Biblioteka
Mësimi 111: Helamani 10


Mësimi 111

Helamani 10

Hyrje

Procesi për të provuar se kush e vrau kryegjykatësin, përfundoi kur zbulesa e Nefit lidhur me vrasësin u vërtetua. Pasi i shpëtoi dënimit nga akuzat e rreme që i kishin drejtuar, Nefi u nis të shkonte në shtëpi. Ai po mendohej për atë që Zoti i kishte shfaqur, duke ndier shkurajim për shkak të ligësisë së popullit. Në këtë çast rikujtimi e trishtimi ai dëgjoi zërin e Zotit. Zoti e bekoi me fuqinë vulosëse dhe e urdhëroi që të vazhdonte t’i predikonte popullit pendimin. Nefi menjëherë iu bind urdhrit të Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 10:1–11

Nefi merr fuqinë vulosëse

Kujtojuni studentëve zbulesën e Nefit mbi vrasjen e kryegjykatësit, që shënohet te Helamani 8–9. Ftojini studentët ta përfytyrojnë veten në vendin e Nefit, kur sapo bëri të ditur se kush e kishte vrarë kryegjykatësin.

  • Si do të ndiheshit? Çfarë do prisnit lidhur me reagimin e të tjerëve?

  • Çfarë do të donit t’u thonit njerëzve?

  • Si do të ndiheshit nëse njerëzit do t’ju shpërfillnin e t’ju linin vetëm?

Shpjegoni se, pasi u gjet i pafajshëm për vrasjen e kryegjykatësit, Nefi u nis të kthehej në shtëpi. Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 10:1–3 dhe kërkojini klasës të gjejë se çfarë bëri Nefi ndërsa shkonte në shtëpi. Mund të jetë mirë t’u këshilloni studentëve ta nënvizojnë togfjalëshin duke medituar kudo ku gjendet në këto vargje.

  • Pse ishte Nefi “shumë i mërzitur”?

  • Çfarë ndodhi ndërsa Nefi po mendohej? (I erdhi zëri i Zotit.) Cila është lidhja ndërmjet përsiatjes dhe marrjes së zbulesës?

Teksa studentët përgjigjen, ndihmojini të përcaktojnë këtë parim: Përsiatja e gjërave të Zotit na përgatit për të marrë zbulesë. Mund të jetë mirë ta shkruani këtë parim në tabelë.

Kërkojuni studentëve nëse mundet të mendojnë për rrëfime nga shkrimet e shenjta ose historia e Kishës, kur njerëzit morën zbulesë si rrjedhojë e përsiatjes së gjërave të Zotit. (Shembujt mund të përfshijnë Nefin, bir i Lehit, i cili mori një vegim pasi dëshiroi të shikonte gjërat që pa ati i tij dhe ishte “duke menduar në zemrën [e tij]” (shih 1 Nefi 10:17; 11:1); Jozef Smithi, Vegimi Parë i të cilit erdhi pasi “[mendoi] … herë pas here” në lidhje me Jakobin [Bibël] 1:5 (shih Joseph Smith – Historia 1:11–17); dhe Jozef F. Smithi, i cili mori vegimin për shëlbimin e të vdekurve pasi u mendua dhe u rimendua mbi fjalët e Zotit (shih DeB 138:1–6, 11).)

  • Kur ju ka ndihmuar përsiatja të merrni zbulesë vetjake? (Mund të jetë mirë të përmendni se marrja e zbulesës vetjake, zakonisht, nuk është aq mahnitëse sa disa prej shembujve në shkrimet të shenjta. Përvojat me zbulesën zakonisht janë çaste të një ndriçimi të papritur, si ato kur befas ne kuptojmë diçka për të cilën kemi pasur vështirësi më parë.)

  • Cilat janë disa kohë ose situata kur përsiatja e gjërave të Zotit do të ishte veçanërisht me vend? (Shembuj të kohëve të tilla përfshijnë gjatë dhe pas mbjedhjes së sakramentit, para dhe pas lutjeve e studimit në mënyrë vetjake të shkrimit të shenjtë, pasi shikohet ose dëgjohet konferenca e përgjithshme, teksa agjërohet, ndërsa shërbehet në tempull dhe ndërsa nderojmë Shabatin e Zotit.)

Nxitini studentët të rezervojnë kohë për t’u menduar rregullisht. Këshillojini që t’i shënojnë përshtypjet që marrin kur mendohen.

Për t’i përgatitur studentët të vazhdojnë me studimin e përvojës së Nefit, ftojini të përfytyrojnë sikur fqinjët e tyre do të largoheshin për njëfarë kohe dhe kërkojnë dikë që t’u ruante shtëpinë dhe pronat.

  • Ç’lloj personi mendoni se do të donin fqinjët tuaj që t’u ruante shtëpinë?

  • Si mund t’ua tregonit ju fqinjëve se jeni të përgatitur t’ju mirëbesojnë një përgjegjësi të tillë?

Kërkojuni studentëve ta lexojnë në heshtje Helamanin 10:4–5, duke kërkuar të gjejnë përse Zoti i mirëbesoi Nefit bekime dhe përgjegjësi të mëdha. (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se togfjalëshi pa u lodhur do të thotë të veprosh me zell.) Ftojini studentët të raportojnë çfarë kanë gjetur.

  • Si tregon shërbimi i palodhur se Zoti mund të na mirëbesojë bekime dhe përgjegjësi?

  • Në ç’mënyrë ndjekja e shembullit të Nefit për të mos pasur frikë nga njerëzit, mund të na ndihmojë të përgatitemi për përgjegjësi në mbretërinë e Zotit?

  • Çfarë do të thotë për ju shprehja “ti … nuk ke kërkuar të shpëtosh jetën tënde”?

Shkruani në tabelë sa vijon: Zoti na mirëbeson bekime dhe përgjegjësi atëherë kur ne . … Pyetini studentët se si do ta përfundonin këtë thënie, nisur nga ato që kanë mësuar për Nefin te Helamani 10:4–5. Një mënyrë se si studentët mund ta plotësonin thënien, është si vijon: Zoti na mirëbeson bekime dhe përgjegjësi atëherë kur ne e vëmë vullnetin e Tij para vullnetit tonë. Mund të jetë mirë t’i këshilloni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë te librat e tyre të shkrimeve të shenjta ose në fletore apo në ditarët e studimit të shkrimit të shenjtë.

Ftojini studentët të mendohen për pyetjet që vijojnë, dhe të shkruajnë përgjigjet për njërën prej tyre:

  • Çfarë keni bërë në jetën tuaj kohët e fundit për t’i treguar Zotit se vullneti i Tij është më i rëndësishëm sesa i juaji?

  • Në cilën sferë të jetës suaj mund ta kërkonit më mirë vullnetin e Zotit?

Dëshmoni për gatishmërinë e Zotit për të na mirëbesuar bekime gjithnjë e më të mëdha, kur përpiqemi për vullnetin e tij dhe zbatojmë urdhërimet e Tij.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 10:5–7, duke kërkuar të gjejnë bekimet dhe përgjegjësitë që Zoti i dha Nefit. Ndërsa studentët po lexojnë, shkruani në tabelë sa vijon:

Vargu 5

Vargu 6

Vargu 7

Ftojini disa studentë t’i shkruajnë në tabelë, pranë numrit të vargut përkatës, bekimet që Zoti i ofroi Nefit.

Theksoni se një nga bekimet që Zoti i dha Nefit, ishte fuqia vulosëse. Pastaj shkruani në tabelë të vërtetën që vijon: Fuqia vulosëse lidh dhe zgjidh në tokë dhe në qiell. Mund të jetë mirë t’u këshilloni studentëve ta shkruajnë këtë të vërtetë në librat e tyre të shkrimeve të shenjta, pranë vargut Helamani 10:7.

Pyetini studentët nëse dinë për të tjerë përveç Nefit të cilëve u qe dhënë fuqia vulosëse. Pasi studentët të përgjigjen, mund t’i ftonit të përqasin vargun Helamani 10:7 me këto shkrime të shenjta: 1 Mbretërit 17:1 (Elija); Mateu 16:15–19 (Pjetri); Doktrina e Besëlidhje 132:46 (Jozef Smithi).

Shpjegoni se çelësat e po kësaj fuqie mbahen sot nga Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ashtu si Nefi, Presidentët e Kishës kanë shërbyer pa u lodhur dhe kanë treguar se Zoti mund t’u besojë atyre bekime dhe përgjegjësi të mëdha. Më së shumti, ne e përmendim fuqinë vulosëse në lidhje me vulosjen e familjeve nëpërmjet ordinancave të tempullit.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë fuqinë vulosëse, ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Tempujt, ordinancat, besëlidhjet, indaumentet dhe vulosjet u rivendosën, saktësisht siç u profetizua. Ordinancat e tempullit sigurojnë pajtim me Zotin dhe i vulosin familjet së bashku përgjithmonë. Bindja ndaj besëlidhjeve të shenjta të bëra në tempuj, na cilëson të përshtatshëm për jetë të përjetshme – dhurata më e madhe e Perëndisë për njeriun” (“Përgatituni për Bekimet e Tempullit”, Liahona, tetor 2010, f. 42).

  • Në cilat mënyra ju ka bekuar dija se familjet mund të bashkohen përjetësisht?

  • Si mund të përpiqeni për bekimet e fuqisë vulosëse në të ardhmen? (Përgjigjet mund të përfshijnë që studentët mund të përgatiten për martesën në tempull dhe që ata mund të bëjnë punën e tempullit dhe të historisë familjare, që do t’i lejojë të vulosen me paraardhësit e tyre të vdekur.)

Shprehni ndjenjat tuaja për bekimet e fuqisë vulosëse dhe rëndësinë e marrjes së ordinancave vulosëse në tempull.

Helamani 10:12–19

Nefi i bindet urdhrit të Zotit për t’i predikuar popullit pendim

Pyetini studentët nëse e kanë vonuar ndonjëherë kryerjen e diçkaje që u është kërkuar ta bëjnë. (Shembujt mund të përfshijnë shtyrjen e plotësimit të një pune në shtëpi ose të një detyre në shkollë apo në punë.)

  • Çfarë mesazhi u japim të tjerëve kur e vonojmë kryerjen e asaj që ata na kërkojnë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 10:11–12. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejë se si reagoi Nefi kur Zoti e urdhëroi t’i predikonte popullit pendim.

  • Çfarë i tregojmë Zotit kur reagojmë me të shpejtë ndaj këshillës dhe urdhërimit të Tij?

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 10:13–14. Pastaj kërkojini një studenti tjetër ta lexojë me zë Helamanin 10:15–17.

  • Çfarë na mëson shembulli i Nefit në këto vargje?

  • Si e ndihmoi Zoti Nefin?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se, për shkak të besnikërisë së Nefit, Zoti e mbrojti dhe e bekoi me fuqi të madhe. Nefi qe i vendosur ta kryente misionin që Zoti i kishte dhënë.

  • Si mund ta tregoni vendosmërinë tuaj për t’i shërbyer Zotit?

Nxitini studentët të përpiqen për mënyra se si ta vënë vullnetin e Zotit para vullnetit të tyre dhe të binden me të shpejtë. Dëshmoni për bekimet që vijnë kur i bindemi Zotit.

Përsëritja për Zotërimin e Shkrimit të Shenjtë

Kohëzgjatja e këtij mësimi mund t’i lejojë kohë veprimtarisë së mëposhtme të përsëritjes për zotërimin e shkrimit të shenjtë.

Caktojini çdo studenti të lexojë në heshtje një nga këto vargje për zotërimin e shkrimit të shenjtë: 1 Nefi 3:7; 2 Nefi 2:27; 2 Nefi 31:19–20; Mosia 2:17. Kërkojuni studentëve ta lexojnë fragmentin që iu caktua, dhe të gjykojnë se si vlen ai për Nefin dhe shërbesën e tij siç përshkruhet te Helamani 10. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të përgjigjen.