Biblioteka
Mësimi 158: Moroni 9


Mësimi 158

Moroni 9

Hyrje

Në letrën e tij të fundit të regjistruar, drejtuar birit të tij, Moronit, Mormoni shprehu keqardhjen për gjendjen në ligësi të nefitëve. Ai e nxiti Moronin të punonte me zell për t’i ndihmuar nefitët të pendoheshin. Mormoni gjithashtu tregoi vuajtjet e popullit që shkaktoheshin nga ligësia e tyre. Pavarësisht nga gjendja e korruptuar e popullit të tij, ai e nxiti Moronin që të ishte besnik te Jezu Krishti dhe të kishte shpresë në premtimin për jetë të përjetshme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 9:1–20

Mormoni vajton për ligësinë e nefitëve dhe të lamanitëve

Kërkojuni studentëve të përsiatin nëse janë përpjekur ndonjëherë të ndihmojnë dikë, duke parë vetëm atë që përpjekjet e tyre u kundërshtuan.

  • Si mund të reagojnë disa njerëz kur qëllimet e tyre të mira kundërshtohen vazhdimisht nga ata që po përpiqen t’i ndihmojnë?

Shpjegojini klasës se Moroni 9 është një letër e shkruar nga profeti Mormon drejtuar birit të tij, Moronit. Ftojini të kërkojnë mënyrën se si Mormoni e nxiti birin e tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 9:1. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për fjalën që Mormoni përdori për të përshkruar situatën e nefitëve. Pasi studentët të përgjigjen, mund t’ju duhet të shpjegoni që fjala e dhimbshme i drejtohet diçkaje që është shumë lënduese, hidhëruese apo dëshpëruese.

Shkruani referencat vijuese nga shkrimet e shenjta në tabelë: Moroni 9:2–5; Moroni 9:7–10; Moroni 9:16–19. Ndajini studentët në tri grupe. Caktojini çdo grupi të lexojë një nga fragmentet e shkrimit të shenjtë të renditur në tabelë, duke parë për gjërat e dhembshme që përshkroi Mormoni. Ftojeni një student nga secili grup të raportojë për atë që gjejnë. (Nëse studentët të cilëve iu caktua Moroni 9:2–5 nuk përmendin fjalën zemërim, ju mund të doni ta përmendni rolin që zemërimi luajti në ngjarjet e tmerrshme që përshkroi Mormoni.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Moroni 9:11–15, 20. Kërkojuni studentëve të kërkojnë arsyet pse ishte i hidhëruar Mormoni nga gjendja e popullit të tij. Bëni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët të analizojnë këto vargje:

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “pa qytetërim”? (Moroni 9:11). (Të veprosh si i paqytetëruar – pa sqimë apo vetëpërmbajtje; të mos kesh respekt për personat e tjerë; të shpërfillësh ligjet që drejtojnë shoqërinë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “[pa] parime”? (Moroni 9:20). (Të jetosh pa standarde dhe pa respektuar e mbajtur urdhërimet e Perëndisë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “[pa] ndjenja”? (Moroni 9:20). (Të jesh me zemër të ngurtësuar kundër Shpirtit të Zotit dhe Dritës së Krishtit dhe të mos dallosh midis së drejtës dhe së gabuarës.)

  • Çfarë faktesh shihni sot në botë që disa njerëz janë pa qytetërim, janë pa parim dhe janë pa ndjenja?

Ju mund të doni që të theksoni se Mormoni tha që populli i tij ra në këtë gjendje ligësie brenda vetëm pak vitesh (shih Moroni 9:12).

Shpjegoni se, ashtu sikurse profeti Ethër i kombit jaredit, Mormoni dëshmoi zemërimin dhe ligësinë që kishte mposhtur popullin e tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 9:4. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të dëgjojë për atë që Moroni kishte frikë lidhur me nefitët. (Ai kishte frikë se “Shpirti i Zotit [pati] pushuar së përpjekuri me ta”.)

  • Mormoni përmendi se ai po “puno[nte] me [popullin e tij] vazhdimisht”. Përse Mormoni, apo një udhëheqës i Kishës sot, mund të vazhdojë të punojë midis njerëzve që zemërohen ose e ngurtësojnë zemrën e tyre kundër fjalës së Perëndisë?

Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ne duhet të punojmë me zell në shërbim të Perëndisë, edhe nëse ata të cilëve u shërbejmë nuk përgjigjen pozitivisht. Shpjegoni se kjo është e vërtetë edhe kur ata të cilëve u shërbejmë janë fajtorë për një mëkat të rëndë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 9:6. Kërkojuni studentëve ta ndjekin, duke parë për arsyet përse duhet të punojmë me zell në shërbim të Perëndisë, edhe nëse ata të cilëve u shërbejmë nuk na përgjigjen pozitivisht. Pasi studentët raportojnë atë që kanë gjetur, paraqituni atyre situatat e mëposhtme (ose krijoni disa nga vetja) për t’i ndihmuar që të shqyrtojnë se si kjo e vërtetë mund të zbatohet në jetën e tyre. Ftojeni një apo më shumë studentë të shpjegojnë se si mund ta zbatojnë të vërtetën në tabelë në secilën situatë që paraqitni.

  1. Si presidente e klasës së Të Rejave, ju jeni përgjegjëse për pesë të reja të tjera në lagjen tuaj. Një nga këto të reja nuk ka ardhur në mbledhjet apo veprimtaritë e kishës për më shumë se një vit. Pasi e keni ftuar personalisht gjatë tre muajve të kaluar që të vijë, ajo ende nuk ka ardhur në ndonjë mbledhje apo veprimtari.

  2. Si mësues shtëpie, ju punoni me zell për t’i shërbyer secilës nga familjet që ju kanë caktuar. Gjithsesi, për pak muaj të kaluar, një nga familjet tuaja nuk iu është përgjigjur thirrjeve tuaja telefonike apo nuk jua ka hapur derën kur jeni ndalur atje.

  3. Ju ndiheni i nxitur të ftoni një nga miqtë tuaj të mirë për t’u takuar me misionarët. Ai nuk e pranon ftesën tuaj, por ju përsëri vazhdoni të ndieni nxitje që ta pyetni përsëri.

Ndani thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, i cili na nxiti të këmbëngulim në përpjekjet tona për të punuar midis fëmijëve të Perëndisë. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë gjithçka që i shtyn të punojnë me zell për t’i ndihmuar të tjerët.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ajo është një besëlidhje që bëjmë me Perëndinë për t’i mbajtur të gjitha urdhërimet e Tij dhe për të dhënë shërbim, siç Ai do ta kishte dhënë nëse do të ishte personalisht i pranishëm. Të jetuarit me atë standard sa më mirë që të mundemi, ndërton forcën që do të na duhet për të duruar deri në fund.

Përgatitës të efektshëm të priftërisë më kanë treguar si ta ndërtoj atë forcë: ajo është të krijosh një zakon të kapërcimit të lodhjes dhe frikës që mund t’ju bëjë të mendoni të hiqni dorë. Këshilltarët e mrekullueshëm të Zotit më kanë treguar se fuqia e qëndrueshme shpirtërore vjen nga të punuarit përtej kufirit, ndërkohë që të tjerët do të çlodheshin. …

… Unë ju premtoj se, nëse ju bëni gjithçka që mundeni, Perëndia do ta rritë forcën dhe urtësinë tuaj” (“Përgatitja në Priftëri: ‘Unë Kam Nevojë për Ndihmën Tuaj’”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 58–59).

  • Çfarë dha mësim Presidenti Ajring që ju shtyn të punoni me zell në shërbimin tuaj ndaj Zotit, pavarësisht se sa pranohen përpjekjet tuaja?

Lexoni historinë vijuese nga Plaku Mervin B. Arnold, i Të Shtatëdhjetëve, rreth një udhëheqësi priftërie që punonte me zell me një të ri edhe pse ai kishte hasur kundërshtim vazhdimisht. Ftojini studentët të dëgjojnë për atë që pa më në fund i riu tek udhëheqësi i tij i priftërisë.

“Si anëtar i presidencës së degës në Fortalesa, Brazil, Vëllai Markes me udhëheqës të tjerë të priftërisë hartuan një plan për të riaktivizuar ata që ishin më pak aktivë në degën e tij. Një nga ata që ishte më pak aktiv, qe një i ri me emrin Fernando Arauho. Kohët e fundit unë fola me Fernandon dhe ai më tregoi për përvojën e tij:

‘Unë u përfshiva në garat e sërfit të dielave në mëngjes dhe nuk shkoja më në mbledhjet e mia të Kishës. Një të diel në mëngjes Vëllai Markes trokiti në derën time dhe e pyeti nënën time joanëtare nëse mund të fliste me mua. Kur ajo i tha se po flija, ai kërkoi leje të më zgjonte. Ai më tha: “Fernando, ti je vonë për në kishë!” Duke mos i dëgjuar justifikimet e mia, ai më mori në kishë.

Të dielën tjetër ndodhi e njëjta gjë, kështu që të dielën e tretë unë vendosa të dal herët që ta shmangia atë. Ndërsa hapa portën e gjeta atë ulur në makinën e tij, duke lexuar shkrimet e shenjta. Kur më pa, ai tha: “Mirë! Ti je ngritur herët. Sot do të shkojmë dhe do të gjejmë një të ri tjetër!” Unë u justifikova se kisha lirinë time të zgjedhjes, por ai tha: “Ne mund të bisedojmë për këtë më vonë”.

Pas tetë të dielash nuk shpëtoja dot prej tij, kështu që vendosa të flija te shtëpia e një miku. Isha në bregdet të nesërmen në mëngjes kur pashë një burrë të veshur me kostum dhe me kravatë duke ecur drejt meje. Kur pashë se ishte Vëllai Markes, vrapova në ujë. Krejt papritur, ndjeva dorën e dikujt në supin tim. Ishte Vëllai Markes, në ujë gjer te gjoksi i tij! Ai më mori nga dora dhe tha: “Je vonë! Le të shkojmë.” Kur thashë se nuk kisha rroba për të veshur, ai u përgjigj: “Janë në makinë”.

Atë ditë ndërsa dilnim nga oqeani, u preka nga dashuria e sinqertë dhe shqetësimi i Vëllait Markes për mua. … Vëllai Markes jo thjesht më çoi me makinë në kishë – kuorumi e bëri të sigurt që unë të qëndroja aktiv. Ata planifikuan veprimtari që më bënë të ndjehesha i nevojshëm dhe i kërkuar, unë mora një thirrje dhe anëtarët e kuorumit u bënë miqtë e mi’” (“Strengthen Thy Brethren”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 46–47).

Shpjegoni se si anëtarë të Kishës, ne të gjithë kemi punë të rëndësishme për të bërë në këtë jetë. Shembujt e Mormonit, Moronit dhe Vëllait Markes mund të na nxitin në ato punë kur jemi shkurajuar apo e gjejmë veten të papranuar nga ata të cilëve duhet t’u shërbejmë.

Moroni 9:21–26

Mormoni e nxit Moronin të jetë besnik

Ftojini studentët të përmendin ndonjë ngjarje të kohës së fundit në bashkësinë apo kombin e tyre ose në botë që mund të bëjë që njerëzit të ndihen të shkurajuar.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 9:21–22, 25–26. Kërkojuni të kërkojnë këshillën që Mormoni i dha Moronit mbi atë se çfarë duhej të bënte në rrethanat e veta shkurajuese. Për t’i ndihmuar studentët t’i analizojnë këto vargje, bëni pyetjet vijuese:

  • Në këto vargje, cilat fjalë dhe fraza tregojnë se si ndihej Mormoni ndaj birit të tij Moronit?

  • Çfarë sugjeroi Mormoni se duhej të “qëndro[nte] në mendjen [e Moronit] përherë”? (Moroni 9:25.) Si mundet të na ndihmojë të kujtuarit e Shpëtimtarit dhe e Shlyerjes së Tij kur jemi të shkurajuar apo kur jemi të rrethuar nga ligësia?

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si të reagojmë ndaj vështirësive dhe ligësisë që mund të na rrethojnë? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të shprehin që nëse jemi besnikë në Jezu Krishtin, Ai do të na ngrejë edhe kur na rrethojnë vështirësitë dhe ligësia. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë dhe të sugjeroni që studentët ta shkruajnë te shkrimet e shenjta vetjake.)

  • Çfarë përvojash në jetën tuaj apo në jetën e atyre pranë jush tregojnë se ky parim është i vërtetë?

Nxitini studentët të përsiatin mënyra që të mund të jenë më besnikë dhe më të vëmendshëm për Jezu Krishtin edhe kur janë të shkurajuar apo të rrethuar nga ligësia. Dëshmoni për forcën që keni marrë nga të qenit besnik në Jezu Krishtin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 9:18–20. “Nuk kanë ndjenja”

Mormoni i shpjegoi birit të tij, Moronit se populli i tyre “nuk [kishte] parime dhe nuk [kishte] ndjenja” (Moroni 9:20). Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se dështimi për t’iu përgjigjur nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë dhe dështimi për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë mund të na çojnë te kjo gjendje:

“Aftësia jonë për të ndier e kontrollon sjelljen tonë në shumë mënyra dhe me anë të mosveprimit kur ndjenjat tona na nxitin të bëjmë mirë, ne e mpijmë aftësinë tonë për të ndier. Ishte ndjesia e habitshme e Jezusit ndaj nevojave të atyre rreth Tij që e bëri të mundur për Të të përgjigjej në veprim.

Nga ana tjetër e spektrit shpirtëror janë individë si vëllezërit e Nefit që gabonin; Nefi e vuri re pandjeshmërinë e tyre në rritje ndaj gjërave shpirtërore: ‘[Perëndia] ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët e tij’ (1 Nefi 17:45).

Kur bëhemi tepër të veshur me gabime, antenat tona shpirtërore dobësohen dhe ne rrëshqasim përtej mundësisë njerëzore. Kjo mund t’u ngjasë qytetërimeve të tëra. Në vajtimin për birin e tij, Moronin, Mormoni vëren degjenerimin e shoqërisë nefite. Simptomat përfshijnë një ligësi aq të thellë saqë populli i Mormonit përshkruhet prej tij si ata ‘që nuk kanë ndjenja’ (Moroni 9:20). Apostulli Pal vajtoi për epshorësinë shkatërrimtare të anëtarëve të Kishës në Efes, sepse ata patën zhvilluar një mungesë të tillë ndjenjash në gjendjen e tyre saqë ‘u [bënë] të pandjeshëm’ (Efesianëve 4:19). Një shoqëri e zhytur në shthurje morale nuk mund t’i ndiejë vërtet nevojat e anëtarëve të saj që vuajnë sepse, në vend që të zhvillojë dashurinë që drejtohet jashtë vetes, e kthen njeriun në mënyrë egoiste drejt vetes. Mospërfillja ndaj nxitjeve të zërit të qetë, të ulët të Perëndisë do të thotë gjithashtu që ne kemi veshë, por nuk mund të dëgjojmë, jo vetëm nxitjet e Perëndisë, por as lutjet e njerëzve” (A Time to Choose [1972], f. 59–60).

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na paralajmëroi për një prirje tjetër në rritje që çon në një humbje të Shpirtit:

“Bota sa vjen e bëhet më e zhurmshme. Veshja, paraqitja dhe sjellja janë më të lëshuara, më të shkujdesura dhe më të çrregullta. Muzika rok, me tekste të pahijshme që shpërthejnë nëpër amplifikatorë ndërsa dritat pulsojnë ngjyra dehëse, karakterizon kulturën e drogës. Variante të këtyre gjërave po arrijnë të bëhen gjerësisht të pranueshme dhe ndikuese te rinia jonë.

Kjo prirje për më shumë zhurmë, më shumë emocion, më shumë pretendime, më pak vetëpërmbajtje, më pak dinjitet, më pak formalitet nuk është rastësore, as e pafajshme, as pa dëm.

Rregulli i parë i lëshuar nga një komandant, që fillon një ndërhyrje ushtarake, është bllokimi i kanaleve të komunikimit të atyre që synon t’i mposhtë.

Mungesa e nderimit i përshtatet qëllimit të kundërshtarit nëpërmjet shkatërrimit të kanaleve delikate të zbulesës si në mendje, ashtu edhe në shpirt” (“Reverence Invites Revelation”, Ensign, nëntor 1991, f. 22).