Biblioteka
Njësia 25 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

3 Nefi 11:18–16:20 (njësia 25)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan 3 Nefin 11:18–16:20 (njësia 25), nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (3 Nefi 11:18–12:48)

Studentët mësuan se pagëzimi duhet të kryhet nga një njeri që mban autoritetin e duhur dhe duhet të bëhet në mënyrën e përcaktuar nga Zoti. Ata gjithashtu studiuan doktrinën e Krishtit dhe mësuan se Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Në studimin e tyre për Lumturitë dhe shpjegimin e Shpëtimtarit për ligjin më të lartë, ata mësuan se, në qoftë se jetojmë në përputhje me mësimet e Jezu Krishtit, ne vërtet do të bekohemi dhe përgatitemi për të hyrë në mbretërinë e qiellit. Gjithashtu ata mësuan se, ndërsa vijmë te Krishti dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, ne mund të bëhemi më shumë si Ai dhe Ati ynë në Qiell, të cilët janë të përsosur.

Dita 2 (3 Nefi 13)

Nga mësimet e Shpëtimtarit rreth qëllimeve të dhënies së lëmoshave, lutjes dhe agjërimit, studentët mësuan se, në qoftë se kryejmë vepra të drejta për ta kënaqur Atin Qiellor, Ai do të na shpërblejë haptazi. Ndërsa studiuan mësimet e Shpëtimtarit rreth pamundësisë për t’u shërbyer dy zotërinjve, ata mësuan parimet që vijojnë: Me qëllim që ta kemi Perëndinë si zotëruesin tonë, ne duhet ta duam Atë dhe t’i shërbejmë Atij më shumë sesa gjërave të botës. Nëse kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë, Ai do të na ndihmojë t’i sigurojmë nevojat tona.

Dita 3 (3 Nefi 14)

Mësimet e Shpëtimtarit rreth gjykimit me drejtësi i ndihmuan studentët të kuptojnë se ne vërtet do të gjykohemi sipas mënyrës se si i gjykojmë të tjerët. Gjithashtu ata mësuan se Ati Qiellor na bekon kur lutemi për ndihmën e Tij. Studentët bënë vizatime që tregonin mësimet e Shpëtimtarit dhe mësuan se ne duhet të bëjmë vullnetin e Atit Qiellor me qëllim që të hyjmë në mbretërinë e qiellit.

Dita 4 (3 Nefi 15–16)

Studentët mësuan se Jezu Krishti është burimi i të gjitha ligjeve dhe urdhërimeve të ungjillit. Nëse shikojmë tek Ai nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij dhe durimit deri në fund, Ai do të na japë jetë të përjetshme. Ndërsa studiuan fjalët e Shpëtimtarit rreth “dele[ve] të tjera” (3 Nefi 15:21), studentët mësuan se Perëndia kujdeset për të gjithë fëmijët e Tij dhe ua shfaq atyre veten e Tij. Ata gjithashtu mësuan se Perëndia na jep dituri dhe të vërtetë sipas besimit dhe bindjes sonë.

Hyrje

Në këtë mësim studentët do të marrin parasysh se si grindja e ndikon aftësinë e tyre për ta ndier Shpirtin. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të mendojnë rreth atyre njerëzve që kanë qenë shembuj të mirë për ta dhe të marrin parasysh se si mund të shërbejnë më mirë si shembuj për të tjerët.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 11:18–41

Jezu Krishti paraqet mënyrën e pagëzimit, dënon grindjen dhe shpall doktrinën e Tij

Shkruani fjalën grindje në tabelë dhe u kërkoni studentëve ta përcaktojnë këtë fjalë (debatim, mosmarrëveshje ose zënie).

I ftoni studentët të renditin shkurtimisht në tabelë disa situata ose veprimtari në të cilat ata mund të priren për të provuar grindje. (Ju mund ta bëni një student të veprojë si shkrues, ndërkohë që klasa jep përgjigje.) Ndërsa e bëni këtë aktivitet, shmangni ato që Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i quajti “teknikat e kundërshtarit”, të cilat mund të nxitin “debat dhe kundërshtim” (The Lord’s Way [1991], f. 139).

I kujtoni studentët që tek 3 Nefi 11 ata lexojnë se Jezu Krishti iu shfaq nefitëve që u mblodhën në tempull. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 11:28 dhe i kërkoni klasës të përcaktojnë temën për të cilën ishin grindur disa prej nefitëve. (Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë varg, ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala grindje do të thotë debatime ose mosmarrëveshje.)

Pyetni: Si mendoni ju, përse është e rëndësishme t’iu shmangeni zënkave ose grindjes kur e diskutoni ungjillin me të tjerët?

Shkruajeni sa vijon në tabelë: Shpirti i grindjes nuk është nga Perëndia, por … Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 11:29–30 dhe u kërkoni studentëve të përcaktojnë se nga vjen shpirti i grindjes. E vërteta që gjejnë, mund të shprehet si vijon: Shpirti i grindjes nuk është nga Perëndia, por është nga djalli. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.

Pyetni: Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e mësimeve të Shpëtimtarit tek 3 Nefi 11:29–30 kur jeni në një situatë që mund të shkaktojë grindje? (Ju mund të vini në dukje situata të veçanta të shkruara në tabelë ose i bëni studentët të marrin parasysh një situatë në të cilën dikush dëshiron të debatojë rreth çështjeve të ungjillit.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë një pasojë të rëndësishme të grindjes, lexoni ose paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë: “Kur ka grindje, Shpirti i Zotit do të largohet, pavarësisht se kush e ka fajin” (“What I Want My Son to Know before He Leaves on His Mission”, Ensign, maj 1996, f. 41).

Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Pyetni: A e keni ndier ju ndonjëherë Shpirtin e Zotit të largohet për shkak të grindjes? Si u ndiet?

Vini në dukje fjalët e Shpëtimtarit lidhur me grindjen tek 3 Nefi 11:30: “Doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken”. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Si mund t’i zhdukim grindjen dhe zënkat?

  • Si mund të mos biem dakord me të tjerët dhe ta shmangim grindjen?

  • Në çfarë mënyrash u ndiet të bekuar për përjekjet tuaja që ta shmangnit ose mposhtnit grindjen?

Ju mund të doni të ndani një përvojë që keni pasur, kur u ndiet të bekuar për përpjekjet tuaja për ta shmangur ose mposhtur grindjen. I ftoni studentët t’i drejtohen listës në tabelë dhe zgjidhni një situatë në të cilën ata shpesh mund të ndiejnë grindje. U jepni kohë të shkruajnë një synim për mënyrën se si do të përpiqen ta shmangin ose ta mposhtin grindjen në atë situatë.

3 Nefi 12–16

Jezu Krishti u mëson parime që i ndihmojnë fëmijët e Tij të ecin drejt përsosjes

I ftoni studentët të ngrihen në këmbë dhe të thonë me zë të lartë 3 Nefin 12:48. Ju mund të keni nevojë t’i bëni ata të praktikojnë dy herë që të mund ta thonë në mënyrë të përsosur këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. U kërkoni studentëve t’i përdorin shkrimet e tyre të shenjta për të vënë në dukje disa prej tipareve të përsosjes, të përmendura tek 3 Nefi 12:1–12, të cilat shpresojnë t’i zhvillojnë në shkallë më të madhe.

Vendosni një sasi të vogël kripe në një lugë dhe u kërkoni studentëve të gjejnë se çfarë është lënda. Pastaj ftojeni një student të dalë përpara dhe ta përcaktojë lëndën duke e shijuar atë. Pasi studenti e ka përcaktuar lëndën si kripë, i kërkoni klasës të rendisë përfitimet e kripës. Teksa përgjigjen, sigurohuni që është e qartë se, përveç se i jep shije ushqimit, kripa përdoret si ruajtës për ta parandaluar prishjen e mishit.

U kërkoni studentëve të lexojnë 3 Nefin 12:13 për të zbuluar me cilin e krahasoi kripën Shpëtimtari. Teksa përgjigjen studentët, shpjegoni se Ai po i drejtohej jo vetëm turmës në tempull atë ditë, por edhe të gjithë atyre që pagëzohen në besëlidhjen e Tij.

Pyetni: Në çfarë mënyrash mund të jemi ne, si pasues të Jezu Krishtit, të ngjashëm me kripën? (Ne duhet të ndihmojmë për t’i ruajtur ose shpëtuar njerëzit dhe për ta përmirësuar botën duke i ndikuar të tjerët për mirë.)

Shpjegoni se tek 3 Nefi 12:13 fjala shije i drejtohet jo vetëm shijes së kripës, por edhe funksionit të saj si ruajtëse.

I kërkoni një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Karlos E. Esei, i Të Shtatëdhjetëve, lidhur me mënyrën se si kripa mund ta humbasë shijen e saj:

“Kripa nuk do ta humbasë shijen e saj me kalimin e kohës. Shija humbet nëpërmjet përzierjes dhe ndotjes. Në mënyrë të ngjashme … shija dhe cilësia i largohen një njeriu kur ai e ndot mendjen e tij me mendime të papastra, e përdhos gojën e tij duke folur më pak se të vërtetën dhe e keqpërdor forcën e tij në kryerjen e veprave të liga” (“Salt of the Earth: Savor of Men and Saviors of Men”, Ensign, maj 1980, f. 42).

Pyetni: Përse duhet të përpiqemi të jemi të pastër që t’i ndikojmë të tjerët për mirë?

Tregojuni studentëve një elektrik dore. Ndizeni dhe i ftoni studentët të lexojnë 3 Nefin 12:14–16 dhe të kërkojnë mënyrën se si Shpëtimtari e përdori dritën për t’i mësuar më tej rreth rolit të popullit të Tij të besëlidhjes në botë. Përpara se të lexojnë, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se një babun është një shportë.

Pyetni: Si mund të jenë anëtarët e Kishës që i mbajnë besëlidhjet e tyre, një dritë për të tjerët?

Mbulojeni dritën me një shportë ose peshqir dhe bëni pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të tundohemi për ta mbuluar dritën tonë?

  • Sipas 3 Nefit 12:16, përse Shpëtimtari dëshiron që ne të japim një shembull të drejtë për të tjerët? (Kur japim një shembull të drejtë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët ta përlëvdojnë Atin Qiellor. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në anën e shkrimeve të tyre të shenjta.)

  • Shembulli i drejtë i cilëve njerëz ju ka ndihmuar të afroheni më pranë Atit Qiellor ose e ka forcuar dëshirën tuaj për ta jetuar ungjillin në mënyrë më të plotë?

I nxini studentët të jenë si kripa dhe si një dritë për botën duke zgjedhur të jenë shembuj të drejtë.

Shpjegoni se Shpëtimtari vazhdoi t’u mësonte nefitëve se shpërblimi i vërtetë për zbatimin me drejtësi të urdhërimeve do të vinte kur ata të adhuronin pa hipokrizi dhe pa i vendosur zemrat e tyre mbi thesare ose shpërblime tokësore. Shkruani referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: 3 Nefi 13:22; 13:31–33; 14:7–8; 15:9; 16:13. I ftoni studentët t’i hetojnë këto fragmente dhe të përcaktojnë disa nga shpërblimet që Ati në Qiell na premtoi nëse zemrat tona përqendrohen në të jetuarin e një jete të drejtë. Pas një kohe të mjaftueshme, i ftoni të raportojnë atë që kanë gjetur.

Ndani me studentët dëshminë tuaj se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i ndihmojnë dhe bekojnë ata në përpjekjet e tyre që të zhdukin grindjen dhe të jenë një shembull i drejtë për botën.

Njësia Tjetër (3 Nefi 17–22)

U thoni studentëve se, kur studiojnë 3 Nefin 17–22, ata do të lexojnë se Jezu Krishti vajtoi kur Ai ishte me fëmijët e nefitëve. I nxitni që të kërkojnë përgjigje për pyetjet në vijim: Çfarë bëri Ai për ta? Çfarë mrekullish të tjera kreu Jezusi ndërsa u shërbente nefitëve?