Biblioteka
Mësimi 118: 3 Nefi 6–7


Mësimi 118

3 Nefi 6–7

Hyrje

Pas çlirimit të tyre të mrekullueshëm nga hajdutët e Gadiantonit, nefitët gëzuan paqe për gati tre vjet. Por krenaria, dallimet midis klasave dhe përndjekjet u shtuan mes njerëzve. Ndërkohë që disa mbetën besnikë ndaj Zotit, shumë veta hynë në lidhje të fshehta. Për shkak të lidhjeve të fshehta, kryegjykatësi u vra dhe qeveria nefite u përmbys. Njerëzit u ndanë në fise dhe caktuan vetë udhëheqësit e tyre. Nefi u shërbeu njerëzve me fuqi dhe autoritet të madh.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 6:1–18

Pas një periudhe mirëqenieje, nefitët bëhen krenarë dhe Kisha copëtohet

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë përpara orës së mësimit. U kërkoni studentëve t’u përgjigjen atyre dhe t’i shpjegojnë përgjigjet e veta.

A është e mundur për dikë që të jetë …

I pasur dhe i përulur?

I varfër dhe krenar?

I arsimuar dhe i përulur?

I paarsimuar dhe krenar?

I nxitni studentët të vazhdojnë të mendojnë rreth këtyre pyetjeve teksa studiojnë 3 Nefi 6. Përmblidhni 3 Nefin 6:1–9 duke shpjeguar se pasi nefitët dhe lamanitët i mundën hajdutët e Gadiantonit, ata vendosën paqe në vend dhe filluan të përparonin. Por pas një kohe të shkurtër, paqja dhe mirëqenia e tyre u kërcënuan.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 6:5, 10–12 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që filloi ta kërcënonte paqen dhe mirëqenien e njerëzve.

  • Çfarë filloi të ndodhte që e kërcënoi paqen dhe mirëqenien e njerëzve?

  • A e keni parë grumbullimin e pasurive ose të diturisë të sjellin probleme të ngjashme në shkollën, komunitetin apo vendin tuaj? Nëse po, në çfarë mënyrash?

Hiqni një linjë vertikale nga lart poshtë në qendër të tabelës për të bërë dy kolona. Shkruani Krenarë në kreun e një prej kolonave dhe Të Përulur në kreun e kolonës tjetër. I ftoni studentët të kërkojnë 3 Nefi 6:13–14, duke gjetur fjalë dhe fraza që përshkruajnë se si u përgjigjën njerëzit, ndërkohë që pasuritë dhe dituria filluan t’i ndajnë ata. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se të zemërohesh ose të thuash fjalë të rënda do të thotë ta kritikosh dikë me zemërim ose t’i flasësh dikujt në mënyrë fyese). Kur studentët ta kenë mbaruar leximin, i ftoni ata të shkruajnë në kolonën e duhur në tabelë fjalët ose frazat që kanë gjetur.

  • Çfarë prove shihni te 3 Nefi 6:13 se disa veta që po përndiqeshin nga kryelartët, po përgjigjeshin edhe vetë me krenari?

  • Si mendoni ju, përse është përgjigjja ndaj “zemërimit me zemërim” (ose kritikës me kritikë) një shfaqje e krenarisë?

  • Çfarë ju lë mbresë rreth mënyrës se si lamanitët e kthyer në besim u përgjigjën gjatë kësaj kohe?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga 3 Nefi 6:13–14? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të përcaktojnë parimin që vijon: Ne mund të zgjedhim të jemi të përulur dhe besnikë pavarësisht nga rrethanat tona.)

I drejtoni studentët te kolona në tabelë që rendit përgjigje të përulura. Bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë veprimesh mund të ndërmarrim për ta ndihmuar veten tonë që të qëndrojmë të përulur dhe besnikë në çfarëdolloj rrethane? (Renditni përgjigjet e studentëve në tabelë në kolonën e titulluar Të Përulur.)

  • Mendoni për një njeri që e ndieni se është një shembull i mirë i zgjedhjes për të qenë i përulur dhe besnik, pavarësisht nga rrethanat e tij ose të saj. Si është ky njeri një shembull përulësie?

Shpjegoni që, për shkak se shumica e nefitëve nuk u penduan për krenarinë e tyre, situata e tyre u keqësua. Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 6:15–18. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar mënyrën se si krenaria e njerëzve e lejoi Satanin t’i ndikonte ata.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth marrëdhënies midis krenarisë dhe fuqisë së Satanit për të na tunduar? (Ndërsa studentët përgjigjen, i ndihmoni ata të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Kur jemi krenarë, ne i lejojmë Satanit fuqi më të madhe që të na tundojë dhe të na udhëheqë për të bërë më shumë mëkat. Ju mund të doni t’i nxitni ata ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta ose në fletoret e shënimeve apo në ditaret e studimit të shkrimeve të shenjta).

  • Sipas 3 Nefit 6:15–18, çfarë fjalësh dhe frazash e përshkruajnë ndryshimin e lig të zemrës që përjetuan këta njerëz për shkak të krenarisë? (Ata u “lanë … që [t’i] çonte kudo që [Satani] dëshironte dhe të bënin çfarëdo paudhësie që ai donte që ata të bënin”. Ata ishin në “një gjendje ligësie të tmerrshme” dhe “ngritën krye me dashje kundër Perëndisë”.)

  • Si mendoni ju, përse krenaria e ndikon shkallën me të cilën Satani mund të na ndikojë ne?

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Përveç përgjigjeve të dhëna nga studentët, merrni parasysh ta ftoni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. U kërkoni studentëve të dëgjojnë për atë që Presidenti Ajring paralajmëroi se është një nga rreziqet e krenarisë.

“Krenaria krijon një zhurmë brenda nesh, e cila e bën zërin e qetë të Shpirtit të vështirë për t’u dëgjuar. Dhe shpejt, në kotësinë tonë, ne as nuk dëgjojmë më për të. Ne shpejt mund të arrijmë të mendojmë se nuk kemi nevojë për të” (“Prayer”, Ensign, nëntor 2001, f. 16).

  • Përse është e rrezikshme që të mos e dëgjojmë më zërin e Shpirtit? (I ndihmoni studentët të kuptojnë se kur nuk ia vëmë veshin pëshpëritjeve të Frymës së Shenjtë, ne jemi më të prekshëm nga tundimet e djallit).

Drejtojini studentët përsëri te lista e përgjigjeve të përulura në tabelë. I ftoni ata të zgjedhin një përgjigje të përulur që mendojnë se do të ishte më e dobishmja për ta personalisht. U lejoni atyre pak minuta për të shkruar rreth mënyrës se si ata mund të fillojnë menjëherë ta vënë në jetë atë sugjerim në shkollë apo në shtëpi.

3 Nefi 6:19–7:14

Lidhjet e fshehta e shkatërrojnë qeverinë nefite dhe populli ndahet në fise

Kopjojeni boshtin e kohës që vijon në tabelë:

Pamja
boshti i kohës

Ndajeni klasën në katër grupe dhe i caktoni secilit grup një nga pjesët e shkrimeve të shenjta në tabelë. Vërini studentët të lexojnë në heshtje pjesët e caktuara atyre, duke kërkuar ngjarjet kryesore që ndodhën mes nefitëve. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, ftojeni një student nga secili grup që t’i shkruajë ngjarjet kryesore nga pjesa që iu caktua atij ose asaj, nën seksionin përkatës të boshtit të kohës (studentë të tjerë në secilin grup mund të ndihmojnë). Kur të kenë mbaruar, shpjegoni se lista e ngjarjeve tregon se si lidhjet e fshehta çuan në përmbysjen e qeverisë nefite dhe në ndarjen e popullit në fise.

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 6:27–30. I kërkoni klasës t’i ndjekë ata dhe të përcaktojë themeluesin e lidhjeve të fshehta dhe qëllimin e tyre. Kur studentët ta kenë përcaktuar themeluesin e lidhjeve të fshehta (djallin), pyetni:

  • Cilat fjalë dhe fraza i përshkruajnë qëllimet e lidhjeve të fshehta? (Përgjigjet mund të përfshijnë “për t’u bashkuar kundër gjithë drejtësisë”, “t’i shkatërronin” njerëzit e Zotit, “nuk përfillën ligjin dhe të drejtat e vendit të tyre” dhe “vendi të mos kishte më liri”.)

  • Si i shpëtuan ndëshkimit ata që i vranë profetët? (Miqtë dhe farefisi i tyre, të cilët ishin gjithashtu anëtarë të lidhjeve të fshehta, u bashkuan për t’i ndihmuar ata që t’i mbanin të fshehta veprimet e tyre dhe që t’u shmangeshin pasojave të veprimeve të tyre).

  • Përfytyroni se keni disa miq që duan t’iu shmangen pasojave të veprimeve të tyre. Si mund t’i ndihmoni ata që, përkundrazi, ta jetojnë ungjillin dhe t’i jetojnë standardet e tij?

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 7:1–8. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar ndikimin e këtyre lidhjeve të fshehta mes nefitëve. Shpjegoni se djalli i josh njerëzit që të hyjnë në lidhje të fshehta në përpjekje për ta shkatërruar drejtësinë dhe për ta shtuar paudhësinë. I ndihmoni studentët të kuptojnë se metodat dhe synimet e lidhjeve të fshehta shpesh janë tinzare dhe jo gjithmonë të lehta për t’u dalluar. I nxitni ata ta shmangin shoqërimin me grupe ose individë që u ngjajnë lidhjeve të fshehta në ndonjë mënyrë.

3 Nefi 7:15–26

Gjatë një kohe kur pak veta janë besnikë, Nefi vazhdon t’u shërbejë dhe disa njerëz kthehen në besim

  • Si mendoni ju se do të ishit ndier, në qoftë se do të kishit jetuar mes nefitëve pasi u përmbys qeveria e tyre? Përse?

  • Ku mendoni se do të ishit kthyer për udhëheqje dhe drejtim?

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 7:15–20. Vëreni klasën t’i ndjekë ata, duke kërkuar arsye përse ata mund të kishin dashur ta ndiqnin Nefin në këto rrethana. Merrni parasysh që studentët të ndalojnë pas secilit varg ose pas dy vargjeve, në mënyrë që ju të mund t’u kërkoni studentëve të shpjegojnë përse ata mund të ishin frymëzuar për ta ndjekur Nefin.

  • Cili ishte mesazhi i Nefit drejtuar popullit në këtë kohë? (Shih 3 Nefi 7:16.)

  • Si janë udhëheqësit e Kishës sot të ngjashëm me Nefin?

  • Kur keni parë një udhëheqës të Kishës që ju “mësoi me fuqi dhe me autoritet të madh”? (3 Nefi 7:17).

U kërkoni studentëve të lexojnë në heshtje 3 Nefin 7:21–26 dhe të përcaktojnë se si ata që u kthyen në besim, u bekuan ngaqë e ndoqën Nefin dhe u penduan për mëkatet e tyre. I ftoni disa studentë që të shpjegojnë atë që kanë gjetur.

  • Cilat parime mund të mësojmë nga shembulli i atyre që u penduan dhe e ndoqën Nefin?

Studentët mund të japin një shumëllojshmëri të vërtetash, por ata duhet të përcaktojnë parimin që vijon: Në qoftë se pendohemi dhe i ndjekim shërbëtorët e Zotit, ne vërtet do të marrim ndikimin e Frymës së Shenjtë.

  • Përse është pendimi thelbësor me qëllim që ne ta kemi Frymën e Shenjtë me ne?

  • Si mendoni ju, përse ndjekja e shërbëtorëve të Zotit na ndihmon të bëhemi më të dëgjueshëm ndaj udhëzimit nga Fryma e Shenjtë?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Kam arritur në përfundimin se udhërrëfimi shpirtëror në përmasë të gjerë varet nga të qenit në harmoni me Presidentin e Kishës, Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve – të gjithë të cilët mbështeten … si profetë, shikues dhe zbulues. Nuk e di se si ne mund të presim të jemi në harmoni të plotë me Shpirtin e Zotit, në qoftë se nuk jemi në harmoni me Presidentin e Kishës dhe profetët, shikuesit dhe zbuluesit e tjerë” (“Called and Chosen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 53).

  • Kur e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë, ngaqë keni zgjedhur të jeni të bindur ndaj shërbëtorëve të Zotit?

I nxitni studentët të shkruajnë mbresa që kanë marrë, rreth asaj që mund të bëjnë për t’i vënë në jetë të vërtetat që kanë mësuar sot. Theksoni se, edhe kur të tjerët zgjedhin të jetojnë në kundërshtim me urdhërimet e Zotit, siç ishte rasti i nefitëve, ne mund të zgjedhim të ndjekim me përulësi Perëndinë dhe shërbëtorët e Tij të zgjedhur.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 6:10-18 Pasojat e krenarisë

Te 3 Nefi 6:10–18, ne lexojmë rreth mënyrës se si krenaria mund të shkaktojë ndarje mes njerëzve. Presidenti Ezra Taft Benson na mësoi se prirja për ta krahasuar vetveten me njerëz të tjerë mund të jetë një shfaqje e krenarisë. Ai gjithashtu paralajmëroi rreth mënyrës se si krenaria ndikon te marrëdhëniet tona me Perëndinë dhe të tjerët:

“Krenarët e bëjnë çdo njeri kundërshtarin e tyre duke i vënë intelektet, mendimet, veprat, pasurinë, talentet e tyre ose ndonjë mjet tjetër matës së botës përballë të tjerëve. Në fjalët e C. S. Ljuis: ‘Krenaria nuk fiton asnjë kënaqësi nga pasja e diçkaje, por vetëm nga pasja më shumë nga ç’ka tjetri prej saj. Është krahasimi që ju bën krenarë: kënaqësia e të qenit mbi të tjerët. Sapo të jetë hequr elementi i konkurrencës, krenaria zhduket.’(Mere Christianity, New York: Macmillan, 1952, f. 109–110.) …

Krenaria ndikon negativisht tek të gjitha marrëdhëniet tona – marrëdhëniet tona me Perëndinë dhe shërbëtorët e Tij, midis bashkëshortit dhe bashkëshortes, prindit dhe fëmijës, punëdhënësit dhe punëmarrësitt, mësuesit dhe studentit e midis gjithë njerëzimit. Shkalla jonë e krenarisë përcakton se si e trajtojmë Perëndinë tonë dhe vëllezërit e motrat tona” (“Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 4, 6).