Biblioteka
Mësimi 91: Alma 33


Mësimi 91

Alma 33

Hyrje

Një grup zoramitësh dëshiruan të dinin se si ta ndiqnin këshillën e Almës për ta mbjellë fjalën e Perëndisë në zemrat e tyre dhe për të ushtruar besim. Duke i përdorur shkrimet e shenjta, Alma i mësoi njerëzit rreth adhurimit, lutjes dhe mëshirës që mund të marrim nga Perëndia për shkak të Shpëtimtarit. Ai i nxiti njerëzit të shihnin te Jezu Krishti dhe të besonin në fuqinë e Shlyerjes së Tij.

Shënim: Mësimi 94 siguron një mundësi për tre studentë për të dhënë mësim. Ju mund të dëshironi t’i përzgjidhni tre studentët tani dhe t’iu jepni atyre kopje të pjesëve të caktuara të mësimit 94, kështu që të mund të përgatiten. I nxitni ta studiojnë materialin mësimor me lutje dhe të kërkojnë udhëzimin e Frymës së Shenjtë, kështu që ata do ta dinë se si ta përshtatin mësimin sipas nevojave të anëtarëve të klasës së tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 33

Alma u mëson zoramitëve të fillojnë të besojnë në Jezu Krishtin

Shkruani ushtrim në tabelë.

  • Çfarë do të thotë ta ushtrojmë diçka? (Ndërkohë që studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund t’i kërkoni një studenti të tregojë se si t’i ushtrojë krahët e veta, ndoshta duke bërë ulje-ngritje (pompa) ose këmbët e veta, ndoshta duke vrapuar në vend).

I bëni studentët të lexojnë në heshtje Almën 33:1, duke përcaktuar ushtrimin që zoramitët dëshironin të kuptonin. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Si e ushtrojmë besimin? I ftoni studentët të kërkojnë të paktën tri përgjigje të kësaj pyetjeje, ndërsa studiojnë dhe diskutojnë Almën 33.

Shpjegoni se, ndërsa Alma filloi t’i përgjigjej pyetjes së zoramitëve rreth mënyrës se si të ushtronin besim, ai korrigjoi një ide të rreme që ata kishin rreth adhurimit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 33:2. I kërkoni klasës të përcaktojë idenë e rreme të zoramitëve rreth adhurimit të Perëndisë.

  • Përse këta zoramitë menduan se nuk mund ta adhuronin Perëndinë? (Ngaqë ata nuk u lejuan në sinagogat e tyre.)

U kërkoni studentëve ta përmbledhin atë që mësuan tek Alma 31 rreth formës së adhurimit të zoramitëve. (Shih Alma 31:22–23. Zoramitët ofruan të njëjtën lutje një herë në javë në sinagogë dhe ata nuk folën më kurrë për Perëndinë përsëri gjatë pjesës së mbetur të javës).

  • Përse është ardhja në Kishë një pjesë e rëndësishme e adhurimit tonë? Cilat janë disa mënyra si mund ta adhurojmë Perëndinë, përveç ardhjes çdo javë në mbledhjet tona të Kishës?

Shpjegoni se Alma i citoi mësimet e një profeti të quajtur Zenos për t’i korrigjuar idetë e rreme të zoramitëve rreth adhurimit të Perëndisë. I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 33:3, duke kërkuar fjalën që Alma përdori, e cila mund të këmbehet me fjalën adhurim. (Fjala është lutje.)

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 33:4–10, duke përcaktuar çdo rrethanë në të cilën Zenosi tha se ai u lut.

  • Kur dhe ku u lut Zenosi?

  • Çfarë na mësoi Alma rreth adhurimit kur citoi fjalët e Zenosit? (I ndihmoni studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne mund ta adhurojmë Perëndinë vazhdimisht nëpërmjet lutjes.)

Iu drejtoni pyetjes në tabelë: Si e ushtrojmë besimin? Poshtë asaj pyetjeje, shkruani Lutuni gjithmonë.

  • Në çfarë mënyrash është lutja një ushtrim i besimit në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Kur jeni lutur në ndonjë situatë të ngjashme me ato që përmendi Zenosi? Si mori përgjigje lutja juaj? (U kujtoni studentëve që ata nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo vetjake.)

I ftoni studentët të rishikojnë në heshtje Almën 33:4–5, 8–9. I vini ata të kërkojnë fraza që përmendin mëshirën e Perëndisë (të tilla si “ti je i mëshirshëm” dhe “ti ishe i mëshirshëm”).

Për t’i ndihmuar studentët të shohin lidhjen midis Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe mëshirës së Atit Qiellor, e ftoni një student të lexojë me zë të lartë Almën 33:11–16. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar një frazë që shfaqet katër herë në këto vargje. (Fraza është “për shkak të Birit tënd”. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët për ta shenjuar këtë frazë).

  • Si mendoni ju, çfarë do të thoshte Zenosi kur tha: “Ti ke larguar prej meje gjykimet e tua, për shkak të Birit tënd”? (I ndihmoni studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne marrim mëshirën e Atit Qiellor, duke përfshirë falje për mëkatet tona, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 33:11–16.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë mëshirën që mund të merret nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, merrni parasysh ndarjen e historisë së mëposhtme, të cituar nga Presidenti Gordon Hinkli:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Mësuesi tha: ‘Mirëmëngjes, djema, ne kemi ardhur për të zhvilluar mësim’. Ata bërtitën dhe u tallën me sa patën zë. ‘Tani, unë dua një mësim të mirë, por ua pohoj se nuk e di se si, në qoftë se ju nuk më ndihmoni. Le të mendojmë se kemi disa rregulla. M’i thoni dhe unë do t’i shkruaj në tabelën e zezë.’

Një djalë bërtiti: ‘Pa vjedhje!’ Një tjetër: ‘Në kohën e duhur’. Së fundi, dhjetë rregulla u shfaqën në dërrasën e zezë.

‘Tani’, tha mësuesi, ‘një ligj nuk është i mirë, në qoftë se nuk ka një gjobë të lidhur me të. Çfarë do të bëjmë me atë që i thyen rregullat?’

‘Të goditet në kurriz dhjetë herë pa asnjë rrobë mbi të’, erdhi përgjigjja nga klasa.

‘Kjo është goxha e ashpër, djema. A jeni të sigurt që jeni gati ta mbështesni atë?’ Një tjetër bërtiti: ‘Unë e mbështes vendimin’, dhe mësuesi tha: ‘Në rregull, do të jetojmë patjetër sipas tyre! Nxënës, vendosni rregull!’

Mbas një ose dy ditësh, ‘Tomi i Madh’ pa se ia kishin vjedhur drekën. Vjedhësi u gjet – një djalë i vogël, i uritur, rreth dhjetë vjeç. ‘Ne e kemi gjetur hajdutin dhe ai duhet të ndëshkohet në përputhje me rregullin tuaj – dhjetë goditje në kurriz. Xhim, eja këtu!’ tha mësuesi.

Djali i vogël, duke u dridhur, erdhi dalëngadalë me një xhaketë të madhe, të mbyllur deri te qafa dhe u përgjërua: ‘Mësues, mund të më godasësh sa fort të duash, por të lutem, mos ma hiq xhaketën!’ [Shënim: Ju mund të dëshironi të shpjegoni se në këtë tregim, fjala godasësh do të thotë ta rrahësh dikë.]

‘Hiqe xhaketën’, tha mësuesi. ‘Ti ndihmove në bërjen e rregullave!’

‘O, mësues, mos më bëj ta heq!’ Ai filloi të zbërthente kopsat dhe çfarë pa mësuesi? Djali nuk kishte këmishë dhe u zbulua një trup i vogël, i dëmtuar, gjithë kocka.

‘Si mund ta fshikulloj këtë fëmijë?’ mendoi ai. ‘Por unë duhet, duhet të bëj diçka, në qoftë se do të mbaj rregull në këtë shkollë.’ Gjithçka ishte e heshtur si vdekja.

‘Si është e mundur që nuk ke veshur këmishë, Xhim?’

Ai u përgjigj: ‘Babai më vdiq dhe nëna ime është shumë e varfër. Unë kam vetëm një këmishë dhe ajo po e lan sot, dhe unë vesha xhaketën e madhe të vëllait tim për të më mbajtur ngrohtë.’

Mësuesi, me shkopin në dorë, ngurroi. Pikërisht atëherë ‘Tomi i Madh’ u ngrit në këmbë dhe tha: ‘Mësues, nëse nuk ke kundërshtim, unë do të rrihem në vend të Xhimit’.

‘Mjaft mirë, ka një ligj të caktuar që dikush mund të bëhet zëvendësues i një tjetri. A jeni të gjithë dakord?’

Tomi e hoqi xhaketën dhe pas pesë goditjesh shkopi u thye! Mësuesi e uli kokën në duart e tij dhe mendoi: ‘Si mund ta mbaroj këtë detyrë të tmerrshme?’ Atëherë ai dëgjoi që klasa po qante dhe çfarë pa? Xhimi i vogël ishte afruar dhe e kishte kapur Tomin me të dy duart rreth qafës. ‘Tom, më vjen keq që ta vodha drekën, por isha tmerrësisht i uritur. Tom, do të të dua vërtet derisa të vdes, sepse ti more goditjet për mua! Po, do të të dua përgjithmonë!’” [Autor i panjohur.]

Pasi e citoi këtë histori, Presidenti Hinkli tha: “Për të nxjerrë një frazë nga ky tregim i thjeshtë, Jezusi, Shëlbuesi im, e ka marrë ‘goditjen time për mua’ dhe tuajën për ju” (“The Wondrous and True Story of Christmas”, Ensign, dhjetor 2000, f. 4).

  • Si lidhet ky rrëfim me mësimet e Almës për Shlyerjen e Shpëtimtarit? (Siç nevojitet, shpjegoni se gatishmëria e Tomit për të “marrë goditjen e Xhimit” përfaqëson Shlyerjen. Shpëtimtari ka marrë ndëshkimin për mëkatet tona mbi Vetveten, kështu që ne vërtet s’do të duhet ta durojmë atë ndëshkim, në qoftë se pendohemi.)

Shpjegoni se pas citimit të fjalëve të Zenosit, Alma citoi fjalët e Zenokut, një profet tjetër. U lexoni studentëve me zë të lartë Almën 33:15–16. Theksoni pakënaqësinë e Atit Qiellor kur njerëzit nuk pranojnë të kuptojnë se çfarë ka bërë Biri i Tij për ta.

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 33:12–14, duke kërkuar burimin që përdori Alma kur ai u dha këto mësime.

  • Përse i njihte Alma fjalët e Zenosit dhe Zenokut? (Sepse fjalët ishin në shkrimet e shenjta. Ju mund të dëshironi të vini në dukje se fjalët e Almës në vargjet 12 dhe 14 sugjerojnë se zoramitët gjithashtu i patën këto shkrime të shenjta. Theksoni se shkrimet e shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin.)

Nën pyetjen në tabelë, shkruani Studioni shkrimet e shenjta dhe i besoni ato.

Pamja
Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi

Vini në dukje se Alma iu referua një tregimi tjetër të shkrimeve të shenjta që t’i ndihmonte zoramitët për ta zhvilluar besimin te Jezu Krishti. Paraqitni figurën Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi (62202; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 16). Përmblidheni këtë tregim duke shpjeguar se, kur Moisiu po i udhëhiqte izraelitët në vendin e shkretë, shumë njerëz filluan të ngrenë krye kundër tij dhe Zotit. Në përgjigje të kësaj mosbindjeje, Zoti dërgoi gjarpërinj helmues që i kafshuan njerëzit. Njerëzit shkuan te Moisiu për ndihmë. Moisiu u lut dhe mori udhëzim të bënte një gjarpër të vënë mbi një shtizë që njerëzit ta shihnin. Ai u bind, duke bërë një gjarpër prej bronzi. (Shih Numrat 21:4–9.) E bëni një student të lexojë me zë të lartë Almën 33:19–20. Ftojeni klasën të përcaktojë se çfarë u ndodhi atyre që e panë gjarprin prej bronzi dhe çfarë u ndodhi atyre që zgjodhën të mos e shihnin.

  • Sipas Almës 33:20, përse disa njerëz zgjodhën të mos shihnin?

U kërkoni studentëve të përsiaten nëse do të zgjidhnin të shihnin, po të kishin qenë në atë gjendje.

Pamja
Kryqëzimi

Paraqitni figurën Kryqëzimi (62505; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 57). Shpjegoni se gjarpri prej bronzi në shtizë ishte një “simbol” (Alma 33:19). Me fjalë të tjera, ishte një simbol i diçkaje që do të ndodhte në të ardhmen. Ai përfaqësoi Jezu Krishtin në kryq (shih Gjoni 3:14).

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 33:21–23, duke kërkuar se si Alma e përngjasoi këtë tregim me zoramitët. Pasi studentët të raportojnë se çfarë zbuluan, drejtojuni përsëri pyetjes në tabelë: Si mund të ushtrojmë besim?

  • Çfarë mund të na mësojë tregimi i izraelitëve dhe i gjarprit prej bronzi rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u shëruar shpirtërisht?

  • Si i përgjigjet Alma 33:22–23 kësaj pyetjeje? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne ushtrojmë besim duke zgjedhur të besojmë në Jezu Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij.)

Poshtë pyetjes në tabelë, shkruani Besoni në Jezu Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij.

  • Çfarë veprimesh ose sjelljesh shihni te njerëzit që besojnë në Shlyerjen e Shpëtimtarit?

Për të theksuar që besimi te Jezu Krishti është një zgjedhje që ne bëjmë, drejtojeni vëmendjen e studentëve te fraza vijuese tek Alma 33:23: “Dhe madje të gjithë këtë ju mund ta bëni në qoftë se doni”. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta shenjojnë këtë frazë.

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë dhe merrni parasysh t’i nxitni studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta. (Thënia gjendet në “Inquire of the Lord” [fjalim i mbajtur për mësuesit fetarë të SAK-ut, 2 shkurt 2001], f. 1, si.lds.org.)

“Çdo fëmijë në secilin brez zgjedh besim ose mosbesim. Besimi nuk është një trashëgimi; ai është një zgjedhje” (Presidenti Henri Ajring).

U kërkoni studentëve t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në vijim në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara orës së mësimit, të përgatitni një fletushkë me pyetje ose t’i lexoni pyetjet ngadalë që studentët të mund t’i shkruajnë).

  • Si ka ndikuar zgjedhja juaj për të besuar te Shpëtimtari në jetën tuaj të përditshme?

  • Si e ka forcuar studimi vetjak i shkrimeve të shenjta besimin tuaj në Atin Qiellor dhe në Jezu Krishtin?

  • Si e ka forcuar lutja e përditshme dhe adhurimi vetjak besimin tuaj në Atin Qiellor dhe në Jezu Krishtin?

  • Çfarë ndieni se Ati Qiellor do të dëshironte të bënit për të ushtruar besim më të madh?

Ftoni dy ose tre studentë që t’i japin përgjigjet. Dëshmoni për rëndësinë e zgjedhjes për të besuar në Shpëtimtarin.