Biblioteka
Njësia 23 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Helamani 10–16 (Njësia 23)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan Helamanin 10–16 (njësia 23), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve.

Dita 1 (Helamani 10)

Helamani 10 u siguroi studentëve një mundësi për të mësuar më shumë mbi fuqinë shpirtërore të Nefit. Nëpërmjet shembullit të tij studentët mësuan se përsiatja e gjërave të Zotit na përgatit për të marrë zbulesë. Gjithashtu mësuan se Zoti na mirëbeson bekime e përgjegjësi kur vëmë vullnetin e Tij para tonit. Kur Nefi vuri vullnetin e Zotit para vullnetit të vet, Zoti i ofroi fuqinë vulosëse.

Dita 2 (Helamani 11–12)

Me studimin e 14 viteve nga historia nefite studentët mësuan se, nëpërmjet përulësisë dhe pendimit, ne mund të shmangim krenarinë dhe shkatërrimin. Në qoftë se nuk jemi të kujdesshëm, begatia jonë mund të na bëjë ta harrojmë Zotin. Nefi dha mësimin se, për t’i ndihmuar njerëzit që ta shmangin këtë gabim, Zoti e ndëshkon popullin e Tij që t’i nxitë ta kujtojnë Atë.

Dita 3 (Helamani 13–14)

Samueli, një profet lamanit, tregoi se profetët thonë mesazhet që Perëndia u vë në zemër. Me studimin e paralajmërimeve të tij profetike, studentët mësuan se, nëse i hedhim poshtë fjalët e profetëve të Zotit, ne do të provojmë keqardhje dhe trishtim. Samueli e nxiti popullin që të besonte te Jezu Krishti dhe dëshmoi se Zoti siguron shenja dhe çudi për t’i ndihmuar njerëzit që të besojnë tek Ai.

Dita 4 (Helamani 15–16)

Ngaqë Zoti i kishte bekuar nefitët aq bollshëm, Samueli përpiqej t’i ndihmonte të kuptonin gjykimet e Perëndisë që do t’i përjetonin nëse nuk pendoheshin. Nga kjo studentët mësuan se, në rast se njerëzit bëhen mosbesues pasi kanë marrë plotësinë e ungjillit, do të marrin një dënim më të madh. Nga reagimi i nefitëve ndaj Samuelit, studentët mësuan se, kur zgjedhim të mos i pranojmë dëshmitarët e Zotit, e lejojmë Satanin të ketë ndikim mbi zemrën tonë.

Hyrje

Helamani 10–16 theksohet roli i profetëve në shpalljen e pendimit. Përgjatë kësaj jave studentët patën mundësi të studionin besnikërinë e profetëve Nefi dhe Samuel Lamaniti. Të dy burrat merrnin shpërfaqje shpirtërore dhe kishin autoritet për të shërbyer mes nefitëve të pabindur. Pavarësisht nga ngurtësia e zemrës së njerëzve, të dy burrat shpallën pendimin. Ata dhanë mësimin se lumturia gjendet duke jetuar parimet e ravijëzuara nga Jezu Krishti dhe jo duke bërë paudhësi.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 10–16

Helamani dhe Samueli i shërbejnë popullit me besnikëri

Pyetini studentët nëse janë ndodhur ndonjëherë në një situatë ku përkrahja e standardeve që mëson broshura Për Forcën e Rinisë, nuk do të përshëndetej nga miqtë e tyre. Mund t’i ftonit disa studentë të tregojnë përvojat e tyre dhe të thonë se si janë ndier dhe çfarë kanë mësuar.

Tregojuni studentëve se Helamani 10–16 jep shembuj të dy burrave të cilët u ngritën në mbrojtje të standardeve të Zotit, megjithëse kjo nuk përkrahej nga njerëzit. Ftojini studentët të gjykojnë se çfarë mund të mësojnë nga shembujt e Nefit dhe të Samuel Lamanitit, që mund t’i ndihmojë në rrethana të ngjashme.

Listën që vijon shkruajeni në tabelë ose në një copë letër.

Ngjashmëritë ndërmjet Nefit dhe Samuel Lamanitit

Nefi (Helamani 10:1–5, 12, 15–16)

Samueli (Helamani 13:1–6; 16:1–2)

Kërkojuni studentëve t’i hetojnë vargjet e listës, duke kërkuar të gjejnë ngjashmëri ndërmjet Nefit dhe Samuel Lamanitit. Ftojini disa studentë t’i renditin këto ngjashmëri te hapësira bosh e listës. Lista mund të përfshijë sa vijon: nuk u pranuan nga njerëzit; dëgjuan zërin e Zotit; i ndoqën menjëherë udhëzimet e Zotit; thanë ato që Zoti u vuri në zemër; i paralajmëruan nefitët se, nëse nuk pendoheshin, do të shkatërroheshin; u mbrojtën nga fuqia e Perëndisë në mënyrë që të jepnin mesazhin e Tij.

Pasi studentët t’i kenë renditur ngjashmëritë që zbuluan, kërkojini një studenti të lexojë me zë Helamani 10:4. Pastaj bëni pyetjet që vijojnë:

  • Cilat janë disa arsye të mundshme pse Nefi ishte i palodhur?

  • Si e tregoi edhe Samueli që ishte i palodhur? Si mund ta zhvillojmë ne një qëndrim të tillë të palodhur?

Kërkojini një studenti t’i lexojë klasës thënien e mëposhtme nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në të cilën na mëson se si mund ta zhvillojmë këtë veçori:

“Nëse përqendrohemi te Jezusi dhe puna e Tij, edhe gëzimi ynë, edhe qëndresa jonë shtohen. … Nefi nuk pati kërkuar me egoizëm ‘jetën e vet’, por kishte kërkuar më tepër të bënte vullnetin e Perëndisë. Kjo ia dha atij energjinë shtesë e të papjesëtuar e cila i mundësoi atij përpjekjen me zell të palodhur. Nefi e dinte se në cilin drejtim e kishte kthyer fytyrën: drejt Perëndisë” (If Thou Endure It Well (1996), f. 116).

Pyetni:

  • Sipas Plakut Maksuell, çfarë mund të bëjmë ne për të shërbyer me zell të palodhur?

  • Cilat thënie te Helamani 10:4 tregojnë se Nefi “e kishte kthyer fytyrën drejt Perëndisë” ose, me fjalë të tjera, ishte përqendruar te kryerja e vullnetit të Perëndisë?

  • Cilat thënie te Helamani 13:3–5 tregojnë se Samueli vendosi vullnetin e Perëndisë mbi atë të vetin?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga përvojat e Nefit dhe të Samuelit? (Një përgjigje e mundshme mund të pasqyronte një të vërtetë që studentët e mësuan në studimin e tyre vetjak këtë javë: Zoti na mirëbeson bekime dhe përgjegjësi, kur e vëmë vullnetin e Tij përpara vullnetit tonë.)

Lexojeni historinë që vijon, të treguar nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për një vajzë 12-vjeçare e cila pranoi ta vinte vullnetin e Perëndisë përpara të sajit:

“Ne nuk mund të kemi besim të vërtetë te Zoti, pa pasur edhe një mirëbesim të plotë në vullnetin e Zotit e në kohën që zgjedh Zoti. Kur kemi atë lloj besimi dhe i mirëbesojmë Zotit, ne kemi siguri të vërtetë në jetën tonë. …

Lexova për një të re e cila e ushtroi atë lloj besimi e mirëbesimi. Prej shumë muajsh nëna e saj qe sëmurë rëndë. Së fundi, babai besnik i thirri fëmijët të vinin pranë shtratit të saj dhe u tha që t’i jepnin lamtumirën nënës së tyre, sepse ajo po vdiste. Vajza 12-vjeçare kundërshtoi:

‘Baba, nuk dua që mëma ime të vdesë. Kam qenë me të në spital … për gjashtë muaj; vazhdimisht … ti i ke dhënë bekime dhe ajo lehtësohej nga dhembja dhe flinte gjumë qetësisht. Dua që ti t’i vendosësh duart mbi kokën e mëmës sime dhe ta shërosh.’

Babai, i cili ishte Plaku Hibër J. Grant, u tha fëmijëve se e ndiente në zemër që nënës së tyre i kishte ardhur koha. Fëmijët u larguan dhe ai u gjunjëzua në anë të shtratit të bashkëshortes. Më vonë e rikujtonte lutjen e tij: ‘I thashë Zotit se e pranoja dorën e tij në jetë [dhe] në vdekje. … Por i thashë Zotit se më mungonte forca që bashkëshortja të më vdiste dhe që kjo të ndikonte te besimi i fëmijëve të mi të vegjël.’ Ai iu përgjërua Zotit që t’i jepte së bijës ‘një dije se ishte mendimi i tij dhe vullneti i tij që mëma e saj të vdiste’.

Brenda orës nëna vdiq. Kur Plaku Grant i thirri përsëri fëmijët në dhomën e saj dhe ua tha, djali i tij i vogël gjashtëvjeçar [i quajtur Hibër] filloi të qante thekshëm. Motra dymbëdhjetëvjeçare e mori atë në krahë dhe i tha: ‘Mos vajto, Hibër; që kur dolëm nga kjo dhomë, zëri i Zotit nga qielli më tha: Në vdekjen e mëmës suaj do të bëhet vullneti i Zotit’ (Bryant S. Hinckley, Heber J. Grant: Highlights in the Life of a Great Leader, Salt Lake City: Deseret Book Co., 1951, f. 243–244).

Kur e kemi atë lloj besimi e mirëbesimi që shfaqi ajo e re, kemi fuqinë që na mbështet në çdo ngjarje të rëndësishme të jetës sonë” (“Faith in the Lord Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 100).

Pyetni:

  • Çfarë e ndihmoi Presidentin Hibër J. Grant dhe familjen e tij ta vinte vullnetin e Zotit përpara vullnetit të tyre?

  • A keni pasur ndonjëherë një përvojë ku ju kishit nevojë ta vinit mirëbesimin tuaj te Perëndia dhe ta vinit vullnetin e Tij përpara tuajit? (Merrni parasysh t’i ftoni disa studentë t’ia tregojnë përvojat e tyre klasës. Kujtojuni se nuk duhet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale ose e brendshme.)

Sigurojini studentët se, kur e vëmë mirëbesimin tonë te Perëndia dhe e vëmë vullnetin e Tij përpara tonit, Ai do të na përkrahë gjatë kohëve të vështira.

Shpjegoni se një pjesë e rëndësishme e shërbesës së Nefit ishte që t’i ndihmonte njerëzit ta kujtonin Perëndinë dhe të pendoheshin për mëkatet e tyre. Megjithatë, ata vazhduan ta ngurtësonin zemrën dhe deshën të ndreqeshin.

Ndajeni klasën në dy grupe. Kërkojini njërit grup të lexojë Helamani 10:15–18; 11:3–10 dhe grupit tjetër të lexojë Helamani 11:30–37; 12:1–3. (Mund të jetë mirë që t’i shkruani në tabelë këto referenca.) Kërkojini secilit grup të përgatitet të diskutojë për arsyet pse Zoti e ndëshkoi popullin e Tij. Studentët mund të përmendin disa arsye të ndryshme, por siguroni që ata të shprehin se Zoti e ndëshkon popullin e Tij që t’i nxitë për ta kujtuar Atë.

  • Çfarë lloj dënimi përdori Zoti për të pasur vëmendjen e njerëzve?

  • Sipas Helamanit 12:3, shumë njerëz nuk e kujtojnë Zotin, përveç nëse Ai i ndëshkon. Si mendoni, përse ndodh kjo?

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 15:3.

  • Në ç’mënyrë është ndëshkimi i Zotit një shprehje e dashurisë së Tij?

Kërkojuni studentëve të tregojnë përgjigjet për detyrën 5 të ditës 2 të kësaj jave. Mund të jetë mirë të përsëritin se nëpërmjet përulësisë dhe pendimit mund ta shmangim krenarinë dhe shkatërrimin dhe se, nëse nuk jemi të kujdesshëm, begatia jonë mund të na bëjë ta harrojmë Zotin.

Njësia Tjetër (3 Nefi 1–11)

Në detyrën e ardhshme të studentëve, ata do të lexojnë rreth mbledhjes së mbarë kombit nefit për të luftuar hajdutët e Gadiantonit në një betejë të madhe. Si ishin në gjendje nefitët t’i mundnin hajdutët e ligj? Studentët do të lexojnë gjithashtu për shkatërrimin që ndodhi në kontinentet e Amerikës në kohën e vdekjes së Jezu Krishtit në Jerusalem. Në errësirë njerëzit dëgjuan zërin e Jezu Krishtit. Më pas Shpëtimtari i ringjallur erdhi që t’u shërbente vetë. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si do të ndiheshin, po të kishin qenë aty.