Biblioteka
Mësimi 113: Helamani 13


Mësimi 113

Helamani 13

Hyrje

Pak vite para lindjes së Shpëtimtarit, Zoti dërgoi një profet lamanit, të quajtur Samuel, që t’u predikonte nefitëve pendim. Ai u shpalli nefitëve të Zarahemlës lajmet e gëzueshme të shëlbimit nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai gjithashtu u përball me ta për kundërshtimin e tyre ndaj profetëve dhe prirjen e tyre për ta kërkuar lumturinë në paudhësi. Ai i paralajmëroi për shkatërrimin që do t’u vinte nëse nuk pendoheshin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 13

Samueli i paralajmëron nefitët për shkatërrimin e tyre nëse nuk pendohen

Përpara orës së mësimit, përgatitni fletushkën që gjendet në fund të këtij mësimi. Mund të jetë mirë ta pritni fletushkën në tre pjesë, secila me nga një detyrë grupi. Përsëri përpara orës së mësimit, kopjojeni në tabelë konspektin e mëposhtëm, nga Helamani 13.

Helamani 13:1–4. Zoti thërret Samuel Lamanitin që t’u predikojë nefitëve.

Helamani 13:5–23. Samueli i paralajmëron nefitët për shkatërrimin që do të vijë mbi ta nëse nuk pendohen.

Helamani 13:24–39. Samueli e paralajmëron popullin për pasojat e flakjes së profetëve dhe të mospranimit për t’u penduar.

Pamja
Samuel Lamaniti mbi Mur

Fillojeni mësimin duke paraqitur pikturën “Samuel Lamaniti mbi Mur” (62370; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 81). Pyetini studentët nëse e dinë përse nefitët deshën ta vrisnin Samuelin. Pasi studentët të përgjigjen, shpjegoni se Helamani 13–16 përmban përmbledhjen për profetin lamanit Samuel. Kjo përmbledhje është e papërsëritshme, sepse për të vetmen herë në Librin e Mormonit mësojmë për një profet lamanit që i thërret nefitët në pendim. Gjatë kësaj kohe lamanitët ishin më të drejtë se nefitët. Drejtojuni konspektit në tabelë për t’iu dhënë studentëve një vështrim të përmbledhur për Helamanin 13.

Ndajeni klasën në tri grupe. (Nëse mundet, çdo grup duhet të ketë një numër të barabartë studentësh.) Jepini çdo studenti një kopje të detyrës së grupit të vet (që gjendet në fund të mësimit). Thuajuni studentëve se do ta studiojnë një pjesë të kapitullit Helamani 13 në mënyrë individuale dhe pastaj do t’i mësojnë njëri-tjetrit ato që kanë mësuar vetë. Kërkojini çdo studenti të përgatitet të bëjë mësimin e parimeve nga fragmenti që i është caktuar nga shkrimi i shenjtë e të përgatitë përgjigjet për pyetjet shoqëruese. Jepuni studentëve zgjedhjen për t’i shkruar përgjigjet e tyre. (Kjo veprimtari do t’i lejojë të gjithë studentët të marrin pjesë dhe do të sigurojë një atmosferë sigurie ku studentët mund t’i tregojnë njëri-tjetrit ndjesi, mendime dhe dëshmi.)

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme që të studiojnë më vete, caktojini të punojnë në grupe prej tre vetash. Nëse ka mundësi, çdo grup duhet të përfshijë një student që studioi Helamanin 13:1–7, 11, një që studioi Helamanin 13:17–23 dhe një që studioi Helamanin 13:24–33. Lërini kohë të mjaftueshme çdo studenti t’ua thotë përgjigjet e veta pjesëtarëve të tjerë të grupit. Gjatë diskutimeve në grupe të vogla, ecni përreth klasës dhe vëzhgoni përgjigjet e studentëve. Si të jetë e përshtatshme, shtoni kuptimet tuaja në diskutimet që dëgjoni.

Kur studentët të kenë pasur kohë për ta mësuar njëri-tjetrin, ftojini disa prej tyre që t’i tregojnë të gjithë klasës një të vërtetë ose kuptim që kanë mësuar nga njëri-tjetri gjatë kësaj veprimtarie.

Përmblidheni Helamanin 13:9–14 duke shpjeguar se brenda 400 vitesh nefitët do të shkatërroheshin (shih Helamani 13:9–10) dhe arsyeja e vetme pse nuk qenë shkatërruar tashmë, ishte se mes tyre ende banonin njerëz të drejtë (shih Helamani 13:13–14). Dëshmoni se Samueli u dërgua te nefitët nga Zoti dhe tha ato që Zoti i vuri në zemër ndërsa i ftonte nefitët të pendoheshin e t’i ktheheshin Zotit (shih Helamani 13:11).

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 13:27–28. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejë se si kishin reaguar nefitët ndaj profetëve të rremë.

  • Sipas Samuelit, si reaguan nefitët ndaj atyre që u mësuan pavërtetësi? Si mendoni, pse disa e pranuan këshillën e tij dhe të tjerët e flakën?

  • Si janë të dukshme në kohën tonë të thënat dhe qëndrimet për të cilat lexojmë te Helamani 13:27?

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë këtë thënie nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Mënyra se si reagojmë për fjalët e një profeti të gjallë kur na thotë atë që kemi nevojë ta dimë, por që disi nuk do t’ia vinim veshin, është një provim për besnikërinë tonë” (“Fourteen Fundamentals in Following the Prophet” [fjalim te mbledhja shpirtërore e UBJ, 26 shkurt 1980], f. 3–4, speeches.byu.edu).

  • Cila këshillë e profetëve mund të ishte e vështirë për disa njerëz për t’u ndjekur sot?

  • Cilës këshillë profetike, për shembull, ju keni zgjedhur t’i bindeni? Si u bekuat ju ngaqë ndoqët këtë këshillë?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletore apo ditarë të studimit të shkrimit të shenjtë rreth një mënyre se si mund të përmirësohen në ndjekjen e këshillës së profetëve të gjallë.

Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, kërkojini një studenti të lexojë me zë Helamani 13:33–37. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejnë se ç’do të përjetonin si përfundim nefitët e papenduar dhe ç’do të thonin për veten? Pastaj ftojeni një student tjetër të lexojë me zë Helamani 13:38. Thuajini klasës të kërkojë për të gjetur të vërtetën e trishtueshme që shpalli Samueli në lidhje me brezat e ardhshëm të nefitëve.

  • Çfarë të vërtete të trishtueshme shpalli Samueli për brezat e ardhshëm të nefitëve?

  • Si mendoni, çfarë nënkuptoi Samueli kur tha se “ditët [e tyre] të provës kanë kaluar”? (Brezat e ardhshëm të nefitëve do ta shtynin pendimin derisa për ta do të ishte shumë vonë të pendoheshin. Dhe, ngaqë nuk do të pendoheshin, mëkatet do t’i çonin drejt shkatërrimit.)

  • Çfarë është gabim me të kërkuarit “lumturi duke bërë paudhësi”? (Ndihmojini studentët ta kuptojnë që lumturia e vërtetë vjen vetëm kur i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.)

  • Cilat janë disa mënyra se si njerëzit e kërkojnë lumturinë duke bërë paudhësi?

Kujtojini studentët se ka përmbledhje të tjera te Libri i Mormonit në të cilat individët kanë ngulmuar në rebelim dhe ligësi, derisa zemra iu ngurtësua ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë. (Shembujt përfshijnë Lamanin dhe Lemuelin, të cilët kishin “humbur ndjesinë” [1 Nefi 17:45] dhe nuk pranuan t’ia vinin veshin Perëndisë, si dhe Mbretin Noe dhe popullin e tij, të cilët nuk pranuan të pendoheshin, pavarësisht nga paralajmërimet e profetit Abinadi.) Samueli theksoi se mospranimi i nefitëve për t’u penduar do të çonte në shkatërrimin e popullit të tyre në brezat e ardhshëm.

Ndihmojini studentët të kuptojnë se, në nivel vetjak, ekziston shpresë për të gjithë ata që do të zgjedhin të pendohen. Nëpërmjet pendimit mund të marrim faljen e Zotit dhe ta parandalojmë ngurtësimin e zemrës sonë. Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë se ne mund ta ndreqim rrugën tonë nëpërmjet pendimit, lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

“Gjatë trajnimit tim për t’u bërë kapiten linjeje ajrore, m’u desh të mësoja si të drejtoja një aeroplan në rrugë të gjata. Fluturimet mbi oqeanet gjigande, që kapërcejnë shkretëtira të gjera dhe lidhin kontinentet, kanë nevojë për planifikim të kujdesshëm që të sigurojnë një mbërritje të sigurt në vendin e planifikuar. Disa nga këto fluturime pa ndalesa mund të zgjasin deri në 14 orë dhe të kapërcejnë gati 9.000 milje [14.500 km].

Gjatë fluturimeve të tilla të gjata është një pikë e rëndësishme vendimi, e njohur si pika e kthimit të sigurt. Deri në këtë pikë, aeroplani ka mjaft karburant sa të ndërrojë drejtim e të kthehet i sigurt tek aeroporti nga është nisur. Pasi e ka kaluar pikën e kthimit të sigurt, kapiteni e ka humbur këtë mundësi dhe duhet të vazhdojë më tej. Kjo është arsyeja pse kësaj pike i referohen shpesh si pika e moskthimit.

… Satani do që të mendojmë se, kur kemi mëkatuar, ne kemi shkuar përtej ‘pikës pa kthim’ – që është shumë vonë për ta ndryshuar drejtimin tonë. …

… Për të na bërë ne të humbasim shpresën, të ndiehemi të mjeruar si ai vetë dhe të besojmë se ne jemi përtej mundësive të faljes, Satani mund të abuzojë me fjalët nga librat e shenjta që theksojnë drejtësinë e Perëndisë, me qëllim që të nënkuptohet sikur nuk ka mëshirë. …

Krishti erdhi për të na shpëtuar. Nëse kemi marrë drejtim të gabuar, Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na japë sigurinë se mëkati nuk është pikë pa kthim. Një kthim i sigurt është i mundshëm, nëse do të ndjekim planin e Perëndisë për shpëtimin tonë” (“Pikë e Kthimit të Sigurt”, Liahona, maj 2007, f. 99).

  • Si mund t’i jepnin shpresë komentet e Presidentit Uhtdorf dikujt që ka mëkatuar?

Nxitini studentët të mendohen për të vërtetat që kanë diskutuar. Nxitini që të veprojnë sipas mbresave që kanë marrë nga Fryma e Shenjtë. Dëshmoni se lumturia do t’u vijë atyre që ia vënë veshin ftesës së Zotit për t’u penduar.

Shënim: Përgatitni fletushkën e mëposhtme për tri grupet e përshkruara më përpara në mësim.

Grupi 1 – Helamani 13:1–7, 11

Profetët thonë mesazhet që Perëndia u vë në zemër.

  1. Cilat vargje mendoni se mësojnë këtë të vërtetë?

  2. Çfarë mesazhi vuri Perëndia në zemrën e Samuelit?

  3. Si mendoni, përse mund të ishte e vështirë për Samuelin ta jepte këtë mesazh?

  4. Çfarë ndikimi shpresonte Samueli që do të kishte mesazhi i tij mbi nefitët?

  5. Kur keni ndier ju se një prind ose udhëheqës i Kishës u frymëzua të japë një mesazh për ju? Si ndikoi kjo mbi ju?

  6. Cilat të vërteta shtesë mund të gjeni në këto vargje?

Grupi 2 – Helamani 13:17–23

Kur nuk e kujtojmë Zotin, ne cenohemi nga krenaria dhe paudhësia.

  1. Cilat vargje mendoni se mësojnë këtë të vërtetë?

  2. Çfarë mallkimi tha Samueli se do t’u vinte nefitëve, nëse ngulmonin në paudhësi?

  3. Në çfarë mëkatesh të tjera kishte çuar dashuria e nefitëve për pasuritë?

  4. Cilat janë disa gjëra ku ndoshta të rinjtë vënë zemrën, të cilat çojnë në krenari dhe mëkat?

  5. Si mendoni, përse është domosdoshmëri të “kujtoni Zotin, Perëndinë tuaj në gjërat me anë të të cilave ai ju ka bekuar”? (Helamani 13:22).

  6. Cilat të vërteta shtesë mund të gjeni në këto vargje?

Grupi 3 – Helamani 13:24–33

Nëse i hedhim poshtë fjalët e profetëve të Zotit, ne do të provojmë keqardhje dhe trishtim.

  1. Cilat vargje mendoni se mësojnë këtë të vërtetë?

  2. Sipas Samuelit, përse nefitët i hodhën poshtë profetët e vërtetë?

  3. Si mendoni, përse disa njerëz i pranojnë profetët e rremë, sikurse i përshkroi Samueli?

  4. Cilat janë disa mësime të veçanta të profetëve dhe apostujve të gjallë?

  5. Cilët janë disa “drejtues të marrë dhe të verbër” (Helamani 13:29) që profetët dhe apostujt e gjallë na kanë paralamëruar t’i shmangim?

  6. Cilat të vërteta shtesë mund të gjeni në këto vargje?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 13:3. “Çdo gjë që do të vinte në zemrën e tij”

Profeti Samuel nuk mori përsipër të vendoste vetë se çfarë t’u predikonte nefitëve. Ne lexojmë te Helamani 13:3 se ai dha si mësim “çdo gjë që do të vinte në zemrën e tij”. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si na vjen më së shpeshti një zbulesë e tillë:

“Zbulesa vjen si fjalë të cilat më shpesh i ndiejmë sesa i dëgjojmë. Nefi u tha vëllezërve të tij të pabindur, të cilët i vizitoi një engjëll: ‘Ju kishit humbur ndjesinë, [saqë] ju nuk mund të ndienit fjalët e tij’.[1 Nefi 17:45; theksimi iu shtua.]

Shkrimet e shenjta janë plot shprehje të tilla si: ‘Veli u hoq nga mendjet tona dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën’ [DeB 110:1] apo ‘Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde’, [DeB 8:2] apo ‘Unë vërtet e ndriçova mendjen tënde’, [DeB 6:15] apo ‘Flisni mendimet që unë do të vë në zemrat tuaja’.[DeB 100:5.] Ka qindra vargje të cilat mësojnë për zbulesën” (“Personal Revelation: The Gift, the Test, and the Promise”, Ensign, nëntor 1994, f. 60).

Helamani 13:23–29. Ndjekja e profetit të gjallë

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e ndjekjes së profetëve dhe apostujve të gjallë:

“Vëllezër e motra të mia, ju lutem kushtojuni vëmendje atyre gjërave që udhëheqësit e Kishës kanë lënë mësim. … Zbatojini mësimet që do t’ju ndihmojnë ju dhe familjen tuaj. Të gjithë ne, pavarësisht rrethanave tona familjare, le të përfshijmë në shtëpitë tona mësimet e profetëve dhe apostujve për t’i forcuar marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin dhe me Atin tonë në Qiell e me Zotin Jezu Krishti. Ju premtoj në emrin e Zotit se, nëse do të dëgjoni jo thjesht me vesh, por edhe me zemër, Fryma e Shenjtë do t’jua shpërfaqë të vërtetën e mesazheve që jepen nga [Presidenti i Kishës], këshilltarët e tij, Apostujt dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës. Shpirti do t’ju orientojë që të dini se ç’duhet të bëni si individë e si familje, me qëllim që ta ndiqni këshillën tonë, që dëshmitë tuaja të mund të forcohen dhe që ju të mund të keni paqe e gëzim” (“His Word Ye Shall Receive”, Ensign, maj 2001, f. 67).

Helamani 13:38. Lumturia nuk mund të gjendet duke bërë paudhësi

Samueli i paralajmëroi nefitët se, nëse do të ngulmonin ta kërkonin lumturinë duke bërë paudhësi, do të shkatërroheshin. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësimin që lumturia vjen vetëm nëpërmjet drejtësisë:

“A e keni vënë re se si vepron Satani për ta zaptuar mendjen dhe emocionet me figura të ndezura, muzikë gjëmuese dhe nxitje të çdo ndjesie fizike deri në tepri? Ai përpiqet me zell për ta mbushur jetën me aksion, argëtim dhe nxitje, me qëllim që një person të mos mund të mendojë për pasojat e ndjelljeve të tij tunduese. Mendoni për të. Disa tundohen të shkelin urdhërimet më themelore të Perëndisë, në saje të veprimeve joshëse të paraqitura si të pranueshme. Ato janë bërë për t’u dukur tërheqëse, madje të dëshirueshme. Nuk duket të ketë asnjë pasojë të rëndë, në vend të gëzimit e lumturisë në dukje të qëndrueshme. Por kuptojeni se ato shfaqje kontrollohen nga skenarë dhe aktorë. Edhe rrjedhoja e vendimeve të marra manipulohet që të jetë sipas dëshirës së prodhuesit.

Jeta nuk është ashtu. Po, liria morale e zgjedhjes ju lejon të zgjidhni atë që dëshironi, por ju nuk mund ta kontrolloni rrjedhojën e atyre zgjedhjeve. Ndryshe nga krijimet e rreme të njeriut, Ati ynë në Qiell vendos për pasojat e zgjedhjeve tuaja. Bindja do të sjellë lumturi, ndërsa shkelja e urdhërimeve të Tij jo” (“How to Live Well amid Increasing Evil”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 102).

Helamani 13:38. “Pafundësisht tepër vonë”

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

“Është e vërtetë se parimi i madh i pendimit është gjithnjë i përdorshëm, por për të ligjtë dhe rebelët ka shqetësime serioze te kjo thënie. Për shembull, mëkati është tepër zakonformues dhe nganjëherë i shtyn njerëzit në pikën e tmerrshme të moskthimit. Pa pendim nuk mund të ketë falje dhe pa falje të gjitha bekimet e përjetësisë rrezikojnë humbjen. Teksa shkelësi shtyhet thellë e më thellë në mëkatin e tij dhe gabimi ngulitet më thellë e dobësohet vullneti për të ndryshuar, ndryshimi bëhet gjithnjë e më i pashpresë dhe shkelësi shket poshtë e më poshtë, derisa ai ose të mos dëshirojë që të ngjitet sërish lart, ose ta ketë humbur fuqinë për të vepruar kështu” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 117).