Biblioteka
Mësimi 103: Alma 52–55


Mësimi 103

Alma 52–55

Hyrje

Në këtë pikë të luftës me lamanitët, nefitët kishin humbur shumë qytete për shkak të grindjes mes tyre. Moroni, Teankumi dhe Lehi pushtuan qytetin e Mulekut dhe mundën njërën prej ushtrive më të mëdha të lamanitëve. Moroni nuk e pranoi kërkesën e Amoronit, udhëheqësit lamanit, për të shkëmbyer të burgosurit dhe vuri në zbatim një plan për lirimin e të burgosurve nefitë pa gjakderdhje. Moroni qëndroi i palëkundur dhe nuk bëri kompromis me ligësinë e Amoronit dhe të pasuesve të tij.

Shënim: Ky mësim përqendrohet te ndodhitë në jetën e Moronit, Teankumit dhe Lehit. Në mësimin e ardhshëm, studentët do të mësojnë më shumë për 2.000 luftëtarët e rinj të Helamanit, të përmendur tek Alma 53:16–23.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 52–53

Moroni, Teankumi dhe Lehi punojnë së bashku për të mundur lamanitët

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruani thënien në vijim në tabelë:

“Rinia sot po rritet në territor armik” (Presidenti Bojd Paker).

Në fillim të orës mësimore, ftojeni një student ta lexojë këtë thënie. Më pas pyetni:

  • Kush është armiku? (Satani.)

  • Çfarë faktesh të ndikimit të Satanit shihni në botën përreth jush? (Studentët mund të përmendin gjuhën dhe veshjen e papërshtatshme, sjelljen e pandershme dhe të pamoralshme dhe tundimet shpesh të ngritura lart nga media dhe teknologjia.)

Nxitini studentët të marrin parasysh mënyra se si mund t’i krahasojnë sfidat që hasin, me ndodhitë dhe situatat që përshkruhen tek Alma 52–55. Më pas lexoni vazhdimin e thënies së Presidentit Paker:

“Rinia sot po rritet në territor armik me një standard në rënie të moralitetit. Por si shërbëtor i Zotit, unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur dhe të ruajtur nga sulmet e kundërshtarit nëse ju do t’u vini veshin nxitjeve që vijnë nga Fryma e Shenjtë” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 18).

Nxitini studentët të kërkojnë drejtimin e Frymës së Shenjtë që të mund t’i bëjnë ballë të ligës.

Kujtojini studentët se, ndërkohë që Moroni po shtypte rebelimin e njerëzve të mbretit, lamanitët shtinë në dorë shumë qytete të fortifikuara nefite (shih Almën 51:26). Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 52:14, duke kërkuar përshkrimin e Mormonit për situatën e nefitëve në këtë kohë. Pastaj kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 53:9. Kërkojini klasës të përcaktojë arsyen përse qenë të rrezikshme rrethanat e nefitëve.

  • Cilat janë disa mënyra se si njerëzit e vënë veten në rrethana që janë shpirtërisht të rrezikshme?

Shkruajeni referencën vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë: Alma 52:5–10, 16–19. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin dhe radhën e ngjarjeve në këto vargje, kërkojuni dy studentëve të lexojnë me zë të lartë përmbledhjet e kapitujve për Almën 52 dhe 53. Më pas ftojini studentët t’i studiojnë vargjet që keni shkruar në tabelë, duke kërkuar parime që mund t’i ndihmojnë ta shmangin ose t’i bëjnë ballë së ligës. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje? (Mes parimeve të tjera, studentët mund të përcaktojnë të vërtetën në vijim: Nëse u shmangemi fortesave të kundërshtarit, ne jemi më shumë në gjendje ta shmangim dhe t’i bëjmë ballë tundimit.)

Ftojini studentët të reflektojnë mbi vende fizike, mjedise shoqërore ose situata, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë (të tillë si interneti), që ata mendojnë se mund t’i çojnë në rrethana të rrezikshme në jetën e tyre.

Shpjegoni se Mormoni përshkroi qëndrimin e Teankumit kundër lamanitëve, duke përdorur fjalë të tilla si mbrohej, fortifikonte, siguronte, dërrmonte dhe forconte. Kërkojuni studentëve të përsiaten mbi atë se çfarë mund të duhet të “dërrm[ohet]” ose dëbohet nga vetë jeta e tyre për t’i ndihmuar ata të jenë më të sigurt shpirtërisht.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 52:19. Pyetni klasën:

  • Çfarë bënë udhëheqësit nefitë përpara se të shkonin në luftë? (Ata mbajtën një këshill lufte.)

  • Në ç’mënyra mund të jetë i ngjashëm një këshill familjar ose një këshill Kishe me “një këshill lufte”? Si mund të na forcojnë këto këshilla në luftërat tona kundër kundërshtarit?

Përmblidhni Almën 52:20–40 dhe Almën 53 duke shpjeguar se pas këshillit të luftës, kapiten Moroni dhe ushtritë e tij e rimorën qytetin e Mulekut duke i tërhequr lamanitët jashtë fortesave të tyre. Nefitët morën shumë të burgosur lamanitë dhe i dërguan për të punuar për fortifikimin e qytetit Begati. Megjithatë, lamanitët vazhduan të kishin sukses në rajone të tjera për shkak të përçarjes mes nefitëve.

Alma 54–55

Moroni nuk i pranon kushtet e Amoronit për shkëmbimin e robërve dhe përdor një taktikë për t’i çliruar robërit nefitë

Shpjegoni se Alma 54 është një anal i letrave të dërguara midis Amoronit (mbretit lamanit) dhe kapiten Moronit. Përpara kësaj, lamanitët dhe nefitët kishin siguruar shumë robër lufte. Ky kapitull shënon përgjigjen e Moronit ndaj kërkesës së Amoronit që lamanitët dhe nefitët të shkëmbenin robërit.

Shpjegoni se Alma 54:9–12 përmban fjalët e kapiten Moronit drejtuar Amoronit. Ftojeni një student t’i lexojë këto vargje me zë të lartë. Më pas, kërkojini një studenti tjetër të lexojë përgjigjen e Amoronit drejtuar kapiten Moronit tek Alma 54:18–20.

  • Si qenë arsyet e kapiten Moronit për shkëmbimin e robërve, të ndryshme nga ato të Amoronit? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se Moroni ishte i shqetësuar për familjet, ndërsa Amoroni ishte i shqetësuar vetëm për burrat e tij të luftës, sepse ai dëshironte t’i shkatërronte nefitët.)

  • Si i pasqyrojnë deklaratat e Amoronit tek Alma 54:18–20 arsyet e Satanit në luftën e tij kundër nesh?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 55:1–2. Kërkojini klasës të shikojnë për përgjigjen e Moronit ndaj kërkesave të Amoronit.

  • Përse Moroni nuk ishte i gatshëm të bënte atë që thoshte Amoroni? (Ai e dinte se Amoroni po gënjente, dhe nuk donte t’i jepte Amoronit më shumë fuqi sesa kishte tashmë.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Moronit drejtuar Amoronit? (Edhe pse studentët mund të shpallin një numër të vërtetash, sigurohuni që ata e kuptojnë se, kur qëndrojmë të vendosur për atë që është e drejtë, ne mund të parandalojmë ndikimet e liga të marrin fuqi mbi ne.)

Deklaratat në vijim nga Jozef Smithi mund të jenë të dobishme në diskutimin tuaj mbi këto vargje:

“Satani nuk mund të na joshë me anë të ndjelljeve të tij, veç nëse ne në zemrën tonë miratojmë dhe jepemi” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 224).

“Djalli nuk ka fuqi mbi ne, vetëm kur ne e lejojmë atë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 224).

Shkruajeni referencën vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë: Alma 55:15–24, 28–31.

Shpjegoni se tek Alma 55 ne mësojmë se kapiten Moroni i liroi robërit nefitë në qytetin e Gidit përmes taktikës (një metodë e përdorur në luftë për të mashtruar ose gënjyer armikun). Tek Alma 55:3–14, ne mësojmë se Moroni qe në gjendje të përdorte një ushtar nefit të quajtur Lamani, që t’i bënte të deheshin ushtarët lamanitë që ruanin robërit nefitë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje vargjet që shkruat në tabelë, duke kërkuar se çfarë bëri kapiten Moroni pasi kishte rrethuar lamanitët në qytetin e Gidit. Kujtojini studentët të kërkojnë parime ndërsa studiojnë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni atyre të raportojnë se çfarë kanë zbuluar. Ju gjithashtu mund të pyetni:

  • Çfarë ju mësojnë këto vargje për Moronin?

Shkruani thënien e mëposhtme në tabelë dhe ftojini studentët të plotësojnë vendet bosh:

Ne nuk gëzohemi në … ërkundrazi, ne gëzohemi në …

  • Si mund ta zbatojmë shembullin e Moronit të mosgëzimit në gjakderdhje? Për shembull, si mund ta zbatojmë shembullin e Moronit në gjërat që lexojmë dhe shikojmë apo lojërat që luajmë?

Ftojini studentët të mendojnë për pyetjen vijuese:

  • Çfarë mendoni se dëshiroi Mormoni që ju të mësonit në mësimin e sotëm, që do t’ju ndihmojë të jeni besnikë ndërsa luftoni kundër kundërshtarit?

Merrni parasysh që t’ju jepni studentëve kohë për të shkruar në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për t’i bërë ballë futjes në territorin e Satanit dhe për të qëndruar të palëkundur ndaj sulmeve të tij.

Mbylleni mësimin duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar në klasë sot.