Biblioteka
Mësimi 73: Alma 6–7


Mësimi 73

Alma 6–7

Hyrje

Pasi vuri Kishën në rregull në Zarahemla, Alma shkoi në qytetin e Gideonit. Ai i gjeti njerëzit atje të ishin më besnikë sesa kishin qenë ata në Zarahemla. Si rrjedhim, mesazhi i tij në Gideon ishte i ndryshëm nga mesazhi i tij në Zarahemla. Ai i nxiti njerëzit që të mbështeteshin vazhdimisht te Zoti dhe të përpiqeshin ta zbatonin Shlyerjen e Tij në jetën e tyre. Ai dëshmoi se Shpëtimtari do të merrte mbi veten e Tij vdekjen e mëkatet tona dhe se Ai gjithashtu do të merrte mbi veten e Tij dhembjet, hidhërimet, sëmundjet dhe dobësitë tona, që Ai të mund të dinte se si të na ndihmonte.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 6

Alma vendos në rregull Kishën në Zarahemla dhe shkon të predikojë në Gideon

Përpara mësimit, ftojeni një student të përgatitet për t’i treguar shkurtimisht klasës për disa mënyra se si ai ose ajo është ndier i bekuar për përpjekjet e veta për të ardhur në kishë. Për ta filluar orën e mësimit, i kërkoni këtij studenti të dalë përpara klasës dhe të japë mendimet që ai ose ajo ka përgatitur. Ju gjithashtu mund të tregoni se si jeni bekuar ju nëpërmjet ardhjes në Kishë.

Paraqitni Almën 6 duke shpjeguar se ky kapitull na mëson se si Alma dhe udhëheqës të tjerë të priftërisë e fuqizuan Kishën në Zarahemla.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 6:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që anëtarët e Kishës në Zarahemla bënë për ata që nuk e njihnin Perëndinë. U kërkoni studentëve të raportojnë për atë që mësojnë.

Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kisha është themeluar për të mirën e gjithë njerëzve. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth mënyrës se si kjo e vërtetë mund ta ndikojë jetën e tyre, pyetni:

  • Si mendoni se Kisha sot mund t’i bekojë ata që nuk e njohin Perëndinë?

I ftoni studentët të mendojnë për dikë që ka nevojë ta njohë më mirë Perëndinë. Ky njeri mund të jetë anëtar i Kishës ose anëtar i një feje tjetër. Dëshmoni për bekimet që marrim ngaqë jemi anëtarë të Kishës, dhe i nxitni studentët t’i ftojnë të tjerët të marrin pjesë në ato bekime.

Alma 7:1–13

Alma profetizon për ardhjen e Jezu Krishtit

Ndajeni klasën në grupe me dy vetë dyshe. I kërkoni secilës dyshe të diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjen që vijon:

  • Cilat janë disa ngjarje të ardhshme për të cilat jeni të gëzuar?

Pasi dyshet të kenë pasur kohë për t’i diskutuar përgjigjet e tyre për këtë pyetje, u kërkoni dy ose tre studentëve t’i tregojnë të gjithë klasës për përgjegjësitë e tyre. Më pas shpjegoni se pasi vuri në rregull Kishën në Zarahemla, Alma shkoi në qytetin e Gideonit. Ai u tha njerëzve atje se, nga të gjitha gjërat që do të vinin në të ardhmen, një gjë ishte me “rëndësi më të madhe nga të gjitha të tjerat” (Alma 7:7). Ai u mësoi parime që do t’i ndihmonin njerëzit të përgatiteshin për bekimet që do të vinin për shkak të kësaj ngjarjeje të ardhshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 7:3–6. Vëreni klasën të kërkojë shpresat që kishte Alma lidhur me njerëzit në Gideon. Më pas ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Almën 7:18–19. U kërkoni studentëve të përshkruajnë atë që Alma mësoi me anë të frymëzimit rreth njerëzve të Gideonit.

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 7:7, 9–10, duke kërkuar ngjarjen që Alma mendoi se ishte më e rëndësishmja që njerëzit të dinin rreth saj.

  • Sipas Almës, cila ishte “një [gjë] … [që kishte] rëndësi më të madhe” sesa çfarëdo gjë tjetër që do të vinte? Si mendoni ju, përse ardhja e Shpëtimtarit është ngjarja më e rëndësishme e të gjithë kohës?

  • Si mendoni ju, përse Alma do t’i thoshte një populli që tashmë besonte dhe kishte besim të fortë, se ata kishin nevojë të pendoheshin?

Shpjegoni se Alma më pas u mësoi arsyen përse ardhja e Jezu Krishtit ishte ngjarja më e rëndësishme në të gjithë historinë njerëzore. U kërkoni dy ose tre studentëve që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 7:11–13. Ftoni pjesën tjetër të klasës t’i ndjekin dhe të përcaktojnë atë që Shpëtimtari mori mbi veten e Tij për ne. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se ndihmojë do të thotë të japë lehtësim ose të vijë në ndihmë të dikujt.)

Vini në dukje se Alma 7:11–13 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fragment në mënyrë të dukshme që të jenë në gjendje ta gjejnë lehtësisht.

Renditni përgjigjet e studentëve si tituj përgjatë kreut të tabelës. Përgjigjet mund të përfshijnë dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet, vdekjen, dobësitë (pasiguritë ose paaftësitë) dhe mëkatet.

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “të çdo lloji” tek Alma 7:11. U kërkoni atyre të përmendin shembuj për secilën gjendje të shkruar në tabelë. Teksa studentët japin shembuj, i shkruani ata nën titujt përkatës. (Për shembull, kancer mund të renditet nën sëmundje dhe paaftësi fizike mund të renditet nën dobësitë.)

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Brus Heifën, i Të Shtatëdhjetëve:

“Shlyerja nuk është thjesht për mëkatarët” (“Beauty for Ashes: The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, prill 1990, f. 7). Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë thënie në tabelë dhe t’u sugjeroni studentëve ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 7:11–13.

  • Bazuar në atë që kemi lexuar tek Alma 7:11–13, si mendoni ju, çfarë donte të thoshte Plaku Heifën kur tha se “Shlyerja nuk është vetëm për mëkatarët”?

Shkruani në tabelë të vërtetën që vijon: Jezu Krishti vuajti për të na shpëtuar nga mëkati e vdekja dhe për të na ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej se si ata mund të mbështeten në Shlyerjen e Shpëtimtarit, lexoni thënien që vijon nga Plaku Xhefri Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“A po ndesheni me një demon të varësisë – duhanin ose drogën, apo bixhozin ose murtajën bashkëkohore, shkatërruese të pornografisë? … A ndiheni i hutuar lidhur me identitetin gjinor apo kërkimin për vetëvlerësim? A ndesheni ju – ose dikush që doni – me sëmundje apo depresion ose vdekje? Çfarëdo hapash të tjerë mund të keni nevojë të ndërmerrni për t’i zgjidhur këto shqetësime, ejani fillimisht tek ungjilli i Jezu Krishtit. Besoni te premtimet e qiellit. …

Kjo mbështetje te natyra e mëshirshme e Perëndisë është vërtet në qendër të ungjillit që na mësoi Krishti. Unë dëshmoj se Shlyerja e Shpëtimtarit ngre nga ne jo vetëm barrën e mëkateve tona, por edhe barrën e zhgënjimeve dhe hidhërimeve tona, të dhembjeve tona dhe dëshpërimit tonë. [Shih Alma 7:11–12.] Që nga fillimi, të besuarit në një ndihmë të tillë ishte që të na jepte si një arsye, ashtu edhe një mënyrë për t’u përmirësuar, një nxitës për t’i ulur poshtë barrat tona dhe për të ngritur shpëtimin tonë” (“Gjëra të Rrënuara për t’u Rimëkëmbur”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 70–71; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 106).

  • Si mund të na ndihmojë ne të kuptuarit e Almës 7:11–13 kur ndeshemi me sfida?

Për t’i ilustruar disa nga mënyrat se si mund të marrim ndihmë dhe forcë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, lexoni situatat vijuese. Pasi ta lexoni secilën prej tyre, u kërkoni studentëve të shpjegojnë se si Jezu Krishti, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, mund ta ndihmonjë një njeri që ndeshet me një sfidë të tillë.

  1. Një e re pati një aksident automobilistik që e la të paralizuar nga këmbët.

  2. Një i ri ndien turp për disa zgjedhje të këqija që ka bërë. Ai ndihet i dëshpëruar dhe i pavlerë.

  3. Babai i një të riu ndërroi jetë kohët e fundit dhe i riu ka lëvizur në një qytet të ri me nënën e tij. Ai ndihet i trishtuar dhe i vetmuar e nuk mund të shohë se si ndonjë gjë do të shkojë ndonjëherë përsëri mirë.

Jepni dëshminë tuaj për fuqinë e Shlyerjes dhe shtrirjen që ajo arrin. Më pas u jepni studentëve pak minuta që t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara orës së mësimit, të përgatitni një fletushkë me pyetjet ose t’i lexoni pyetjet me ngadalë me qëllim që studentët të mund t’i shkruajnë ato.)

  • Kur ju ka ndihmuar Shlyerja ju ose dikë që njihni në një nga mënyrat e përmendura tek Alma 7:11–13?

  • Çfarë do të bëni për t’u mbështetur te Shlyerja, ndërkohë që ju ndesheni me sfida?

Ftoni dy ose tre studentë për të përgatitni me klasën atë që kanë shkruar. (U kujtoni atyre që nuk nevojitet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e brendshme.)

Alma 7:14–27

Alma i nxit njerëzit të vazhdojnë përgjatë shtegut të mbretërisë së Perëndisë

Për t’i kujtuar studentët se si Alma e përshkroi gjendjen shpirtërore të njerëzve në Gideon, ftojeni një nga ata të lexojë me zë të lartë Almën 7:19. Theksoni se njerëzit ishin “në shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë”. Shpjegoni se Alma donte t’i ndihmonte ata për të qëndruar në atë shteg.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se duke i jetuar parimet e ungjillit, ne ndjekim shtegun drejt mbretërisë së Perëndisë, vizatoni një shteg përmes tabelës. Në fillim të shtegut, shkruani Vdekshmëria. Në fund të shtegut, shkruani Mbretëria e Perëndisë. Ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni njërin grup të studiojë Almën 7:14–16 dhe grupin tjetër të studiojë Almën 7:22–24. U kërkoni grupeve të kërkojnë atë që na duhet të bëjmë dhe atë që na duhet të jemi me qëllim që të ndjekim shtegun që çon drejt mbretërisë së Perëndisë.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, i ftoni dy ose tre prej tyre të vijnë tek tabela. U kërkoni të shkruajnë përgjatë shtegut veprimet dhe tiparet që kanë gjetur, të cilat çojnë drejt mbretërisë të Perëndisë. Ju mund të merrni parasysh t’i pyetni studentët se çfarë domethënie kanë për ta disa nga veprimet ose cilësitë përgjatë shtegut. Ju mund t’u kërkoni gjithashtu të mendojnë rreth mënyrës se si mund ta ndjekin këtë shteg në jetën e tyre. Dëshmoni se kur jetojmë besnikërisht, ne jemi “në shtegun që … çon në mbretërinë e Perëndisë” (Alma 7:19).

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Alma 7:11–13

Ngaqë Alma 7:11–13 është një fragment i gjatë i zotërimit të shkrimit të shenjtë, mund të jetë e vështirë për studentët që ta mësojnë përmendsh. Por gjuha e Almës përmban fjalë të veçanta që mund t’i ndihmojnë studentët që të kujtojnë gjatë gjithë jetës së tyre fuqinë dhe arritjen gjithëpërfshirëse të Shlyerjes. Për t’i ndihmuar t’i mësojnë përmendsh këto fjalë kyçe, shkruani tekstin e Almës 7:11–13 në tabelë përpara orës së mësimit, duke i zëvendësuar me hapësira fjalët kyçe që vijojnë, kurdoherë që ato shfaqen: dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet, vdekja, dobësitë, mëkatet, shkeljet. (Për shembull, shkrimi juaj i Almës 7:11 do të fillonte kështu: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur … dhe … dhe … të çdo lloji”.)

Ndërsa lexoni me zë të lartë Almën 7:11–13 si klasë, vërini studentët të japin fjalët që mungojnë. Pasi ta keni bërë këtë gjë dy ose tre herë, u kërkoni studentëve nëse mund të shkruajnë në një fletë të veçantë letre fjalët që tregojnë atë që Shpëtimari mori mbi Veten e Tij për ta. I ftoni studentët të kujtojnë gjithmonë atë që Jezu Krishti ka bërë për ta, kështu që kur përjetojnë sfida, ata të mund të kenë besim më të madh në “fuqi[në] çliruese të tij”.

Shënim: Ju mund të dëshironi të përdorni pak minuta në fillim të orës suaj të ardhshme mësimore për të parë nëse studentët ende mund t’i kujtojnë këto fjalë kyçe lidhur me shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 6:6. Agjërimi dhe lutja në emër të “atyre që nuk e njihnin Perëndinë”

Për të theksuar që bekimet e anëtarësisë në Kishë synohen për të gjithë fëmijët e Perëndisë, ju mund të doni të lexoni thënien që vijon nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Secili lutet për misionarët. Qoftë kështu përgjithmonë. Në po atë shpirt, ne gjithashtu duhet të lutemi për ata që janë duke u takuar (ose që kanë nevojë të takohen) me misionarët. Në Zarahemla, anëtarët u urdhëruan të ‘bashkoheshin në agjërim dhe lutje të fuqishme’ [Alma 6:6] për ata që nuk ishin bashkuar ende me Kishën e Perëndisë. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë.

Ne gjithashtu mund të lutemi çdo ditë për përvojat tona vetjake misionare. Lutuni që nën drejtimin hyjnor të gjërave të tilla, mundësia misionare që dëshironi po përgatitet tashmë në zemrën e dikujt, i cili mezi pret dhe kërkon atë që ju keni. ‘Ka shumë vetë akoma mbi tokë … të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë.’[DeB 123:12.] Lutuni që ata do t’ju gjejnë juve! Dhe më pas jini të vëmendshëm, sepse ka turma njerëzish në botën tuaj që ndiejnë uri në jetën e tyre” (“Witnesses unto Me”, Ensign, maj 2001, f. 15).

Alma 7:1-5. Njerëzit në tokën e Gideonit

Alma 7 përmban mësimet e Almës dhënë njerëzve që jetuan në qytetin e Gideonit, i cili ndodhej në luginën e Gideonit, “që quhej me emrin e njeriut që u vra me shpatë nga dora e Nehorit” (Alma 6:7). Gideoni ishte një dishepull besnik i Jezu Krishtit, i cili kishte qenë një mjet në duart e Perëndisë për ta çliruar popullin e Limhit nga robëria. Ai e përballoi doktrinën e Nehorit me fjalën e Perëndisë deri në vdekje. (Shih Mosia 22:3–9; Alma 1:7–9.) Njerëzit që banuan në tokën që mbante emrin e këtij burri besnik, ishin gjithashtu besnikë (shih Alma 7:17–20, 26). Alma qe në gjendje t’u fliste atyre fjalë shenjtërie me gëzim, duke e ditur se ata besonin dhe kishin zgjedhur të adhuronin Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë (shih Alma 7:6). Besnikëria e tyre mund t’i kishte përgatitur ta pranonin mësimin e fuqishëm të Almës mbi Shlyerjen – se Jezu Krishti do të “marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij”, se Ai do ta “ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” dhe se Ai do të “marrë përsipër mëkatet e popullit të tij” (Alma 7:11–13).

Alma 7:10. Jezusi u lind “në Jeruzalem”

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi vendndodhjen e lindjes së Shpëtimtarit, siç u shpall nga Alma:

“Nuk ka asnjë përplasje ose kundërshti në Librin e Mormonit me ndonjë të vërtetë të shënuar në Bibël. Një lexim i kujdesshëm i asaj që tha Alma, do të tregojë se ai nuk kishte ndërmend të shpallte se Jezusi do të lindej Jerusalem. Alma dinte më mirë. Po ashtu dinte Jozef Smithi dhe ata që u shoqëruan me të në sjelljen në dritë të Librit të Mormonit. Po të kishte thënë Alma, ‘lindet Jeruzalem, në qytetin e stërgjyshërve tanë’, do ta kishte bërë gjithë ndryshimin e mundshëm. Atëherë do të kishim thënë se ai bëri gabim. Alma nuk bëri asnjë gabim dhe ajo që ai tha është e vërtetë.

Dr. Hju Nibli, në kursin e tij të studimit për priftërinë në vitin 1957, An Approach to the Book of Mormon [Një Afrim te Libri i Mormonit], në mësimin 8, faqe 85, tha këtë lidhur me këtë çështje:

‘… Një nga pikat e preferuara të sulmit ndaj Librit të Mormonit ka qenë thënia në Alma 7:10 se Shpëtimtari do të lindej “në Jeruzalem që është toka e stërgjyshërve tanë”. Këtu Jerusalemi nuk është qyteti “ tokën e stërgjyshërve tanë”, ai është toka. Krishti u lind në një fshat rreth dhjetë kilometra nga qyteti i Jerusalemit; nuk ishte qyteti, por ishte në atë që ne tani e dimë se vetë të lashtët e përcaktuan si “toka e Jerusalemit”’” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–66], 1:174).

Alma 7:11–13. “Dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, ofroi idenë vijuese lidhur me ngushëllimin që mund të marrim për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit:

“Do të na ngushëllojë, kur duhet të presim në ankth për qetësimin e premtuar të Shpëtimtarit, që Ai e di, nga përvoja, si të na shërojë dhe ndihmojë ne. Libri i Mormonit na jep garancinë e sigurt për fuqinë e Tij për të na ngushëlluar. Dhe besimi në atë fuqi do të na japë durim kur lutemi e punojmë dhe presim për ndihmë. Ai do të mund ta kishte ditur si të na vinte në ndihmë thjesht me anë të zbulesës, por Ai zgjodhi ta mësonte me anë të vetë përvojës së Tij” (“Fatkeqësia”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 24).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se Shpëtimtari është në gjendje të na ndihmojë me çfarëdo lloj sfide që mund të hasim:

“Shumë vetë mbartin barra të rënda. Disa kanë humbur një njeri të dashur prej vdekjes ose kujdesen për dikë që është i paaftë. Disa janë lënduar nga divorci. Të tjerë presin me padurim një martesë të përjetshme. Disa ndodhen nën skllavërinë e substancave ose praktikave që krijojnë varësi, si alkooli, duhani, drogat ose pornografia. Të tjerë kanë dëmtime gjymtuese, fizike ose mendore. Disa sfidohen prej tërheqjes nga e njëjta gjini. Disa kanë ndjenja të tmerrshme depresioni ose pamjaftueshmërie.

Fuqia shëruese e Zotit Jezu Krisht – qoftë kur i largon barrat tona ose kur na forcon për t’i duruar ato dhe për të jetuar me to … – është e vlefshme për çdo mundim në vdekshmëri” (“Ai Shëron të Lënduarin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 6, 8; Konferenca e Përgjithshme, nëntor 2006, f. 6, 8).

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi për dhembshurinë e Krishtit dhe aftësinë e Tij për të na ndihmuar:

“Krishti eci në shtegun që çdo i vdekshëm thirret të ecë, me qëllim që ai të dijë se si të na ndihmojë dhe forcojë në kohërat tona më të vështira. Ai i njeh barrat më të thella dhe më vetjake që mbartim. Ai i njeh dhembjet më të dukshme dhe më therëse që durojmë. Ai zbriti nën gjithë këtë pikëllim me qëllim që ai të mund të na ngrinte mbi të. Nuk ka asnjë ankth ose hidhërim apo trishtim në jetë që ai nuk e ka vuajtur për hirin tonë dhe që nuk e ka duruar mbi vetë supet e tij të guximshme dhe të dhembshura” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 223–224).