Biblioteka
Mësimi 97: Alma 40


Mësimi 97

Alma 40

Hyrje

Kur Alma e paralajmëroi të birin, Koriantonin, rreth pasojave të mëkatit, ai gjithashtu i mësoi për jetën pas vdekjes. Ai i shpjegoi se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ringjallet. Ai i mësoi për botën e shpirtrave, ku të vdekurit, në varësi të zgjedhjeve të tyre në vdekshmëri, presin ose në parajsë ose në burg deri në ringjallje.

Shënim: Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë t’i japin mësim njëri-tjetrit. Përpara fillimit të orës mësimore, përgatitni fletushka që përmbajnë udhëzime shoqëruese për dyshet. Njihuni mirë me secilin grup udhëzimesh në mënyrë që të mund t’i ndihmoni studentët ndërsa përgatiten të japin mësim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 40

Alma i mëson Koriantonit për botën e shpirtrave dhe ringjalljen

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë përpara fillimit të orës mësimore:

  1. Çfarë e bën të mundur për ne që të jetojmë pas vdekjes? Kush do të ringjallet?

  2. Ku do të shkojmë kur të vdesim? Si është atje?

  3. Çfarë është ringjallja? Në ç’mënyrë do të jenë të ndryshëm trupat tanë të ringjallur nga trupat tanë të vdekshëm? Çfarë do të bëjmë pasi të ringjallemi?

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë misionarë dhe se kanë lënë takim me dikë i cili po kërkon përgjigje për pyetjet e shkruara në tabelë. Shpjegoni se Alma 40 është vijimësi e mësimeve të Almës dhënë të birit, Koriantonit, dhe se përmban përgjigjet e këtyre pyetjeve.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 40:1. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë arsyen përse Alma diskutoi për ringjalljen me të birin.

  • Përse i mësoi Alma Koriantonit për ringjalljen?

  • Ndërsa sillni ndërmend zgjedhjet e Koriantonit, përse mund të ketë qenë i shqetësuar ai për ringjalljen?

Ndajeni klasën në dyshe. Secilës dyshe caktojini një numër: 1, 2 ose 3. Ftojeni secilën dyshe të punojë sikur të ishin shokë misionarë, duke u përgatitur për të dhënë një mësim të shkurtër për t’iu përgjigjur pyetjeve në tabelë të cilat përputhen me numrat e caktuar atyre. Për t’i ndihmuar që të përgatiten, jepuni një kopje të udhëzimeve që lidhen me numrin e tyre (shih më poshtë). Ndërsa studentët punojnë, ju mund të dëshironi të ecni nëpër klasë që të mund të dëgjoni dhe të ndihmoni sipas nevojës.

Grupi misionar 1 – Alma 40:1–5

Pyetjet: Çfarë e bën të mundur për ne që të jetojmë pas vdekjes? Kush do të ringjallet?

Përgatituni të përdorni Almën 40:1–5 për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndërsa përgatiteni, vendosni se cilat pjesë të mësimit do të japë secili shok misionar. Përgatituni të bëni sa vijon:

Jepni disa rrethana për fragmentin që ju caktua juve. (Kur të jepni mësim nga shkrimet e shenjta, shpjegoni se kush po flet, kujt po i flet dhe çfarëdo rrethanash të tjera që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë fragmentin.)

Lexoni vargjet që u përgjigjen pyetjeve. Shpjegoni se si të vërtetat në këto vargje ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Ndërsa e bëni këtë, sigurohuni që çdonjëri e kupton se për shkak të Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ringjallet. Gjithashtu ju mund të sugjeroni që ata, të cilëve u jepni mësim, ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 40:1–5.

Tregoni arsyen përse premtimi i ringjalljes është i rëndësishëm për ju. Ju gjithashtu mund t’i pyetni ata, të cilëve u jepni mësim, se përse e vlerësojnë premtimin e ringjalljes.

Dëshmoni për të vërtetat që keni dhënë mësim.

Grupi misionar 2 – Alma 40:6–14

Pyetjet: Ku do të shkojmë kur të vdesim? Si është atje?

Përgatituni të përdorni Almën 40:6–7, 11–14 për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndërsa përgatiteni, vendosni se cilat pjesë të mësimit do të japë secili shok misionar. Përgatituni të bëni sa vijon:

Jepni disa rrethana për fragmentin që ju caktua juve. (Kur të jepni mësim nga shkrimet e shenjta, shpjegoni se kush po flet, kujt po i flitet dhe çfarëdo rrethanash të tjera që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë fragmentin.)

Lexoni vargjet që u përgjigjen pyetjeve. Shpjegoni se si të vërtetat në këto vargje ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve. (Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se, kur Alma përdori frazën “errësirën e mëtejshme”, nuk iu referua gjendjes përfundimtare të Satanit dhe të atyre që janë mallkuar. Ai iu referua gjendjes së të ligjve midis kohës së vdekjes së tyre dhe kohës së ringjalljes së tyre. Sot, zakonisht këtë gjendje e quajmë burgu i shpirtrave.) Ndërsa i lexoni këto vargje, sigurohuni që çdonjëri e kupton se midis vdekjes dhe ringjalljes, shpirtrat e të drejtëve banojnë në parajsë dhe shpirtrat e të ligjve banojnë në burg. Ju mund të sugjeroni që ata, të cilëve u jepni mësim, ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 40:11–14.

Tregoni se si të kuptuarit tuaj për këtë të vërtetë ndikon në zgjedhjet që bëni në këtë jetë. Ju gjithashtu mund t’i pyetni ata, të cilëve u jepni mësim, se si i ka ndihmuar të kuptuarit e tyre për jetën pas vdekjes.

Dëshmoni për të vërtetat që keni dhënë mësim.

Grupi misionar 3 – Alma 40:21–26

Pyetjet: Çfarë është ringjallja? Në ç’mënyrë do të jenë të ndryshëm trupat tanë të ringjallur nga trupat tanë të vdekshëm? Çfarë do të bëjmë pasi të ringjallemi?

Përgatituni të përdorni Almën 40:21–26 për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Ndërsa përgatiteni, vendosni se cilat pjesë të mësimit do t’i japë secili shok misionar. Përgatituni të bëni sa vijon:

Jepni disa rrethana për fragmentin që ju caktua juve. (Kur të jepni mësim nga shkrimet e shenjta, shpjegoni se kush po flet, kujt po i flet dhe çfarëdo rrethanash të tjera që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë fragmentin.)

Lexoni vargjet që iu përgjigjen pyetjeve. Shpjegoni se si të vërtetat në këto vargje ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve. (Teksa përgatiteni për të dhënë mësim, mund të jetë e dobishme të kuptoni se fjala shpirt në këto vargje i referohet shpirtit të një personi.) Sigurohuni që çdonjëri e kupton se ringjallja është ribashkimi i shpirtit dhe i trupit, me të gjitha gjërat e rikthyera në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata të cilëve u jepni mësim, ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 40:21–23.

Ndani arsyen përse jeni mirënjohës që e dini se trupi dhe shpirti juaj një ditë do të rikthehen në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer. Ju gjithashtu mund të përshkruani se si zgjedhjet tuaja ndikohen nga njohuria juaj se një ditë do të qëndroni përpara Perëndisë dhe do të gjykoheni. Kërkojuni atyre që mësoni të japin ndjenjat e tyre rreth doktrinave të ringjalljes dhe gjykimit përfundimtar.

Dëshmoni për të vërtetat që keni dhënë mësim.

Pasi studentët të jenë përgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve që iu caktuan, organizojini ata në grupe të vogla, në mënyrë që ta mësojnë njëri-tjetrin në një interpretim me role si misionarë. Secili grup duhet të përbëhet nga tri dyshe misionarësh, ku secila dyshe misionari të ketë përgatitur përgjigjet ndaj një grupi të ndryshëm pyetjesh. (Nëse klasa është e vogël, vëreni secilin grup t’i jap mësim të gjithë klasës.) Nxitini studentët që të jenë vetvetja ndërsa japin mësim dhe mësojnë nga të tjerët gjatë interpretimit me role. Sigurojini se Fryma e Shenjtë mund t’i frymëzojë ata dhe studentët që u japin mësim, nëse janë të sinqertë në udhëzimin dhe përgjigjet e tyre. Dëgjojini ndërsa i japin mësim njëri-tjetrit dhe shprehni pikëpamje kur të ndiheni të nxitur.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për ta mësuar njëri-tjetrin në grupe, merrni parasysh që t’i bëni klasës disa prej pyetjeve të mëposhtme:

  • Çfarë mësuat ndërsa u përgatitët për t’iu përgjigjur pyetjeve të caktuara juve? Çfarë mësuat ndërsa ju dha mësim nga dyshet e tjera misionare?

  • Duke e ditur se Koriantoni ishte përpjekur për t’iu bindur ligjit të dëlirësisë, si mendoni se mund ta ketë ndihmuar atë kuptimi i natyrës së jetës pas vdekjes për t’iu bërë ballë tundimeve të ardhshme?

  • Përse kanë rëndësi për ju të vërtetat që kemi diskutuar sot?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 40:25–26, duke kërkuar ndryshimet midis gjendjes përfundimtare të të drejtëve dhe gjendjes përfundimtare të të ligjve. Pasi të përshkruajnë atë që zbuluan, kërkojuni të tregojnë se si ky fragment ndikon në zotimin e tyre për ta jetuar ungjillin. Ju mund të dëshironi të jepni përgjigjen tuaj për të njëjtën pyetje. Dëshmoni për rolin e Jezu Krishtit në bërjen të mundshme të bekimeve të ringjalljes.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Të kuptuarit e studentëve për fragmentet e shkrimeve të shenjta do të rritet kur të krijojnë vetë pyetjet e tyre për fragmentet. Ftojini studentët të punojnë bashkërisht, si klasë ose në grupe të vogla, për të shkruar të dhëna që flasin për fragmentet e veçanta për zotërimin e shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi të përzgjidhni një grup fragmentesh që do të donit që studentët t’i mësojnë ose t’i përsëritin.) Më pas, vërini që t’ju lexojnë të dhënat e tyre. Nëse e gjeni saktësisht fragmentin për zotërimin e shkrimit të shenjtë, do t’ju dhurohen pikë. Nëse nuk jeni në gjendje ta gjeni saktësisht, pikët do t’i dhurohen klasës.

Shënim: Kohëzgjatja e këtij mësimi mund t’i lejojë kohë veprimtarisë së mëposhtme të përsëritjes për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Megjithatë, për t’u siguruar që studentët të kenë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për të marrë pjesë në mësim, ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari në fund të orës mësimore, si t’jua lejojë koha. Nëse nuk keni kohë për ta përdorur këtë veprimtari si pjesë të këtij mësimi, ju mund ta përdorni një ditë tjetër. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 40:11. “Çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë”

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi se fjalët tek Alma 40:11 nuk na mësojnë që do të sillemi në praninë e Perëndisë menjëherë pasi të vdesim:

“Këto fjalë të Almës [Alma 40:11–14] siç unë i kuptoj, nuk kanë për qëllim të përçojnë mendimin se të gjithë shpirtrat kthehen në praninë e Perëndisë për caktimin në një vend paqeje ose në një vend ndëshkimi dhe marrin dënimin e tyre individual përpara Tij. ‘Çohen në shtëpi tek Perëndia’, [krahaso Predikuesin 12:7], thjesht do të thotë se ekzistencës së tyre në vdekshmëri i ka ardhur fundi dhe ata janë kthyer në botën e shpirtrave, ku janë caktuar në një vend sipas veprave të tyre me të drejtët ose të padrejtët, për të pritur atje ringjalljen. ‘Sërish te Perëndia’ është një frazë që e gjen të barasvlershmen në shumë kushte të tjera të mirënjohura. Për shembull: një njeri kalon një kohë të caktuar në ndonjë terren të huaj misioni. Kur lirohet [nga thirrja] dhe kthehet në Shtetet e Bashkuara, ai mund të thotë: ‘Është e mrekullueshme të kthehesh në shtëpi’; përsëri shtëpia e tij mund të jetë diku në Juta ose Ajdaho apo në ndonjë vend tjetër të Perëndimit” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–66], 2:85).

Alma 40:11–15. Ku ndodhet bota e shpirtrave?

Presidenti Brigam Jang na mësoi:

“Ku ndodhet bota e shpirtrave? Ndodhet pikërisht këtu. A shkojnë ata [shpirtrat e atyre që kanë vdekur] përtej kufijve të tokës së organizuar? Jo, ata nuk shkojnë. Ata sillen në këtë tokë” (Discourses of Brigham Young, përzgj. John Widtsoe [1954], f. 376).

Alma 40:11–15. Çfarë u ndodh shpirtrave në botën e shpirtrave?

“Kur trupi fizik vdes, shpirti vazhdon të jetojë. Në botën e shpirtrave, shpirtrat e të drejtëve ‘pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat’ (Alma 40:12). Një vend i quajtur burg shpirtëror u rezervohet ‘atyre që [kanë] vdekur në mëkatet e tyre, pa një dituri të së vërtetës ose të shkeljes, duke i mohuar profetët’ (DeB 138:32). Shpirtrave në burg ‘[u mësohet] besim në Perëndinë, pendim nga mëkati, pagëzimi mëkëmbës për heqjen e mëkateve, dhurata e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve dhe të gjitha parimet e tjera të ungjillit të cilat [janë] të nevojshme për ta për t’i ditur’ (DeB 138:33–34). Nëse ata pranojnë parimet e ungjillit, pendohen për mëkatet e tyre dhe pranojnë ordinancat e kryera në tempuj në emër të tyre, ata do të mirëpriten në parajsë” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 189).

Alma 40:13–14. Errësira e mëtejshme

Kur Alma përdori frazën “errësir[a] e mëtejshme”, ai iu referua vendit të përkohshëm në botën e shpirtrave pas vdekjes, në të cilin të ligjtë do të presin për ringjalljen (shih Almën 40:13–14). Profetë të tjerë e kanë quajtur këtë vend burgu (shih 1 Pjetrit 3:18–20; DeB 76:73; 138:28–42).