Biblioteka
Mësimi 115: Helamani 15–16


Mësimi 115

Helamani 15–16

Hyrje

Samuel Lamaniti i paralajmëroi nefitët që, po të mos pendoheshin, ata do të shkatërroheshin. Ai shpalli se Zoti do t’ua zgjaste ditët lamanitëve, të cilët qenë bërë më të drejtë se nefitët. Disa nefitë i besuan mësimet e Samuelit dhe u pagëzuan nga Nefi. Ata që nuk e besuan Samuelin, u përpoqën që ta vrisnin. Por Samueli u mbrojt nga fuqia e Perëndisë e u kthye në vendin e vet.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 15

Samueli i paralajmëron nefitët dhe shpjegon se si lamanitët janë bërë një popull premtimi

Lexojini me zë përshkrimet që vijojnë:

Një i ri qe rritur nga prindër që nuk ishin anëtarë të Kishës dhe nuk e vunë theksin te mësimet e Jezu Krishtit. Ata e lejuan të pinte alkool, praktikë të cilën ai e vazhdoi në kolegj. Më pas ai takoi misionarët e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Pasi u takua disa herë me misionarët, ai u zotua ta linte alkoolin. Disa ditë më vonë ishte me një grup miqsh. Ata i ofruan një pije alkoolike.

Një i ri tjetër qe rritur në një familje të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Prindërit e tij bënin mbrëmje familjare dhe studim familjar të shkrimit të shenjtë. Ai zhvilloi zakonin e studimit të shkrimit të shenjtë dhe të lutjes vetjake për çdo ditë. Ndoqi Filloren, shërbeu në kuorumet e Priftërisë Aarone dhe mori diplomën e seminarit, duke fituar dijen e urdhërimeve e të udhëve të Zotit. Ndërsa ndiqte kolegjin, ai zhvilloi miqësi të reja. Një mbrëmje një mik i ofroi atij një pije alkoolike.

  • Do të ishte pranimi i pijes alkoolike një shkelje më e rëndë për të rinë e parë apo për të dytin? Përse po ose përse jo?

Shkruajini në tabelë këto që vijojnë:

Gjendja shpirtërore e nefitëve – Helamani 15:1–3, 17

Gjendja shpirtërore e lamanitëve – Helamani 15:4–6

Ftojini studentët t’i lexojnë në heshtje fragmentet e renditura në tabelë. (Përpara se të lexojnë, mund të jetë mirë ta drejtoni vëmendjen e tyre te togfjalëshi me kujdes në vargun Helamani 15:5. Të bësh diçka me kujdes, do të thotë të veprosh me vëmendje të madhe.) Kërkojuni studentëve që t’i shkruajnë dy fjalitë – njëra që përmbledh gjendjen shpirtërore të nefitëve dhe tjetra që përmbledh gjendjen shpirtërore të lamanitëve. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:

  • Cili nga dy të rinjtë që diskutuam në fillim të mësimit, u ngjan nefitëve të përshkruar në këto vargje? Cili u ngjan lamanitëve?

  • Ndonëse lamanitët kishin një histori të gjatë ligësie, përse qenë në gjendje të merrnin aq shumë bekime?

  • Përse nefitët ishin në rrezik të shkatërroheshin?

  • Në ç’mënyrë është ndëshkimi i Zotit një shenjë e dashurisë së Tij? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala ndëshkoj do të thotë të ndreqësh dikë nëpërmjet një lloj dënimi ose vuajtjeje.)

Shkruajini në tabelë këto që vijojnë:

Kur njerëzit e dinë të vërtetën dhe i besojnë shkrimet e shenjta, ata shpien në … dhe … , që sjellin …

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Helamani 15:7, duke kërkuar të gjejnë se si mund ta plotësojnë thënien e tabelës. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve se si do ta plotësonin ata thënien. (Për shembull, studentët mund të shprehin këtë parim: Kur njerëzit e dinë të vërtetën dhe i besojnë shkrimet e shenjta, ata udhëhiqen në besim dhe pendim që sjellin një ndryshim të zemrës së tyre.)

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 15:8. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejnë përshkrimin e Samuelit për lamanitët që kishin përjetuar një ndryshim të zemrës. (Ata ishin “të vendosur dhe të paepur në besim”.)

Jepuni studentëve kohë të mendohen nëse studimi i shkrimeve të shenjta i ka bërë të kenë besim më të madh te Zoti. Gjithashtu kërkojuni të mendohen nëse kjo i ka bërë të jenë të vendosur e të paepur në besim. Merrni parasysh të ftoni një a dy studentë për të shpjeguar se si ua ka shtuar studimi i shkrimeve të shenjta besimin te Jezu Krishti.

Tërhiqni vëmendjen e studentëve te Helamani 15:9–17. Shpjegoni se në këto vargje fjala ju ka parasysh nefitët dhe fjalët ata dhe atyre kanë parasysh lamanitët. Lexojani këto vargje klasës, duke u ndalur, sipas nevojës, që të jepni shpjegime ose t’u përgjigjeni pyetjeve. Pastaj jepuni studentëve kohë që t’i shohin vargjet sërish dhe të shkruajnë një fjali e cila mbart një të vërtetë që na mësohet në këto vargje.

Ftojini disa studentë të lexojnë ato që kanë shkruar. Ndër të vërtetat e tjera, studentët mund të shkruajnë diçka si kjo: Në rast se njerëzit bëhen mosbesues pasi kanë marrë plotësinë e ungjillit, do të marrin një dënim më të madh. Mund të jetë mirë t’u këshilloni studentëve ta shkruajnë këtë të vërtetë në librat e tyre të shkrimeve të shenjta, pranë vargut Helamani 15:9–17.

Ndërsa studentët diskutojnë për këtë të vërtetë, vini theksin te bekimet e mëdha që vijnë duke e kuptuar dhe jetuar ungjillin tani. Mësimet e Samuelit nuk e shfajësojnë një anëtar të ri të Kishës në kryerjen e mëkatit. As nuk lënë të kuptohet se mund t’u shpëtojmë përgjegjësisë dhe dënimit duke mos pranuar të mësojmë për ungjillin. Teksa është e vërtetë se, të kesh dijen e ungjillit, të çon në një përgjegjësi të shtuar nëse bëjmë diçka të gabuar, ajo gjithashtu të çon në një fuqi më të madhe në përpjekjet tona për të bërë atë që është e drejtë. Dhe, kur i bindemi vullnetit të Perëndisë dhe i ndihmojmë të tjerët për të njëjtën gjë, Ai na bekon me paqen dhe lumturinë që s’mund t’i marrim në asnjë mënyrë tjetër.

Helamani 16

Ata që e besojnë Samuelin, pendohen dhe pagëzohen, ndërsa të tjerët e ngurtësojnë zemrën

Paraqitni një fotografi të Presidentit të tanishëm të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kërkojuni studentëve të përshkruajnë mënyra të ndryshme me të cilat kanë parë se njerëzit (brenda dhe jashtë Kishës) reagojnë ndaj mesazheve të profetit.

Kërkojini gjysmës së klasës të lexojë në heshtje Helamani 16:1–5, duke kërkuar të gjejë veprime të njerëzve që e besuan mesazhin e Samuelit. Kërkojini gjysmës tjetër të klasës të lexojë në heshtje Helamani 16:2–3, 6–7, duke kërkuar të gjejë veprime të njerëzve që nuk e besuan mesazhin e Samuelit. (Mund të jetë mirë t’i shkruani në tabelë këto referenca të shkrimit të shenjtë.) Ftojini disa studentë të raportojnë ato që kanë mësuar.

  • Si mendoni, pse njerëzit reagojnë në kësi mënyrash të ndryshme ndaj profetëve dhe mesazheve të tyre?

  • Si mendoni, përse disa njerëz zemërohen kur profetët japin një këshillë të tillë sikurse fjalët te broshura Për Forcën e Rinisë?

Ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Kur profeti i vë në dukje mëkatet e botës, ata që janë të kësaj bote, më fort sesa të pendohen për mëkatet e tyre, ose dëshirojnë t’ia mbyllin gojën profetit, apo, ndryshe, veprojnë sikur profeti nuk ekziston. Popullariteti nuk është asnjeherë provë e së vërtetës. Shumë profetë qenë vrarë ose flakur. Teksa i afrohemi ardhjes së dytë të Zotit, mund të prisni që, ndërsa njerëzit e botës bëhen më të ligj, profeti do të gëzojë më pak popullaritet tek ata” (The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 133).

  • Cilët janë disa shembuj të njerëzve që ndoqën këshillën e profetëve, ndonëse të tjerët nuk e pranuan atë këshillë.

Kërkojuni studentëve t’i mbyllin librat e shkrimeve te shenjta. Kërkojini një studenti ta hapë librin e shkrimeve të shenjta e të lexojë Helamani 16:13–14, kurse studentët e tjerë ta dëgjojnë me vëmendje. Pyeteni klasën se si mendon se do të reagonin jobesimtarët ndaj këtyre shenjave dhe shfaqjeve.

Kërkojuni studentëve t’i hapin librat e shkrimeve të shenjta dhe t’ju ndjekin ndërsa u lexoni Helamanin 16:15–16. Pastaj kërkojuni të përfytyrojnë sikur ata qenë lejuar të flasin me njerëzit që ishin në Zarahemla në kohën që u dhanë shenjat. Ftojini të mendojnë për pyetjet që do të dëshironin t’u bënin një besimtari dhe një jobesimtari. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mendojnë për pyetjet, kërkojuni disave prej tyre t’ia tregojnë përgjigjet klasës.

Ftojini studentët të mendohen për pyetjen e mëposhtme, pa u përgjigjur me zë:

  • Nëse do të kishit qenë atje e të dëshmonit ato shenja dhe çudi, si mendoni se do të kishit reaguar?

Kur studentët të kenë pasur kohë të mendohen, pyetni:

  • Sipas Helamanit 16:16, përse disa njerëz e kundërshtuan përmbushjen e profecive të profetëve, përfshirë edhe shenjat nga qielli?

Jepuni studentëve disa minuta të lexojnë në heshtje Helamani 16:17–21, duke kërkuar të gjejnë shfajësime të tjera që bënë të padrejtët për mosbesimin e profecive të Samuelit. Kërkojuni disa studentëve të thonë se çfarë shfajësimesh kanë gjetur në këto vargje.

  • Cilat nga këto shfajësime ose arsyetime kundër profetëve mendoni se janë më të zakonshme në kohën tonë?

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 16:22–23 dhe kërkojini klasës të gjejë se çfarë ndodhi kur shumë njerëz vazhduan t’i shpërfillnin paralajmërimet e Samuelit. Ftojini studentët t’i raportojnë ato që gjejnë.

  • Çfarë do të na ndodhë neve nëse nuk i pranojmë profetët e Zotit për ditët e mëvonshme?

Ndërsa studentët përgjigjen, theksojeni këtë parim: Kur nuk i pranojmë dëshmitarët e Zotit, e lejojmë Satanin të ketë ndikim mbi zemrën tonë. (Mund të jetë mirë ta shkruani këtë thënie në tabelë.)

Për ta përmbyllur mësimin e sotëm, ftojeni një student të lexojë thënien e mëposhtme nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të dëgjojë me vëmendje se çfarë jemi vërtet duke zgjedhur kur flakim këshillën që vjen nga Perëndia, shumë prej së cilës vjen përmes profetëve të ditëve të mëvonshme:

“Kur hedhim poshtë këshillën që vjen nga Perëndia, ne nuk zgjedhim të jemi të pavarur nga ndikimi i jashtëm. Ne zgjedhim një tjetër ndikim. Ne hedhim poshtë mbrojtjen e një Ati të përsosur, të dashur, të gjithëfuqishëm, të gjithëditur në Qiell, gjithë qëllimi i të cilit, ashtu si ai i Birit të Tij të Dashur, është të na japë jetën e përjetshme, të na japë të gjithëve gjithçka që ka dhe të na sjellë përsëri në shtëpi, me familje, në krahët e dashurisë së Tij. Kur hedhim poshtë këshillën e Tij, ne zgjedhim ndikimin e një fuqie tjetër, qëllimi i së cilës është të na mjerojë dhe shtysa e së cilës është urrejtja. Ne kemi zgjedhjen e lirë morale si një dhuratë nga Perëndia. Më tepër sesa e drejta për të zgjedhur të jemi të lirë nga ndikimi, ajo është e drejta e patjetërsueshme për t’iu nënshtruar cilësdo prej atyre fuqive që zgjedhim” (“Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25).

  • Sipas Presidentit Ajring, çfarë jemi vërtet duke zgjedhur, nëse e hedhim poshtë këshillën që vjen nga Perëndia dhe profetët e Tij?

Ftojini studentët të gjykojnë me qetësi nëse e kanë ngurtësuar në ndonjë mënyrë zemrën kundrejt këshillës që Perëndia ka dhënë përmes profetëve dhe apostujve. Nxitini ata të jenë të vendosur e të paepur për ta jetuar ungjillin e për t’i kushtuar vëmendje këshillës së Zotit nga profetët e Tij. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar në këtë mësim.

Rishikim i Librit të Helamanit

Shpenzoni një kohë për t’i ndihmuar studentët të rishikojnë librin e Helamanit. Kërkojuni të mendojnë për ato që kanë mësuar nga ky libër, qoftë në seminar, qoftë në studimin vetjak të shkrimeve të shenjta. Ftojini t’i rishikojnë shkurtimisht disa nga përmbledhjet e kapitujve të Helamanit, për t’i ndihmuar t’i kujtojnë. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë diçka nga libri i Helamanit, që ishte frymëzuese për ta ose i ka ndihmuar të kenë besim më të madh te Jezu Krishti. Pas një kohë të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve të tregojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 15:3–4. Dashuria hyjnore e Perëndisë

Studentët mund të pyetin për thënien e Samuelit që Zoti i donte nefitët dhe i urrente lamanitët (shih Helamani 15:3–4). Zoti i do të gjithë njerëzit, por s’mundet ta lejojë mëkatin. Samueli mësonte: “Ai i urrente Lamanitët, meqë veprat e tyre kanë qenë përherë të liga”, por Samueli gjithashtu tha se Zoti “ua zgjati ditët” që të mund ta pranonin ungjillin (shih Helamani 15:4).

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për dashurinë e Shpëtimtarit për të gjithë njerëzit dhe mësonte se bekimet e plota të dashurisë së perëndishme të Zotit u vijnë vetëm atyre që përpiqen t’i zbatojnë urdhërimet e të pendohen për mëkatet e tyre:

“Dashuria e perëndishme është e pafundme dhe e përgjithshme. Shpëtimtari i do edhe shenjtorët, edhe mëkatarët. Apostulli Gjon pohonte: ‘Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari’.[1 Gjoni 4:19. Dhe Nefi, sapo pa në vegim shërbesën e Zotit në vdekshmëri, shpalli: ‘Dhe bota, për shkak të paudhësisë së vet, do ta gjykojë atë të jetë një gjë pa vlerë; prandaj ata e fshikullojnë atë dhe ai e duron atë, dhe ata e godasin atë dhe ai e duron atë. Po, ata pështyjnë mbi të dhe ai e duron atë, për shkak të dashurisë së përzemërt të tij dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve.’[1 Nefi 19:9; kursivi iu shtua. ] Ne e njohim shtrirjen e dashurisë së Shëlbuesit, sepse Ai vdiq që gjithkush që vdes të mund të jetojë përsëri. …

“… Lulëzimi i plotë i dashurisë së perëndishme dhe bekimi ynë më i madh nga ajo dashuri, janë të kushtëzuara – bazohen mbi bindjen tonë ndaj ligjit të përjetshëm” (“Divine Love”, Ensign, shkurt 2003, f. 24–25).