Biblioteka
Mësimi 140: Mormoni 7:1–8:11


Mësimi 140

Mormoni 7–8:11

Hyrje

Pas betejës përfundimtare mes nefitëve dhe lamanitëve, Mormoni u shkroi pasardhësve të ardhshëm të njerëzve të Librit të Mormonit rreth rëndësisë së njohjes se cilët janë dhe çfarë duhet të bëjnë për t’u shpëtuar. Me dashuri të madhe për pasardhësit e ardhshëm të armiqve të tij, Mormoni dha mësim mbi rëndësinë e ndjekjes së ungjillit të Jezu Krishtit, që të mund të jetë “mirë për [ta në] ditën e gjykimit” (Mormoni 7:10). Pas vdekjes së Mormonit, biri i tij Moroni u la vetëm që të shkruante rreth shkatërrimit të popullit të tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mormoni 7

Në dëshminë e fundit të Mormonit, ai i këshillon pasardhësit e lamanitëve të besojnë në Jezu Krishtin dhe të ndjekin ungjillin e Tij

Shkruani në tabelë numrin 230.000. Pyetini studentët nëse e kujtojnë se si ky numër lidhet me shkatërrimin e nefitëve. (Është numri i ushtarëve nefitë që vdiqën në betejën përfundimtare, e shënuar te Mormoni 6. Ju mund të dëshironi të theksoni se numrat te Mormoni 6:10–15 duket se iu referohen vetëm atyre që luftuan në betejë, jo shumë të tjerëve të cilët u vranë si rezultat i betejës.) I vini studentët që të përfytyrojnë sikur i kanë mbijetuar një beteje të madhe, në të cilën anëtarët e familjes dhe miqtë e tyre janë vrarë dhe kombi i tyre është pushtuar. Jepuni atyre një çast për të menduar rreth asaj që mund të thonë, nëse do t’u shkruanin një mesazh pasardhësve të njerëzve që i vranë njerëzit e tyre të dashur dhe e pushtuan kombin e tyre.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 7:1–4, duke kërkuar disa nga fjalët e fundit të Mormonit drejtuar pasardhësve të lamanitëve.

  • Çfarë donte Mormoni që të dinin pasardhësit e lamanitëve?

  • Çfarë cilësish të Shpëtimtarit shihni te fjalët e Mormonit drejtuar armiqve të tij?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Mormoni u mësoi pasardhësve të lamanitëve atë që duhej të bënin për t’u shpëtuar. Ai kishte dashuri hyjnore për të gjithë njerëzit, edhe për armiqtë e tij.

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mormonin 7:5, 8, 10, duke përcaktuar atë që Mormoni u mësoi lexuesve të tij se duhet të bëjnë. Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që gjejnë dhe renditni përgjigjet e tyre në tabelë. Ju mund të dëshironi të përmendni se mësimet e Mormonit janë të njëjtat parime të ungjillit që mund t’i kishin shpëtuar nefitët nga shkatërrimi (shih Mormonin 3:2).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 7:6–7. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për atë që Zoti u ofron të gjithë atyre që do të besojnë tek Ai dhe do ta pranojnë ungjillin e Tij. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, nxitini ata ta shkruajnë të vërtetën vijuese pranë Mormonit 7:6–7: Zoti u ofron shpëtim të gjithëve dhe Ai do t’i shëlbejë ata që i pranojnë parimet dhe ordinancat e ungjillit të Tij.

Shkruani në tabelë pyetjen e mëposhtme. Ftojini studentët që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjen në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Sipas Mormonit 7:7, cilat janë bekimet për ata që gjenden “të pafajshëm” përpara Perëndisë?

Ftojini disa studentë që të tregojnë atë që shkruajnë.

Mormoni 8:1–11

Pasi Mormoni vdes, biri i tij Moroni mbetet vetëm për të shkruar rreth shkatërrimit të popullit të tij

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata ishin vetëm në një situatë që e sfidoi besimin e tyre – ndoshta një situatë në të cilën ata lehtësisht mund të kishin bërë diçka të gabuar pa u parë nga askush. Ftojini të marrin parasysh nëse vendosmëria e tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për t’i mbajtur urdhërimet e Tij gjatë asaj kohe u rrit, qëndroi e njëjtë apo u zvogëlua.

  • Përse disa njerëz mund të zgjedhin të mos qëndrojnë besnikë, kur janë të vetëm në një situatë që e sfidon besimin e tyre?

  • Përse disa njerëz, në të njëjtën situatë, zgjedhin të qëndrojnë besnikë?

Shpjegoni se Mormoni u vra pas betejës së fundit midis nefitëve e lamanitëve dhe biri i tij Moroni u la vetëm, pa ndonjë anëtar të familjes ose ndonjë nga populli i tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë fjalët e Moronit te Mormoni 8:1–9 dhe kërkojini klasës të shohë përshkrimet e rrethanave të Moronit. U kërkoni atyre të raportojnë atë që gjejnë.

  • Si mendoni se do të mund të ndiheshit nëse do të ishit në rrethanat e Moronit?

Duke përdorur datat në fund të faqeve ose në përmbledhjet e kapitujve, ndihmojini studentët të shohin se kaluan përafërsisht 16 vjet midis fjalëve të fundit të shkruara nga Mormoni dhe kohës kur Moroni filloi të shkruante tek fletët. Më pas ftojini studentët të shohin sërish te Mormoni 8:1–4, për të parë atë që Moroni ishte i vendosur të bënte, edhe pse ai kishte qenë vetëm për kaq kohë. U kërkoni ta raportojnë atë që gjejnë. (Ata duhet të shohin se ai ishte i vendosur t’i bindej të atit dhe të shkruante tek fletët.)

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga bindja e Moronit pavarësisht rrethanave të tij? (Ndërsa studentët japin idetë e tyre, theksoni të vërtetën vijuese: Edhe kur jemi vetëm, ne mund të zgjedhim të qëndrojmë besnikë. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Mormonit 8:1–4.)

Vini në dukje se Moroni kishte një mision të veçantë. Ai “mbet[i] vetëm, që të shkrua[nte] historinë e trishtueshme të shkatërrimit të popullit [të tij]” (Mormoni 8:3). Megjithëse studentët nuk do të përballen me të njëjtat rrethana, ata mund të përballen me situata në të cilat ata janë vetëm dhe kanë nevojë të qëndrojnë besnikë. Ata mund të përballen gjithashtu me situata kur ndihen vetëm, edhe kur janë me njerëz të tjerë – të tilla si rastet kur janë me njerëz që nuk i jetojnë standardet e vendosura nga Zoti dhe profetët e Tij.

  • A njihni dikë që ka qenë besnik edhe kur ka qenë vetëm në rrethana sfiduese?

Kur studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, bëni disa ose të gjitha këto pyetje pasuese:

  • Si veproi ky person në ato rrethana?

  • Si u bekua përfundimisht personi për bërjen e asaj që Perëndia e kishte urdhëruar të bënte?

  • Si ju ndihmojnë këta shembuj?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 8:10–11. Kërkojuni atyre të gjejnë një mënyrë se si Zoti i mbështeti Moronin dhe Mormonin gjatë rrethanave të vështira me të cilat u përballën. (Zoti dërgoi Tre Nefitët për t’i shërbyer Mormonit dhe Moronit; shih edhe 3 Nefin 28:25–26.) Theksoni se, nëse jemi besnikë ndaj Perëndisë në rrethana të vetmuara ose të vështira, Ai do të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë. Përdorni pyetjet vijuese për ta diskutuar këtë të vërtetë:

  • Kur keni qenë të bindur ndaj njërit prej urdhërimeve të Atit Qiellor në një rrethanë veçanërisht të vështirë? Si mendoni se u bekuat për atë që bëtë?

  • Përse mendoni se është e rëndësishme të përgatitemi tani për të qenë besnikë në rrethana të vështira në të ardhmen?

Për t’i nxitur studentët të qëndrojnë besnikë edhe në rrethana kur duhet të qëndrojnë vetëm, ndani thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Ndërsa ne jetojmë ditë pas dite, është pothuajse e pashmangshme që besimi ynë do të vihet në provë. Ndonjëherë, ne mund ta gjejmë veten të rrethuar nga njerëz të tjerë dhe prapë se prapë duke qenë pjesë e pakicës ose duke qëndruar të vetëm lidhur me atë që është e pranueshme dhe atë që nuk është. A e kemi ne guximin moral për të qëndruar të vendosur për ato çka besojmë, megjithëse duke bërë kështu do të na duhet të qëndrojmë të vetëm? … Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë, dhe nëse do të na duhet të qëndrojmë vetëm në këtë proces, e bëfshim këtë me guxim, të forcuar nga njohuria se në të vërtetë ne nuk jemi kurrë vetëm kur ne qëndrojmë për Atin tonë në Qiell” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 60, 67).

Përfundoni duke treguar një përvojë kur Zoti ju bekoi ngaqë ishit besnikë në një rrethanë të vetmuar ose të vështirë.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Shkruani këshilloj në tabelë. Shpjegoni se fjala këshilloj do të thotë t’i nxitësh fort të tjerët për të vepruar në një mënyrë të caktuar. Shpjegoni se fjalët e fundit të Mormonit te Mormoni 7 janë një shembull i mirë i një këshille. Jepuni studentëve fletë letre dhe u thoni se do të shkruajnë një këshillë bazuar në një prej fragmenteve të tyre të preferuara për zotërimin e shkrimit të shenjtë në Librin e Mormonit. Në krye të fletës së letrës, i vini studentët të shkruajnë: “Unë do të doja t’i flisja diçka të rinjve të ditëve të fundit”. Ftojeni çdo student të zgjedhë një fragment të preferuar të zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe pastaj t’u shkruajnë një këshillë të rinjve të ditëve të fundit bazuar në fragmentin që kanë zgjedhur. Këshilla e tyre mund të përfshijë një përmbledhje të të vërtetave kryesore të gjendura në fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë, një shpjegim se përse këto të vërteta janë të rëndësishme për rininë sot dhe një ftesë për të vepruar në përputhje me këto të vërteta. Këshillat mund të përfundojnë me një premtim si ai që gjendet te Mormoni 7:7 ose Mormoni 7:10. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të ndajnë me klasën këshillat e tyre të përfunduara. Ju gjithashtu mund t’i mblidhni këto këshilla për t’i përdorur si të dhëna për veprimtari të ardhshme për zotërimin e shkrimit të shenjtë ose për t’i paraqitur në klasë.

Shënim: Ju mund ta përdorni këtë veprimtari në çfarëdo kohe gjatë mësimit. Për shembull, ju mund ta përdorni atë në fund të mësimit ose mund ta përdorni pas diskutimit të Mormonit 7.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mormoni 7. Lutja e fundit e Mormonit për të besuar në Krishtin

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi lutjen e fundit të Mormonit për të besuar në Krishtin, një lutje që ai ua shkroi njerëzve në kohën tonë pasi pa shkatërrimin e tërë kombit të tij:

“Në një monolog vdekjeje, Mormoni depërtoi përtej kohës dhe hapësirës tek të gjithë, veçanërisht tek ajo ‘mbetje [e] shtëpisë së Izraelit’, e cila një ditë do ta lexonte analin e tij madhështor. Ata të një kohe dhe vendi tjetër duhet të mësojnë atë që ata që ishin të shtrirë përpara tij, e kishin harruar – se të gjithë duhet të ‘beso[jnë] në Jezu Krishtin, se ai është Biri i Perëndisë’, se pas kryqëzimit të tij në Jerusalem, Ai, ‘nga fuqia e Atit … u ngrit përsëri me anë të së cilës ai mori fitoren mbi varrin; dhe gjithashtu në të u gëlltit gjembi i vdekjes.

Dhe ai bën të ndodhë ringjalljen e të vdekurve … [dhe] shëlbimin e botës.’ Ata që shëlbohen mundet atëherë, për shkak të Krishtit, të gëzojnë ‘një gjendje lumturie që nuk ka fund’.[Mormoni 7:2, 5–7.] …

Të ‘beso[sh] në Krishtin’, veçanërisht kur matet përkundrejt pasojave të tilla tragjike por të shmangshme, ishte lutja e fundit e Mormonit dhe shpresa e tij e vetme. Ai është qëllimi themelor i të gjithë librit, i cili do t’i vinte botës së ditëve të mëvonshme duke mbajtur emrin e Tij” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 321–322).