Biblioteka
Mësimi 10: 1 Nefi 6 dhe 9


Mësimi 10

1 Nefi 6 dhe 9

Hyrje

Nefi shpalli: “I gjithë qëllimi im është që të mund të bind njerëzit, që të vijnë te Perëndia i Abrahamit, dhe te Perëndia i Isakut, dhe te Perëndia i Jakobit, dhe të shpëtohen” (1 Nefi 6:4). Ai mbajti dy komplete analesh: fletët e vogla të Nefit dhe fletët e mëdha të Nefit. Zoti e urdhëroi atë të bënte një përmbledhje të rrëfimit të Lehit te fletët e vogla (shih 2 Nefi 5:28–31). Më vonë, Mormoni u frymëzua që t’i përfshinte fletët e vogla në përmbledhjen e tij të Librit të Mormonit (shih Fjalët e Mormonit 1:6–7). As Nefi dhe as Mormoni nuk e dinin arsyen, por të dy ndoqën udhëzimin e Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 6

Nefi shkruan për t’i bindur të gjithë që të vijnë te Jezu Krishti

Paraqitni disa libra ose filma të përshtatshëm që janë të njohur për rininë e sotme. Pyetini studentët se cili mendojnë se ishte qëllimi i autorit ose krijuesit për secilin prej librave apo filmave. Mbani lart një kopje të Librit të Mormonit. U thoni studentëve se te 1 Nefi 6, Nefi shpjegoi qëllimin e tij për shkrimin e analit të tij, që përfundimisht u bë pjesë e Librit të Mormonit.

Vërini studentët të lexojnë 1 Nefin 6:3–6 dhe të kërkojnë fjalë dhe fraza që shprehin qëllimin e Nefit për mbajtjen e analit të tij. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fjalë.)

  • Përse është e rëndësishme që Nefi shkroi gjëra “që i pëlqejnë Perëndisë” dhe jo gjëra “që i pëlqejnë botës”?

  • Si do ta shprehnit qëllimin e Nefit me fjalët tuaja? (Mund të jetë ndihmuese të shpjegoni se fraza “te Perëndia i Abrahamit, dhe te Perëndia i Isakut, dhe te Perëndia i Jakobit” i referohet Jezu Krishtit. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët të shkruajnë Jezu Krisht në shkrimet e tyre të shenjta, afër 1 Nefit 6:4. Ju gjithashtu mund të dëshironi të shpjegoni se edhe emri Jehova i referohet Jezu Krishtit. [Shih 1 Nefi 19:10; 2 Nefi 11:4, 6–7; shih gjithashtu Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jezu Krisht”, f. 75.])

Për t’i ndihmuar studentët të vlerësojnë që Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, ftojini t’i kthehen indeksit dhe të shqyrtojnë të gjithë titujt lidhur me Jezu Krishtin. Kërkojuni atyre të dallojnë disa prej mënyrave që Libri i Mormonit jep mësim rreth misionit të Shpëtimtarit.

Ftoni një student të shkruajë në tabelë të vërtetën në vijim: Një qëllim i Librit të Mormonit është t’i bindë të gjithë njerëzit që të vijnë te Jezu Krishti.

  • Si mund të ndikojë të kuptuarit e qëllimit të Nefit kur e shkroi në mënyrën si planifikoni ta studioni Librin e Mormonit këtë vit?

Tregoni se si Libri i Mormonit ju ka ndihmuar t’i afroheni më shumë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit. Ftojini studentët të tregojnë mënyrën se si Libri i Mormonit ka ndikuar në jetën e tyre dhe i ka sjellë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Nxitini të tregojnë ndjenjat e tyre rreth Librit të Mormonit dhe dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin me një mik ose pjesëtar të familjes brenda disa ditëve në vijim.

1 Nefi 9

Nefi mban dy lloje fletësh

Tregojini klasës një libër historie dhe tregoni periudhën e kohës që mbulon libri. Më pas tregojini klasës një histori vetjake, bllok personal ose ditar që mbulon disa prej të njëjtave periudha kohore. (Si të jetë e përshtatshme, lexoni një përvojë shpirtërore nga ditari.)

  • Si dallohen këto dy tekste në qasjen e tyre për shkrimin e historisë?

  • A është njëri tekst më me vlerë se tjetri? Në ç’mënyrë? (Secili është me vlerë për arsye të ndryshme.)

  • Si mund të krahasohen këto dy tekste me Librin e Mormonit?

Shpjegoni se te 1 Nefi 9:1–5, Nefi tregon për përpjekjen e tij për t’i mbajtur analet në dy lloje fletësh.

Në njërin lloj të fletëve, që tashmë njihen si fletët e mëdha të Nefit, ai regjistroi “histori[në] [e] popullit [të tij]” (1 Nefi 9:2). Kjo histori përfshiu “një rrëfim [të] mbretërimit të mbretërve dhe [të] luftërave dhe [të] përpjekjeve të popullit [të tij]” (1 Nefi 9:4). Ishte anali i parë që bëri Nefi, por nuk është përfshirë në atë që tanimë e kemi si Librin e Mormonit.

Në llojin tjetër të fletëve, që tashmë njihen si fletët e vogla të Nefit, ai regjistroi “shërbesë[n] [e] popullit [të tij]” (1 Nefi 9:3). Ju mund të dëshironi të shpjegoni se fjala shërbesë i referohet mësimeve dhe veprimtarive fetare. Anali i Nefit në fletët e vogla tashmë gjendet te librat e 1 Nefit dhe 2 Nefit.

Për t’i ndihmuar studentët të bëjnë dallimin midis fletëve të vogla dhe fletëve të mëdha ndërsa lexojnë 1 Nefin 9, shkruani në tabelë sa vijon: “këto fletë” = fletët e vogla dhe “fletët e tjera” = fletët e mëdha. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shkruajnë këto fjalë në shkrimet e tyre të shenjta, afër vargjeve përkatëse.) Te 1 Nefi 9, fraza “këto fletë” gjithmonë i referohet fletëve të vogla. Fraza “fletët e tjera” i referohet fletëve të mëdha.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 9:3, 5–6.

  • Çfarë arsyesh dha Nefi për përgatitjen e fletëve të vogla, veç fletëve të mëdha? Si e tregojnë këto shpjegime besimin e Nefit në Zot?

Shpjegoni se thuajse 1.000 vjet më vonë, profeti Mormoni bëri një përmbledhje ose variant të shkurtër, të të gjitha analeve që ishin shkruar nga populli i tij. Ai u bë ajo që e njohim sot si Libri i Mormonit. Ndërsa krijoi këtë përmbledhje, ai gjeti fletët e vogla të Nefit dhe i përfshiu në analin e tij.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë Fjalët e Mormonit 1:3–7. Shpjegoni se Mormoni i shkroi këto fjalë pothuajse 385 Ps. K. , në kohën e betejës së fundit midis nefitëve dhe lamanitëve. Ndërsa studentët i lexojnë këto vargje, vërini të kërkojnë arsyet që dha Mormoni për përfshirjen e fletëve të vogla të Nefit në përmbledhjen e tij.

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Marvin J. Ashton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Marvin J. Ashton

“Ndonjëherë kur na kërkohet të jemi të bindur, ne nuk e dimë arsyen, veç faktit që e ka urdhëruar Zoti. … Nefi ndoqi udhëzimet edhe pse nuk e kuptonte plotësisht qëllimin e urtë. Bindja e tij çoi në bekime për njerëzimin kudo nëpër botë” (“Who Will Forfeit the Harvest?” Ensign, nëntor 1978, f. 51).

Vini në dukje se nga shembujt e Nefit dhe Mormonit, ne mësojmë se duhet t’i bindemi urdhërimeve të Perëndisë dhe të ndjekim nxitjet nga Shpirti edhe kur nuk i kuptojmë plotësisht arsyet për to.

  • Përse është e rëndësishme t’u bindemi urdhërimeve të Zotit dhe të ndjekim nxitjet nga Shpirti edhe kur nuk i kuptojmë plotësisht arsyet për to?

  • Kur keni qenë i bindur ndaj Perëndisë ose keni ndjekur një mbresë të veçantë pa i kuptuar plotësisht arsyet?

  • Në ç’mënyrë mund të zhvillojmë mirëbesim dhe kurajë më të madhe për të qenë besnikë ndaj udhëzimit të Perëndisë?

Dëshmoni se ndërsa u bindemi urdhërimeve të Perëndisë dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë, kuptueshmëria jonë për qëllimet pas tyre do të rritet dhe Zoti do të na bekojë për bindjen tonë.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin në vijim. (Ju mund të dëshironi t’i jepni secilit student një kopje të vogël në mënyrë që të mund të ndjekin tek kopja e tyre dhe ta përfshijnë atë në shkrimet e tyre të shenjta për referencë në të ardhmen.)

Të paktën një pjesë e “qëllim[it] të urtë” të Zotit (1 Nefi 9:5; Fjalët e Mormonit 1:7) që e bëri Nefin të mbante dy lloj analesh, u duk qartë kur Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit. Jozefi përktheu në fillim përmbledhjen nga Mormoni të fletëve të mëdha të Nefit. Martin Herris, i cili e kishte ndihmuar Jozefin, dëshironte t’ia tregonte përkthimin bashkëshortes dhe familjes së tij. Me gjysmë zemre, Profeti e lejoi Martinin t’i merrte hua 116 fletët e dorëshkrimit që ishin përfunduar deri në atë kohë. Të 116 fletët iu vodhën Martinit dhe, si pasojë, fletët, Urimi e Thumimi dhe dhurata e përkthimit iu hoqën përkohësisht Jozef Smithit (shih DeB 3:14).

Pasi Jozef Smithi kaloi përmes një periudhe pendimi (shih DeB 3:10), Zoti i tha që të mos e përkthente sërish pjesën e humbur (shih DeB 10:30). Përkundrazi, Ai e urdhëroi të përkthente fletët e vogla të Nefit (shih DeB 10:41), që mbulonin të njëjtën periudhë kohore. Ai e informoi Jozefin se ata të cilët i kishin marrë 116 fletët i kishin ndryshuar dhe planifikonin t’i përdornin ato për të diskredituar punën (shih DeB 10:10–19). Zoti i kishte parashikuar këto ngjarje mjaft qindra vite më parë dhe kishte siguruar analin e dytë për të penguar planin e Satanit. (Shih History of the Church, 1:20–23; DeB 10:38–46.)

Ftojini studentët të lexojnë veçan 1 Nefin 9:6. Kërkojuni të përcaktojnë doktrinën që Nefi jep mësim në këtë varg. Vëreni një student të shkruajë në tabelë parimin vijues: Perëndia i di të gjitha gjërat dhe përgatit një rrugë për plotësimin e të gjithë punës së Tij.

  • Përse është e dobishme të dini se “Zoti i di të gjitha gjërat që nga fillimi”? (1 Nefi 9:6; shih edhe 2 Nefin 9:20; Fjalët e Mormonit 1:7.)

  • Si mund të ndikojë kjo doktrinë në mënyrën se si jetoni? (Ndërkohë që studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi të tregoni mendimet tuaja rreth mënyrës se si kjo doktrinë ka rritur besimin, shpresën dhe mirëbesimin tuaj te Perëndia.)

  • Si mund t’ju ndihmojë kjo doktrinë kur hasni sprova? (Një përgjigje e mundshme mund të jetë se ne mund të gjejmë ngushëllim në sigurinë se Perëndia mund të shohë rezultatin e sprovave dhe sfidave tona, edhe nëse ne nuk mundemi. Dhe përmes Frymës së Shenjtë, Ai mund të na japë forcë, ngushëllim dhe udhëzim për të mposhtur ose duruar vështirësitë e jetës.)

Shprehni bindjen tuaj se Perëndia i di të gjitha gjërat, përfshirë atë që është më e mira për secilin prej fëmijëve të Tij. Ndihmojini studentët të kuptojnë se gjatë gjithë jetës së tyre, ata do të ndeshin urdhërime dhe do të marrin frymëzim nga Perëndia që mund të mos e kuptojnë plotësisht në fillim. Bindja e tyre ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë do të bekojë jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 6:4. “Te Perëndia i Abrahamit, dhe te Perëndia i Isakut, dhe te Perëndia i Jakobit”

Presidenti Ezra Taft Benson shpjegoi se kur shkrimet e shenjta i referohen Perëndisë së Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ato i referohen Jezu Krishtit: “Ne duhet të mbajmë në mendje se kush ishte Jezusi përpara se të lindte. Ai ishte Krijuesi i të gjitha gjërave, Jehova i madh, Qengji i bërë fli përpara krijimit të botës, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit. Ai ishte dhe është i Shenjti i Izraelit” (“Five Marks of the Divinity of Jesus Christ”, Ensign, dhjetor 2001, f. 10).

1 Nefi 9:6. Perëndia i di të gjitha gjërat që nga fillimi

Ne mund të kemi mirëbesim se Perëndia i di të gjitha gjërat. “Pa njohurinë e të gjitha gjërave, Perëndia nuk do të ishte në gjendje të shpëtonte asnjë pjesë të krijesave të tij; pasi është për shkak të njohurisë që ka për të gjitha gjërat, që nga fillimi deri në fund, që e aftësojnë t’ia japë atë kuptueshmëri krijesave të tij, përmes së cilës ata janë bërë marrës të jetës së përjetshme; dhe nëse nuk do të ishte për idenë që ekziston në mendjet e njerëzve se Perëndia ka të gjithë njohurinë, do të ishte e pamundur për ta të ushtronin besim në të” (Lectures on Faith [1985], f. 51–52).