Biblioteka
Mësimi 132: 3 Nefi 24–26


Mësimi 132

3 Nefi 24–26

Hyrje

Jezu Krishti e përmbushi një urdhërim nga Ati Qiellor për të ndarë me nefitët disa profeci nga profeti Malakia (shih 3 Nefi 26:2). Këto profeci na mësuan se anëtarët e shtëpisë së Izraelit kishin nevojë të pendoheshin dhe të ktheheshin te Zoti në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Jezu Krishti gjithashtu u shpjegoi nefitëve “të gjitha gjërat, madje që nga fillimi dhe deri në kohën që ai do të vijë në lavdinë e tij” (3 Nefi 26:3). Mormoni na mësoi se ata që e besojnë Librin e Mormonit, do të kenë madje gjëra më të mëdha që do t’iu tregohen atyre (shih 3 Nefi 26:9).

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 24:1–6

Jezu Krishti citon profecinë e Malakias lidhur me Ardhjen e Dytë

Fillojeni orën mësimore duke mbajtur lart një shkrepse dhe një kallëp sapuni (ose vizatoni në tabelë një pikturë të një zjarri dhe të një kallëpi sapuni). Pyetni studentët se çfarë kanë të përbashkët zjarri dhe sapuni. (Si sapuni dhe zjarri mund të përdoren si veprues pastrimi ose që heqin papastërtitë.)

Shpjegoni se Jezu Krishti e përmbushi një urdhërim nga Ati (shih 3 Nefi 26:2) për t’u dhënë nefitëve disa prej profecive të Malakias, një profet i Dhiatës së Vjetër që jetoi në Tokën e Shenjtë rreth 170 vjet pasi Lehi dhe familja e tij të largoheshin nga Jerusalemi. Vërini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 24:1–3, duke kërkuar dikë që Malakia e krahasoi me “zjarri[n e] një rafinuesi” dhe me “sod[ën] e larësve”.

  • Kush krahasohet me zjarrin e një rafinuesi dhe me sodën e larësve? (Jezu Krishti.)

  • Cila ngjarje përshkruhet në këto vargje? (“Dita e ardhjes së tij.” Me fjalë të tjera, Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Që t’i ndihmoni studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i hedhin një sy kreut të kapitullit ose shënimeve në fund të faqes.)

  • Çfarë sugjeron krahasimi i Jezu Krishtit me zjarrin dhe sodën se do të ndodhë në Ardhjen e Dytë të Tij? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Në Ardhjen e Tij të Dytë, Jezu Krishti do ta pastrojë botën. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta pranë 3 Nefit 24:2–3.)

Shpjegoni se një rafinues e përdor zjarrin për ta nxehur një metal si argjendi ose ari deri sa arrin një gjendje të lëngshme. Procesi i nxehjes e lejon zgjyrën, ose papastërtitë, të dalin në sipërfaqen e metalit të lëngët, kur rafinuesi mund t’i heqë ato, duke e pastruar kështu metalin nga papastërtitë e tij. Një larës është dikush që pastron ose zbardh tekstilet duke përdorur sodë ose sapun. Ju gjithashtu mund të keni nevojë të shpjegoni se “bijtë e Levit” ishin mbajtës të priftërisë në Izraelin e lashtë. Sot fraza mund t’iu drejtohet mbajtësve të priftërisë në kohën e sotme (shih DeB 84:33–34).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 24:5–6. I kërkoni klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojë se kush do të konsumohet, ose shkatërrohet, në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe kush nuk do të konsumohet. (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se fraza “bijtë e Jakobit” i drejtohet popullit të besëlidhjes së Zotit në shtëpinë e Izraelit.)

  • Sipas 3 Nefit 24:5, çfarë do të bëjë Jezu Krishti në Ardhjen e Tij të Dytë? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Jezu Krishti do t’i shkatërrojë të ligjtë në Ardhjen e Tij të Dytë.)

3 Nefi 24:7–18

Jezu Krishti citon mësimet e Malakias lidhur me mënyrën se si shtëpia e Izraelit mund të kthehet te Zoti

Ftoni studentët të përfytyrojnë se kanë një shok/shoqe të afërt ose një anëtar të familjes që po has vështirësi për ta ndier dashurinë dhe ndikimin e Zotit dhe të ruajë një dëshmi të ungjillit.

  • Çfarë do të bëni që të përpiqeni për ta ndihmuar këtë person?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 24:7 dhe u kërkoni atyre të përcaktojnë këshillën e Zotit ndaj atyre që kishin filluar të largoheshin prej Tij dhe prej mbajtjes së besëlidhjeve të tyre me Të.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë që njerëzit ishin “larguar” nga ordinancat e Zotit? (Ata nuk po i mbanin më besëlidhjet dhe ordinancat e ungjillit.)

  • Çfarë premtimi u dha Zoti atyre që nuk po i mbanin besëlidhjet e tyre? (“Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju.”)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të “ktheh[eni]” te Zoti? Si mendoni ju, çfarë do të thotë që Zoti do të “kthehe[t]” tek ata që kthehen tek Ai?

Shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse ne vërtet do të kthehemi te Zoti, Ai do të kthehet tek ne.

  • Çfarë ju mëson ky parim rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Në tabelë, shkruani Kthehuni te Zoti. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 24:8–12, duke kërkuar një mënyrë se si Zoti u tregoi njerëzve se si mund të ktheheshin tek Ai. Ndërsa përgjigjen studentët, shkruani paguani të dhjetat dhe ofertat nën fjalët Kthehuni te Zoti.

  • Si është gatishmëria për të paguar të dhjetën një tregues se dikush i ka vendosur dashurinë dhe pasionet e tij te Zoti?

Ftojeni një student të lexojë thënien që vijon, nga Presidenti Gordon B. Hinkli:

“Ne mund ta paguajmë të dhjetën tonë. Kjo nuk është dhe aq një çështje parash, sesa është një çështje besimi” (“Let Us Move This Work Forward”, Ensign, nëntor 1985, f. 85).

  • Si është një tregues i besimit tonë në Zotin gatishmëria jonë për t’i paguar të dhjetat dhe ofertat?

U jepni studentëve kohë për të shqyrtuar në heshtje 3 Nefin 24:10–12. U kërkoni atyre të përcaktojnë premtimet e Zotit për ata që paguajnë një të dhjetë të plotë dhe të ndershme.

  • Në çfarë mënyrash jeni bekuar si rezultat i pagimit të së dhjetës suaj? Si janë këta shembuj të “dritare[ve të] qiellit” duke u hapur për ju?

Përmblidhni 3 Nefin 24:13–18 duke shpjeguar se në këto vargje Zoti vuri në dukje se disa njerëz në Izraelin e lashtë kishin vënë në dyshim nevojën për t’i zbatuar ordinancat e ungjillit. Ata u ankuan se krenarët dhe të ligjtë dukej se po përparonin pavarësisht nga padrejtësia e tyre. Në 3 Nefin 24:16, Zoti u përgjigj se një “libër kujtimi” do të mbahej, ku emrat e besimtarëve do të shënoheshin (shih DeB 85:7–9; 128:6–7; Moisiun 6:5–8). Zoti më pas vuri në dukje se, kur të vijë përsëri, Ai do t’i ruajë besimtarët dhe do t’i ruajë ata për veten e Tij si thesar, ose do t’i “mbledh[ë] xhevahiret e [Tij]”.

  • Në ç’mënyrë është bekim të dimë se Zoti do t’i ruajë besimtarët dhe do t’i bëjë ata thesarin e Tij?

  • 3 Nefin 24:16, cilat fraza përshkruajnë ata që do t’i ruajë Zoti si thesarin e Tij? (“Ata që kishin frikë nga Zoti” dhe që e “respektonin emrin e tij.”)

Shkruani kanë frikë Zotin dhe respektojnë emrin e Zotit nën Kthehuni te Zoti. (Ju mund të doni të shpjegoni se në këtë kontekst, fjala frikë do të thotë nderim ose respekt.) Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes që vijon në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Merrni parasysh se si gjendeni në fushat e pagimit të së dhjetës e ofertave dhe të menduarit shpesh për Krishtin. Në çfarë mënyrash mund të “ktheh[eni]” tek Ai dhe të përmirësoheni në këto fusha?

3 Nefi 25

Jezu Krishti citon profecinë e Malakias se Elija do të kthehej përpara Ardhjes së Dytë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 25:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar një arsye përse Ardhja e Dytë do të jetë një bekim për ata që janë besnikë ndaj Jezu Krishtit. Ftoni studentët të raportojnë atë që gjejnë. Mund t’ju duhet të shpjegoni se tek 3 Nefi 25:1, fjala rrënjë ka mundësi t’i drejtohet paraardhësve dhe fjala degë pasardhësve. Kështu, në jetën që vjen, të ligjtë nuk do të gëzojnë bekimet e të qenit të vulosur me paraardhësit dhe pasardhësit e tyre. Tek 3 Nefi 25:2, fraza “viça stalle” u drejtohet viçave që janë të sigurt, të ushqyer mirë dhe për të cilët tregohet kujdes. Zoti premton se, në mënyrë të ngjashme, Ai do të mbrojë dhe do të kujdeset për ata që i “tremben emrit [të Tij]”.

Shpjegoni se Malakia profetizoi rreth një ngjarjeje që do të ndodhte përpara Ardhjes së Dytë dhe që do të përfshinte profetin e Dhiatës së Vjetër, Elijan. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 25:5–6 dhe vëreni klasën të kërkojë për atë që Elija do të bënte për ta ndihmuar botën të përgatitej për ardhjen e Zotit.

I pyetni studentët se çfarë dinë rreth kthimit të Elijas në tokë si pjesë e Rivendosjes së ungjillit. Ju mund të dëshironi t’i plotësoni përgjigjet e tyre duke shpjeguar se më 3 prill 1836 Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit në tempullin e sapopërkushtuar të Kirtlandit (shih DeB 110:13–16). Në atë kohë, Elija rivendosi çelësat e priftërisë të nevojshëm për vulosjen e familjeve për përjetësinë në tempujt e shenjtë të Zotit. Nëpërmjet kërkimit të historisë familjare, ne përcaktojmë anëtarë të familjes për të cilët mund të kryhen ordinancat e tempullit.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë që Elija do t’i “kth[ente] zemrat e etërve tek fëmijët dhe zemrat e fëmijëve tek etërit e tyre”?

  • Si është bekim për ju të dini se ju mund të vuloseni me familjen tuaj për përjetësinë?

Dëshmoni se, kur zemrat tona kthehen tek etërit tanë nëpërmjet historisë familjare dhe punës në tempull, ne po ndihmojmë për ta përgatitur tokën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

3 Nefi 26:1–12

Jezu Krishti shpjegon shkrimet e shenjta dhe Mormoni na mëson se çfarë duhet të bëjmë për të marrë gjërat më të mëdha që zbuloi Shpëtimtari

Përmblidhni 3 Nefin 26:1–5 duke shpjeguar se, pasi Shpëtimtari u tregoi profecitë e Malakias, Ai u mësoi njerëzve “të gjitha gjërat që do të ndodhin mbi faqen e dheut” nga Krijimi deri në Gjykimin Përfundimtar (3 Nefi 26:3–4).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 26:6–8 dhe vëreni klasën të kërkojë se sa shumë prej asaj që u mësoi Jezu Krishti, u shënua në analin e Librit të Mormonit. Më pas i ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 26:9–11, duke kërkuar arsyen përse Mormoni nuk e përfshiu në përmbledhjen e tij gjithçka që Shpëtimtari u mësoi nefitëve. Theksoni se fjala besojnë në këto vargje nënkupton se ne kemi nevojë të veprojmë sipas doktrinave dhe parimeve që ka zbuluar Perëndia dhe jo thjesht të shpresojmë se ato janë të vërteta.

  • Sipas 3 Nefit 26:9, çfarë u premton Zoti atyre që besojnë dhe veprojnë sipas asaj që Ai ka zbuluar? (Ndërsa përgjigjen studentët, theksoni se, kur besojmë dhe veprojmë sipas asaj që ka zbuluar Perëndia, ne përgatitemi vetë për të marrë zbulesë më të madhe.)

  • Si mendoni ju, përse është e nevojshme që të besojmë në të vërtetat që tashmë kemi marrë, përpara se të mund të marrim të vërtetë shtesë?

  • Si mund të tregojmë se ne e besojmë atë që ka zbuluar Zoti?

U premtoni studentëve se, ndërsa studiojnë dhe zbatojnë me besnikëri parimet në Librin e Mormonit, ata do të marrin të kuptuar më të madh të ungjillit. I ndihmoni studentët të përsiatin se sa mirë po i pranojnë të vërtetat në Librin e Mormonit, duke i ftuar ata t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

  • Çfarë po bëni në jetën tuaj që e demonstron besimin tuaj në Librin e Mormonit?

  • Kur ju ka bërë leximi me qëllim të vërtetë i Librit të Mormonit të merrni zbulesë personale?

3 Nefi 26:13–21

Shpëtimtari e përfundon shërbesën e Tij tokësore mes nefitëve dhe dishepujt e Tij ndjekin shembullin e Tij në shërbesën e tyre

Shpjegoni se tek 3 Nefi 26, Mormoni përmblodhi pjesën e mbetur të shërbesës së Shpëtimtarit mes nefitëve. Ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 26:13–16. Ju mund të sugjeroni që ata t’i shenjojnë disa nga gjërat që bëri Shpëtimtari, të cilat zgjodhi t’i theksonte Mormoni.

Nëse e lejon koha, i ftoni studentët të shqyrtojnë dhe të përsiatin shënimet e tyre dhe shenjimet e shkrimeve të shenjta nga studimi i tyre i 3 Nefit 11–25. Nxitini ata të kërkojnë mësime dhe ngjarje nga shërbesa e Shpëtimtarit mes nefitëve, të cilat janë domethënëse ose mbresëlënëse për ta. Ftoni dy ose tre studentë t’i shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth shërbesës së Shpëtimtarit mes nefitëve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 24:11. Bekime për bindjen ndaj ligjit të së dhjetës

Presidenti Gordon B. Hinkli na mësoi:

“Zoti ka premtuar se ai do ta qortojë gllabëruesin për hatërin tonë. A mund të mos zbatohet ai qortim i gllabëruesit tek përpjekjet dhe shqetësimet tona të ndryshme personale?

Atje gjendet bekimi i madhërishëm i urtësisë, i dijes, madje i thesareve të fshehura të dijes. Na premtohet se e jona do të jetë një tokë gëzimsjellëse, në qoftë se ne vërtet do të ecim në bindje ndaj këtij ligji. Unë mund ta interpretoj fjalën tokë si njerëz, se ata që ecin në bindje, do të jenë një popull gëzimsjellës. Çfarë gjendje e mrekullueshme që të jesh një popull gëzimsjellës, të cilin të tjerët do ta përshkruajnë si të bekuar!” (“Tithing: An Opportunity to Prove Our Faithfulness”, Ensign, maj 1982, f. 40).

3 Nefi 25:1–6. “Unë do t’ju dërgoj Elijan”

Presidenti Jozef Filding Smith komentoi mbi shfaqjen e Elijas te Profeti Jozef Smith dhe Oliver Kaudëri:

“Është interesante të dimë se në ditën e tretë të prillit 1836, judenjtë po festonin festën e Pashkës dhe po i linin dyert e shtëpive të tyre të hapura për ardhjen e Elijas. Në atë ditë Elija erdhi, por jo në shtëpitë judease, por në tempullin në fshatin e Kirtlandit … te dy shërbëtorë të përulur të Zotit” (Church History and Modern Revelation, 4 vëll. [1946], 3:84).

Për ta bërë këtë pohim, Presidenti Smith iu referua një praktike tradicionale të popullit judeas, të cilët e besojnë profecinë e Malakias rreth kthimit të Elijas (shih Malakia 4:5–6). Çdo Pashkë, shumë familje judease, besnike, hanë një darkë pashke dhe shtrojnë një pjatë më tepër në tavolinë për Elijan. Ata i lënë dyert e tyre të hapura në rast se Elija vendos të bashkohet me ta.

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë e vizitës së Elijas në tempullin e Kirtlandit:

“Kthimi i Elijas në tokë ndodhi në tempullin e parë të ndërtuar në këtë periudhë ungjillore, ku ai dhe lajmëtarë të tjerë qiellorë, nën drejtimin e Zotit, i besuan Kishës së rivendosur çelësa të veçantë të autoritetit të priftërisë.

Elija nuk erdhi vetëm për të nxitur kërkimin për paraardhësit. Ai gjithashtu i mundësoi familjet për t’u bashkuar përjetësisht përtej lidhjeve të vdekshmërisë. Me të vërtetë, mundësia për familjet që të vulosen përgjithmonë është arsyeja e vërtetë për kërkimin tonë” (“A New Harvest Time”, Ensign, maj 1998, f. 34).

3 Nefi 25:1–6. “Mësoni rreth Shpirtit të Elijas dhe përjetojeni atë”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“I ftoj të rinjtë e Kishës që të mësojnë e të përjetojnë Shpirtin e Elijas. Ju inkurajoj që të studioni, të gjeni paraardhësit tuaj e të përgatiteni për të kryer pagëzime mëkëmbëse në shtëpinë e Zotit për të vdekurit e farefisit tuaj (shih DeB 124:28–36). Dhe ju nxis që të ndihmoni njerëz të tjerë për të gjetur historitë e tyre familjare.

Kur i përgjigjeni me besim kësaj ftese, zemra juaj do të kthehet drejt etërve. Premtimet që iu bënë Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, do të nguliten në zemrën tuaj. Bekimi juaj patriarkal, me shpalljen prej tij të linjës së prejardhjes, do t’ju lidhë te këta etër e do të jetë për ju më kuptimplotë. Dashuria dhe mirënjohja juaj për paraardhësit tuaj do të shtohet. Dëshmia juaj për Shpëtimtarin për kthimin në besim tek Shpëtimtari do të bëhet e thellë dhe e qëndrueshme. Dhe unë ju premtoj se do të jeni të mbrojtur ndaj ndikimit në rritje të kundërshtarit. Ndërsa merrni pjesë dhe e doni këtë punë të shenjtë, ju do të mbroheni në rini dhe gjatë gjithë jetës suaj” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 26–27).

3 Nephi 25:6. Zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre

Gati rreth vitit 430 pr. K., profeti Malakia profetizoi se Elija do të kthehej në tokë “para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit” (Malakia 4:5). Kjo profeci është e një rëndësie të tillë që gjendet në Bibël, në Librin e Mormonit, në Doktrinën e Besëlidhjet dhe në Perlën me Vlerë të Madhe (shih Malakia 4:5–6; 3 Nefi 25:5–6; DeB 2:1–3; Joseph Smith–Historia 1:37–39). Kjo profeci zbulon se një nga qëllimet e kthimit të Elijas ishte t’i kthente zemrat e fëmijëve tek etërit e tyre.

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi disa mënyra sipas të cilave zemrat e fëmijëve po kthehen tek etërit e tyre:

Etërit janë paraardhësit tanë të vdekur, që vdiqën pa privilegjin e marrjes së ungjillit, por që morën premtimin se koha do të vinte kur ai privilegj do t’iu jepej. Fëmijët janë ata që jetojnë tani, të cilët po i përgatitin të dhënat gjenealogjike dhe po i kryejnë ordinancat mëkëmbëse në tempuj.

Kthimi i zemrave të fëmijëve tek etërit po vendos ose po mbjell në zemrat e fëmijëve atë ndjenjë dhe dëshirë që do t’i frymëzojë ata të kërkojnë dokumentet e të vdekurve. Për më tepër, mbjellja e dëshirës dhe e frymëzimit në zemrat e tyre është e nevojshme. Këtë ata duhet ta kenë me qëllim që të mund të shkojnë në shtëpinë e Zotit dhe të kryejnë punën e nevojshme për etërit e tyre, të cilët vdiqën pa njohuri të ungjillit ose pa privilegjin e marrjes së plotësisë së ungjillit” (Doctrines of Salvation, redakt. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–56], 2:127–128).