Biblioteka
Mësimi 134: 3 Nefi 28


Mësimi 134

3 Nefi 28

Hyrje

Kur Jezu Krishti i pyeti secilin prej dymbëdhjetë dishepujve të Tij nefitë se çfarë dëshironin prej Tij, nëntë prej tyre kërkuan një kthim të shpejtë tek Ai kur të ishte plotësuar shërbesa e tyre në tokë. Tre kërkuan të mbeteshin në tokë për të sjellë shpirtra tek Ai deri në Ardhjen e Dytë të Tij. Zoti i respektoi të dy grupet e dëshirave të drejta. Mormoni dha disa hollësi për shërbesën e Tre Nefitëve dhe ai gjithashtu tregoi atë që i kishte zbuluar Zoti atij rreth ndryshimit fizik që përjetuan Tre Nefitët, me qëllim që ata të mund të mbeteshin në tokë.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 28:1–11

Jezu Krishti plotëson dëshirat e dishepujve të Tij nefitë

I ftoni studentët të përsiatin se si do të përgjigjeshin nëse Jezu Krishti u shfaqej atyre dhe i pyeste: “Çfarë dëshironi nga unë?” U kërkoni t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Jepuni atyre mundësinë për të treguar atë që kanë shkruar nëse ndihen rehat për ta bërë atë.

Ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 28:1–3, duke kërkuar përgjigjen e nëntë dishepujve nefitë kur Zoti ua bëri këtë pyetje. Pasi studentët të raportojnë se çfarë kanë mësuar, pyetni:

  • Si u ndje Shpëtimtari rreth dëshirës së këtyre nëntë dishepujve?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 28:4–9, duke kërkuar se çfarë dëshiruan tre dishepujt e mbetur prej Shpëtimtarit. I bëni studentët të raportojnë për atë që gjejnë. (Mund të jetë e dobishme që ta tërhiqni vëmendjen e studentëve te thënia që vijon tek 3 Nefi 28:9: “Ju dëshiruat që të mund të sillnit tek unë shpirtrat e njerëzve”.)

  • Si u ndje Shpëtimtari rreth dëshirës së këtyre tre dishepujve?

  • Sipas 3 Nefit 28:8–9, çfarë u premtoi Shpëtimtari Tre Nefitëve që të mund të përmbusheshin dëshirat e tyre të drejta?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 28:10 dhe bëjeni klasën të kërkojë bekimet që Zoti u premtoi Tre Nefitëve.

  • Çfarë u premtoi Zoti Tre Nefitëve? Kur e keni parë se shërbimi ndaj të tjerëve çon drejt gëzimit?

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Zotit nga 3 Nefi 28:1–10? (Përgjigjet e studentëve për këtë pyetje mund të përfshijnë që Zoti na bekon sipas dëshirave tona të drejta dhe se Zoti kënaqet kur ne dëshirojmë t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë tek Ai.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e dëshirave të drejta, lexoni thëniet që vijojnë:

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Ajo që dëshirojmë me ngulmim, me kalimin e kohës, është ajo që vërtet do të bëhemi më së fundi dhe ajo që vërtet do të marrim në përjetësi. …

Dëshirat e drejta kanë nevojë të jenë të palëkundshme, si rrjedhim” (“According to the Desire of [Our] Hearts”, Ensign, nëntor 1996, f. 21–22).

Presidenti Brigam Jang na mësoi:

“Burrat dhe gratë që dëshirojnë të fitojnë vende në mbretërinë çelestiale, do të shohin se ata duhet të ndeshen me armikun e gjithë drejtësisë çdo ditë” (“Remarks”, Deseret News, 28 dhjetor 1864, f. 98).

  • Si mendoni ju, përse duhet të ndeshemi çdo ditë me qëllim që dëshirat tona të drejta të përmbushen?

  • Kur e keni ndier se Zoti ju ka bekuar për shkak të dëshirave tuaja të drejta?

I drejtoni studentët te dëshirat për të cilat shkruan në fillim të orës mësimore. I ftoni ata të shkruajnë dy ose tri fjali rreth asaj që do të fillojnë të bëjnë sot për t’u siguruar që mund të përmbushen ato dëshira të drejta.

3 Nefi 28:12–35

Mormoni përshkruan shërbesën e Tre Nefitëve

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 28:12–16. Bëjeni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që u ndodhi dishepujve nefitë pasi Shpëtimtari u largua prej tyre. Shpjegoni se dishepujt përjetuan shpërfytyrimin – një ndryshim të përkohshëm në trupat e tyre.

  • Sipas 3 Nefit 28:15, cila është një arsye përse dishepujt patën nevojë të shpërfytyroheshin? (Me qëllim që ata “të mund të shihnin gjërat e Perëndisë”.)

Shpjegoni se duke filluar me 3 Nefin 28:17, ne lexojmë përshkrimin e Mormonit për shërbesën e Tre Nefitëve. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 28:17, duke kërkuar atë që Mormoni nuk e dinte rreth gjendjes fizike të Tre Nefitëve kur e shkroi këtë rrëfim. (Ju mund të doni t’u thoni studentëve se më vonë në mësim, ata do të mësojnë më shumë rreth ndryshimit që përjetuan Tre Nefitët.)

Ftojini dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 28:18–23. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar për mënyrën se si Zoti i bekoi Tre Nefitët, që ata të mund t’i plotësonin dëshirat e tyre të drejta.

  • Çfarë bënë Tre Nefitët për t’i përmbushur dëshirat e tyre që të sillnin njerëz të tjerë te Shpëtimtari?

  • Në çfarë mënyrash i bekoi Zoti ata që të mund t’i përmbushnin dëshirat e tyre?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 28:25–32, duke përcaktuar njerëz që kanë përfituar dhe ende do të përfitojnë nga shërbesa e Tre Nefitëve. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë. (Vini re se 3 Nefi 28:27–28 tregon një arsye përse ne duhet të jemi të kujdesshëm rreth të besuarit dhe të treguarit të historive nga njerëz që shpallin se i kanë takuar Tre Nefitët: Mormoni tha se njerëzit mes të cilëve shërbenin Tre Nefitët “nuk do t’i njohin”.)

3 Nefi 28:36–40

Mormoni na mëson rreth natyrës së qenieve të përndryshuara

Pyetni studentët nëse kanë pasur ndonjëherë një pyetje rreth ungjillit ose nëse kanë lexuar ndonjëherë diçka në shkrimet e shenjta që nuk e kuptonin. I kujtoni ata se, kur Mormoni fillimisht shkroi rreth shpërfytyrimit të Tre Nefitëve, ai tha se nuk e kuptoi plotësisht ndryshimin në gjendjen e tyre fizike gjatë shërbesës së tyre në tokë (shih 3 Nefin 28:17).

  • Te kush drejtoheni zakonisht kur keni pyetje rreth ungjillit ose rreth pjesëve të shkrimeve të shenjta? Përse?

Ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 28:36–37 për të zbuluar atë që Mormoni bëri për ta gjetur përgjigjen e pyetjes së tij.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Mormoni rreth mënyrës se si të marrim kuptueshmëri shtesë? (Edhe pse studentët mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje në mënyra të ndryshme, sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin që vijon: Kur na mungon të kuptuarit, ne duhet t’i kërkojmë Atit Qiellor dhe vërtet do të marrim udhëzim.)

  • Cilët janë disa shembuj që e ilustrojnë këtë parim?

  • Cilat janë disa situata në të cilat ne mund të kemi nevojë t’i kërkojmë Atit Qiellor për më shumë të kuptuar?

Lexoni thënien që vijon, në të cilën Presidenti Spenser W. Kimball vë në dukje pak rrethana në të cilat ne duhet të lutemi për ndihmë:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Ne secili kemi kaq shumë nevojë për ndihmën e tij, kur kërkojmë të mësojmë të vërtetat e ungjillit dhe më pas t’i jetojmë ato, kur ne kërkojmë ndihmën e tij në vendimet madhore të jetës sonë, vendime që përfshijnë arsimimin, martesën, punësimin, vendin e banimit, rritjen e familjeve tona, shërbimin me njëri-tjetrin në punën e Zotit dhe kërkimin e faljes së tij dhe të udhëzimit e mbrojtjes së tij të vazhdueshme në gjithçka që bëjmë. Lista jonë e nevojave është e gjatë, e vërtetë dhe e përzemërt. …

Pas një jete të tërë plot lutje, unë e njoh dashurinë, fuqinë dhe forcën që vjen nga lutja e ndershme dhe e përzemërt. Unë e njoh gatishmërinë e Atit tonë për të na ndihmuar në përvojën tonë të vdekshmërisë, për të na mësuar, për të na udhëhequr, për të na udhëzuar. Kështu, me dashuri të madhe, Shpëtimtari ynë ka thënë: ‘Çfarë të them ty, ua them të gjithëve; lutuni gjithmonë’. (DeB 93:49.)” (“Pray Always”, Ensign, tetor 1981, f. 3, 6).

  • Si mund ta shtoni besimin tuaj tek fuqia e lutjes? Kur keni marrë ju dhe familja juaj përgjigje ndaj lutjeve tuaja?

I nxitni studentët të drejtohen tek Ati Qiellor në lutje, ndërsa kërkojnë të kuptojnë ungjillin dhe ndërsa hasin sfida në jetë. Dëshmoni për bekimet që ju kanë ardhur në jetën tuaj, ndërkohë që i keni çuar sfidat dhe pyetjet tuaja tek Ati Qiellor.

Shpjegoni se ndryshimi i përjetuar nga Tre Nefitët quhet përndryshim. Disa nga shërbëtorët besnikë të Zotit janë përndryshuar që të mund të vazhdonin shërbesën e tyre në tokë. Ndërsa Mormoni vazhdoi të kërkonte rreth këtij ndryshimi, ai mësoi rreth natyrës së qenieve të përndryshuara.

Shkruani në tabelë Qenie të Përndryshuara. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 28:37–38. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar për atë që Mormoni mësoi rreth ndryshimit që ndodhi në trupat e Tre Nefitëve.

  • Çfarë mësoi Mormoni rreth qenieve të përndryshuara? (I kërkoni një studenti të shërbejë si shkrues dhe t’i shkruajë përgjigjet e studentëve të tjerë në tabelë. Përgjigjet duhet të përfshijnë se qeniet e përndryshuara nuk e “provo[jnë] vdekjen”, se ata nuk ndiejnë dhembje dhe se nuk përjetojnë brengë përveçse brengës që ndiejnë për shkak të mëkateve të botës.)

  • Përse ishte ky ndryshim i nevojshëm për trupat e tyre? (Ju mund të dëshironi t’i bëni studentët të shqyrtojnë 3 Nefin 28:6–7. Ndryshimi ishte i nevojshëm që ata të mund ta përmbushnin dëshirën e tyre të drejtë që të mbeteshin në tokë dhe të vazhdonin të sillnin shpirtra te Krishti deri në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.)

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 28:39–40, duke kërkuar informacion shtesë rreth qenieve të përndryshuara. Ndërkohë që studentët raportojnë, bëjeni një shkrues tjetër t’i shkruajë gjetjet e tyre në tabelë… (Përgjigjet duhet të përfshijnë se qeniet e përndryshuara nuk mund të tundohen nga Satani, që ata janë të shenjtëruar e të shenjtë dhe se “fuqitë e tokës nuk mund t’i përmba[jnë]”.) Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se, edhe pse qeniet e përndryshuara nuk i provojnë dhembjet e vdekjes, ata nuk janë të ringjallur. Ata nuk do ta marrin atë “ndryshim më të madh” deri në Ditën e Gjykimit, kur do të ndryshohen nga vdekshmëria në pavdekshmëri me të shpejtë – “sa hap e mbyll sytë” (shih 3 Nefin 28:8, 40).

Përfundoni duke dëshmuar për parimet dhe doktrinat që diskutuat në klasë. I ftoni studentët të veprojnë sipas nxitjeve që kanë marrë nga Shpirti.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 28. Shpërfytyrimi dhe përndryshimi

Tre Nefitët u shpërfytyruan dhe u përndryshuan.

Shpërfytyrimi, që përmendet tek 3 Nefi 28:13–17, është “gjendja e njerëzve që përkohësisht ndryshohen në pamjen e jashtme dhe natyrën fizike – domethënë ngrihen në një nivel më të lartë shpirtëror – kështu që ata të mund të durojnë praninë dhe lavdinë e qenieve qiellore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërfytyrimi”, scriptures.lds.org; shih edhe DeB 67:11; Moisiu 1:11). Shkrimet e shenjta tregojnë për njerëz që janë shpërfytyruar, duke përfshirë Moisiun (shih Moisiu 1:9–11); Jezu Krishtin, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin (shih Mateu 17:1–8); dhe Jozef Smithin (shih Joseph Smith – Historia 1:14–20).

Qenie të përndryshuara janë “persona që ndryshohen që të mos provojnë dhembje ose vdekje, deri në ringjalljen e tyre në pavdekësi” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Qenie të Ngritura në Qiell”, scriptures.lds.org; shih edhe 3 Nefin 28:7–9, 20–22, 37–40). Qëllimi i tyre është të sjellin shpirtra te Krishti (shih 3 Nefi 28:9). Shkrimet e shenjta përmbajnë tregime të njerëzve që janë përndryshuar, duke përfshirë Enokun (shih Zanafilla 5:24; Hebrenjve 11:5), Moses (shih Alma 45:19), Elija (see 2 Mbretërve 2:11), Gjon të Dashurin (shih Gjoni 21:22–23; DeB 7).