Biblioteka
Mësimi 129: 3 Nefi 20


Mësimi 129

3 Nefi 20

Hyrje

Në ditën e dytë të shërbesës së Tij mes nefitëve, Jezu Krishti e administroi përsëri sakramentin mes njerëzve. Ai dëshmoi se besëlidhjet dhe premtimet e Atit do të plotësoheshin në ditët e fundit. Izraeli do të mblidhej dhe të gjitha kombet e tokës do të bekoheshin.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 20:1–9

Shpëtimtari u administron sakramentin njerëzve përsëri

Për ta filluar mësimin, shpjegoni se ju do të donit që të rinjtë dhe të rejat në klasë t’iu përgjigjeshin pyetjeve të veçanta. Ftojini dy ose tre të rinj që mbajnë Priftërinë Aarone, t’i tregojnë klasës rreth përgjegjësive të tyre për të përgatitur, bekuar ose shpërndarë sakramentin. I ndihmoni të shprehin ndjenjat e tyre mbi kryerjen e këtyre detyrave duke u bërë atyre pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë do të thotë për ju të ndihmoni në administrimin e sakramentit?

  • Si i demonstroni Zotit se e kuptoni natyrën e shenjtë të kësaj ordinance?

Ndihmoni dy ose tre të reja të shprehin ndjenjat e tyre rreth shenjtërisë së sakramentit duke u bërë atyre pyetjet që vijojnë:

  • Si ndiheni kur shihni djem të rinj të denjë duke administruar sakramentin?

  • Çfarë bëni gjatë administrimit të sakramentit që tregon se ju e kuptoni natyrën e tij të shenjtë?

Shpjegoni se, gjatë ditës së dytë të shërbesës së Tij mes nefitëve, Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij iu administruan njerëzve sakramentin për herë të dytë. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 20:1. Vini në dukje fjalinë që vijon: “Dhe ai i urdhëroi ata që të mos pushonin së luturi në zemrat e tyre”.

  • Çfarë do të thotë që ju të “mos pushoni së luturi” në zemrën tuaj?

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:3–5.

  • Si mendoni ju, në çfarë mënyre të luturit në zemrën tuaj mund ta ndikojë përvojën tuaj javore të marrjes së sakramentit?

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të mbetemi të përqendruar te Shpëtimtari ndërkohë që marrim sakramentin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:8. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke parë për atë që buka dhe vera përfaqësojnë. (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se praktika e tanishme e Kishës është të përdoret ujë në vend të verës. [Shih DeB 27:2.])

  • Çfarë përfaqësojnë buka dhe uji i sakramentit? (Trupin dhe gjakun e Shpëtimtarit.)

Ju mund të doni të lexoni thënien që vijon, nga Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kuptimin figurativ të ftesës së Shpëtimtarit për të ngrënë mishin e Tij dhe për të pirë gjakun e Tij:

Të hash mishin dhe të pish gjakun e Krishtit ishte dhe është të besosh tek Ai dhe ta pranosh Atë si Birin e drejtpërdrejtë të Perëndisë dhe Shpëtimtarin e botës, dhe t’u bindesh urdhërimeve të Tij. Vetëm nëpërmjet këtyre mjeteve Shpirti i Perëndisë mund të bëhet një pjesë lidhëse e qenies individuale të njeriut, madje sikurse lënda e ushqimit që ha, përvetësohet nga indet e trupit të tij” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 342; kursivet shtuar).

  • Çfarë simbolike ka në marrjen e bukës dhe të ujit?

  • Sipas 3 Nefit 20:8, çfarë u premtoi Jezu Krishti atyre që e marrin sakramentin? (Shpirtrat e tyre do të jenë të ngopur.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë që shpirtrat e tyre do të jenë të ngopur, u kërkoni atyre të mendojnë rreth masës së bukës dhe të ujit që zakonisht hanë dhe pinë kur marrin sakramentin. Më pas pyetni:

  • Nëse do të ishit të uritur dhe të etur, a do të ngopeshit prej këtyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:9 dhe pyetni klasën:

  • Cili është një parim që mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 20:8–9? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e marrim me denjësi sakramentin, ne mund të mbushemi me Frymën e Shenjtë.)

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon, nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. I kërkoni klasës të dëgjojë për të gjetur mënyra se si mund të bekohemi kur mbushemi me Shpirtin:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Le të bëhemi të denjë për premtimin e Shpëtimtarit tonë se duke marrë sakramentin do të ‘jemi të ngopur’ (3 Nefi 20:8; shih gjithashtu 3 Nefi 18:9), që do të thotë se do të jemi të ‘mbushur me Shpirtin’ (3 Nefi 20:9). Ai Shpirt – Fryma e Shenjtë – është ngushëlluesi ynë, gjetësi i drejtimit tonë, komunikuesi ynë, interpretuesi ynë, dëshmitari ynë dhe pastruesi ynë – udhëheqja jonë e pagabueshme dhe shenjtëruesi i udhëtimit tonë gjatë vdekshmërisë drejt jetës së përjetshme.

… Nga veprimi i vogël në dukje i ripërtëritjes së ndërgjegjshme dhe nderuese të besëlidhjeve tonë pagëzimore, vjen një ripërtëritje e bekimeve të pagëzimit me anë të ujit dhe me anë të Shpirtit, që ne gjithmonë të mund ta kemi Shpirtin e tij të jetë me ne. Në këtë mënyrë, ne të gjithë do të udhëzohemi dhe në këtë mënyrë ne të gjithë mund të pastrohemi” (“Always Have His Spirit”, Ensign, nëntor 1996, f. 61).

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të bekohemi kur ne jemi të mbushur me Shpirtin?

  • Kur ju ka ndihmuar marrja e sakramentit të jeni të mbushur me Frymën e Shenjtë?

Dëshmoni për bekimet që keni marrë nga marrja e sakramentit dhe nga të qenit të mbushur me Shpirtin. Pohoni se të luturit në zemrën tonë është një mënyrë se si mund të përgatitemi për ta marrë sakramentin dhe për të qenë të mbushur me Frymën e Shenjtë. I nxitni studentët të kalojnë kohë në lutje përpara marrjes së sakramentit.

3 Nefi 20:10–46

Shpëtimtari u mëson nefitëve për besëlidhje që do të përmbusheshin në ditët e fundit

I ftoni studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një përshkrim të shkurtër të cilësive të tyre më të rëndësishme. Pasi të kenë mbaruar, i ftoni ata të shohin llojet e cilësive tek të cilat u përqendruan. A ishin ato karakteristika fizike? Tipare personaliteti? Cilësi shpirtërore? (Nëse keni kohë, ju mund t’i ftoni dy ose tre studentë të lexojnë çfarë shkruan.) Lexoni thënien që vijon nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe i kërkoni klasës të dëgjojë për atë që ai thotë se duhet ta përcaktojë identitetin e një njeriu:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Mund t’ju pëlqejë muzika, atletika ose keni prirje mekanike dhe një ditë mund të punoni në një zanat ose profesion apo në fushën e arteve. Sado të rëndësishme të mund të jenë veprimtari dhe profesione të tilla, ato nuk përcaktojnë se kush jemi. Para së gjithash, ne jemi qenie shpirtërore. Ne jemi [fëmijë] të Perëndisë dhe fara e Abrahamit” (“Becoming a Missionary”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 47).

  • Si e përcaktoi Plaku Bednar se cilët jemi ne? Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për ne ta shohim vetveten “para së gjithash” si qenie shpirtërore që jemi fëmijë të Perëndisë?

Vini në dukje se, përveç të thënit se ne jemi fëmijë të Perëndisë, Plaku Bednar tha se jemi fara e Abrahamit. Shpjegoni se fraza “fara e Abrahamit” mund t’iu drejtohet njerëzve që janë drejtëpërsëdrejti pasardhës të Abrahamit. Gjithashtu mund t’iu drejtohet njerëzve që, me anë të pranimit dhe bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, marrin plotësinë e ungjillit, bekimet e priftërisë dhe të njëjtat premtime e besëlidhje që Perëndia bëri me Abrahamin.

U thoni studentëve që në pjesën e mbetur të 3 Nefit 20, ata do të studiojnë mësimet e Shpëtimtarit dhënë nefitëve rreth besëlidhjeve dhe premtimeve të bëra Abrahamit dhe pasardhësve të tij (shtëpisë së Izraelit). Ai tha se ata mund të mësonin për këto besëlidhje duke studiuar fjalët e Isaias. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se do të ndodhë kur të përmbushen fjalët e Isaias. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, ju mund të keni nevojë t’u shpjegoni se fjalët e Isaias do të përmbushen në ditët e fundit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:13 dhe u kërkoni studentëve të përcatojnë se si Ati Qiellor do t’i përmbushë besëlidhjet e Tij me shtëpinë e Izraelit në ditët e fundit. U kërkoni studentëve të përmbledhin të vërtetat që kanë mësuar nga 3 Nefi 20:11–13. (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti do ta përmbushë besëlidhjen e Tij për ta mbledhur shtëpinë e Izraelit në ditët e fundit. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Sipas 3 Nefit 20:13, çfarë njohurie do të fitojnë njerëzit e shtëpisë së Izraelit si një pjesë të rëndësishme të kësaj mbledhjeje? (Ata do të fitojnë “njohurinë e Zotit, Perëndisë së tyre që i ka shëlbuar ata”.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si arritja te një dituri për Jezu Krishtin është pjesë thelbësore e mbledhjes së Izraelit, i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë thënien që vijon nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. I ftoni studentët të dëgjojnë për atë që përfshin mbledhja e Izraelit.

“Mbledhja e Izraelit përbëhet nga të besuarit, të pranuarit dhe të jetuarit në përputhje me të gjitha ato që Zoti i ofroi dikur popullit të tij të lashtë, të zgjedhur. Përbëhet nga të pasurit besim në Zotin Jezu Krisht, të penduarit, të pagëzuarit dhe të marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe të mbajturit e urdhërimeve të Perëndisë. Përbëhet nga të besuarit e ungjillit, të bashkuarin me Kishën dhe ardhjen në mbretëri. Përbëhet nga marrja e priftërisë së shenjtë, marrja e dhurimit në vende të shenjta me fuqi nga lart dhe marrja e të gjitha bekimeve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, nëpërmjet ordinancës së martesës çelestiale. Dhe mund të përbëhet edhe nga mbledhja në një vend ose tokë të caktuar adhurimi” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 515).

  • Si është të besuarit në Jezu Krishtin dhe ndjekja e Tij pjesë thelbësore e mbledhjes së Izraelit?

Përmblidhni shkurtimisht 3 Nefin 20:14–22. Shpjegoni se Shpëtimtari u mësoi nefitëve se, si pjesë e mbledhjes së Izraelit dhe në përmbushje të besëlidhjes së Zotit me Abrahamin, Ati Qiellor u dha pasardhësve të Lehit si trashëgimi tokën mbi të cilën banuan. Ai gjithashtu shpjegoi një mënyrë tjetër se si nefitët u bekuan si fëmijë të besëlidhjes. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 20:23–24, duke kërkuar personin që Moisiu profetizoi se do ta bekonte shtëpinë e Izraelit. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, i ftoni të lexojnë në heshtje 3 Nefin 20:25–26. U kërkoni të përcaktojnë se si pasardhësit e Lehit u bekuan për shkak të besëlidhjes që bëri Zoti me Abrahamin. Ndërsa studentët raportojnë atë që kanë gjetur, theksoni se Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin t’i vizitonte pasardhësit e Lehit dhe t’i shpëtonte ata nga mëkati “sepse [ata ishin] fëmijët e besëlidhjes”.

  • Si jemi bekuar nëpërmjet besëlidhjeve që bëjmë me Atin Qiellor?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:27 dhe i kërkoni klasës të përcaktojë një përgjegjësi që vjen me besëlidhjet që ne i bëjmë me Zotin.

  • Sapo kemi bërë besëlidhje me Zotin, cila është përgjegjësia jonë ndaj njerëzve të tjerë kudo nëpër botë? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Si fara e Abrahamit, ne kemi përgjegjësi besëlidhëse t’i bekojmë të gjithë njerëzit e tokës. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mendoni se mund të jemi një bekim për të gjithë njerëzit e tokës? (Nëse e keni shkruar thënien doktrinore në tabelë, i shtoni asaj fjalët “duke ndarë ungjillin me ta”.)

Përmblidhni 3 Nefin 20:29–46 duke shpjeguar shkurtimisht që, përveç që i mësoi nefitët rreth bekimeve dhe përgjegjësive të tyre si fëmijë të besëlidhjes, Shpëtimtari pohoi se toka e trashëgimit të judenjve do të ishte Jerusalemi. Ai citoi profecitë e Isaias, të cilat parathonë për një kohë kur judenjtë do të rivendosen në tokën e trashëgimisë së tyre pasi të besojnë në Jezu Krishtin dhe t’i luten Atit në emrin e Tij.

Për ta përfunduar mësimin, i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 20:46. I ftoni studentët ta ndjekin dhe të përcaktojnë një mënyrë se si ata e bekojnë jetën e një njeriu tjetër me ungjillin gjatë javës që vjen. Planifikoni ta ndiqni ecurinë e studentëve gjatë një ore mësimore të ardhme për t’iu dhënë atyre mundësi të raportojnë mbi përvojat e tyre. Dëshmoni për rëndësinë e plotësimit të përgjegjësisë sonë për të ndihmuar që të mblidhet Izraeli.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 20:16. “Si një luan i ri mes grigjave të deleve”

Duke iu drejtuar mësimeve tek 3 Nefi 20:16, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Këto fjalë të Zotit tonë drejtuar nefitëve citohen nga Mikea 5:8–9 dhe iu drejtohen shkatërrimeve dhe djegies përfundimtare që do t’i shkatërrojnë të ligjtë në Ardhjen e Dytë. Përveç pak vetave, që janë ndjekësit e përulur të Krishtit, johebrenjtë nuk do të pendohen. Ata do të dehen në fëlliqësitë dhe mëkatin e tyre ndaj ungjillit të rivendosur dhe do të digjen nga shkëlqimi i ardhjes së Zotit tonë, ndërkohë që të drejtët – të quajtur këtu mbetja e Jakobit – do ta durojnë ditën. Dhe më pas, në shëmbëlltyrën profetike, do të jetë sikurse mbetja e Izraelit t’i mposhtte armiqtë e saj si një luan i ri mes grigjave të deleve” (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 248).

3 Nefi 20:26. Fëmijët e Besëlidhjes

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth bekimeve të dijenisë se jemi fëmijë të besëlidhjes:

“Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne. Ne e kemi bërë ligjin e Tij një pjesë tonën. Ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i Tij. Fëmijët e angazhuar të besëlidhjes qëndrojnë të patundur, gjatë kohëve të vështirësive. Kur ajo doktrinë është bërë pjesë e jona, edhe gjembat e vdekjes lehtësohen dhe qëndresa jonë shpirtërore forcohet” (“Besëlidhjet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 88-89).

3 Nefi 20:26–27. Përmbusheni besëlidhjen Abrahamike

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për një mënyrë se si mund të ndihmojmë për ta përmbushur besëlidhjen Abrahamike:

“Ne kemi përgjegjësi për të ndihmuar që të përmbushet besëlidhjen Abrahamike. Pasardhësit tanë janë të parashuguruar dhe të përgatitur që të bekojnë të gjithë popujt e botës. Kjo është arsyeja përse detyra e priftërisë përfshin punën misionare. Pas rreth 4.000 vjetësh parashikimi dhe përgatitjeje, kjo është koha e caktuar kur ungjilli duhet të çohet te farefiset e tokës. Kjo është koha e mbledhjes së premtuar të Izraelit. Dhe ne kemi për të marrë pjesë! A nuk është kjo emocionuese? Zoti po mbështetet te ne dhe te bijtë tanë – dhe Ai është thellësisht mirënjohës për bijat tona – që denjësisht shërbejnë si misionarë në këtë kohë të madhe të mbledhjes së Izraelit” (“Besëlidhjet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 88).

3 Nefi 20:27. Ju keni një detyrë për të shpërndarë ungjillin

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi detyrën tonë për ta ndarë ungjillin me të tjerët:

“Ju dhe unë, sot dhe gjithmonë, duhet t’i bekojmë të gjithë njerëzit në të gjitha kombet e tokës. Ju dhe unë, sot dhe gjithmonë, duhet të japim dëshmi për Jezu Krishtin dhe të shpallim mesazhin e Rivendosjes. Ju dhe unë, sot dhe gjithmonë, duhet t’i ftojmë të gjithë të marrin ordinancat e shpëtimit. Shpallja e ungjillin nuk është një detyrim priftërie me kohë të pjesshme. Nuk është thjesht një veprimtari në të cilën përfshihemi për një kohë të kufizuar ose një detyrë që duhet ta plotësojmë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përkundrazi, puna misionare është një shfaqje e identitetit dhe trashëgimisë sonë shpirtërore. Ne u parashuguruam në ekzistencën paratokësore dhe u lindëm në vdekshmëri për të plotësuar besëlidhjen dhe premtimin që Perëndia i bëri Abrahamit. Ne jemi këtu në tokë në këtë kohë për të lartësuar priftërinë dhe për të predikuar ungjillin. Kjo është cilët jemi dhe kjo është përse jemi këtu – sot dhe gjithmonë” (“Becoming a Missionary”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 47).