Biblioteka
Njësia 17 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Alma 17–24 (Njësia 

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan Almën 17–24 (njësia , nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve.

Dita 1 (Alma 17–18)

Nga shembulli i Amonit dhe vëllezërve të tij duke i mësuar lamanitët, studentët mësuan se, nëpërmjet kërkimit të shkrimeve të shenjta, lutjes dhe agjërimit, ne mund të marrim Frymën e Shenjtë dhe t’i mësojmë të tjerët me fuqi. Shërbimi i Amonit ndaj mbretit Lamoni gjithashtu dha mësim një aspekt të rëndësishëm të shërbimit misionar – që kur ne japim shembuj të mirë, Zoti mund të na bëjë mjete në duart e Tij. Studentët ishin në gjendje të kuptonin se shërbimi i Amonit ndaj Lamonit i përgatiti sundimtarin lamanit dhe të tjerët për ta pranuar ungjillin. Kthimi i mbretit Lamoni në besim na mëson se, kur e kuptojmë nevojën tonë për Shpëtimtarin, ne vërtet do të dëshirojmë të pendohemi.

Dita 2 (Alma 19–20)

Studentët mësuan se dëshmia dhe shembulli i drejtë i Amonit ndihmuan në kthimin e atit të Lamonit te Zoti. Ata gjithashtu mësuan se veprimet tona të dashura mund t’i drejtojnë të tjerët për t’i zbutur zemrat e tyre dhe për të kërkuar të njohin të vërtetën.

Dita 3 (Alma 21–22)

Rrëfimi i punëve misionare të Aaronit i ndihmoi studentët të kuptojnë se, në qoftë se këmbëngulim me besnikëri gjatë sprovave, Zoti do të na ndihmojë ta bëjmë punën e Tij. Aaroni e ndihmoi atin e mbretit Lamoni të kuptonte se ai mund të merrte shpëtim vetëm nëpërmjet meritave të Jezu Krishtit. Si mbreti, ne duhet të jemi të gatshëm t’i braktisim gjithë mëkatet tona me qëllim që të ndryshohemi shpirtërisht dhe të lindemi nga Perëndia.

Dita 4 (Alma 23–24)

Mijëra lamanitë që e pranuan ungjillin, treguan se kthimi në besim është një ndryshim shpirtëror – bërja një njeri i ri nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Nëpërmjet shembullit të lamanitëve që u bënë anti-nefi-lehitë, studentët mësuan se, nëse ne bëjmë gjithçka mundemi për t’u penduar, Perëndia do të na e largojë fajin tonë dhe do të na ndihmojë të mbetemi të pastër. Kthimi në besim i lamanitëve tregon se ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të kthehen në besim kur jemi besnikë.

Hyrje

Katër bijtë e mbretit Mosia zgjodhën të mos i pranonin mundësitë dhe lukset e shtëpisë, me qëllim që të mund të predikonin ungjillin mes lamanitëve. Rrëfimet e këtyre katër misionarëve ilustrojnë se si studentët mund të përgatiten për t’ua mësuar të tjerëve në mënyrë më të efektshme ungjillin e Jezu Krishtit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 17–22

Amoni dhe vëllezërit e tij u japin mësim dy mbretërve lamanitë

Përpara orës së mësimit, shkruani thënien e paplotë që vijon në tabelë ose në një copë letër: “Gjëja e vetme, më e rëndësishme që mund të bëni për t’u përgatitur për një thirrje për të shërbyer [një mision] është të …”

Ftoni dy ose tre studentë të tregojnë se si ishte, kur ata panë një anëtar të familjes ose një mik që u kthye nga shërbimi me besnikëri në një mision kohëplotë. Më pas i pyetni studentët: Si ishte personi i ndryshëm pas misionit të tij ose të saj? Çfarë mendoni se e shkaktoi ndryshimin?

U kërkoni studentëve se si mund ta plotësojnë thënien në tabelë. Pasi studentët përgjigjen, u tregoni atyre se si Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e plotësoi thënien: “Gjëja e vetme, më e rëndësishme që mund të bëni për t’u përgatitur për një thirrje për të shërbyer [në mision] është të bëheni një misionar kohë përpara se ju të shkoni në mision” (“Becoming a Missionary”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, 45).

Pyetni: Në çfarë mënyrash mund ta ndjekin të rinjtë dhe të rejat këshillën e Plakut Bednar dhe të bëhen misionarë përpara se të shërbejnë misione kohëplota?

Ndani thënien e mëposhtme nga Presidenti Tomas Monson:

“Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë. Të rinj, ju këshilloj që të përgatiteni për shërbimin si misionar. Mbajeni veten të pastër, të dëlirë dhe të denjë për të përfaqësuar Zotin. Ruani shëndetin dhe forcën tuaj. Studioni shkrimet e shenjta. Atje ku mundësohen, merrni pjesë në seminar ose institut. Familjarizohuni me manualin misionar Predikoni Ungjillin Tim.

Një fjalë për ju motra të reja: ndonëse ju nuk keni të njëjtën përgjegjësi priftërore siç e kanë të rinjtë për të shërbyer misione kohëplota, ju gjithashtu jepni një kontribut të çmuar si misionare dhe ne e mirëpresim shërbimin tuaj” (“Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, 6).

Shkruani sa vijon në tabelë: Zoti do të na bekojë me Frymën e Shenjtë dhe fuqi për t’ua mësuar fjalën e Tij, kur ne …

Ndajeni klasën në katër grupe. I caktoni secilit grup një nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë: Alma 17:1–4; Alma 17:9–13; Alma 17:19–25; 18:1–9; Alma 17:26–30. (Përshtateni këtë veprimtari nëse keni një klasë të vogël).

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje pjesët e caktuara atyre, duke kërkuar atë që bënë bijtë e Mosias, gjë që i bekoi ata me Shpirtin dhe me fuqi ndërsa u mësonin ungjillin. Shpjegoni se kur studentët të mbarojnë, ju do t’iu kërkoni atyre të tregojnë se çfarë zbuluan dhe se si do ta plotësonin fjalinë në tabelë.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një person nga secili grup për të shpjeguar atë që bënë bijtë e Mosias dhe se si anëtarët e grupit do ta plotësonin parimin në tabelë. Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijon: kërkoni në shkrimet e shenjta, agjëroni dhe lutuni, kini durim, jepni një shembull të mirë, besoni në Zotin, u shërbeni të tjerëve me çiltërsi dhe i doni të tjerët si vëllezërit e motrat tuaja. Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, i renditni ato në tabelë. U kërkoni studentëve të shpjegojnë se si ata mendojnë që çdo veprim apo karakteristikë mund ta ndihmojë një individ për ta ndarë ungjillin në mënyrë më të efektshme.

Nëse ndonjë prej studentëve tuaj u kthye tek ungjilli pasi mori mësimet nga misionarët kohëplotë, ju mund të doni t’iu kërkoni atyre të tregojnë se si u ndien kur po mësonin ungjillin.

I kujtoni studentët se, pasi Amoni i mbrojti grigjat e mbretit, mbreti Lamoni u çudit prej fuqisë së Amonit, si edhe prej bindjes dhe besnikërisë së tij në përmbushjen e urdhrave të mbretit (shih Alma 18:8–10). Lamoni u përgatit ta dëgjonte mesazhin që Amoni kishte ardhur për ta ndarë me të. I ftoni studentët të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 18:24–29. Vëreni klasën të kërkojë se si Amoni shtoi mbi kuptueshmërinë e Lamonit për Perëndinë, me qëllim që ai të mund ta përgatiste Lamonin për të kuptuar doktrinën e vërtetë.

U bëni studentëve pyetjet e mëposhtme:

  • Nëse patët një bisedë rreth Perëndisë me një mik të një besimi tjetër, si mund t’i përdorni bindjet që të dy keni, ashtu siç bëri Amoni? Si mund ta ndihmojë mikun tuaj kjo përpjekje?

  • Për çfarë temash të tjera të ungjillit mund të flisni me miqtë tuaj për të hapur mundësi të ndani me ta ungjillin?

I kujtoni studentët se mbreti Lamoni pranoi të dëgjonte rreth ungjillit të Jezu Krishtit, sikurse bëri edhe ati i tij. I kërkoni një studenti të lexojnë me zë të lartë Almën 18:39–41 – përgjigjja e Lamonit ndaj të mësuarit rreth Jezu Krishtit. I kërkoni një studenti tjetër të lexojë Almën 22:14–18 – përgjigjja e atit të Lamonit. E ftoni klasën të ndjekë në shkrimet e tyre të shenjta dhe të kërkojë për gjëra të ngjashme në përgjigjet e këtyre burrave.

Pyetni: Çfarë donin të bënin të dy burrat kur mësuan rreth Jezu Krishtit?

Shpjegoni se Lamoni dhe ati i tij u prekën nga Shpirti nëpërmjet mësimeve të misionarëve. Si pasojë, ata i dëshiruan bekimet e ungjillit dhe ishin të gatshëm t’i braktisnin mëkatet e tyre dhe të pendoheshin. I kujtoni studentët për të vërtetën që studiuan këtë javë: Ne duhet të jemi të gatshëm t’i braktisim gjithë mëkatet tona me qëllim që të ndryshohemi shpirtërisht dhe të lindemi nga Perëndia.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Dallin Ouks, që gjendet në udhëzuesin e tyre të studimit: “Ungjilli i Jezu Krishtit na sfidon që të ndryshojmë. ‘Pendohuni’ është mesazhi më i shpeshtë [i ungjillit] dhe të pendohemi do të thotë t’i braktisim të gjitha praktikat tona – personale, familjare, etnike dhe kombëtare – që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Qëllimi i ungjillit është t’i shndërrojë krijesat e zakonshme në qytetarë çelestialë dhe ajo kërkon ndryshim” (“Repentance and Change”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, 37).

I ftoni studentët të mendojnë rreth jetës së tyre dhe merrni parasysh nëse ata kanë nevojë të braktisin ndonjë mëkat me qëllim që të ndryshohen shpirtërisht, sikurse u ndryshuan Lamoni dhe ati i tij. Përfundoni duke dhënë inkurajimin dhe dëshminë tuaj se, ndërsa jemi të gatshëm t’i braktisim mëkatet tona, Zoti do të na ndihmojë të ndryshojmë dhe të rritemi.

Njësia Tjetër (Alma 25–32)

U kërkoni studentëve të marrin parasysh këtë pyetje: Çfarë do t’i thoni dikujt që është një anti-Krisht? Në njësinë tjetër, studentët do të mësojnë se si Alma u bëri ballë pyetjeve dhe talljes së Korihorit, i cili ishte një anti-Krisht. Përveç kësaj, ata do të mësojnë më shumë rreth besimit, ndërkohë që lexojnë rreth mënyrës se si Alma dhe të tjerët vepruan për t’i mësuar zoramitët braktisës, të cilët po i shtrembëronin udhët e Zotit.