Biblioteka
Mësimi 139: Mormoni 5–6


Mësimi 139

Mormoni 5–6

Hyrje

Mormoni profetizoi se anali i tij do të dilte në dritë në ditët e fundit, për t’i bindur ata që e lexojnë se Jezusi është Krishti. Ai i nxiti ata që do ta lexonin analin, të pendoheshin dhe të përgatiteshin për vetë gjykimin e tyre përpara Perëndisë. Midis vetë popullit të tij, Mormoni mori përsëri në shqyrtim dorëheqjen e tij si komandanti ushtarak i nefitëve, duke rënë dakord t’i udhëhiqte sërish në betejë. Megjithatë, njerëzit nuk pranuan të pendoheshin dhe u ndoqën nga lamanitët derisa i gjithë kombi nefit u shkatërrua. Ndësa Mormoni pa këtë skenë vdekjeje dhe shkatërrimi, ai vajtoi rënien e popullit të tij dhe mosdashjen e tyre për t’u kthyer te Jezu Krishti.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mormoni 5:1–9

Mormoni vendos ta udhëheqë përsëri ushtrinë nefite, por lamanitët fitojnë

Përmendni një katastrofë natyrore që mund të ishte një kërcënim në zonën tuaj – për shembull, një tërmet, cunam, shpërthim vullkani ose uragan. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur janë paralajmëruar se kjo katastrofë natyrore do të ndodhë në komunitetin e tyre brenda pak ditësh.

  • Ku do të drejtoheshit për ndihmë?

Kujtojuni studentëve se nefitët ishin përballë një niveli të ngjashëm rreziku, por katastrofa e tyre kërcënuese ishte shpirtërore. Kujtojuni studentëve gjithashtu se nefitët ishin në luftë dhe se, për shkak të ligësisë së tyre, Mormoni nuk kishte pranuar t’i udhëhiqte ushtritë e tyre (shih Mormonin 3:16).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 5:1–2. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë se te kush besonin nefitët se mund t’i çlironte nga vuajtjet e tyre.

  • Ndonëse është e vërtetë se Mormoni mund t’i udhëhiqte nefitët në një betejë ushtarake, përse Mormoni besonte se njerëzit nuk do të çliroheshin nga vuajtjet e tyre?

  • Çfarë mund të mësojmë nga Mormoni 5:1–2 rreth asaj se ku duhet të drejtohemi së pari për ndihmë gjatë vuajtjeve tona? (Ne duhet të drejtohemi së pari te Perëndia, i cili do t’u përgjigjet atyre që pendohen dhe e thërrasin Atë për ndihmë gjatë vuajtjeve të tyre.)

Përmblidheni Mormonin 5:3–7 duke shpjeguar se nën udhëheqjen e Mormonit, nefitët zmbrapsën disa valë të sulmeve lamanite. Por përfundimisht, lamanitët “e shkelën nën këmbë popullin e Nefitëve” (Mormoni 5:6). Kur nefitët u tërhoqën, ata që nuk mund të largoheshin mjaft shpejt, u shkatërruan.

Ftojeni një student të lexojë Mormonin 5:8–9. Kërkojini klasës të kërkojë arsyen e Mormonit për moshkrimin e një rrëfimi të plotë të gjërave që pa.

  • Përse Mormoni u shmang nga dhënia e një përshkrimi të plotë të asaj që ai dëshmoi?

Mormoni 5:10–24

Mormoni shpjegon se qëllimi i analit të Librit të Mormonit është që t’i bindë njerëzit të besojnë në Jezu Krishtin

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 5:10–11. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë një fjalë që Mormoni e përdori tri herë, për të përshkruar se si do të ndiheshin njerëzit në ditët e fundit kur të mësonin për rënien e kombit nefit. (Ai tha se ne do të “brengos[eshim]”.)

  • Çfarë gjeni të trishtueshme nga ky rrëfim?

Tërhiqeni vëmendjen e studentëve në thënien e Mormonit te Mormoni 5:11 se, nëse populli i tij do të ishte penduar, ata do të ishin “marrë në krahët e Jezusit”.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “[merresh] në krahët e Jezusit”? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se fjala marrëdo të thotë të mbahesh fort ose mirë apo të përqafohesh.)

  • Çfarë na mëson kjo frazë rreth pasojës së vetë pendimit tonë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëpërmjet pendimit, ne mund të “[merremi] në krahët e Jezusit”. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, ftojeni njërin prej tyre të lexojë thënien vijuese nga Plaku Kent F. Riçards, i Të Shtatëdhjetëve:

“Të gjithë që do të vijnë mund të ‘[merren] në krahët e Jezusit’. [Mormoni 5:11.] Të gjithë shpirtrat mund të shërohen nëpërmjet fuqisë së Tij. Gjithë dhembjet mund të lehtësohen. Në Të, ne mund të ‘[gjejmë] prehje për shpirtrat [tanë]’. [Mateu 11:29. ] Rrethanat tona në vdekshmëri mund të mos ndryshojnë menjëherë, por dhembja, shqetësimi, vuajtja dhe frika jonë mund të gëlltiten në qetësinë dhe balsamin e Tij shërues” (“Shlyerja Mbulon të Gjitha Dhembjet”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 17).

Ftojini studentët të shkruajnë një përgjigje për njërën prej pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose t’i lexoni ngadalë, kështu që studentët të mund t’i shkruajnë ato.)

  • Kur jeni ndier të “marrë në krahët e Jezusit”?

  • Çfarë mund të bëni për të marrë më plotësisht ngushëllimin, mbrojtjen dhe faljen e Zotit?

Shpjegoni se Mormoni 5:12–13 përmban profecinë e Mormonit se shkrimet e tij do të fshiheshin e më pas do të dilnin në dritë për t’u lexuar nga të gjithë njerëzit. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 5:14–15, duke kërkuar atë që Zoti kishte për qëllim që shkrimet e Mormonit të bënin për njerëzit në ditët e fundit. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat që janë të rëndësishme për ta.

  • Sipas Mormonit 5:14–15, cilat janë qëllimet e Librit të Mormonit? (Sigurohuni që studentët të shprehin se Libri i Mormonit u shkrua për t’i bindur të gjithë njerëzit se Jezusi është Krishti, për ta ndihmuar Perëndinë të plotësojë besëlidhjen e Tij me shtëpinë e Izraelit dhe për t’i ndihmuar pasardhësit e lamanitëve ta besojnë në mënyrë më të plotë ungjillin.)

Ndërkohë që studentët përgjigjen se shkrimet e Mormonit janë shkruar për t’i bindur njerëzit se Jezusi është Krishti, ndani dëshminë tuaj në lidhje më këtë si qëllimi kryesor i Librit të Mormonit.

  • Në çfarë mënyrash i bekon ky qëllim kryesor i Librit të Mormonit ata që e lexojnë atë?

  • Si ju ka ndihmuar studimi juaj i Librit të Mormonit që të besoni në mënyrë më të plotë te Jezu Krishti dhe ta doni Atë?

Vini në dukje se aktualisht Libri i Mormonit është duke ndihmuar shumë njerëz që të pendohen dhe të “[merren] në krahët e Jezusit”, por ka ende shumë njerëz që nuk pranojnë të besojnë në Krishtin.

Në tabelë, pranë parimit të pendimit që ju shkruat në fillim të mësimit, shkruani sa vijon: Nëse nuk pranojmë të pendohemi … Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 5:16–19 dhe kërkojini klasës të shohë për pasojat e mospranimit të nefitëve për t’u penduar. Kërkojuni studentëve ta përdorin atë që kanë zbuluar në këto vargje, për të përfunduar fjalinë në tabelë. Ndërsa përgjigjen, ju mund të bëni disa nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar ata të kuptojnë fjalët dhe frazat në vargjet:

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “pa Krisht dhe Perëndi në këtë botë”? (Mormoni 5:16). (Përgjigjet mund të përfshijnë se do të thotë të jetosh pa besim në Jezu Krishtin apo Atin Qiellor dhe pa ndikim e udhëheqje hyjnore.)

  • Byku është një cipë e hollë nën anën e jashtme të grurit. Kur korret gruri, byku hidhet. Çfarë mendoni se është kuptimi i frazës “hidhen sa andej këndej si byku në erë”? (Mormoni 5:16).

  • Si do të ishte, po të ishit në një anije me asnjë mundësi për të lundruar ose manovruar dhe pa spirancë? (Shih Mormonin 5:18.) Si është kjo situatë e ngjashme me atë të nefitëve?

  • Çfarë na mësojnë fjalët e Mormonit për ata që nuk pranojnë të pendohen? (Përgjigjet e studentëve duhet të shprehin se mospranimi për t’u penduar çon në humbjen e udhëheqjes nga Zoti. Përfundojeni thënien në tabelë duke shkruar të vërtetën vijuese: Nëse nuk pranojmë të pendohemi, Shpirti do të tërhiqet dhe ne do ta humbasim udhëheqjen e Zotit.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin në heshtje mbi mënyrën si e kanë parë këtë parim në jetën e tyre apo në jetën e të tjerëve.

Ftojini studentët të rishikojnë me shpejtësi Mormonin 5:11, 16–18 dhe dy parimet që keni shkruar në tabelë.

  • Me vetë fjalët tuaja, si do ta shprehnit ndryshimin midis rezultatit të një pendimi të sinqertë dhe rezultatit të mospranimit për t’u penduar?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 5:22–24, duke kërkuar atë që Mormoni i këshilloi njerëzit të bënin në ditët e mëvonshme. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

Dëshmoni për të vërtetën e të dy parimeve të kundërta në tabelë.

Mormoni 6

Mormoni rrëfen betejën e fundit nefite dhe vajton shkatërrimin e popullit të tij

Bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Si mund të ndiheni për vdekjen e një njeriu të dashur, i cili ishte besnik ndaj Perëndisë gjatë gjithë jetës së tij ose të saj?

  • Si mund të ndiheni për vdekjen e një njeriu të dashur, i cili ishte i pabindur ndaj urdhërimeve Perëndisë gjatë gjithë jetës së tij ose të saj?

Shpjegoni se Mormoni ndjeu pikëllim të madh për vdekjen e gjithë popullit të tij, sepse ai e dinte se ata nuk ishin të përgatitur për ta takuar Perëndinë. Përmblidhni Mormonin 6:1–6 duke shpjeguar se lamanitët i lejuan nefitët që të mblidheshin në tokën Kumorah për një betejë. Mormoni po plakej dhe e dinte se kjo do të ishte “beteja e fundit e popullit [të tij]” (Mormoni 6:6). Ai ia besoi disa prej analeve të tij të shenjta birit të tij, Moronit, dhe e fshehu pjesën e mbetur të analeve në kodrën Kumorah. Ai shënoi atë që dëshmoi për shkatërrimin përfundimtar të popullit të tij. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mormonin 6:7–15, duke menduar për mënyrën se si mund të jetë ndier Mormoni ndërsa shkruante këto fjalë.

  • Përse mendoni se nefitët e pritën vdekjen me “frikë të tmerrshme”? (Mormoni 6:7).

Lexojuni studentëve me zë të lartë Mormonin 6:16–22, ndërsa ata ju ndjekin në shkrimet e tyre të shenjta. Pastaj u kërkoni të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth mendimeve dhe përshtypjeve që u erdhën teksa i lexuan dhe dëgjuan këto vargje. Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund të dëshironi t’u jepni atyre një mundësi për të ndarë disa nga mendimet që kanë shkruar.

Dëshmojuni studentëve për dashurinë që Ati Qiellor, Jezu Krishti, profetët, udhëheqësit dhe prindërit kanë për ta. Nxitini ata të ushtrojnë besim në Jezu Krishtin dhe të pendohen për mëkatet e tyre, kështu që ata të mund të “[merren] në krahët e Jezusit” (Mormoni 5:11).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 5:11. “Marrë në krahët e Jezusit”

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi një lidhje midis fjalës Shlyerje dhe frazës “marrë në krahët e Jezusit”:

“Një domethënie e pasur gjendet në studimin e fjalës shlyerje në gjuhët semitike të kohës së Dhiatës së Vjetër. Në hebraisht, fjala bazë për shlyerjen është kaphar, një folje që do të thotë ‘të mbulosh’ ose ‘të falësh’. E lidhur ngushtë është edhe fjala aramaike dhe arabike kafat, që do të thotë ‘një përqafim i ngushtë’ – pa dyshim e lidhur me përqafimin ritual egjiptian. Referencat për atë përqafim janë të qarta në Librin e Mormonit. Një njeri deklaron se ‘Zoti ka shëlbuar shpirtin tim … ; unë kam parë lavdinë e tij dhe unë jam i rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij’.[2 Nefi 1:15.] Një tjetër ofron shpresën e lavdishme që të ‘[merremi] në krahët e Jezusit’.[Mormoni 5:11.]” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 34).

Mormoni 5:16. Kur Shpirti i Zotit largohet

Presidenti Harold B. Li dha mësim:

“Mormoni përshkroi disa njerëz, njerëzit e tij, prej të cilëve shpirti i Zotit ishte larguar [shih 2 Nefi 26:11]. … Duket qartë për mua se ajo për të cilën ai po fliste, nuk ishte thjesht paaftësia për të pasur shoqërimin ose dhuratën e Frymës së Shenjtë, por ai po fliste për atë dritë të vërtete [Dritën e Krishtit], të cilën çdo njeri i lindur në botë ka të drejtë [ta ketë] dhe e cila kurrë nuk do të pushojë së përpjekuri me njeriun, veç nëse ai e humbet atë nëpërmjet vetë mëkatit të tij” (në Conference Report, prill 1956, f. 108).

Mormoni 6:16–22. Mos i refuzoni krahët e hapur të Krishtit

Mormoni vajtoi vdekjen e popullit të tij dhe u pikëllua se ata nuk i kishin ndryshuar udhët e tyre. Ai tha se, në qoftë se ata do ta kishin vënë mënjanë krenarinë e tyre dhe do të ishin penduar për mëkatet e tyre, ribashkimi i tyre me Shpëtimtarin do të kishte qenë i gëzueshëm (shih Mormoni 6:17). Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, përshkroi gëzimin që do të ndiejmë nëse e kemi përgatitur veten tonë për të qëndruar përpara Zotit në Gjykim:

“Ne e dëshirojmë shumë bekimin themelor të Shlyerjes – të bëhemi një me Të, të jemi në praninë e Tij hyjnore, të thirremi individualisht me emër teksa Ai na mirëpret ngrohtësisht me një buzëqeshje rrezatuese, duke na bërë shenjë me krahë të hapura për t’u mbështjellë në dashurinë e Tij të pafundme. Sa madhërisht e lavdishme do të jetë kjo përvojë nëse mund të ndihemi mjaft të denjë për të qenë në praninë e Tij! Dhurata falas e sakrificës së Tij të madhe shlyese për secilin prej nesh, është e vetmja mënyrë se si ne mund të ekzaltohemi mjaftueshëm për të qëndruar përpara Tij e për ta parë Atë ballë për ballë. Mesazhi i madh i Shlyerjes është dashuria e përkryer që Shpëtimtari ka për secilin dhe për të gjithë ne. Është një dashuri e cila është plot mëshirë, durim, hir, paanësi, keqardhje e mbi të gjitha, falje.

Ndikimi i lig i Satanit do të shkatërronte çdo shpresë që ne kemi për mposhtjen e gabimeve tona. Ai do të donte që ne të ndienim se jemi të humbur dhe se nuk ka shpresë. Në të kundërt, Jezusi drejtohet poshtë te ne për të na ngritur lart. Nëpërmjet pendimit tonë dhe dhuratës së Shlyerjes, ne mund të përgatitemi për të qenë të denjë të qëndrojmë në praninë e Tij” (“The Atonement: Our Greatest Hope”, Ensign, nëntor 2001, f. 20).