Biblioteka
Alma


Hyrje në Librin e Almës

Përse ta studioni këtë libër?

Duke studiuar librin e Almës, studentët do të mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe domosdoshmërisë për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij në planin e shpëtimit. Ata gjithashtu do të mësojnë rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë për të mposhtur intrigat e priftërinjve, doktrinën e rreme, mëkatin, urrejtjen e braktisjen dhe për t’i udhëhequr individët që të përjetojnë një ndryshim të fuqishëm të zemrës. Studentët mund të lartësohen dhe frymëzohen kur lexojnë rreth përpjekjeve misionare të Almës, Amulekut dhe bijve të Mosias, si dhe rreth kthimit në besim dhe besnikërisë së anti-nefi-lehitëve (popullit të Almës). Ndërsa studiojnë kapituj që japin me hollësi luftërat midis nefitëve dhe lamanitëve, ata mund të mësojnë parime që do t’i udhëheqin në kohët e trazuara në të cilat jetojnë dhe do t’i ndihmojnë të dalin fitimtarë në betejat e tyre vetjake me kundërshtarin.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni i përmblodhi dhe shkurtoi analet nga fletët e mëdha të Nefit për të krijuar librin e Almës. Libri ka marrë emrin e Almës, i cili, ngaqë ishte biri i Almës, shpesh quhet Alma i Riu. Kur mbreti Mosia krijoi mbretërimin e gjykatësve mes nefitëve, Alma i Riu u bë kryegjykatësi i parë dhe pasoi atin e tij si prift i lartë mbi Kishën (shih Mosia 29:42). Ai përfundimisht hoqi dorë nga detyra e tij si kryegjykatës dhe ia përkushtoi veten “tërësisht kryepriftërisë” dhe që “të përhapte në popull fjalën e Perëndisë” nëpër të gjithë vendin e nefitëve (Alma 4:20; 5:1). Mormoni i përdori analet e shërbesës së Almës (shih Alma 1–44) dhe shkrimet e bijve të Almës, Helamanit (shih Alma 45–62) dhe Shiblonit (shih Alma 63) për të hartuar librin e Almës.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni nuk ia drejtoi librin e Almës një publiku të veçantë ose nuk tha përse e shkroi. Megjithatë, mësimet e shumta të librit lidhur me misionin shëlbues të Jezu Krishtit kontribuojnë në qëllimin qendror të Librit të Mormonit, i cili është të dëshmojë “se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar” (faqja e titullit e Librit të Mormonit; shih edhe Alma 5; 7; 13; 32–34; 36; 39–42).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Analet origjinale të përdorura si burime për librin e Almës ka mundësi të jenë shkruar midis 91 Pr.K. dhe 52 Pr.K. Mormoni i përmblodhi ato anale diku midis 345 Ps.K. dhe 385 Ps.K. Mormoni nuk e shënoi se ku ishte kur e hartoi këtë libër.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Edhe pse libri i Almës është më i gjati në Librin e Mormonit, ai mbulon një periudhë prej vetëm 39 vjetësh – afërsisht 91 Pr.K. deri 52 Pr.K. Libri rrëfen rastin e parë të punëve të suksesshme misionare mes lamanitëve. Ai gjithashtu vë në pah besnikërinë e lamanitëve të kthyer në besim në mbajtjen e besëlidhjeve të tyre (shih Alma 23:6–7; 24). Përveç kësaj, libri i Almës përfshin mësime rreth doktrinës së parashugurimit dhe të shërbesës së Melkizedekut (shih Alma 13); fuqisë së fjalës së Perëndisë (shih Alma 31); se si të zhvillojmë besim në Jezu Krishtin (shih Alma 32–34); gjendjen e rëndë të thyerjes së ligjit të dëlirësisë (shih Alma 39); gjendjen e shpirtrave tanë pas vdekjes (shih Alma 40); doktrinat e ringjalljes dhe të rivendosjes (shih Alma 40–41); dhe rolet e drejtësisë dhe të mëshirës në planin e Atit Qiellor për shëlbimin (shih Alma 42). Ky libër gjithashtu përmban udhëzimet e Zotit lidhur me vetëmbrojtjen dhe përligjjen për luftë (shih Alma 43:45–47).

Përmbledhje

Alma 1–3 Nehori paraqet intriga të priftërinjve mes nefitëve. Alma i udhëheq nefitët e drejtë për t’u vetëmbrojtur nga Amlici dhe pasuesit e tij, që janë bashkuar me një ushtri lamanite. Pas pengimit të përpjekjes së Amlicit për t’u bërë mbret dhe për të shkatërruar Kishën, nefitët mundin një ushtri tjetër lamanitësh.

Alma 4–16 Alma jep dorëheqjen si kryegjykatës. Ai udhëton nëpër mbarë vendin e nefitëve për të luftuar krenarinë dhe ligësinë nëpërmjet predikimit të fjalës së Perëndisë. Amuleku bashkohet me Almën dhe ata japin mësim për Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ringjalljen dhe nevojën për besim në Zotin e për pendim. Zizromi kthehet në besim dhe pagëzohet.

Alma 17–28 Bijtë e Mosias dhe të tjerë predikojnë fjalën e Perëndisë mes lamanitëve në vendin e Nefit. Mijëra kthehen në besim te Zoti. Të kthyerit në besim braktisin armët e tyre të luftës dhe shkojnë për të banuar mes nefitëve. Shumë njerëz vdesin në një betejë të madhe midis nefitëve dhe lamanitëve.

Alma 29–42 Alma dëshiron të sjellë shpirtra në pendim. Ai e ngatërron Korihorin, një anti-Krisht. Ndërsa po mësonte zoramitët, një grup të larguarish nga nefitët, Alma e krahason fjalën e Perëndisë me një farë që duhet të ushqehet me anë të besimit. Amuleku dëshmon për Shlyerjen dhe i mëson zoramitët që të ushtrojnë besim deri në pendim. Alma u jep këshillë dhe dëshmi individuale bijve të tij Helamanit, Shiblonit dhe Koriantonit. Alma ia beson analet e shenjta Helamanit. Ai jep mësim rreth botës së shpirtrave pas vdekjes, ringjalles dhe roleve të drejtësisë e mëshirës në planin e Perëndisë.

Alma 43–45 Të nxitur në zemërim nga të larguarit prej nefitëve, lamanitët filluan luftën kundër nefitëve. Moroni i udhëheq nefitët drejt fitores mbi ushtrinë e Zerahemnës. Alma interviston dhe bekon Helamanin, profetizon për shkatërrimin e nefitëve dhe largohet nga vendi.

Alma 46–63 Moroni, Lehi, Teankumi, Helamani dhe Pahorani i udhëheqin nefitët drejt fitores ndaj ushtrive lamanite të kontrolluara nga Amalikia dhe Amoroni. Moroni dhe Pahorani gjithashtu shtypin kryengritjen e të larguarve prej nefitëve, të njohur si njerëzit e mbretit. Shibloni i merr analet nefite dhe më pas ia jep ato Helamanit, birit të Helamanit. Ushtria e Moronihës i mund lamanitët në një betejë tjetër.