perëndinë dhe që pastrohen përpara tij, Perëndia nganjëherë u jep privilegjin që ta shohin dhe të dinë për veten e tyre se ai është Perëndi (Mt. 5:8; 3 Ne. 12:8; DeB 76:116–118; 93:1).

Perëndia, Biri

Perëndia i njohur si Jehova është Biri, Jezu Krishti (Isa. 12:2; 43:11; 49:26; 1 Kor. 10:1–4; 1 Tim. 1:1; Zbu. 1:8; 2 Ne. 22:2). Jezusi vepron nën drejtimin e Atit dhe është në harmoni të plotë me të. Tërë njerëzit janë vëllezërit dhe motrat e tij, sepse ai është më i vjetri nga fëmijët shpirtërorë të Elohimit. Disa referenca të shkrimeve të shenjta i drejtohen atij me fjalën Perëndi. Për shembull, shkrimi i shenjtë thotë se “Perëndia krijoi qiellin dhe tokën” (Zan. 1:1), por në fakt ishte Jezusi i cili ishte Krijuesi nën drejtimin e Perëndisë, Atit (Gjo. 1:1–3, 10, 14; Heb. 1:1–2).

Perëndia, Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë është gjithashtu një Perëndi dhe quhet Shpirti i Shenjtë, Shpirti dhe Shpirti i Perëndisë, së bashku me emra dhe tituj të tjerë të ngjashëm. Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, njeriu mund të njohë vullnetin e Perëndisë, Atit dhe të dijë se Jezusi është Krishti (1 Kor. 12:3).