Biblioteka
Hyrje në Doktrinat Bazë


Hyrje në Doktrinat Bazë

Doktrinat Bazë në vijim duhen vënë në dukje në seminar:

  • Kreu-Perëndi

  • Plani i shpëtimit

  • Shlyerja e Jezu Krishtit

  • Periudha Ungjillore, Braktisja dhe Rivendosja

  • Profetët dhe zbulesa

  • Priftëria dhe çelësat e priftërisë

  • Ordinancat dhe besëlidhjet

  • Martesa dhe familja

  • Urdhërimet

Mësuesit duhet t’i ndihmojnë studentët që t’i dallojnë, kuptojnë, besojnë, shpjegojnë dhe zbatojnë këto doktrina bazë të ungjillit teksa studiojnë shkrimet e shenjta. Të vepruarit në këtë mënyrë do t’i ndihmojë studentët që të forcojnë dëshmitë e tyre dhe të rritin vlerësimin e tyre për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Studimi i Doktrinave Bazë gjithashtu do t’i ndihmojë studentët të përgatiten më mirë për ta jetuar ungjillin dhe për t’ua mësuar të tjerëve këto të vërteta të rëndësishme. Mësimet në këtë manual u ndërtuan duke pasur në mendje Doktrinat Bazë. Është e rëndësishme që të kuptohet se doktrina të tjera domethënëse të ungjillit do të theksohen edhe në këtë manual, edhe pse nuk janë renditur mes Doktrinave Bazë.

Mësimdhënia e doktrinave bazë të ungjillit ndodh ndërsa i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë me studentët dhe ndërsa i ndihmoni të zotërojnë fragmentet kyçe të shkrimit të shenjtë. Ju nuk duhet ta anashkaloni studimin e njëpasnjëshëm të shkrimit të shenjtë për t’u përqendruar te këto doktrina. Përkundrazi, ju duhet t’u kushtoni vëmendje atyre ndërsa dalin natyrshëm gjatë kursit të studimit dhe ndërsa i ndihmoni studentët të zotërojnë fragmente kyçe të shkrimit të shenjtë. Për shembull, ndërsa jepni mësim të vërtetën që “profetët paralajmërojnë kundër mëkatit dhe japin mësim shpëtimin nëpërmjet Jezu Krishtit” te 1 Nefi 1, ju mund të dëshironi t’u vini në dukje studentëve që kjo e vërtetë mund t’i ndihmojë të kuptojnë Doktrinën Bazë të “profetëve dhe zbulesës”. Ju mund t’u kërkoni studentëve të shpjegojnë se çfarë tjetër dinë rreth profetëve dhe zbulesës. Gjithashtu, teksa studentët mësojnë fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë 2 Nefi 25:23, 26, ju mund t’i ndihmoni të kuptojnë që fragmenti ilustron një mënyrë si profetët e përmbushin detyrën e tyre për të dhënë mësim shpëtimin nëpërmjet Jezu Krishtit. Rritja në të kuptuarin, të besuarin dhe të jetuarin e Doktrinave Bazë është një proces që ndodh gjatë katër viteve të seminarit dhe vazhdon për gjithë pjesën tjetër të jetës së studentit.

Ju mund të dëshironi t’u jepni studentëve një listë të Doktrinave Bazë.

Vlerësimi i Doktrinave Bazë

Për t’u dhënë mësuesve informacion që mund ta përdorin për të bekuar më mirë jetën e studentëve të tyre, është krijuar një Vlerësim i Doktrinave Bazë. Ne rekomandojmë që mësuesit ta administrojnë këtë vlerësim gjatë javës së parë të orëve mësimore dhe përsëri nga fundi i vitit. Për të gjetur Vlerësimin e Doktrinave Bazë dhe vlerësime të tjera te faqja e internetit e S&I-së (si.lds.org), bëni një kërkim duke përdorur fjalën assessement [vlerësim].

Mësuesit që i dërgojnë rezultatet e vlerësimit të studentëve të tyre te Zyra Kërkimore e S&I-së, do të marrin një raport që do t’i ndihmojë ta përshtatin mësimdhënien vetjake për të plotësuar më mirë nevojat e studentëve të tyre. Për shembull, nëse rezultatet tregojnë që studentët nuk e kuptuan doktrinën e pendimit, do të përcaktohen disa mësime nga programi mësimor i vitit që mund t’i ndihmojnë studentët ta kuptojnë më mirë këtë doktrinë. Teksa mësuesit e përdorin me lutje këtë informacion në mësimdhënien e tyre të njëpasnjëshme të shkrimit të shenjtë, rinia jonë dhe të rinjtë tanë në moshë madhore do të jenë më të mirëpërgatitur për të përmbushur Objektivin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë.