Biblioteka
Njësia 3 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

1 Nefi 7–14 (Njësia 3)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan 1 Nefin 7–14 (Njësia 3) nuk ka për qëllim që të jepet si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve.

Dita 1 (1 Nefi 7)

Kur nxënësit studiuan se si bijtë e Lehit u kthyen në Jerusalem për të marrë me vete familjen e Ishmaelit për në tokën e premtuar, ata mësuan që Zoti na urdhëron të martohemi e të rritim fëmijë në Të dhe se Perëndia u përgjigjet lutjeve në përputhje me besimin tonë.

Dita 2 (1 Nefi 8)

Studentët studiuan vegimin e Lehit mbi pemën e jetës. Ata mësuan se ardhja te Jezu Krishti dhe përfitimi nga Shlyerja e Tij sjell lumturi e gëzim. Kur lexuan rreth grupeve të ndryshme të njerëzve në ëndërr dhe sukseset e dështimet e tyre në vajtjen për te pema e jetës e marrjen e frutës, ata mësuan edhe parimet në vijim: Kryelartësia, të qenit si bota dhe nënshtrimi ndaj tundimeve mund të na pengojnë që të marrim bekimet e Shlyerjes. Nëse kapemi fort pas fjalës së Perëndisë, ajo do të na ndihmojë ta mposhtim tundimin dhe ndikimet e botës. Mbështetja fort te fjala e Perëndisë na ndihmon t’i afrohemi Zotit dhe të marrim bekimet e Shlyerjes.

Dita 3 (1 Nefi 10–11)

Studentët mësuan atë që ndodhi kur Nefi kërkoi të “shih[te] dhe të dëgjo[nte] dhe të di[nte]” (1 Nefi 10:17) për vete gjërat që kishte parë i ati. Përmes shembullit të Nefit, ata panë se Perëndia ua zbulon të vërtetën atyre që e kërkojnë me zell. Nefi mori një vegim që jepte mësim për dashurinë e Perëndisë për ne, e shprehur përmes dhuratës së Birit të Tij. Studentët patën mundësi të shkruanin se çfarë do të thoshte kjo për ta.

Dita 4 (1 Nefi 12–14)

Në pjesën e mbetur të vegimit të tij, Nefi pa se si Zoti përgatiti udhën për Rivendosjen. Ai mësoi se të vërteta të qarta e të çmueshme do të hiqeshin nga Bibla, por që Libri i Mormonit dhe shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme do të rivendosnin të vërteta të qarta dhe të çmueshme, që na ndihmojnë të dimë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe na ndihmojnë të vijmë tek Ai. Nefi pa edhe ditët e fundit. Studentët përsiatën mbi parimin që kur jetojmë me drejtësi dhe i mbajmë besëlidhjet e shenjta, fuqia e Perëndisë do të na ndihmojmë të ngadhënjejmë mbi të ligën.

Hyrje

Në qendër të vëmendjes së mësimit të kësaj jave është vegimi i Lehit te 1 Nefi 8. Teksa e jepni këtë mësim, theksoni gëzimin që mund të sjellë në jetën tonë Shlyerja e Jezu Krishtit dhe se si mund t’i përjetojmë bekimet e Shlyerjes duke jetuar sipas fjalës së Perëndisë. Gjatë gjithë këtij mësimi, studentët do të përdorin shkrimet e tyre të shenjta, udhëzuesit studimor të studentit dhe ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 7

Zoti i urdhëron bijtë e Lehit që të kthehen në Jerusalem për Ishmaelin dhe familjen e tij

Paraqitni një fotografi të një çifti të martuar dhe të fëmijëve të tyre – ndoshta fotografinë e vetë familjes suaj ose të një studenti të cilin e ftuat që të sillte një fotografi.

Pyetini studentët: Përse janë të rëndësishme familjet në planin e Perëndisë për shpëtimin tonë?

Ftojini studentët të përsëritin e të përmbledhin 1 Nefin 7:1–5. Pyetini se çfarë parimesh kanë mësuar nga këto vargje. (Studentët mund të shprehin parime të ndryshme. Parimi i theksuar në manualin e studentit ishte që Zoti na urdhëron të martohemi e të rritim fëmijë në Të.)

Në mësimin e tyre për ditën 1, studentëve iu caktua të pyetnin një prind, një udhëheqës të Kishës ose mësues që të përmendte tri mënyra se si mund të përgatiten të rinjtë sot për martesë dhe për t’i rritur fëmijë “Zotit”. Ftoni disa studentë të tregojnë atë që mësuan.

1 Nefi 8

Lehi sheh vegimin e pemës së jetës

Kujtojuni studentëve se pasi Nefi dhe vëllezërit e tij sollën Ishmaelin dhe familjen e tij në shkretëtirë, Lehi pa një ëndërr. Ndërsa një student lexon me zë të lartë 1 Nefin 8:10–13, vëreni një student tjetër të vizatojë në tabelë ose në një copë letër atë që përshkruajnë vargjet. Ju mund të dëshironi të tregoni figurën “Ëndrra e Lehit” (62620; Paketa e Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 69), nëse ndieni që kjo është më e përshtatshme për klasën tuaj, dhe t’u kërkoni studentëve që të përcaktojnë imazhet e ndryshme të përshkruara te vargjet.

Pyetini studentët: Nga përshkrimi i Lehit, çfarë e bën frutën e pemës ndjellës për ju?

Kujtojuni atyre se fruta e pemës simbolizon “më [të] madh[en] nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (1 Nefi 15:36) – bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Nëse caktuat një student të vizatonte figurën, ju mund të dëshironi të shkruani te vizatimi se çfarë përfaqëson fruta.

Pyetini studentët: Çfarë mund të mësojmë nga 1 Nefi 8:10–13 rreth marrjes së bekimeve të Shlyerjes? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të tjera për ta shprehur këtë, sigurohuni që parimi në vijim të jetë i qartë: Ardhja te Jezu Krishti dhe përfitimi prej Shlyerjes së Tij sjell gëzim e lumturi. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Në mësimin e tyre të ditës 2, studentëve iu kërkua t’i përgjigjeshin pyetjes: “Kur ka sjellë gëzim e lumturi në jetën tuaj Shlyerja e Shpëtimtarit?” Ftojini studentët që t’u kthehen ditarëve të tyre të studimit të shkrimeve të shenjta dhe të lexojnë në heshtje përgjigjet e tyre.

Që t’i ndihmoni studentët të ndajnë të vërteta e dëshmi kuptimplote me njëri-tjetrin, nxitini disa prej tyre që të lexojnë ose të flasin rreth asaj që kanë shkruar. Gjithashtu, ju mund të dëshironi të tregoni rreth një rasti kur Shlyerja solli gëzim e lumturi në jetën tuaj.

Shpjegoni se vegimi i Lehit jo vetëm jep mësim që Shlyerja sjell gëzim të madh, por tregon edhe atë që duhet të bëjmë që të marrim bekimet e Shlyerjes. Ftojini studentët të përsëritin 1 Nefin 8:19–26 dhe të vizatojnë simbolet e tjera nga vegimi i Lehit, ose vërini të përcaktojnë simbolet e tjera tek figura “Ëndrra e Lehit”. Teksa i vizatojnë ose i gjejnë simbolet, ftojini të shpjegojnë kuptimin e simboleve të ndryshme. (Nëse kanë nevojë për ndihmë, nxitini të përdorin skicën që kanë plotësuar tek udhëzuesi studimor i studentit.)

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 8:30. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Cili qe roli i shufrës së hekurit – fjalës së Perëndisë – te vegimi i Lehit?

  • Kur studiuat 1 Nefin 8, çfarë mësuat rreth rëndësisë së fjalës së Perëndisë?

  • Çfarë frazash te 1 Nefi 8:30 tregojnë atë që duhet të bëjmë për të marrë bekimet e Shlyerjes?

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të “shty[hesh] gjithnjë e më përpara, duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit”?

Shkruani në tabelë dy parime të tjera të ungjillit që ata i studiuan te udhëzuesi studimor i studentit: Nëse kapemi fort pas fjalës së Perëndisë, ajo do të na ndihmojë që të mposhtim tundimin dhe ndikimet e botës. Të kapurit fort pas fjalës së Perëndisë na ndihmon që t’i afrohemi më shumë Zotit dhe të marrim bekimet e Shlyerjes.

Kërkojuni studentëve që të përfytyrojnë sikur janë misionarë dhe kanë mundësi të dëshmojnë rreth rëndësisë së studimit të fjalës së Perëndisë dhe të jetuarit sipas parimeve të saj. Kërkojuni që të tregojnë atë që do të thoshin bazuar te vetë përvojat e tyre. Merrni parasysh të shprehni ndjenjat tuaja rreth fuqisë së shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve që ju ndihmojnë për t’iu afruar Shpëtimtarit.

1 Nefi 10–14

Për shkak të besimit e zellit të tij, Nefi mori zbulesë personale rreth gjërave që i ati dha mësim dhe rreth shumë të tjerave

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 10:17, 19. Vëreni klasën të përcaktojë bekimet që vijnë kur e kërkojmë me zell udhëzimin e Zotit. Kërkojuni një ose dy studentëve të tregojnë se çfarë mendojnë se do të thotë të “kërko[sh] me zell”. (Gjatë mësimit të ditës 3, tek udhëzuesi i tyre studimor i studentit, atyre iu kërkua që të shkruanin se çfarë kuptimi ka kjo.)

Përmblidhni 1 Nefin 11–14 duke thënë se Nefi mori zbulesë vetjake për shkak se e kërkoi me zell Zotin. Ai pa shërbesën dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit (1 Nefi 11), shkatërrimin e popullit të tij në të ardhmen për shkak të kryelartësisë dhe ligësisë së tyre (1 Nefi 12), kolonizatorët e hershëm johebrenj të tokës së premtimit dhe rivendosjen e të vërtetave të qarta e të çmueshme (1 Nefi 13); dhe njerëzit e drejtë duke luftuar kundër punëve të kishës së madhe e të neveritshme në ditët e fundit (1 Nefi 14).

Shënim: Për të përgatitur veprimtarinë në vijim, mund të dëshironi t’i përsëritni mësimet përkatëse në këtë manual dhe materialet tek udhëzuesi studimor i studentit për ditën 4 të kësaj njësie.

Kërkojuni studentëve që të përzgjedhin një prej kapitujve te 1 Nefi 11–14 dhe bëni sa vijon. (Mund të dëshironi t’u kërkoni që ta bëjnë këtë në tabelë ose në një copë letër.)

  • Shkruani një përmbledhje të kapitullit të përzgjedhur.

  • Shkruani një prej parimeve të ungjillit që jepet mësim në atë kapitull. (Ata mund të përdorin një parim të nxjerrë në pah tek udhëzuesi studimor ose të përcaktojnë një vetë.)

  • Shkruani se si zbatohet ai parim te ne sot.

Pasi të kenë pasur mjaft kohë për t’u përgatitur, ftojini studentët të tregojnë atë që kanë shkruar. Ftoni një ose dy studentë të japin dëshmitë e tyre për parimet që kanë mësuar kur studiuan 1 Nefin 7–14 këtë javë.

Para se t’i lini studentët të ikin, kujtohuni të mblidhni ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta dhe të ndiqni më tej si janë plotësuar detyrat.

Njësia Tjetër (1 Nefi 15–19)

Në njësinë tjetër, studentët do të studiojnë më shumë rreth sfidave të Lehit dhe njerëzve të tij teksa vazhduan udhëtimin e tyre në shkretëtirë dhe lundruan drejt tokës së premtimit. Përfytyroni habinë e tyre kur u zgjuan një mëngjes dhe zbuluan një “sferë … me mjeshtëri të çuditshme” – Liahonën. Si funksiononte Liahona, dhe si i udhërrëfente ata? Përse i qortoi Nefi vëllezërit e tij në anije? Si e përshkroi Nefi tokën e premtimit?