Biblioteka
Mësimi 149: Ethëri 12:1–22


Mësimi 149

Ethëri 12:1–22

Hyrje

Pas rrëfimit të shumë viteve të historisë jaredite, Moroni paraqiti shërbesën e profetit Ethër. Moroni atëherë e ndërpreu rrëfimin historik për të regjistruar disa nga bekimet që erdhën tek ata që ushtrojnë besim në Jezu Krisht. Ky mësim trajton Ethërin 12:1–22, ndërsa mësimi 150 shqyrton Ethërin 12:23–41.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 12:1–4

Ethëri u predikon pendim jareditëve

Fillojeni orën mësimore duke ftuar një student të vijë në tabelë dhe të vizatojë disa dallgë dhe një barkë të siguruar nga një spirancë.

  • Përse është e rëndësishme për një barkë të ketë një spirancë?

  • Çfarë rreziqesh apo vështirësish mund të përballë një barkë nëse nuk ka spirancë?

  • Çfarë ndikimi kanë dallgët mbi një barkë? (Përgjigjet mund të përfshijnë se dallgët bëjnë që barka të vijë rrotull, ta marrë era apo të hidhet nga një anë në tjetrën.)

Etiketojeni barkën me fjalët jeta juaj.

  • Nëse barka përfaqëson jetën tonë, me çfarë mund të krahasohen dallgët? (Përgjigjet mund të përfshijnë presione shoqërore, mbrapshti, mësime të rreme apo ligësi.)

  • Si mundet të jetë jeta e një personi si një barkë pa spirancë? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të lexojnë Mormonin 5:17–18 për t’i ndihmuar ata t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.)

  • Cilat janë disa gjëra që Zoti ka siguruar, të cilat mund të veprojnë si spiranca shpirtërore në jetën tonë? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh. Shumë aspekte të ungjillit mund të krahasohen me një spirancë.)

Nxitini studentët të kërkojnë shembuj të spirancave shpirtërore ndërsa studiojnë Ethërin 12.

Shpjegoni se Ethëri 12 fillon me prezantimin nga Moroni të Ethërit, një profet jaredit që predikoi gjatë një kohe kur njerëzit kundërshtonin profetët dhe jetonin në ligësi. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:1–3, duke gjetur ndonjë gjë që u bën përshtypje nga veprimet e Ethërit. I vini të raportojnë mbi atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 12:4. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke gjetur se për çfarë “mund të shpresoj[në]” ata që besojnë në Perëndi, megjithëse janë të rrethuar nga vështirësi dhe ligësi. Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni të theksoni se “bot[a] më [e] mirë” për të cilën duhet të shpresojmë është “një vend në krahun e djathtë të Perëndisë”.

  • Çfarë do të thotë të kesh një vend në krahun e djathtë të Perëndisë? (Të kthehesh në praninë e Tij dhe të marrësh jetë të përjetshme.)

  • Si mendoni se pasja e shpresës “me siguri” ndryshon nga thjesht të dëshiruarit e diçkaje? (Në shkrimet e shenjta, shpresa i referohet të pasjes së mirëbesimit se ne mund të marrim bekimet që Perëndia na premton, nëse i mbajmë besëlidhjet tona me Të.)

  • Sipas Ethërit 12:4, si fitojmë shpresë për marrjen e një vendi në krahun e djathtë të Perëndisë? (Ndërsa studentët përgjigjen, shpjegoni se besimi i përmendur tek Ethëri 12:4 i referohet besimit te Jezu Krishti.) Si na mundëson besimi te Jezu Krishti të shpresojmë “me siguri” për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë?

Në tabelë, etiketoni spirancën me fjalët besim dhe shpresë.

  • Sipas Ethërit 12:4, çfarë ndodh kur dikush ka shpresë dhe besim te Jezu Krishti? (Edhe pse studentët mund të përgjigjen me fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin parimin vijues: Kur kemi shpresë dhe besim te Jezu Krishti, ne do të bëhemi të vendosur dhe do të gëlojmë në vepra të mira.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “gëlojnë” në vepra të mira? (Të bësh shumë gjëra të mira.)

  • Cilat janë disa vepra të mira që “lavdër[ojnë] Perëndinë”? (Përgjigjet mund të përfshijnë lutjen, studimin e shkrimeve të shenjta, shërbimin ndaj të tjerëve dhe zhvillimin e talenteve.)

  • Mendoni për njerëz që i njihni, të cilët gjithmonë duken se gëlojnë në vepra të mira dhe nuk u vjen turp të lavdërojnë Perëndinë. Çfarë janë disa gjëra të veçanta që ata bëjnë, të cilat i bëjnë ata shembuj të mirë të këtij parimi?

Ftojini studentët të përsiatin mbi kohët kur ka qenë e vështirë për ta që të jenë të vendosur dhe të gëlojnë në vepra të mira. Për t’i ndihmuar studentët të përgatiten për situata të ngjashme gjatë gjithë jetës së tyre, nxitini të kërkojnë mënyra me të cilat mund të rritin besimin dhe shpresën e tyre ndërsa vazhdojnë të studiojnë Ethërin 12.

Ethëri 12:5–22

Moroni tregon mrekulli dhe vepra të mëdha që erdhën nëpërmjet besimit

Shkruani frazën vijuese në tabelë: Unë do të doja të fitoja një dëshmi shpirtërore që …

Ftojini studentët të sugjerojnë çfarëdo të vërtetash, parime apo doktrina të ungjillit për të cilat njerëzit mund të kërkojnë dëshmi shpirtërore. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. (Përgjigjet mund të përfshijnë një dëshmi që Libri i Mormonit është i vërtetë; të jetuarit e një jete të pastër dhe të virtytshme është e rëndësishme; Fjala e Urtësisë është ligj i Perëndisë; unë duhet të përgatitem të shërbej në një mision.) Ftojini studentët të mendojnë për një të vërtetë të ungjillit për të cilën do të donin të merrnin një dëshmi shpirtërore ose dëshmi më të fortë.

Shpjegoni se disa njerëz kanë qëndrimin e mëposhtëm: “Unë nuk do të besoj apo jetoj sipas një parimi të ungjillit gjersa të shoh fakte se ai është i vërtetë”. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:5–6, duke parë për atë se si lidhen këto vargje me këtë qëndrim. Vini në dukje se Ethëri 12:6 është fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fragment në mënyrë të dallueshme që të mund ta gjejnë lehtësisht.

  • Sipas Ethërit 12:6, çfarë duhet të ndodhë përpara se ne të mund të marrim një dëshmi?

  • Çfarë mendimesh keni ndërsa mendoni rreth frazës “provës së besimit tuaj”?

Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shpjegoni se disa njerëz gabimisht e interpretojnë “provë[n] e besimit” sikur gjithmonë i referohet vështirësisë. Fraza “provë [e] besimit” mund të përshkruajë çdo gjë që na jep mundësi ta tregojmë me vepra apo ta ushtrojmë besimin tonë te Jezu Krishti. Për t’i ndihmuar studentët të arrijnë një kuptim më të mirë të kësaj fraze, ftoni një student të lexojë me zë thënien e mëposhtme nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Përpara se të lexohet thënia, kërkojini klasës të dëgjojë shpjegimin e Plakut Skot për frazën “provë [e] besimit”.

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Ju mund të mësoni të përdorni më efektivisht besimin duke zbatuar këtë parim të mësuar nga Moroni: ‘… Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj’ [Ethëri 12:6; theksimi i shtuar]. Kështu, çdo herë që ju provoni besimin tuaj, që domethënë, të veproni me denjësi sipas një përshtypjeje, ju do të merrni provën vërtetuese të Shpirtit. Këto ndjenja do të fortifikojnë besimin tuaj. Duke e përsëritur këtë model, besimi tuaj do të bëhet më i fortë” (“The Sustaining Power of Faith in Times of Uncertainty and Testing”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 76).

  • Si ndryshon procesi i përshkruar nga Plaku Skot nga qëndrimi i atyre që duan fakte përpara se të besojnë apo të veprojnë?

Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: Ethëri 12:7–12; Ethëri 12:13–18; Ethëri 12:19–22, 30–31. Ndajeni klasën në tri grupe dhe caktoni një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta për secilin grup. Kërkojuni studentëve të kërkojnë bekimet që erdhën si rezultat i besimit të njerëzve të përshkruar në çdo fragment. Nxitini të shënojnë përdorimin e frazës “pasi ata patën besim” ose “deri pas besimit të tyre” te vargjet 7, 12, 17, 18 dhe 31. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza sa herë që shfaqen.)

Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, ftojini të përmbledhin atë që Zoti jep pasi ne tregojmë me vepra besim te Jezu Krishti. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin një të vërtetë të ngjashme me sa më poshtë: Nëse dëshirojmë një dëshmi shpirtërore, atëherë ne duhet së pari të ushtrojmë besim te Jezu Krishti. Shpjegoni se, ashtu si me dëshmitë shpirtërore, mrekullitë nuk ndodhin deri pasi ne të kemi ushtruar besimin tonë.

Paraqitini klasës situatat e mëposhtme. Ftojini studentët të shpjegojnë se si individi në çdo situatë mund të tregojë me vepra besim në Zot.

  1. Një e re dëshiron të marrë një dëshmi për vërtetësinë e Librit të Moronit.

  2. Një i ri ka një dëshirë të fortë të ndihmojë njerëzit e tij të dashur që ta pranojnë ungjillin.

Ftojini studentët të përsiatin për një kohë kur ata apo njerëzit që njohin, kanë marrë dëshmi shpirtërore apo mrekulli pasi kanë shfaqur besim në Zot. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat që kanë menduar. (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo e brendshme.) Ju mund të doni gjithashtu të tregojnë një përvojë.

Ftojini studentët të kujtojnë një të vërtetë të ungjillit, për të cilën do të donin të merrnin një dëshmi shpirtërore. Ftojini të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta diçka që mund të bëjnë për të ushtruar më shumë besim në Zot.

Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Ethëri 12:6

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh Ethërin 12:6, ftojeni çdo student ta shkruajë vargun në një copë letër, duke hequr fjalë apo fraza kyçe dhe duke lënë hapësira bosh në vend të tyre. Sapo të kenë mbaruar, jepuni studentëve një minutë për t’u përpjekur ta mësojnë përmendsh vargun, duke plotësuar me mendje hapësirat bosh në letrat e tyre.

Kërkojuni studentëve t’i shkëmbejnë letrat me dikë pranë tyre. Çdo student duhet të lexojë me zë letrën e re të tij apo saj, duke u përpjekur të plotësojë hapësirën bosh me sa mban mend. Kur ka kohë, vërini studentët ta përsëritin aktivitetin duke shkëmbyer letrat përsëri.

Ftojini studentët t’i marrin letrat e tyre në shtëpi dhe t’i përdorin për t’ia përsëritur Ethërin 12:6 një prindi. Nxitini që t’u kërkojnë prindërve të tyre për një rast kur kanë treguar besim te Jezu Krishti dhe kanë marrë një dëshmi apo mrekulli që kanë qenë duke e kërkuar.

Përfundoni mësimin me dëshminë tuaj për parimet e dhëna në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Ethëri 12:4–6. Çfarë është shpresa?

Tek Ethëri 12, mësimet nga Moroni rreth parimeve të shpresës dhe besimit zbulojnë se të dyja janë të lidhura ngushtë. Ai e përkufizoi besimin si “gjërat që shpresohen dhe nuk shihen” (Ethëri 12:6) dhe na mësoi se shpresa jonë për shpëtim “vjen nga besimi” në Jezu Krisht (Ethëri 12:4). Broshura Të Vërtetë ndaj Besimit na mëson sa më poshtë rreth shpresës:

“Kur kemi shpresë, u besojmë premtimeve të Perëndisë. Ne kemi sigurimin e qetë se nëse bëjmë ‘vepra drejtësie’ ne ‘do të marr[im] shpërblimin [tonë], madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë’ (DeB 59:23). Parimi i shpresës shtrihet deri tek përjetësitë, por edhe ju krijon mbështetje përmes sfidave të përditshme të jetës” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2006], f. 176–177).

Presidenti Diter F. Uhtdorf e përkufizoi shpresën si më poshtë:

“Shpresa është një dhunti e Shpirtit. [Shih Moroni 8:26.] Ka një shpresë që, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe fuqisë së Ringjalljes së Tij, ne do të ngrihemi në jetë të përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tonë tek Shpëtimtari. [Shih Moroni 7:41.] Kjo lloj shprese është edhe një parim i premtimit edhe një urdhërim [shih Kolosianëve 1:21–23] dhe, si me të gjithë urdhërimet, ne kemi përgjegjësinë ta bëjmë atë një pjesë aktive të jetës tonë dhe të mposhtim tundimin për humbjen e shpresës. Shpresa tek plani i mëshirshëm i lumturisë i Atit tonë Qiellor çon në paqe [shih Romakëve 15:13], mëshirë [shih Psalmeve 33:22], festë [shih Romakëve 12:12] dhe gëzim. [Shih Fjalët e Urta 10:28.] Shpresa e shpëtimit është si një helmetë mbrojtëse [shih 1 Thesalonikasve 5:8]; ajo është themeli i besimit tonë [shih Hebrenjve 11:1; Moroni 7:40] dhe spirancë për shpirtrat tanë. [Shih Hebrenjve 6:19; ; Ethëri 12:4.]” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 21–22).

Ethëri 12:6. “Prov[a e] besimit tuaj”

Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi një histori që ilustron parimin e marrjes së një dëshmie pas sprovës së besimit tonë:

“Më lejoni t’ju tregoj një histori të një gruaje në San-Paolo të Brazilit. Ajo punonte ndërsa shkonte në shkollë për të siguruar për familjen e saj. Unë po përdor vetë fjalët e saj në tregimin e kësaj historie. Ajo thotë:

‘Universiteti në të cilin studioja, kishte një rregullore që i ndalonte studentët që kishin borxhe, të jepnin provime. Për këtë arsye, kur merrja rrogën time, së pari ndaja veç para për të dhjetën dhe ofertën e agjërimit, dhe pjesa tjetër ndahej për pagesën e shkollës e shpenzime të tjera.

Kujtoj një rast kur unë … u ndesha me vështirësi serioze financiare. Ishte ditë e enjte kur e mora rrogën. Kur e pashë buxhetin mujor, vura re se nuk do të kishte mjaft para për t’i paguar [të dyja] edhe të dhjetën time edhe universitetin tim. Do të më duhej të zgjidhja midis tyre. Provimet që jepeshin çdo dy muaj do të fillonin javën tjetër dhe, po të mos i bëja mund ta humbisja vitin shkollor. Ndieja një ankth të madh. Zemra më dhembte. Kisha një vendim të dhembshëm përpara dhe nuk dija çfarë të vendosja. Përsiata midis dy zgjedhjeve: të paguaja të dhjetën apo të rrezikoja mundësinë e mosmarrjes së krediteve të nevojshme për t’u pranuar në shkollë.

Kjo ndjesi ma lodhi shpirtin dhe mbeti tek unë deri të shtunën. Ishte atëherë që u kujtova se, kur u pagëzova, kisha rënë dakord ta jetoj ligjin e së dhjetës. Unë kisha marrë mbi vete një detyrim, jo me misionarët, por me Atin tim Qiellor. Në atë çast, ankthi filloi të zhduket, duke i lënë vend një ndjesie të këndshme qetësie dhe vendosmërie.

Atë natë kur u luta, i kërkova Zotit të më falte për pavendosmërinë time. Të dielën, përpara se të fillonte mbledhja e sakramentit, u vura në kontakt me peshkopin dhe me kënaqësi të madhe e pagova të dhjetën dhe ofertat e mia të agjërimit. Ajo ishte një ditë e veçantë. Unë ndjeva lumturi dhe paqe brenda vetes dhe me Atin Qiellor.

Ditën tjetër isha në zyrën time; u përpoqa të gjej një mënyrë që të isha në gjendje të hyja në provime që do të fillonin të mërkurën. Sa më shumë e mendoja aq më larg zgjidhjes ndihesha.

Koha e punës po mbaronte kur punëdhënësi im u afrua dhe dha porositë e fundit të ditës. Pasi e bëri këtë, me çantën e tij në dorë na tha mirupafshim. … Befas, ndaloi dhe, duke parë nga unë pyeti: ‘Si po shkon me kolegjin?’ U befasova dhe nuk mund ta besoja atë që po dëgjoja. E vetmja përgjigje që mund të jepja me një zë të dredhur ishte: ‘Çdo gjë në rregull!’ Ai më vështroi mendueshëm dhe përshëndeti përsëri. …

Papritmas sekretarja hyri në dhomë, duke thënë se isha një njeri me shumë fat! Kur e pyeta përse, ajo u përgjigj thjesht: ‘Punëdhënësi sapo tha se nga sot e në vazhdim kompania do të të paguajë plotësisht për kolegjin tënd dhe librat e tua. Përpara se të largoheni, ndaloni te tryeza ime dhe më tregoni kostot në mënyrë që nesër të mund t’ju jap çekun.’

Pasi u largua ajo, duke qarë dhe duke u ndier shumë e përulur, unë rashë në gjunjë pikërisht aty ku ndodhesha dhe e falënderova Zotin për bujarinë e Tij. Unë … i thashë Atit Qiellor se Ai nuk duhej të më bekonte aq shumë. Unë kisha nevojë vetëm për tarifën e një muaji dhe e dhjeta që pata paguar të dielën, ishte shumë e vogël krahasuar me shumën që po merrja! Gjatë lutjes fjalët e shkruara te Malakia më erdhën në mendje: ‘Më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini’ (Malakia 3:10). Deri në atë çast unë nuk e kisha ndier kurrë madhësinë e premtimit që gjendej në atë shkrim të shenjtë dhe se ky urdhërim qe vërtet një dëshmi e dashurisë që Perëndia, Ati ynë Qiellor, ua jep fëmijëve të Tij këtu në tokë’” (“We Walk by Faith”, Ensign, maj 2002, f. 73–74).

Ethëri 12:6. “Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

“Ngaqë jemi njerëzorë, ne do t’i largonim nga jeta jonë dhembjet fizike dhe ankthin mendor dhe do ta siguronim veten me lehtësi dhe rehati të vazhdueshme, por nëse ia mbyllim dyert dëshpërimit dhe brengës, ne mund të jemi duke përjashtuar miqtë dhe mirëbërësit tanë më të mëdhenj. Vuajtja mund t’i bëjë shenjtorë njerëzit kur ata mësojnë durimin, qëndresën dhe vetëpërmbajtjen” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 15).