Biblioteka
Mësimi 68: Mosia 28–29


Mësimi 68

Mosia 28–29

Hyrje

Pasi ishin kthyer në besim, bijtë e mbretit Mosia ndien një dëshirë të fortë për t’u predikuar ungjillin lamanitëve. Mosia, pasi pyeti Zotin dhe mori siguri që ata do të bekoheshin me sukses dhe mbrojtje, i lejoi që të shkonin. Në po këtë kohë, Mosia ishte duke punuar për t’u kujdesur për analet e shenjta që i ishin besuar atij. Ai përktheu analet e jareditëve dhe ia kaloi të gjitha analet Alma të Riut. Për shkak se bijtë e tij nuk e pranuan mundësinë për të qenë mbret, ai themeloi një sistem gjykatësish si mënyra e re e qeverisjes në vend.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 28:1–9

Bijtë e Mosias dëshirojnë t’u predikojnë lamanitëve

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajini thëniet në vijim në tabelë:

  1. Unë kam dëshirë të sinqertë për lumturinë e përjetshme të të tjerëve.

  2. Unë jam i gatshëm të sakrifikoj për t’i ndihmuar të tjerët.

  3. Unë kam dëshirë të ndaj ungjillin me të tjerët.

Për të filluar orën mësimore, kërkojuni studentëve t’i përdorin thëniet në tabelë për ta analizuar veten në heshtje. Vërini të përdorin një sistem vlerësimi nga 1 deri në 10, ku numri 1 të tregojë që thënia nuk përbën një përshkrim të mirë të tyre [si individë] dhe numri 10 të tregojë që thënia përbën një përshkrim jashtëzakonisht të mirë të tyre.

Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 27:8–10.

  • Si do të ishin vlerësuar Alma dhe bijtë e Mosias me po të njëjtin sistem vlerësimi në këtë periudhë të jetës së tyre?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 28:1–4.

  • Si do të ishin vlerësuar bijtë e Mosias me po të njëjtin sistem vlerësimi pas kthimit të tyre në besim? Cilat fraza te Mosia 28:1–4 tregojnë se sa shumë kishin ndryshuar ata?

  • Përse ndryshuan dëshirat e bijve të Mosias? (Ata ushtruan besim te Jezu Krishtit, u penduan për të gjitha mëkatet e tyre dhe u kthyen në besim; shih Mosian 27:34–36. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i referoheni Mosias 28:4 për të nxjerrë në pah se si ndikoi Shpirti i Zotit tek ata.)

  • Nga ajo që keni mësuar rreth lamanitëve në këtë kohë të historisë së tyre, çfarë vështirësish mund të hasnin misionarët midis tyre?

  • Sipas Mosias 28:2 çfarë ndryshimi besonin bijtë e Mosias se mund të bënte predikimi i tyre në jetën e lamanitëve?

  • Si ndikoi kthimi në besim i bijve të Mosias mbi dëshirën e tyre për të shpërndarë ungjillin? Çfarë parimesh mund të mësojmë nga përvoja e tyre? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë parimin në vijim: Ndërsa kthimi ynë në besim thellohet, dëshira jonë për të shpërndarë ungjillin rritet.)

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Kërkojini një studenti të lexojë thënien në vijim nga Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që ta shkruajnë këtë thënie në anë të faqes te shkrimet e tyre të shenjta pranë Mosias 28:1–4.

“Thellësia e dëshirës sonë për të shpërndarë ungjillin është tregues i madh i masës së kthimit tonë vetjak në besim” (“Sharing the Gospel”, Ensign, nëntor 2001, f. 7).

Ftojini studentët të mendojnë se si dëshira e tyre për të shpërndarë ungjillin me të tjerët është rritur ndërsa ata janë afruar më shumë me Zotin.

  • Çfarë përvojash në jetën tuaj ju kanë bërë që të dëshironi të ndani ungjillin me të tjerët?

Kërkojuni studentëve që të përfytyrojnë sikur njohin një të ri i cili është anëtar i Kishës, por ka pak dëshirë për të shërbyer një mision kohëplotë.

  • Çfarë mund të bëjë ky i ri për të rritur dëshirën e tij për të shpërndarë ungjillin? (Ndërsa studentët japin pikëpamjet e tyre, nxitini që të sjellin ndërmend se çfarë e ka thelluar kthimin e tyre në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit dhe se si mund të rekomandojnë veprimtari ose përvoja të ngjashme për këtë të ri. Ndihmojini që të kuptojnë se një kthim më i madh në besim çon në shtim të dëshirës për të ndarë ungjillin me të tjerët.)

Ju mund të dëshironi të shpjegoni si e morët dëshirën për t’ua mësuar ungjillin të tjerëve. Ndërsa e bëni këtë, merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj që ndërsa i afrohemi Zotit dhe ndiejmë Shpirtin e Tij, dëshira jonë për të ndarë ungjillin më të tjerët do të rritet.

Vërini studentët të lexojnë Mosian 28:5–8 dhe të përcaktojnë se përse Mosia i la bijtë e tij të shkonin në një mision kaq të rrezikshëm.

  • Në përgjigje të lutjes së Mosias, çfarë bekimesh i premtoi Zoti bijve të Mosias?

Mosia 28:10–20

Mosia përkthen fletët e jareditëve dhe ia kalon analet e shenjta Almës

Vizatoni sa vijon në tabelë:

Pamja
fletët e arit dhe kurora

Tregoni me gisht figurën e kurorës, dhe vëni një student të lexojë Mosian 28:10. Kërkojini klasës që të gjejë një problem që pati mbreti kur të bijtë u nisën në mision. (Ai duhej të gjente dikë për të marrë vendin e tij si mbret.)

Përmblidhni Mosian 28:11–19 duke shpjeguar që Mosia po plakej dhe ai ia kushtoi një pjesë të vëmendjes së tij analeve të shenjta që i ishin besuar atij: analeve që ia kishte dhënë i ati dhe të cilat i kishte thënë që të mirëmbante, dhe analeve që ia kishte dhënë mbreti Limhi. Në detyrën e tij si shikues, ai përktheu analet e jareditëve – fletët që ishin gjetur nga grupi të cilin mbreti Limhi e kishte dërguar për të gjetur tokën e Zarahemlës (shih Mosia 8:7–9). Drejtojeni vëmendjen e studentëve te figura e fletëve të arit në tabelë.

Shpjegoni që përveç caktimit të një udhëheqësi për mbretërinë, Mosias gjithashtu i duhej të caktonte një kujdestar për fletët. Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje Mosian 28:20.

  • Kush i mori analet e shenjta?

  • Përse Alma ishte personi i duhur i zgjedhur për t’u kujdesur për këto anale?

Mosia 29

Njerëzit ndjekin këshillën e Mosias për të krijuar një sistem gjykatësish si mënyrën e tyre të qeverisjes

Vërini studentët të ngrenë duart nëse do t’u pëlqente të ishin një mbret ose mbretëreshë. Zgjidhni një prej këtyre studentëve që të vijë para klasës dhe të qëndrojë pranë kurorës të vizatuar në tabelë (ose vendosni një kurorë prej letre mbi kokën e tij ose të saj). Vëreni studentin të përshkruajë se çfarë përfitimesh do të kishte ai ose ajo nëse do të ishte mbret ose mbretëreshë.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Mosian 29:1–3.

  • Cilin dëshironin njerëzit që të ishte mbreti i tyre?

  • Nga çfarë hoqën dorë bijtë e Mosias në mënyrë që të mund t’u predikonin lamanitëve?

  • Cilat janë disa mundësi nga të cilat të rinjtë dhe të rejat sot heqin dorë ose i shtyjnë që të mund të shërbejnë në misione?

Përmblidhni Mosian 29:4–10 duke shpjeguar që mbreti Mosia ishte i shqetësuar se caktimi i një mbreti të ri mund të çonte në grindje dhe madje luftë. Ai gjithashtu përmendi probleme të tjera që mund të dilnin nëse një mbret i padrejtë do të vinte në pushtet. Vërini studentët që të lexojnë Mosian 29:16–18 dhe t’i dallojnë ato probleme.

Shpjegoni që mbreti Mosia propozoi që qeveria nefite nuk duhej të drejtohej më nga një mbret. Përkundrazi, ai propozoi një sistem gjykatësish, me gjykatës të zgjedhur nga zëri i popullit.

Vërini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 29:11, 25, për të gjetur se si gjykatësit duhej ta gjykonin popullin. (“Sipas urdhërimeve të Perëndisë” dhe “sipas ligjeve që ju janë dhënë nga etërit tanë”.)

Shkruani Mosia 29:26–27, 30, 33–34, 37–38 në tabelë. Ndajeni klasën dyshe-dyshe. Vërini studentët t’i shqyrtojnë këto vargje dhe të dallojnë përgjegjësinë e popullit në qeverinë e propozuar nga mbreti Mosia. Pastaj vëreni secilën dyshe të diskutojë mbi pyetjet në vijim. (Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose t’ua jepni në një fletushkë.)

  • Sipas mbretit Mosia, çfarë përfitimesh do të vinin prej marrjes së vendimeve nga zëri i popullit? (Ai tha që zëri i popullit përgjithësisht nuk dëshiron gjëra që janë “kundër asaj që është e drejtë”. Ai gjithashtu foli rreth nevojës që të gjithë qytetarët të ndanin barrën e qeverisjes së tyre dhe të kishin “të njëjtat të drejta”.)

  • Çfarë pasojash do të vinin nëse zëri i popullit do të zgjidhte paudhësi? (Gjykimet e Zotit do të binin mbi ta dhe ata do të shkatërroheshin.)

  • Te Mosia 29:34, cili mendoni se është kuptimi i frazës “që çdo njeri të mbajë pjesën e tij”? Si mund të gjejë zbatim kjo frazë për përgjegjësitë e qytetarëve për të marrë pjesë në qeveritë e tyre vendore dhe kombëtare?

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Nil Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Si udhëheqësit edhe përkrahësit janë në të vërtetë përgjegjës për atë që ndodh në rënien kulturore. … Është e thjeshtë të kritikosh udhëheqësit e këqij, por ne nuk duhet t’i lemë përkrahësit të mos marrin përgjegjësinë e tyre mbi vete” (“Repent of [Our] Selfishness”, Ensign, maj 1999, f. 24).

  • Përse është e rëndësishme si për udhëheqësit edhe për përkrahësit që të jenë të përgjegjshëm për veprimet e tyre?

  • Çfarë mund të bëni për të mbështetur ligjet dhe udhëheqësit e drejtë? (Ju mund të dëshironi t’i drejtoni studentët te Nenet e Besimit 1:12.)

Shprehni bindjen tuaj që edhe pse jo çdo vend në botë e ka mundësinë të zgjedhë udhëheqësit e vet, Zoti gjithmonë do t’i ndihmojë ata që kanë besim tek Ai, pavarësisht se ku jetojnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 29:41–43.

  • Kë zgjodhi populli që të ishte kryegjykatësi i parë? A jetoi ai në përputhje me përgjegjësinë e tij për të qenë udhëheqës i drejtë dhe i ndershëm? Çfarë rezultoi nga udhëheqja e tij?

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë me vetë fjalët e tyre se çfarë kanë mësuar nga Mosia 29. Ata mund të dallojnë disa nga të vërtetat në vijim:

Udhëheqja e padrejtë mund të sjell grindje dhe mëkat.

Nuk është e zakonshme që zëri i popullit të zgjedhë diçka që nuk është e drejtë.

Nëse njerëzit zgjedhin paudhësi, gjykimet e Zotit do të bien mbi ta.

Çdo person ka për detyrë që t’i përkrahë ligjet dhe udhëheqësit e drejtë.

Përmbylleni duke dhënë dëshmi rreth parimeve në mësimin e sotëm.

Përsëritje e Mosias

Merrni ca kohë për t’i ndihmuar studentët të përsëritin Librin e Mosias. Kërkojuni të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga ky libër, si në seminar edhe në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Nëse është e nevojshme, ftojini që t’i hedhin një sy të shpejtë librit që t’i ndihmoni ta kujtojnë. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth diçkaje në këtë libër që u ka bërë përshtypje.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 28:3. Dëshira për të shpërndarë ungjillin

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, propozoi një mënyrë të dobishme se si anëtarët e Kishës mund ta shpërndajnë ungjillin:

“Çelësi për suksesin e punës anëtar-misionar, është ushtrimi i besimit. Një mënyrë për të shfaqur besimin tek Zoti dhe premtimet e Tij, është të caktohet me anë të lutjes një datë kur që ta kemi dikë të përgatitur që të takohet me misionarët. Kam marrë qindra letra nga anëtarët që ushtruan besimin e tyre në këtë mënyrë të thjeshtë. Megjithëse familjet nuk kishin në mendje asnjë njeri me të cilin të flisnin për ungjillin, ata caktuan një datë, u lutën dhe pastaj folën me shumë njerëz. Zoti është Bariu i Mirë dhe Ai i njeh delet e Tij që janë të përgatitura për të dëgjuar zërin e Tij. Ai do të na udhëheqë kur kërkojmë ndihmën e Tij hyjnore për shpërndarjen e ungjillit të Tij” (“Creating a Gospel-Sharing Home”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 86; “Krijimi i Shtëpisë që Përhap Ungjillin”, Konferenca e Përgjithshme prill 2006 [nr. i artikullit 01636 101], f. 133).

Mosia 29:41–44. Mbretërimi i Gjykatësve

Ndryshimi në qeverisje i vendosur nga mbreti Mosia ishte aq i rëndësishëm saqë nga ajo kohë deri në lindjen e Krishtit (shih 3 Nefin 2:8) nefitët e llogaritën kohën e tyre në lidhje me fillimin e mbretërimit të gjykatësve. Më parë nefitët e matnin kohën nga viti kur Lehi u largua nga Jerusalemi.