Biblioteka
Mësimi 126: 3 Nefi 17


Mësimi 126

3 Nefi 17

Hyrje

Ndërsa dita e parë e Shpëtimtarit me nefitët po i afrohej mbarimit, Ai e kuptoi se shumë vetë nuk i kuptuan plotësisht fjalët e Tij. Ai i mësoi se si të merrnin më shumë të kuptuar dhe theksoi rëndësinë e lutjes dhe të përsiatjes. Njerëzit vajtuan kur Ai shpalli se po largohej. I mbushur me dhembshuri, Shpëtimtari qëndroi pak më gjatë për t’i shëruar të sëmurët, për t’u lutur për njerëzit dhe për t’i bekuar fëmijët e tyre. Nefitët u tronditën nga gëzimi.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 17:1–3

Jezusi i udhëzon nefitët t’i përsiatin fjalët e Tij dhe të luten për kuptim

I ftoni studentët ta përfytyrojnë vetveten në situatën që vijon: Ju dhe një shok jeni ulur në radhët e para në konferencën e përgjithshme ose në një konferencë krahinore ku po flet profeti. Teksa jeni atje, ju që të dy arrini ta takoni atë. Kur mbaron konferenca, ju dhe shoku juaj shkoni në shtëpi.

  • Si mendoni ju, për çfarë do të flisnit ju dhe shoku juaj pas mbledhjes?

I kujtoni studentët se Jezu Krishti i kishte mësuar nefitët për aq kohë sa kishte qenë pothuajse një ditë e tërë. Teksa përgatitej të largohej, Ai e kuptoi se njerëzit nuk i kuptuan tërësisht ato që Ai iu kishte mësuar. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 17:1–3, duke kërkuar atë që u tha Shpëtimtari nefitëve se duhej të bënin me qëllim që të fitonin më shumë kuptueshmëri. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.) Pasi studentët të kenë raportuar për atë që kanë gjetur, i pyetni:

  • Çfarë do të thotë të përsiatin?

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. I kërkoni klasës të dëgjojë për atë që ai u mësoi se çfarë do të thotë të përsiatësh.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele ose lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatemi, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (“Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60).

  • Si mendoni ju, në çfarë mënyre përsiatja dhe lutja mund të punojnë së bashku për të na ndihmuar të kuptojmë atë që mësojmë në kishë ose në seminar?

Vini në dukje udhëzimin e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 17:3 se nefitët duhej ta “përgati[snin] mendjen [e tyre] për nesër”, kur Ai do të kthehej për t’i mësuar përsëri.

  • Çfarë mund të bëjë një njeri për ta përgatitur mendjen e tij ose të saj përpara se të shkojë në kishë ose në seminar?

  • Çfarë ndryshimi bëhet kur ne e përgatitim mendjen tonë për mundësi të tilla mësimi?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një parim të mësuar tek 3 Nefi 17:1–3, shkruajeni thënien e mëposhtme të paplotë në tabelë dhe u kërkoni studentëve ta plotësojnë duke u bazuar në atë që kanë mësuar.

Me anë të përsiatjes dhe lutjes drejtuar Atit, ne mund …

Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Me anë të përsiatjes dhe lutjes drejtuar Atit, ne mund të marrim kuptueshmëri më të madhe.

Shkruani në tabelë sa vijon:

Përgatit mendjen time përpara se të shkoj në kishë ose seminar

Përsiat për atë që dëgjoj në kishë ose në seminar

Lutem rreth asaj që dëgjoj në kishë ose në seminar

I ftoni studentët të zgjedhin një nga veprimet e shkruara në tabelë. U jepni kohë të mendojnë rreth 1) mënyrës se si e kanë bërë atë dhe 2) mënyrës se si i ka ndihmuar të mësojnë më shumë nga përvoja e tyre në kishë ose në seminar. Ftoni dy ose tre studentë që t’i ndajnë mendimet e tyre me klasën. I nxitni studentët të marrin parasysh mënyrën se si ata mund të përmirësohen në një nga të tri fushat dhe të bëjnë plane për mënyrën se si do ta bëjnë këtë. Ju mund t’u sugjeroni që t’i shkruajnë planet e tyre në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. U thoni studentëve se pjesa tjetër e mësimit do të sigurojë një mundësi për ta për të praktikuar përsiatjen.

3 Nefi 17:4–25

Shpëtimtari shëron të sëmurët mes nefitëve, i lutet Atit për njerëzit dhe bekon fëmijët e tyre

Pamja
Jezusi Jep Mësim në Hemisferën Perëndimore

Paraqitni figurën Jezusi Jep Mësim në Hemisferën Perëndimore (62380; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 82). Ftojeni një student të lexojë 3 Nefin 17:4. Vini në dukje frazën “tani po shkoj tek Ati”. U kërkoni studentëve të përfytyrojnë se sapo kanë kaluar një ditë me Shpëtimtarin dhe Ai ka shpallur se është koha për Të për t’u larguar. Ftojini dy ose tre studentë të tregojnë se si mund të ndiheshin në këtë situatë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 17:5 dhe i kërkoni klasës të përcaktojë mënyrën se si u përgjigjën nefitët kur Shpëtimtari shprehu qëllimin e Tij për t’u larguar.

Shpjegoni se, po të mos ishte për dëshirat e drejta të nefitëve, ngjarjet e shënuara tek 3 Nefi 17 dhe 18 mund të mos kishin ndodhur kurrë. Aktiviteti vijues krijohet për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë në mënyrë më të plotë dashurinë që Jezu Krishti ka për njerëzit e Tij dhe për t’i ndihmuar që të gjejnë në mënyrë të pavarur të vërteta në shkrimet e shenjta rreth karakterit të Jezu Krishtit. Shkruajini referencat që vijojnë të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe u kërkoni studentëve t’i kopjojnë ato në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta:

3 Nefi 17:6–10

3 Nefi 17:11–18

3 Nefi 17:19–25

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Ai njeri është më i madhërishmi dhe më i bekuari e plot gëzim, jeta e të cilit i afrohet më afër se gjithçka modelit të Krishtit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me pasurinë, fuqinë apo prestigjin tokësor. E vetmja provë e vërtetë e madhështisë, bekueshmërisë, gëzueshmërisë është se sa pranë mund të vijë një jetë me të qenit si Mësuesi, Jezu Krishti. Ai është udha e drejtë, e vërteta e plotë dhe jeta e begatshme” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 2).

U jepni studentëve 5 deri në 10 minuta për ta studiuar në heshtje secilin fragmet të shkrimeve të shenjta që keni shkruar në tabelë. I ftoni të përcaktojnë të vërteta rreth karakterit të Shpëtimtarit. Ndërsa studiojnë, ata duhet të gjejnë të paktën një të vërtetë për secilin fragment të shkrimeve të shenjta. U kërkoni atyre t’i shkruajnë të vërtetat që gjejnë.

Kur studentët ta kenë mbaruar studimin, ftojini disa prej tyre të shkruajnë në tabelë, nën referencën përkatëse të shkrimeve të shenjta, një të vërtetë që kanë mësuar rreth Shpëtimtarit. Kur studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Përse është e rëndësishme për ne që t’i dimë këto të vërteta rreth Shpëtimtarit?

  • Çfarë prove gjetët që Shpëtimtari është i ndjeshëm ndaj nevojave dhe dëshirave tona?

  • Cilat pjesë të këtij tregimi ju lanë mbresën më të madhe? Përse?

  • Si mendoni ju, përse njerëzit u tronditën nga gëzimi? (Shih 3 Nefin 17:18.)

  • Si mendoni ju, përse gëzimi i Shpëtimtarit ishte i plotë atë ditë? (Shih 3 Nefi 17:20.)

U kërkoni studentëve të përmbledhin atë që kanë mësuar nga 3 Nefi 17:6–25. Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh. Një e vërtetë që ata mund të përcaktojnë, është që Shpëtimtari ndien dhembshuri të madhe për ne. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë, ose ndonjë të vërtetë tjetër që kanë përcaktuar, në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë 3 Nefit 17:6.

Për t’i ndihmuar studentët të vlerësojnë se si kuptueshmëria e karakterit të Jezu Krishtit na ndihmon ta shtojmë besimin tonë, lexoni thënien që vijon:

“Mund të ushtroni besim tek Krishti atëherë kur keni sigurinë që Ai jeton, ide të saktë për karakterin e Tij dhe dijeninë që po mundoheni të jetoni sipas vullnetit të Tij” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 20).

  • Si ju ndihmon të kuptuarit e natyrës plot dhembshuri të Shpëtimtarit për të ushtruar besim tek Ai?

Vini në dukje frazën “të prekur në ndonjë mënyrë” tek 3 Nefi 17:9.

  • Çfarë lloj sëmundjesh mund të përfshihen në vuajtjet e “ndonjë mënyr[e]”? (Të gjitha llojet e sëmundjeve fizike, emocionale, mendore dhe shpirtërore.)

U kërkoni studentëve të përsiaten për mënyra sipas të cilave ata mund të “prek[en]” dhe prej çfarë do t’i kërkonin Shpëtimtarit që t’i shëronte, në qoftë se Ai do t’i bekonte ata personalisht. I kujtoni ata se, edhe pse Shpëtimtari nuk është këtu për të na shërbyer vetë, fuqia e Tij për të bekuar dhe shëruar është në dispozicion nëpërmjet priftërisë.

  • Te cili shkoni për bekime priftërie?

  • Kur ishte hera e fundit që e ndiet ndikimin shërues të Shpëtimtarit në jetën tuaj?

I kujtoni studentët për parimin rreth përsiatjes që e diskutuan në fillimin e orës mësimore. Sugjeroni se një mënyrë se si mund të përsiatin është nëpërmjet përfytyrimit të vetvetes në situatat e përshkruara në tregimet e shkrimeve të shenjta që ata lexojnë. I ftoni studentët ta përfytyrojnë vetveten mes nefitëve në kohën e ngjarjeve të treguara tek 3 Nefi 17. U jepni studentëve kohë për të shkruar në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mund të kishin dëgjuar, parë, ndier dhe mësuar nëse do të kishin qenë mes nefitëve dhe ndërvepruar me Shpëtimtarin në atë rast. Ju mund të sugjeroni që ata të shkruajnë rreth një sëmundjeje që do t’i kishin kërkuar Shpëtimtarit për t’i shëruar. Kur të kenë mbaruar së shkruari, merrni parasysh të ftoni dy ose tre studentë për t’ia lexuar klasës atë që kanë shkruar. Sigurohuni që ata e kuptojnë se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë diçka që është tepër personale apo e brendshme.

Pasi dy ose tre studentë ta kenë ndarë atë që shkruan, ju mund të doni t’i ftoni një ose dy prej tyre për të treguar se si kanë arritur të dinë se Jezu Krishti i do dhe ka dhembshuri për ta. I nxitni studentët të përsiatin për këtë mësim dhe të besojnë te dhembshuria e Shpëtimtarit, ndërkohë që mbështeten tek Ai për ndihmë me dëshirat, dobësitë, dhembjet dhe sprovat e tyre.