Biblioteka
Mësimi 36: 2 Nefi 26


Mësimi 36

2 Nefi 26

Hyrje

Nefi profetizoi se pasardhësit e tij do të vizitoheshin dikur nga Jezu Krishti i ringjallur dhe pas kësaj përvoje ata do të jetonin përgjatë tre brezave në drejtësi. Sidoqoftë, Nefi qe vrerosur që midis brezit të katërt të pasardhësve të tij, disa do të binin nga drejtësia, nuk do të pranonin Mesian dhe përfundimisht do të shkatërroheshin. Nefi i paralajmëroi ata që jetonin në ditët e fundit kundër krenarisë, përbërjeve të fshehta dhe intrigave të priftërinjve. Ai dha mësim se Zoti i do të gjithë njerëzit dhe i fton të vijnë tek Ai.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 26:1–13

Nefi profetizoi se populli i tij do të shkatërrohej sepse ata nuk do ta pranonin Jezu Krishtin

Shkruani në tabelë Gjykime të Perëndisë.

  • Kur e shihni ose dëgjoni këtë frazë, çfarë mendimesh ju vijnë në mendje?

Shpjegoni se edhe pse shumë njerëz kanë mendime negative kur i shohin këto fjalë, gjykimet e Perëndisë në të vërtetë sjellin bekime te shumë njerëz. Te 2 Nefi 26, ne lexojmë rreth pasojave që drejtësia sjell tek të ligjtë dhe të drejtët.

Për të krijuar kontekstin për mesazhin kryesor të 2 Nefit 26, shpjegoni se Nefi tha që shumë shenja do të shoqëronin lindjen, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ai profetizoi se shumë njerëz do të mbaronin shpejt pas vdekjes së Shpëtimtarit sepse ata do t’i dëbonin profetët dhe ndjekësit besnikë të Jezu Krishtit që patën jetuar midis tyre. Ai gjithashtu profetizoi se edhe pasi qenë vizituar një herë nga Shpëtimtari i ringjallur, shumë nga pasardhësit e tij do të “zgj[idhnin] punë të errësirës në vend të dritës” dhe do të shkatërroheshin. (Shih 2 Nefi 26:1–11.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 26:7. Vëreni klasën të kërkojë reagimin e Nefit ndaj vegimit të shkatërrimit të popullit. Ftoni disa studentë të tregojnë atë që gjetën. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shënojnë thënien e Nefit në fund të vargut: “Udhët e tua janë të drejta”.

  • Çfarë do të thotë për ju thënia “Udhët e tua janë të drejta”? (Ju mund të doni të shpjegoni se dikush që është i drejtë do t’i trajtojë njerëzit gjithmonë me drejtësi.)

Pasi t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se drejtësia e Perëndisë kërkon që të ligjtë të ndëshkohen për veprimet e tyre, shpjegojuni se drejtësia e Perëndisë gjithashtu kërkon që të drejtët të shpërblehen për veprimet e tyre. Si pjesë e këtij shpjegimi, ju mund të doni t’i ftoni studentët të lexojnë Doktrina e Besëlidhje 130:20–21. Vërini studentët të lexojnë 2 Nefin 26:8–9, 13, duke kërkuar për bekime që Nefi tha se do të vinin te pasardhësit e tij të drejtë.

  • Te vargjet 8 dhe 13, cilat fraza përshkruajnë veprimet e të drejtëve?

  • Kur keni qenë dëshmitar i bekimeve të përmendura te vargu 13? Cilat janë disa mënyra të ndryshme që Zoti e shfaq Veten te ne?

Shkruani parimin vijues në tabelë: Ndërsa ushtrojmë besim në Jezu Krisht, Ai e shfaq Veten te ne nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

  • Si mundet njohuria e kësaj të vërtete të rritë besimin tuaj në Jezu Krisht?

2 Nefi 26:14–33

Nefi profetizon lidhur me ditët e fundit dhe i fton të gjithë të vijnë te Krishti

Përmblidheni 2 Nefin 26:14–19 duke shpjeguar se Nefi profetizoi që Libri i Mormonit do të dalë në dritë në ditët e fundit, gjatë një kohe kur shumë njerëz do të jenë krenarë dhe mosbesues.

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth një kohe kur ata u penguan mbi diçka (ose ju mund t’i vini të përfytyrojnë rrëzimin mbi një pengesë në errësirë). Ftojini të shqyrtojnë qetësisht 2 Nefin 26:20–21, duke kërkuar të gjejnë pengesat në të cilat njerëzit mund të rrëzohen në ditët e fundit.

  • Sipas 2 Nefit 26:20–21, cilat janë disa pengesa që Nefi i pa se do të bënin që johebrenjtë të pengoheshin?

  • Cilët janë disa shembuj të tjerë pengesash që Satani i përdor për t’i bërë njerëzit të pengohen?

Shpjegoni se përveç vendosjes së “blloqeve penguese” në udhën tonë për të na larguar nga Perëndia, Satani kërkon të na lidhë. Ngrini një copë peri dhe ftojini studentët të lexojnë me shpejtësi 2 Nefin 26:22, duke kërkuar për atë që Nefi shkroi rreth një objekti të ngjashëm. Ftojeni një student të dalë përpara klasës. Lidhini bashkë kyçet e duarve të studentit lirshëm me një fije të vetme peri. Kërkojini atij apo asaj ta këputë perin. Përsëriteni procesin, këtë herë duke e kaluar perin rreth kyçeve të duarve të tij apo të saj disa herë. Vazhdoni ta bëni këtë derisa studenti të mos mund ta këputë perin – duke e paralajmëruar studentin të jetë i kujdesshëm të mos e dëmtojë veten. (Nëse nuk keni penj në dispozicion, ju mund të doni t’u kërkoni studentëve ta përfytyrojnë këtë demonstrim.) Kërkojuni studentëve të studiojnë 2 Nefin 26:22, duke kërkuar mënyrën se si vargu lidhet me demonstrimin.

  • Te 2 Nefi 26:22, çfarë është e rëndësishme rreth frazës “derisa i lidh me litarët”? Çfarë ju mëson ky varg rreth mënyrës se si punon Satani?

  • Si e keni parë Satanin t’i tërheqë njerëzit me “fije liri”? (Liri është një material që përdoret për të bërë ndërresa.)

  • Cilët nga këto mëkate (fije liri) mendoni se janë më të rrezikshme për njerëzit e moshës tuaj?

Kujtojuni studentëve se Satani na josh që të bëjmë punë të errësirës në mënyrë që të na lidhë dhe të na largojë nga udha e drejtësisë. Shpjegojuni se vargjet e fundit te 2 Nefi 26 tregojnë një kontrast midis udhëve të Satanit dhe udhëve të Perëndisë. Kërkojuni studentëve të lexojnë qetësisht 2 Nefin 26:23–24.

  • Sipas këtyre vargjeve, si punon Zoti? Cili është qëllimi i gjithçkaje që bën Zoti? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shënojnë pjesën e 2 Nefit 26:24 që na mëson se gjithçka që Zoti bën është në dobi të botës.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një çast mbi kohën kur ata ndiheshin të shkurajuar apo të larguar nga Zoti. Për t’i ndihmuar studentët të japin se mesazhi i Nefit mbi dashurinë e Zotit gjen zbatim në jetën e tyre, ftojini të shqyrtojnë 2 Nefin 26:24–28, 33. Ju mund të doni të sugjeroni që ata të shënojnë fjalët të gjithë, ndonjë, dhe asnjëri (përveç rastit të parë të fjalës asnjë në vargun 33). Vërini studentët të gjejnë disa minuta për të rilexuar fjalitë që përmbajnë këto fjalë.

Kërkojini çdo studenti të kthehet te një tjetër anëtar i klasës dhe shkurtimisht të diskutojnë çfarë mund të kuptojmë nga këto vargje. Pasi studentët të kenë ndarë mendimet me njëri-tjetrin, merrni parasysh të ftoni disa studentë të ndajnë idetë kryesore nga bashkëbisedimet e tyre. Një ide kryesore që duhet të dalë nga ky diskutim është që Zoti i do të gjithë njerëzit dhe i fton të gjithë të vijnë tek Ai dhe të marrin pjesë në shpëtimin e Tij. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë thënie në tabelë. Ju gjithashtu mund të doni t’i ftoni studentët t’i shkruajnë përgjigjet për pyetjet vijuese në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës:

  • Kur e keni njohur mirësinë e Zotit në jetën tuaj?

  • Si mund t’ju ndihmojë dijenia se Zoti i do të gjithë njerëzit dhe i fton të gjithë të vijnë tek Ai?

Për të përfunduar, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 26:25, 33. Përpara se ai apo ajo të lexojë, sugjeroni që studentët t’i shënojnë frazat që janë nxitëse për ta. Për t’i ndihmuar studentët të shohin një zbatim shtesë te këto vargje, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shpresoj që ne të mirëpresim dhe të duam gjithë fëmijët e Perëndisë, përfshirë ata që mund të vishen, të kenë pamjen, të flasin, apo thjesht t’i bëjnë gjërat ndryshe. Nuk është mirë t’i bësh të tjerët të ndihen sikur janë të mangët. Le t’i ngremë moralisht ata që janë rreth nesh. Le të zgjasim një dorë mirëseardhjeje. Le t’u dhurojmë vëllezërve dhe motrave tona në Kishë një shkallë të veçantë humanizmi, dhembshurie dhe dashurie hyjnore që kështu ata të ndiejnë, më në fund, se përfundimisht kanë gjetur shtëpi. …

Duket veçse e drejtë dhe me vend që t’u shtrijmë të tjerëve atë që dëshirojmë me kaq zell për vete.

Nuk po sugjeroj që të pranojmë mëkatin apo të mos vëmë re të ligën, në jetën tonë vetjake ose në botë. Megjithatë, në zellin tonë, nganjëherë ngatërrojmë mëkatin me mëkatarin dhe dënojmë tepër shpejt dhe me shumë pak dhembshuri. …

… Zemrat dhe duart tona le të shtrihen me dhembshuri drejt të tjerëve, sepse gjithkush po ecën në vetë shtegun e vet të vështirë” (“Ju Jeni Duart e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 68–69).

  • Cilat janë disa mënyra me të cilat mund të zbatojmë 2 Nefin 26:33 dhe mësimet nga Presidenti Uhtdorf?

Ftojini studentët të shqyrtojnë se çfarë mund të bëjnë për të gjetur të tjerët në nevojë dhe për t’i ndihmuar të ndiejnë dashurinë e Zotit.