Biblioteka
Mësimi 133: 3 Nefi 27


Mësimi 133

3 Nefi 27

Hyrje

Shpejt pas shërbesës së Shpëtimtarit mes nefitëve, të dymbëdhjetë dishepujt e sapothirrur nefitë u bashkuan në lutje të fuqishme dhe agjërim. Jezu Krishti iu shfaq atyre dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me emrin që ata do t’i jepnin Kishës. Ai i mësoi ata rreth ungjillit të Tij dhe i urdhëroi ata të jenë si Ai.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 27:1–12

Jezu Krishti i mëson dymbëdhjetë dishepujt që Kisha e Tij duhet të mbajë emrin e Tij

Ndajeni klasën në grupe me tre ose katër veta. Nëse klasa juaj është e vogël, e bëni secilin student të punojë në mënyrë individuale. I kërkoni secilit grup (ose individ) të përfytyrojnë se ata do të fillojnë me një klub të ri ose një skuadër të re sportive. I kërkoni secilit grup të vendosë se çfarë lloj klubi ose skuadre sportive do të krijonin ata, të tillë si një klub shkencor ose një skuadër futbolli dhe më pas i bëni ata të zgjedhin një emër për organizatën e tyre. E bëni secilin grup ta shkruajnë emrin e tyre në një copë letre. Më pas i mblidhni letrat e grupeve. (Ky aktivitet duhet të jetë i shkurtër. Nuk duhet të zërë shumë kohë ose të largojë shumë vëmendje nga doktrinat dhe parimet tek 3 Nefi 27.)

Lexoni me zë të lartë emrin në secilën letër. Pasi ta lexoni secilin emër, i kërkoni klasës të hamendësojë, bazuar në emrin, se çfarë lloj klubi ose skuadre është.

  • Çfarë mund të përçojë një emër rreth një organizate dhe njerëzve në të?

Shpjegoni se shpejt pas vizitës së Jezu Krishtit tek nefitët, dymbëdhjetë dishepujt e Tij nefitë u bashkuan në agjërim dhe lutje (shih 3 Nefi 27:1). Ftojini dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 27:2–7. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar pyetjen e dishepujve dhe përgjigjen e Shpëtimtarit.

  • Si tha Shpëtimtari se duhej të quhej Kisha e Tij?

  • Çfarë arsyesh dha Ai për ta quajtur emrin e Kishës sipas vetes së Tij?

I ftoni studentët të shqyrtojnë në heshtje 3 Nefin 27:8–12, duke gjetur përshkrimin e Shpëtimtarit për Kishën e Tij të vërtetë. Teksa studiojnë, shkruani thënien e mëposhtme të paplotë në tabelë:

Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit duhet të jetë …

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar këto vargje, i pyetni se si do ta plotësonin fjalinë në tabelë bazuar në atë që kanë lexuar. (Studentët duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit duhet të quhet me emrin e Tij dhe të ngrihet mbi ungjillin e Tij.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për Kishën e Shpëtimtarit që të mbajë emrin e Tij?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë për Kishën që është “ndërtuar mbi ungjillin [e Tij]”? (3 Nefi 27:10). Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për Kishën që të ndërtohet mbi ungjillin e Tij dhe jo mbi veprat e njerëzve?

Ftojini studentët që ta plotësojnë fjalinë që vijon në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta: “Të qenit anëtar i Kishës së Jezu Krishtit është e rëndësishme për mua, sepse …”

3 Nefi 27:13–22

Jezu Krishti përcakton ungjillin e Tij dhe u mëson se çfarë duhet të bëjnë për të qëndruar të pafajshëm përpara Tij dhe Atit të Tij

U kërkoni studentëve të mendojnë rreth mënyrës se si janë ndier kur janë kapur duke bërë diçka të gabuar. (Mos u kërkoni t’i tregojnë këto përvoja.) Më pas u kërkoni atyre të përfytyrojnë se si do të jetë po të qëndrojnë përpara Zotit për t’u gjykuar. I nxitni të përsiatin pyetjen që vijon:

  • Si do të ndiheni përpara Zotit nëse jeni fajtorë për një mëkat?

Shpjegoni se fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Ftoni dy ose tre studentë ta bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë nga 3 Nefi 27:13–16 dhe vëreni klasën të kërkojë për lajmin e mirë në këto vargje. Gjithashtu u kërkoni atyre të marrin parasysh se si ky lajm i mirë lidhet me ditën kur ata do të qëndrojnë përpara Perëndisë për t’u gjykuar.

  • Shpëtimtari dëshmon se Ai erdhi në botë për të bërë vullnetin e Atit të Tij. Sipas 3 Nefit 27:14, për çfarë e dërgoi Ati Qiellor Jezu Krishtin që të bënte në botë?

  • Bazuar tek 3 Nefi 27:13–14, cili është themeli i ungjillit? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Themeli i ungjillit është që Jezu Krishti bëri vullnetin e Atit të Tij në kryerjen e Shlyerjes. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta pranë 3 Nefit 27:13–14.)

  • Ngaqë Shpëtimtari e përmbushi vullnetin e Atit të Tij, çfarë do të ndodhë për të gjithë njerëzimin? (Ne vërtet do të ngrihemi përpara Tij për t’u gjykuar për veprat tona.)

Ftoni studentët të shqyrojnë në heshtje 3 Nefin 27:16, duke kërkuar vepra që duhet t’i bëjmë që të marrim të gjitha bekimet e Shlyerjes dhe të përgatitemi për gjykimin. Kërkojuni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë. Ftojeni një student t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.

  • Sipas këtij vargu, çfarë bekimesh do t’u vijnë atyre që pendohen, pagëzohen dhe durojnë deri në fund? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë të vërtetën që vijon: Nëse pendohemi, pagëzohemi dhe durojmë deri në fund, ne vërtet do të jemi të pafajshëm kur të qëndrojmë përpara Perëndisë për t’u gjykuar.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 27:17–19. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar se çfarë do t’u ndodhë atyre që nuk pendohen ose nuk durojnë deri në fund.

  • Nga ajo që keni lexuar, përse të gjithë fëmijët e Atit Qiellor kanë nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit?

  • Çfarë lajmi i mirë gjendet për ne, ndërkohë që mendojmë lidhur me qëndrimin tonë përpara Zotit për t’u gjykuar?

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“‘Lajmi i mirë’ [është] se vdekjes dhe ferrit [mund] t’i shpëtohet, se gabimet dhe mëkatet [mund] të kapërcehen, se ka shpresë, se ka ndihmë, se e pazgjidhshmja zgjidhet, se armiku [është] mposhtur. Lajmi i mirë [është] se varri i çdo njeriu [do të] jetë i zbrazët një ditë, se fryma e çdo njeriu [mund] të jetë e pastër përsëri, se çdo fëmijë i Perëndisë [mund] të kthehet përsëri tek Ati që u dha atyre jetë” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 8, 10).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 27:20–21 dhe vëreni klasën të kërkojë ftesën e Shpëtimtarit për ne.

  • Cila është ftesa e Shpëtimtarit në këto vargje?

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth përpjekjeve të tyre për ta pranuar këtë ftesë, i ftoni ata t’iu përgjigjen pyetjeve që vijojnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara orës mësimore ose lexojini ato me ngadalë që studentët të mund t’i shkruajnë ato.)

  • Përse Shpëtimtari dëshiron që ju të pendoheni dhe të vini tek Ai?

  • Në çfarë mënyrash po e pranoni ftesën e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 27:20–21?

  • Çfarë mund të bëni sot për t’u përgatitur që të qëndroni të panjollë përpara Zotit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:40–42. I kërkoni klasës ta ndjekë atë, duke kërkuar ide shtesë rreth arsyes përse ungjilli është lajmi i mirë. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë DeB 76:40–42 në shkrimet e tyre të shenjta pranë 3 Nefit 27:13.)

Herët në mësim, ju u kërkuat studentëve të përsiatin se si ata do të ndiheshin përpara Zotit, në qoftë se do të ishin fajtorë për mëkatin. Në këtë pikë të mësimit, i ftoni ata të përsiatin se si mund të ndihen përpara Shpëtimtarit, në qoftë se e dinë se janë bërë të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet bindjes ndaj parimeve, urdhërimeve dhe ordinancave të ungjillit.

  • Nëse mund të flisnit me Shpëtimtarin në atë kohë, çfarë do të thoshit?

  • Bazuar në atë që keni studiuar sot, si do t’ia shpjegonit një shoku lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit?

3 Nefi 27:23–33

Jezu Krishti i udhëzon dishepujt e Tij për t’u bërë sikurse është Ai

Përmblidhni 3 Nefin 27:23–26 duke shpjeguar se Shpëtimtari u dha udhëzime dymbëdhjetë dishepujve të Tij nefitë dhe u mësoi atyre rreth përgjegjësive të tyre. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 27:27, duke kërkuar urdhërimin që Ai u dha dishepujve për t’i ndihmuar ata t’i përmbushnin rolet e tyre si gjykatës të njerëzve.

  • Përse do të ishte e rëndësishme për gjykatësit e njerëzve që të ishin si Shpëtimtari?

Kërkojuni studentëve të rishikojnë 3 Nefin 27:21.

  • Çfarë i urdhëroi Shpëtimtari dishepujt të bënin?

  • Cila është marrëdhënia midis bërjes së veprave të Shpëtimtarit dhe bërjes si Ai?

Ndërsa studentët e diskutojnë këtë pyetje, shkruajeni parimin që vijon në tabelë: Zoti pret që dishepujt e Tij t’i bëjnë veprat e Tij dhe të bëhen siç është Ai.

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të jemi të ngjashëm me Shpëtimtarin? Cilat janë disa vepra që mund t’i bëjmë, ndërkohë që e ndjekim shembullin e Tij?

  • Në çfarë mënyrash jeni bekuar ndërsa jeni përpjekur për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit?

Përfundojeni orën mësimore duke dëshmuar për bekimet që vijnë kur ne përpiqemi të bëhemi si Jezu Krishti.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 27:8. Emri i Kishës

Presidenca e Parë deklaroi:

“Përdorimi i emrit të zbuluar, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (DeB 115:4), është gjithnjë e më i rëndësishëm në përgjegjësinë tonë për ta shpallur emrin e Shpëtimtarit në të gjithë botën. Prandaj, ne kërkojmë që kur t’i drejtohemi Kishës, ta përdorim emrin e saj të plotë kurdoherë që është e mundur” (Letër e Presidencës së Parë, 23 shkurt 2001).

Presidenti Harold B. Li na mësoi:

“Kur ai [Zoti] zbuloi emrin me anë të të cilit duhej të thirrej Kisha, ai përdori disa shprehje interesante. Ai tha: ‘Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’.(DeB 115:4.)

Fjala e shquar është domethënëse: jo thjesht Kishë e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, sepse të thuash ‘Kisha’ e dallon këtë si të vetmen kishë të vërtetë mbi faqen e dheut. Ai nuk tha Kisha Mormone; Ai nuk tha Kisha SHDM, por deklarimin e qartë, të qëndrueshëm, të prerë: ‘madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’” (“The Way to Eternal Life”, Ensign, nëntor 1971, f. 13).

3 Nefi 27:13–21. Ungjilli i Jezu Krishtit

Profeti Jozef Smith shpjegoi mesazhin thelbësor të ungjillit të Jezu Krishtit:

“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë, janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 52).

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Fjala ungjill do të thotë ‘lajm i mirë’. Lajmi i mirë është Zoti Jezu Krisht dhe mesazhi i Tij i shpëtimit. [Shih Bible Dictionary, “Gospels,” f. 682–683.] Jezusi e barazoi ungjillin si me misionin e Tij, ashtu edhe me shërbesën e Tij në vdekshmëri. Kur e shpalli misionin e Tij, Jezusi tha:

‘Dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë – se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq;[3 Nefi 27:13–14.]

Misionin e Shpëtimtarit në vdekshmëri ne e njohim si Shlyerje.

Shërbesa në vdekshmëri e Shpëtimtarit përfshin gjithçka tjetër që Ai bëri – mësimet e Tij, shprehjet e Tij të dashurisë, vëmendjen e Tij ndaj ordinancave, modelet e Tij të lutjes, këmbënguljen e Tij dhe më shumë. Ai jetoi që të ishte Shembulli ynë, të cilin ai gjithashtu e barazoi me ungjillin në deklarimin e shërbesës së Tij. ‘Ky është ungjilli im’, tha Ai, ‘… pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju.’[3 Nefi 27:21.] Prandaj, besimi; pendimi; pagëzimi me anë të ujit, zjarrit dhe Frymës së Shenjtë; mbledhja e të zgjedhurve; dhe durimi deri në fund janë të gjitha pjesë të ungjillit” (“Senior Missionaries and the Gospel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 81).

3 Nefi 27:27. Bërja si Jezu Krishti

Presidenti Ezra Taft Benson na mësoi:

“Ai njeri është më i madhërishmi, më i bekuari dhe më i gëzuari, jeta e të cilit i përshtatet sa më pranë modelit të Krishtit. Kjo s’ka të bëjë aspak me pasurinë, pushtetin ose prestigjin tokësor. E vetmja provë e vërtetë e madhështisë, e mundësisë për t’u bekuar e gëzuar është se sa mundet një jetë t’i afrohen të qenit si Mësuesi, Jezu Krishti. Ai është udha e drejtë, e vërteta e plotë dhe jeta e begatë” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations” [fjalim në takimin shpirtëror të UBJ-së, 10 dhjetor 1974], f. 1, speeches.byu.edu).