Biblioteka
Mësimi 53: Mosia 3


Mësimi 53

Mosia 3

Hyrje

Duke vazhduar fjalimin e tij drejtuar popullit të tij, mbreti Beniamin përçoi fjalët që një engjëll i kishte thënë lidhur me shërbesën e Jezu Krishtit. Mbreti Beniamin dëshmoi se përmes besimit te Jezu Krishti dhe pendimit, ata që kanë mëkatuar mund të marrin shpëtim. Ai gjithashtu dha mësim se përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, një individ që i dëgjon thirrjet e Shpirtit të Shenjtë e “zhvesh njeriun e natyrshëm dhe … bëhet një shenjtor” (Mosia 3:19).

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Nëse në mësimin e mëparshëm ju i nxitët studentët që të mësonin përmendsh dhe të zbatonin Mosian 2:17, merrni parasysh që t’u jepni mundësi për të treguar përvojat e tyre në ndonjë çast sot. Bëni kujdes që të mos merrni shumë kohë për këtë rishikim. Lini kohë të mjaftueshme për të diskutuar doktrinat dhe parimet te Mosia 3.

Mosia 3:1–10

Mbreti Beniamin tregon fjalët e një engjëlli rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit

Paraqitni një gotë bosh dhe një mbajtëse uji. Ftojeni një student të tregojë se sa ujë ai apo ajo do të hidhte në gotë për dikë që dëshiron vetëm të provojë shijen e ujit. Pastaj vëreni studentin të tregojnë se sa ujë ai apo ajo do të hidhte për dikë që dëshiron të nginjet. Kërkojuni studentëve të përsiaten rreth pyetjes në vijim:

  • Nëse uji përfaqëson gëzimin, sa do të dëshironit në gotën tuaj?

Shpjegojuni studentëve që mësimet te Mosia 3 do t’i ndihmojnë të kuptojnë se si mund të nginjen me gëzim.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 3:2–5. Kërkojini klasës të gjejnë burimin e mesazhit të mbretit Beniamin te Mosia 3.

Theksoni se Mosia 3 përmban shpalljen nga një engjëll të “lajme[ve] [të] gëzuara të gëzimit të madh” (Mosia 3:3). Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë nga Mosia 3:5–10. Kërkojini klasës të kërkojnë fjalë apo fraza që i ndihmojnë të vlerësojnë më mirë misionin e Jezu Krishtit. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza. Ftoni disa studentë të tregojnë fjalët dhe frazat që kanë gjetur.

  • Çfarë ju ndihmon që të kuptoni rreth misionit të Shpëtimtarit Mosia 3:7?

  • Përse mendoni se engjëlli tha se ky mesazh do të sillte gëzim të madh?

Ftojini studentët të shkruajnë një përmbledhje me një fjali nga Mosia 3:5–10 në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e tyre të klasës. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, ftojini disa prej tyre të tregojnë atë që kanë shkruar. Përmbledhjet e studentëve duhet të tregojnë që është kuptuar mësimi i engjëllit se Jezu Krishti vuajti që ne të mund të shpëtohemi nga mëkatet tona.

Ju mund të dëshironi t’i vijoni përgjigjet e studentëve me pyetjen e mëposhtme:

  • Çfarë ndjenjash keni kur mendoni rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për ju?

Për t’i ndihmuar studentët të thellojnë të kuptuarin e tyre rreth vuajtjes së Shpëtimtarit, ndani thënien në vijim nga Plaku Xhejms Talmeixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Agonia e Krishtit në kopsht është e pakuptueshme nga mendja e kufizuar, si për sa i përket intensitetit edhe shkakut. … Ai u përpoq dhe rënkoi nën një barrë të atillë që asnjë qenie tjetër që ka jetuar në tokë nuk mund ta marrë as si të mundur. Nuk qe dhembja fizike, as vetëm vuajtja mendore, që e bënë Atë të vuante një torturë të atillë sa të prodhonte rrjedhje gjaku nga çdo por; por një agoni shpirtërore e shpirtit e tillë që vetëm Perëndia qe në gjendje ta përjetonte. … Në atë orë ankthi, Krishti u ndesh dhe i mposhti të gjitha tmerret që Satani, ‘princi i kësaj bote’, mund të shkaktonte. … Në një farë mënyre, aktuale dhe tmerrësisht të vërtetë megjithëse të pakuptueshme për njeriun, Shpëtimtari mori mbi Vete barrën e mëkateve të njerëzimit nga Adami deri në fund të botës” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 613).

Mosia 3:11–27

Mbreti Beniamin dëshmon se përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të zhveshim njeriun e natyrshëm dhe të bëhemi shenjtorë

U thoni studentëve që mbreti Beniamin tregoi përshkrimin nga engjëlli të grupeve të ndryshme të popujve dhe se si Shlyerja e Jezu Krishtit gjen zbatim për secilin grup. Shkruajini pyetjet në vijim në tabelë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 3:11–13, 16, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve në vijim:

Si gjen zbatim Shlyerja:

Për ata që vdesin pa një njohuri mbi ungjillin?

Për ata që ngrenë krye kundër Perëndisë dhe mëkatojnë me qëllim?

Për fëmijët që vdesin para se të arrijnë moshën e përgjegjshmërisë?

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që të tregojnë përgjigjet e tyre për këto pyetje. (Për t’i ndihmuar që t’i përgjigjen pyetjes së parë, ju mund të dëshironi t’i vini të lexojnë Doktrina e Besëlidhje 137:7–10. Për t’i ndihmuar për pyetjen e tretë, mund të dëshironi t’i vini të lexojnë Moronin 8:8, 17 dhe Doktrina e Besëlidhje 29:46–47.)

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth ndikimit të Shlyerjes mbi të gjithë fëmijët e Atit Qiellor:

“Ne … lexojmë se ‘gjaku i tij shlyen për mëkatet e atyre … që kanë vdekur pa ditur vullnetin e Perëndisë në lidhje me ta, ose që kanë bërë mëkat nga padituria’ (Mosia 3:11). Po ashtu ‘gjaku i Krishtit shlyen për [fëmijët e vegjël]’ (Mosia 3:16). Këto mësime, që fuqia ringjallëse dhe pastruese e Shlyerjes është për të gjithë, kundërshtojnë thënien se hiri i Perëndisë shpëton vetëm disa të zgjedhur. Hiri i tij është për të gjithë. Këto mësime të Librit të Mormonit zgjerojnë vizionin tonë dhe rritin kuptimin tonë për dashurinë e plotë të Perëndisë dhe ndikimin e madh të Shlyerjes së Tij për të gjithë njerëzit kudo” (“All Men Everywhere”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 77; “Të Gjithë Njerëzit Kudo”, Konferenca e Përgjithshme prill 2006 [nr. i artikullit 01636 101], f. 119-120).

  • Çfarë parimi mësojmë nga Mosia 3:12 rreth mënyrës se si Shlyerja gjen zbatim për ne? (Ne do të shpëtohemi nga mëkatet tona kur ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe pendohemi.)

  • Sipas këtij vargu, çfarë do t’u ndodhë atyre që zgjedhin të mos ushtrojnë besim në Jezu Krisht e të pendohen?

Vini në dukje se Mosia 3:19 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që ta shenjojnë këtë fragment në një mënyrë të dallueshme që të jenë në gjendje ta gjejnë me lehtësi. Gjithashtu tërhiqni vëmendjen te Mosia 3:19 te përdorimi i termit “njeriu i natyrshëm” nga engjëlli. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë frazë, lexoni shpjegimin në vijim nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta:

Njeri i natyrshëm është: “Një person i cili zgjedh të ndikohet prej pasioneve, dëshirave, orekseve dhe ndjesive të mishit më shumë sesa prej pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë. Një njeri i tillë mund të kuptojë gjëra trupore, por jo gjëra shpirtërore. Të gjithë njerëzit janë mishtorë, ose të vdekshëm, për shkak të rënies së Adamit dhe Evës. Çdo njeri duhet të lindet përsëri nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Njeri i Natyrshëm”, f. 134; Guide to the Scriptures, “Natural Man”, scriptures.lds.org).

Shkruajini pyetjet në vijim në tabelë. Vërini studentët që, teksa shqyrtojnë në heshtje Mosian 3:19, të kërkojnë përgjigje për pyetjet.

Si e përshkroi engjëlli marrëdhënien e një njeriu të natyrshëm me Perëndinë?

Sipas këtij vargu, si mund ta zhveshim njeriun e natyrshëm?

Vini në dukje se përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, një person bën më shumë sesa thjesht ndalon së qeni “njeri i natyrshëm”. Ai ose ajo “bëhet një shenjtor”. Përveçse na shpëton nga mëkatet tona, Shpëtimtari na bën njerëz më të mirë sesa do të mund të ishim ndonjëherë nga vetja. Ai na ndihmon të bëhemi më shumë si Ai. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë doktrinë, lexoni thënien në vijim nga Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Si duar të pafajshme edhe një zemër e pastër kërkohen për t’u ngjitur në malin e Zotit dhe për të qëndruar në vendin e Tij të shenjtë [shih Psalmeve 24:3–4].

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Më lejoni të sugjeroj se duart bëhen të pafajshme përmes procesit të zhveshjes së njeriut të natyrshëm dhe nëpërmjet mposhtjes së mëkatit dhe ndikimeve të liga në jetën tonë me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Zemra pastrohet kur marrim fuqinë e tij forcuese për të bërë të mirën dhe për t’u bërë më të mirë. Të gjitha dëshirat e denja dhe veprat tona të mira, sido që janë të nevojshme, nuk mund të prodhojnë duar të pafajshme dhe zemër të pastër. Është Shlyerja e Jezu Krishtit ajo që siguron qoftë pastrimin dhe fuqinë shëlbuese që na ndihmon të kapërcejmë mëkatin, qoftë shenjtërimin dhe fuqinë forcuese që na ndihmon të bëhemi më të mirë nga sa mund të ishim duke u mbështetur vetëm tek forca jonë. Shlyerja e pafundme është si për mëkatarin, ashtu edhe për shenjtorin tek secili prej nesh” (“Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 82).

Për t’i ndihmuar studentët të përmbledhin doktrinat që kanë mësuar nga Mosia 3:19, pyetni:

  • Cilat janë disa të vërteta të ungjillit që i gjeni te Mosia 3:19?

Studentët mund të renditin disa doktrina nga ky varg, duke përfshirë sa vijon:

Njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë.

Kur i dëgjojmë thirrjet e Shpirtit të Shenjtë, ne e zhveshim njeriun e natyrshëm.

Përmes Shlyerjes së Krishtit, ne mund ta zhveshim njeriun e natyrshëm dhe të bëhemi shenjtorë.

Ftojini studentët t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në vijim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara fillimit të orës mësimore, të përgatitni një fletushkë për shpërndarje me pyetjet ose t’i lexoni pyetjet me ngadalë në mënyrë që studentët të mund t’i shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

  • Çfarë mund të bëni për t’i dëgjuar më plotësisht “thirrjet e Frymës së Shenjtë”? Çfarë do të bëni gjatë javës në vijim për t’u përmirësuar në këtë fushë të jetës suaj?

  • Çfarë cilësie të një fëmije, të renditur te Mosia 3:19 ju duhet që ta zhvilloni më tepër? Çfarë do të bëni gjatë javës tjetër për t’ju ndihmuar ta zhvilloni atë cilësi?

Për t’i ndihmuar studentët të fitojnë një vlerësim më të madh për Shlyerjen e Shpëtimtarit, lexojuni Mosian 3:23–26. Shpjegoni që fraza “kupa e inatit të Perëndisë” te vargu 26 nënkupton vuajtjen përfundimtare të atyre që mëkatojnë me dëshirë dhe nuk pendohen. Pastaj kërkojini një studenti të lexojë Doktrina e Besëlidhje 19:16–19. Kërkojuni studentëve që të dëgjojnë për fjalën kupëvargun 18.

  • Çfarë ka bërë Jezu Krishti kështu që ne nuk do të na duhet të pimë “nga kupa e inatit të Perëndisë”? (Ai e ka pirë atë kupë Vetë, duke marrë mbi Vete ndëshkimin për mëkatet tona. Nëse pendohemi me të vërtetë, nuk do të na duhet ta vuajmë atë ndëshkim.)

Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mosia 3:19

Për t’i ndihmuar studentët ta mësojnë përmendsh Mosian 3:19, ndajini dyshe-dyshe. Kërkojuni që të lexojnë me zë Mosian 3:19, [duke lexuar secili] vetëm nga një fjalë, duke u këmbyer me shokun e tyre pas çdo fjale. Kërkojuni që ta përsëritin këtë ushtrim disa herë. Ju mund të dëshironi t’i shtoni larmishmëri kësaj veprimtarie duke i kërkuar partnerit tjetër të lexojë dy ose tri fjalë njëherazi.

Përsëritja e kësaj veprimtarie do t’i ndihmojë studentët të njihen me përmbajtjen e vargut dhe do ta bëjë më të lehtë për ta që ta mësojnë përmendsh të gjithë vargun. Sfidojini që ta përfundojnë vetë mësimin përmendsh të Mosias 3:19.

Shënim: Për shkak të natyrës dhe kohëzgjatjes së këtij mësimi, veprimtaria e mëposhtme do të të përdorej më së miri një ditë tjetër kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 3:5–11. Të mësuarit rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim që ne duhet të përpiqemi të kuptojmë gjithçka mundemi rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit:

“Asnjë nga ne nuk mundet kurrë të vlerësojë si duhet në vdekshmëri rrjedhimet e plota e të dobishme të Shlyerjes.

Ka një nevojë të domosdoshme për secilin prej nesh që të forcojmë kuptimin e domethënies së Shlyerjes së Jezu Krishtit, në mënyrë që ajo të bëhet një themel i patundur mbi të cilin të ndërtojmë jetën tonë. Ndërsa bota bëhet gjithnjë më e mangët në standarde themelore dhe ndërsa nderi, virtyti dhe dëlirësia lihen mënjanë gjithnjë e më shumë në ndjekje të dëshirave e kënaqësive fizike ose emocionale, kuptimi dhe besimi ynë për Shlyerjen e Jezu Krishtit do të na japin forcën dhe aftësinë e duhur për një jetë të suksesshme. Ato do të na japin gjithashtu vetëbesim në kohë prove dhe paqe në çaste trazimi.

Unë ju nxis fuqimisht që të hartoni një plan personal studimi për të kuptuar dhe vlerësuar më mirë rrjedhimet e pakrahasueshme, të përjetshme dhe të pafundme të përmbushjes së përsosur të Jezu Krishtit të thirrjes së Tij të caktuar hyjnisht si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Meditimi i thellë personal mbi shkrimet e shenjta i shoqëruar me lutjen kërkuese të ndier me zemër do të forcojnë kuptimin dhe vlerësimin tuaj për Shlyerjen e Tij të paçmueshme. Një mënyrë tjetër e fuqishme për të mësuar për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij është nëpërmjet shkuarjes rregullisht në tempull (“Ai Jeton! Lavdi Pastë Emri Tij!”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 77).

Mosia 3:19. Sakramenti dhe bërja Shenjtor

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi lidhjen mes sakramentit dhe përpjekjeve tona për t’u bërë “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19):

“Mbledhja e sakramentit është më e shenjta dhe më e shenjtëruara nga të gjitha mbledhjet në Kishë. Pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari krijoi sakramentin mes nefitëve. Nëse ne duhet të jemi dishepujt e Tij dhe të jemi anëtarë të angazhuar të Kishës së Tij, duhet ta kujtojmë dhe nderojmë sakramentin. Ai i lejon secilit prej nesh të shprehë me zemër të thyer e shpirt të penduar gatishmërinë tonë për të ndjekur Shpëtimtarin, për t’u penduar dhe për t’u bërë shenjtor përmes Shlyerjes së Krishtit” (“Ne Ndjekim Jezu Krishtin”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 84).