Biblioteka
2 Nefi


Hyrje në Librin e Dytë të Nefit

Përse të studiohet ky libër?

Libri i 2 Nefit do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë doktrinat bazë të ungjillit, të tilla si Rënia e Adamit dhe Evës, Shlyerja e Jezu Krishtit dhe liria e zgjedhjes. Përveç këtyre, ky libër është i mbushur me profeci nga Nefi, Jakobi dhe Isaia, që ishin dëshmitarë të veçantë të Shpëtimtarit. Ata profetizuan për Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme, shpërndarjen dhe mbledhjen e popullit të besëlidhjes së Perëndisë, Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe Mijëvjeçarin. Libri i 2 Nefit përmban gjithashtu shpjegimin e Nefit mbi doktrinën e Krishtit dhe përfundon me dëshminë e Nefit për Shpëtimtarin.

Kush e shkroi këtë libër?

I biri i Lehit, Nefi, e shkroi këtë libër. Nefi ishte profet dhe udhëheqësi i parë i madh i popullit nefit pas ndarjes së tyre me lamanitët. Shkrimet e tij zbulojnë se ai përjetoi fuqinë shëlbuese të Zotit (shih 2 Nefi 4:15–35; 33:6) dhe donte me gjithë shpirt t’i sillte shpëtim popullit të tij (shih 2 Nefi 33:3–4). Për ta përmbushur këtë qëllim, ai i mësoi popullit të tij të besonte në Jezu Krisht dhe ndërtoi një tempull.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Nefi e shkroi duke pasur në mendje tri grupe njerëzish: pasardhësit e të atit, popullin e besëlidhjes së Zotit në ditët e fundit dhe të gjithë njerëzit në botë (shih 2 Nefi 33:3, 13). Libri i 2 Nefit u shkrua në fletët e vogla të Nefit, që ishin caktuar nga Zoti për të qenë një anal i “shërbes[ës] dhe profeci[së]” së Nefit dhe të pasardhësve të tij (1 Nefi 19:3–5). Në këto fletë, Nefi regjistroi “gjërat e shpirtit [të tij] dhe shumë nga shkrimet e shenjta, që [ishin] të gdhendura mbi fletët prej tunxhi”. Ai shpjegoi se shkroi “për mësimin dhe përfitimin e fëmijëve të [tij]” (2 Nefi 4:15). Ai deklaroi: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26). Ai e mbylli analin e tij duke i ftuar të gjithë njerëzit që t’u “vinin veshin.… fjalëve [të tij] dhe [të] besoni[n] në Krisht” (2 Nefi 33:10).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Nefi e filloi shkrimin e rrëfimit që u quajt 2 Nefi afërsisht në vitin 570 Pr. K, 30 vite pasi ai dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi. Ai e shkroi atë kur ishte në tokën e Nefit (shih 2 Nefi 5:8, 28–34).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Edhe pse Nefi është autori i 2 Nefit, libri është një përmbledhje mësimesh nga burime të ndryshme. Siç tregohet në listën e mëposhtme, shumë kapituj të librit përfshijnë citime nga profetë të tjerë. Ngaqë Lehi, Jakobi dhe Isaia e kishin parë Jezu Krishtin dhe ishin dëshmitarë të Tij, Nefi përfshiu disa nga mësimet e tyre në një përpjekje që të bindë lexuesit të besojnë në Jezu Krisht. Lehi dhe Jakobi gjithashtu cituan profetë të tjerë në predikimet e tyre.

Libri i 2 Nefit gjithashtu përmend vdekjen e Lehit (shih 2 Nefi 4:12) dhe ndarjen e pasardhësve të Lehit në dy popuj – lamanitë dhe nefitë (shih 2 Nefi 5).

Përmbledhje

2 Nefi 1–4 Pak përpara se të vdiste, Lehi këshillon dhe bekon pasardhësit e tij.

2 Nefi 4–8 Nefi lavdërohet në Zot. Ai udhëheq pasuesit e tij në një vend që ata e quajnë Nefi. Ai regjistron mësimet e Jakobit mbi shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit.

2 Nefi 9–10 Jakobi jep mësim rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai gjithashtu profetizon për mospranimin e Jezu Krishtit nga judenjtë dhe grumbullimin e ardhshëm të judenjve dhe të johebrenjve në tokën e premtuar.

2 Nefi 11–24 Nefi shpreh kënaqësinë që dëshmon për Jezu Krishtin. Ai citon profecitë e Isaias lidhur me shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit, përuljen e krenarëve dhe të ligjve përpara Ardhjes së Dytë dhe lindjen, misionin dhe mbretërimin mijëvjeçar të Mesias.

2 Nefi 25–27 Nefi profetizon për Kryqëzimin e Shpëtimtarit, Ringjalljen dhe vizitën te nefitët; shpërndarjen dhe mbledhjen e judenjve; shkatërrimin e nefitëve; Braktisjen, daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe Rivendosjen.

2 Nefi 28–30 Nefi paralajmëron kundër ligësisë në ditët e mëvonshme, shpjegon rolin e ardhshëm të Librit të Mormonit dhe profetizon për mbledhjen e shpirtrave te besëlidhja.

2 Nefi 31–33 Nefi na këshillon të ndjekim Krishtin, të ushqehemi me bollëk me fjalët e Tij dhe të durojmë deri në fund. Ai dëshmon se ka shkruar fjalët e Krishtit.