Biblioteka
Mësimi 88: Alma 30


Mësimi 88

Alma 30

Hyrje

Pas një beteje të madhe midis nefitëve dhe lamanitëve, paqe u vendos në tokë. Rreth dy vjet më pas, një burrë i quajtur Korihor filloi të predikonte se Perëndia nuk ekzistonte, se nuk do të kishte Krisht dhe se nuk kishte mëkat. Ai tha fjalë të rënda ndaj udhëheqësve të Kishës, duke shpallur se ata po u mësonin tradita të marra. Mësimet e tij të rreme i bënë shumë njerëz të kryenin mëkate të rënda. Korihori u soll përpara Almës, i cili dëshmoi për Jezu Krishtin dhe u mësoi se të gjitha gjërat dëshmojnë për një Krijues Suprem. Më së fundi, Korihori u bë memec me anë të fuqisë së Perëndisë dhe u bind për të vërtetën. Megjithatë, kur ai kërkoi që t’i rivendosej zëri, Alma ia mohoi kërkesën, duke i thënë se ai përsëri do t’u mësonte njerëzve doktrinë të rreme, në qoftë se ai do ta rifitonte zërin. Korihori e kaloi pjesën e mëpasshme të jetës së tij duke lypur për ushqim, gjersa u shkel për vdekje nga një grup njerëzish të ndarë nga nefitët, të quajtur zoramitë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 30:1–18

Korihori, një anti-Krisht, përqesh doktrinën e Krishtit

Përpara se të fillojë ora mësimore, shponi një vrimë të vogël në fund të një kanaçeje pije dhe e lini lëngun të rrjedhë jashtë. Ia tregoni kanaçen klasës pa u treguar se është bosh. I pyetni se kush e do atë dhe sa do të jenë të gatshëm të paguajnë për të. Bëni një student të dalë përpara, ta shqyrtojë kanaçen dhe t’i tregojë klasës se çfarë ka brenda. (Në vend të një kanaçeje me pije, ju gjithashtu mund të përdorni një kuti bosh, një çantë ose një diçka të mbështjellë që normalisht përmban diçka që do ta pëlqenin studentët).

  • Në ç’mënyrë janë mësimet e rreme si kjo kanaçe pijeje? (Ato janë shpesh joshëse nga jashtë, por bosh nga brenda).

Shpjegoni se në mësimin e sotëm, studentët do të mësojnë rreth një burri të quajtur Korihor. Ndërsa studiojnë Almën 30, i nxitni ata të marrin parasysh se si mësimet e Korihorit i lanë atë dhe të tjerët shpirtërisht të zbrazët.

U tregoni studentëve se, pas një kohe lufte kundër lamanitëve, populli i Amonit (anti-nefi-lehitët) dhe nefitët filluan një periudhë paqeje. Më pas Korihori e ndërpreu paqen e tyre. I vini studentët të lexojnë Almën 30:6, 12, duke kërkuar një fjalë që e përshkruan këtë burrë. (Fjala është anti-Krisht. Shpjegoni se një përkufizim i kësaj fjale është “dikush ose diçka që falsifikon planin e vërtetë të ungjillit për shpëtimin dhe që haptazi apo fshehurazi kundërshton Krishtin” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”, f. 7, scriptures.lds.org].)

Përgatitni ushtrimin e mëposhtëm në një fletushkë për secilin student ose në tabelë përpara orës së mësimit. Nëse e shkruani në tabelë, u kërkoni studentëve ta kopjojnë në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Ajo do t’i ndihmojë të shohin se si Satani dhe ata që i shërbejnë atij, përdorin doktrina të rreme për të na joshur që të bëjmë mëkat.

Mësimet e Rreme të Korihorit, Anti-Krishtit

Mësimi i Rremë

Mesazhi

1. Alma 30:13–14

a. Ju nuk mund të dini që diçka është e vërtetë, në qoftë se nuk e shihni atë. Si rrjedhim, ju nuk mund të dini se do të ketë një Krisht.

2. Alma 30:15

b. Nuk ka asgjë të tillë si mëkati. Nuk ka asnjë standard universal për atë që është e drejtë ose e gabuar.

3. Alma 30:1677

c. Njerëzit përparojnë vetëm në bazë të vetë përpjekjeve të tyre. Nuk ka asgjë të tillë si një shlyerje.

4. Alma 30:17 (duke filluar me “çdo njeri e kalonte …”)

d. Është e pamundur të dini për gjëra që do të ndodhin në të ardhmen, prandaj ju nuk duhet të besoni në Krishtin ose të ndiqni fjalët e njerëzve që thonë se janë profetë.

5. Alma 30:17 (duke filluar me “çdo gjë që një njeri bënte …”)

e. Falja e mëkatit është një ide e çmendur që vjen nga tradita të rreme.

6. Alma 30:18

f. Nuk ka jetë pas vdekjes, prandaj nuk ka nevojë të shqetësohemi rreth një gjykimi pas kësaj jete.

I ndani studentët në dyshe. U kërkoni atyre të lexojnë së bashku Almën 30:12–18. I udhëzoni ata t’i bashkoni mësimet e rreme të Korihorit, të cilat janë në anën e majtë të ushtrimit, me mesazhet e atyre mësimeve, të cilat janë në anën e djathtë. (Përgjigjet: 1–d, 2–a, 3–e, 4–c, 5–b, 6–f.)

Për t’i ndihmuar studentët të analizojnë mësimet e Korihorit dhe t’i zbatojnë ato që mësojnë, u bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë mësimesh keni hasur që janë të ngjashme me mësimet e Korihorit?

  • Sipas Almës 30:18, çfarë i udhëhoqën mësimet e Korihorit të bënin njerëzit?

  • Përse mendoni se këto mësime i bëjnë njerëzit të dorëzohen ndaj tundimit?

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje lidhur me rreziqet e doktrinave të rreme? (I ndihmoni studentët të dallojnë parimin vijues: Satani përdor doktrina të rreme për të na joshur të bëjmë mëkat.)

U kërkoni studentëve ta përfytyrojnë vetveten në situatën vijuese:

Një shok ju fton të luani një lojë kompjuterike. Kur arrini te shtëpia e shokut tuaj, e kuptoni se loja është e dhunshme dhe përfshin personazhe që nuk kanë veshje modeste. Kur ju ngurroni ta luani lojën, shoku juaj ju kërkon të shpjegoni arsyen përse nuk dëshironi ta luani atë.

  • Çfarë do të thonit? (Studentët mund të shpjegojnë se loja i shkel standardet e besimit të tyre).

  • Nëse shoku juaj fillon t’i kritikojë gjërat që besoni, duke thënë se ato e kufizojnë lirinë tuaj, si do të mund t’i përgjigjeni?

Alma 30:19–60

Korihori kërkon një shenjë nga Alma dhe mbetet pa gojë me anë të fuqisë së Perëndisë

Përmblidhni Almën 30:19–30, duke shpjeguar se Korihori u mësoi njerëzve doktrina të rreme në tre qytete të ndryshme nefite. Si përfundim, ai u soll përpara kryegjykatësit të vendit dhe përpara Almës, që ishte udhëheqësi i Kishës. Ju mund të dëshironi të vini në dukje se një nga diskutimet kryesore të Korihorit ishte që udhëheqësit e Kishës i mbanin njerëzit në robëri – që feja e tyre ua hiqte lirinë njerëzve. Ai gjithashtu i akuzoi udhëheqësit e Kishës se kërkonin përfitim vetjak nga puna e njerëzve.

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 30:31, duke kërkuar për akuzimet që Korihori bëri kundër Almës dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës.

I ftoni studentët të lexojnë Almën 30:32–35, për të zbuluar se si Alma iu përgjigj Korihorit.

  • Si e keni vënë re vërtetësinë e përgjigjes së Almës në jetën e udhëheqësve të Kishës?

I ftoni dy studentë të dalin përpara klasës. U kërkoni atyre të lexojnë me zë të lartë Almën 30:37–45, me njërin duke lexuar fjalët e Almës dhe tjetrin duke lexuar fjalët e Korihorit. Ftojeni pjesën tjetër të klasës të kërkojnë se çfarë paraqiti Alma si provë për ekzistencën e Perëndisë.

  • Çfarë provash dha Alma për ekzistencën e Perëndisë? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi t’i shkruani në tabelë përgjigjet e tyre. Ju gjithashtu mund të dëshironi t’i nxitni studentët t’i shenjojnë ato në shkrimet e tyre të shenjta. Si pjesë e këtij diskutimi, theksoni se të gjitha gjërat dëshmojnë për Perëndinë.)

  • Nga provat e renditura nga Alma, cilat janë veçanërisht të fuqishme për ju? Përse?

I lejoni studentëve pak minuta të shkruajnë. U kërkoni atyre të renditin provat që kanë parë, të cilat “tregojnë se ka një Perëndi” (Alma 30:44). I ftoni disa studentë t’i ndajnë listat e tyre me klasën.

  • Si ndikojnë te ju këto prova? Në çfarë mënyrash mund ta forcojnë ato besimin dhe dëshminë tuaj?

Përmblidhni Almën 30:46–50 duke shpjeguar se Korihori, ende pa i pranuar shenjat që i ishin dhënë, kërkoi që Alma t’i tregojë atij një shenjë të ekzistencës së Perëndisë. Në përgjigje, Korihori u bë memec nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. I bindur për fuqinë e Perëndisë, Korihori shkroi rreth arsyes përse kishte predikuar kundër Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin e Korihorit tek Alma 30:51–53.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Korihori kur tha se ai u mësoi gjëra që ishin “të këndshme për mendjen e mishit”? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se mësimet e Korihorit iu drejtuan dëshirave të padrejta fizike të njerëzve, më shumë sesa dëshirave të tyre të drejta shpirtërore).

Përmblidhni Almën 30:54–59 duke shpjeguar se Korihori i kërkoi Almës të lutej, kështu që mallkimi të mund të hiqej prej tij. Alma nuk pranoi, duke thënë se, nëse Korihori merrte aftësinë për të folur, ai përsëri do t’u mësonte njerëzve doktrinë të rreme. Korihori u dëbua dhe shkoi nga shtëpia në shtëpi, duke lypur për ushqim. Më së fundi, ai shkoi te zoramitët, që ishin shkëputur nga nefitët, dhe u shkel deri në vdekje.

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 30:60, duke kërkuar parimin që u mëson Mormoni.

  • Çfarë parimi na mëson Mormoni në këtë varg?

Sigurohuni që studentët të kuptojnë se “djalli nuk do t’i përkrahë fëmijët e tij [pasuesit e tij] në ditën e fundit”.

  • Si është kjo e ndryshme nga mënyra se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kujdesen për ne? (Ndërsa studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ju mund të dëshironi t’i bëni të lexojnë Almën 36:3.)

Dëshmoni për të vërtetat që ju dhe studentët tuaj keni diskutuar në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 30:52. “Unë e dija gjithmonë se kishte një Perëndi”

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth rëndësisë së dallimit të shenjave që kemi marrë lidhur me vërtetësinë e ungjillit:

“Nëse nuk i jepemi ndikimit të butë të Frymës së Shenjtë, ne rrezikojmë të bëhemi si Korihori, një antikrisht në Librin e Mormonit. Korihori jo vetëm që nuk besoi në Perëndi, por ai gjithashtu u tall me Shpëtimtarin, Shlyerjen dhe shpirtin e profecisë, duke mësuar në mënyrë të gabuar të tjerët se nuk ka Perëndi dhe as Krisht.

Korihori nuk mjaftohej që thjesht ta mohonte Perëndinë dhe të shihte punën e vet sipas dëshirës. Ai tallte besimtarët dhe kërkoi që profeti Alma ta bindte me një shenjë të ekzistencës e fuqisë së Perëndisë. Përgjigjja e Almës është po aq domethënëse sot, sa ç’ishte atëherë: ‘Ti ke pasur mjaft shenja; a mos do të tundosh Perëndinë? A do të thuash: Më trego një shenjë, kur ke dëshminë e të gjithë këtyre vëllezërve të tu dhe gjithashtu të gjithë profetëve të shenjtë? Shkrimet e Shenjta i ke para teje, po, dhe të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem.Alma 30:44.

Përfundimisht Korihorit iu dha një shenjë. Ai u bë memec. ‘Dhe Korihori zgjati dorën e tij dhe shkroi, duke thënë: … E di se asgjë përveç fuqisë së Perëndisë nuk mund ta sillte këtë mbi mua; po, dhe unë e dija gjithmonë se kishte një Perëndi.’Alma 30:52.

Vëllezër dhe motra, ju mund ta dini tashmë, thellë në zemrën tuaj, se Perëndia jeton. Ju mund të mos dini akoma gjithçka rreth Tij dhe të mos i kuptoni të gjitha rrugët e Tij, por drita e besimit është brenda jush, në pritje që të zgjohet e të rritet nga Shpirti i Perëndisë dhe Drita e Krishtit, me të cilën keni lindur” (“Në Kërkim të Njohjes së Perëndisë, Atit Tonë Qiellor, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 31–32).