Biblioteka
Mësimi 45: Jakobi 3–4


Mësimi 45

Jakobi 3–4

Hyrje

Te Jakobi 3, ne lexojmë përfundimin e një predikimi që Jakobi u bëri njerëzve të tij. Jakobi shkurtimisht tha fjalët e ngushëllimit dhe premtimin për të kulluarit në zemër. Ai gjithashtu i qortoi krenarët dhe ata që nuk janë të dëlirë ndër njerëzit e tij, duke i paralajmëruar për pasojat që do të vinin nëse nuk do të pendoheshin. Jakobi 4 përmban fjalë që Jakobi qe i frymëzuar t’i shkruajë për njerëzit që një ditë do ta lexonin analin e tij. Ai dëshmoi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe i këshilloi lexuesit e tij që ta pajtonin veten me Perëndinë Atin nëpërmjet Shlyerjes. Me një zë paralajmërues, ai tregoi për judenj që do ta kundërshtonin Jezu Krishtin dhe qartësinë e ungjillit të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakobi 3

Jakobi i ngushëllon dhe i këshillon të kulluarit në zemër dhe i nxit të tjerët të pendohen

Ftojini studentët të mendojnë se çfarë këshille mund t’u japin njerëzve në situatat vijuese:

  1. Një e re po përpiqet të jetojë në drejtësi por vuan ngaqë babai i saj është i varur nga alkooli.

  2. Një e re bën më të mirën e saj për të jetuar ungjillin, por përjeton sprova për shkak të shkurorëzimit të prindërve të saj.

  3. Një e re përpiqet me zell ta dojë familjen e saj, por lufton në shtëpi për shkak të egoizmit dhe të veprimeve të pakujdesshme të motrës së saj.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje fjalinë e parë të Jakobit 3:1. Kërkojuni të gjejnë se kujt i drejtohet së pari Jakobi në këtë kapitull.

Shpjegoni se Jakobi po u fliste drejtpërdrejt njerëzve që qenë fajtorë për krenari dhe mëkate seksuale. Pastaj ai e drejtoi vëmendjen e tij te njerëzit e drejtë që po përjetonin sprova për shkak të ligësisë së të tjerëve. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 3:1–2. Kërkojuni atyre të kërkojnë katër gjëra që Jakobi u kërkoi të kulluarve në zemër që të bëjnë.

  • Cilat qenë katër gjërat që Jakobi u këshilloi të bënin të kulluarve në zemër? (“Shikoni te Perëndia me fortësi të mendjes dhe lutjuni atij me besim të jashtëzakonshëm, … ngrini lart kokat tuaja dhe merrni fjalën e këndshme të Perëndisë dhe ushqehuni me bollëk me dashurinë e tij”.) Çfarë u premtoi Jakobi të kulluarve në zemër nëse do të qëndronin besnikë? (Ngushëllim në pikëllim dhe mbrojtje nga armiqtë.)

  • Çfarë mendoni se mund të bëjmë për të marrë fjalën e Perëndisë?

Në lidhje me pyetjen rreth premtimit të Jakobit të kulluarve në zemër, sigurohuni që studentët të kuptojnë se Perëndia do t’i ngushëllojë të kulluarit në zemër në pikëllimet e tyre. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala ngushëlloj do të thotë të ngushëllosh dikë që është i trishtuar apo i shqetësuar. Për t’i ndihmuar studentët ta përsiatin dhe ta zbatojnë këtë të vërtetë, pyetni:

  • Si ju ka ngushëlluar Zoti?

  • Si ju ka ndihmuar lutja me besim gjatë një kohe sprove?

  • Kur ju ka ndihmuar fjala e Perëndisë të ndieni dashurinë e Tij?

Shpjegoni se pasi u foli të kulluarve në zemër, Jakobi përsëri u foli atyre që nuk ishin të kulluar në zemër.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 3:3–4. Kërkojini klasës të gjejë për çfarë i nxiti Jakobi që të bënin ata që nuk ishin të kulluar.

  • Çfarë do të ndodhte nëse njerëzit e Jakobit nuk do të pendoheshin?

Theksoni se Jakobi deklaroi se lamanitët ishin më të drejtë se disa nga nefitët në këtë kohë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Jakobin 3:5–7, duke gjetur mënyrat se si lamanitët ishin më të drejtë se disa nga nefitët.

  • Në çfarë mënyrash lamanitët ishin më të drejtë se disa nefitë?

  • Çfarë parimesh mësoni nga Jakobi 3:7 rreth marrëdhënieve familjare? (Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet ta duan njëri-tjetrin dhe prindërit duhet t’i duan fëmijët e tyre.)

  • Cilat janë disa pasoja që mund të vijnë kur anëtarët e familjes nuk e duan njëri-tjetrin dhe nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre familjare?

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Jakobin 3:10, duke parë për paralajmërimin që Jakobi u dha posaçërisht baballarëve nefitë.

  • Çfarë paralajmërimi u dha Jakobi baballarëve nefitë?

  • Përse mendoni se është me rëndësi për anëtarët e familjes të jenë shembuj të mirë për njëri-tjetrin?

Lexojuni studentëve me zë të lartë Jakobin 3:11–12. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se te vargu 11, fraza “ngrini aftësitë e shpirtrave tuaj” nënkuptonnevojën për t’u zgjuar shpirtërisht nga gjumi. Te Jakobi 3:12, fraza “[lavirësi] dhe dhënie pas epsheve” nënkupton mëkatet seksuale. Ndërsa lexoni këto vargje, theksoni “pasojat e tmerrshme” të mëkateve seksuale. Përveç këtyre, kujtojuni studentëve për premtimet e Jakobit të kulluarve në zemër (shih Jakobi 3:1–2). Ndihmojini studentët të kuptojnë se mënyra më e mirë për t’i marrë ato bekime të premtuara është që të jenë gjithmonë të kulluar në zemër. Sidoqoftë, njerëzit që kanë kryer mëkate seksuale mund të kërkojnë ndihmë nga peshkopi apo presidenti i tyre i degës, të cilët do t’i ndihmojnë të pendohen, të bëhen të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të marrin bekimet e premtuara të kulluarve në zemër.

Jakobi 4

Jakobi dëshmon se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të pajtohemi me Perëndinë.

Përpara klasës, vendosni një pikturë të vogël të Jezu Krishtit në mes të tabelës. Rreth pikturës shkruani disa fjalë që përfaqësojnë gjëra që mund t’i shkëpusin njerëzit nga Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Për shembull, ju mund të përfshini disa gjëra të mira – të tilla si arsimi, sportet dhe miqtë – që janë të rëndësishme, por që nuk duhet të bëhen fokusi parësor në jetën tonë. Ju gjithashtu mund të renditni gjëra të tjera – të tilla si pornografia, muzika jo e mirë dhe drogat – që janë të dëmshme për shpirtin tonë dhe na largojnë nga Shpëtimtari.

Kërkojuni studentëve të drejtohen te Jakobi 4:14. Shpjegoni se ky varg përfshin frazën “duke parë përtej shenjës”. Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se në këtë varg, “shenja është Krishti” (“Jesus of Nazareth, Savior and King”, Ensign, dhjetor 2007, f. 45). Ju mund të doni t’i nxitni studentët ta shkruajnë këtë thënie në librat e tyre të shenjta pranë Jakobit 4:14.

Pas dhënies së këtij shpjegimi, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 4:14–15.

  • Çfarë mendoni se mund të jetë domethënia e të parit përtej shenjës? (Ta përqendrojmë jetën tonë veçse te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij.)

  • Sipas Jakobit, çfarë qëndrimesh dhe veprimesh i penguan judenjtë nga pranimi i Jezu Krishtit?

Shpjegoni se ndërsa Jakobi u drejtohej konkretisht mëkateve të disa judenjve, pjesë nga Jakobi 4:14–15 mund të zbatohen edhe për ne dhe mund të na shërbejnë si paralajmërim. Për t’i ndihmuar studentët ta shohin këtë zbatim, drejtoni pyetjen vijuese:

  • Përse ndonjëherë njerëzit kundërshtojnë “fjalët e qartësisë” dhe kërkojnë më mirë gjëra që nuk mund t’i kuptojnë? Cilët janë disa rreziqe nga mosvënia re e të vërtetave të thjeshta të ungjillit?

  • Çfarë mund të shtonim në tabelë si shembuj të tjerë shkëputjesh nga Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij? (Shtoni përgjigje studentësh te fjalët që tashmë keni shkruar në tabelë.)

Fshini fjalët që keni shkruar në tabelë dhe shkruani pyetjen vijuese: Çfarë mund të bëjmë që të mos shohim përtej shenjës por të qëndrojmë të përqendruar te Jezu Krishti?

Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: Jakobi 4:4–5; Jakobi 4:6–7; Jakobi 4:8–9; Jakobi 4:10; Jakobi 4:11–13. Shpjegoni se te Jakobi 4, Jakobi tregon parimet që mund të na ndihmojnë të qëndrojmë të përqendruar te Jezu Krishti. Caktoni studentë të punojnë në çifte dhe t’i kërkojnë këto parime në një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta të renditura në tabelë. (Në vartësi nga numri i studentëve në klasën tuaj, ju mund të keni nevojë ta caktoni çdo fragment te më shumë se një çift studentësh. Ose ju mund të keni nevojë t’i kërkoni një çifti studentësh të lexojë më shumë se një fragment.)

Pas disa minutash, ftojini studentët të thonë përgjigjet e tyre. Ndërsa bëjnë këtë, ju mund të doni të drejtoni pyetje që t’i ndihmoni ata të mendojnë më thellë rreth asaj që kanë mësuar në vargjet. Për t’ju ndihmuar ta drejtoni këtë diskutim, pyetjet vijuese janë organizuar sipas vargjeve të caktuara:

  • Jakobi 4:4–5. Si ju kanë ndihmuar dëshmitë e profetëve që të përqendroheni te Jezu Krishti? Si keni qenë forcuar nga dëshmitë e njerëzve të tjerë për Shpëtimtarin? Jakobi tha se bindja e njerëzve të tij ndaj ligjit të Moisiut ishte e efektshme në “[drejtimin e shpirtrave tanë] tek” Zoti. Në çfarë mënyrash mundet që përpjekjet tona për marrjen e ordinancave të priftërisë dhe mbajtjen e urdhërimeve ta drejtojnë shpirtin tonë te Zoti?

  • Jakobi 4:6–7. Si na ndihmon zbulesa e profetëve për të fituar shpresë dhe besim te Jezu Krishti? Si e kanë forcuar besimin tuaj fetar zbulesa vetjake, apo dëshmitë shpirtërore që keni marrë? Përse mendoni se është e rëndësishme të kujtohet se është vetëm nëpërmjet hirit të Zotit që ne jemi në gjendje të bëjmë punën e Tij?

  • Jakobi 4:8–9. Përse mendoni se është e rëndësishme të njihni se veprat e Zotit janë “të mëdha dhe të mrekullueshme”? Si e ndikon vepra e Shpëtimtarit si Krijues i tokës dëshminë tuaj për Të? Çfarë do të thotë për ju të “mos i përbuzni zbulesat e Perëndisë”? Si mund t’i tregojmë Zotit se ne i vlerësojmë zbulesat që Ai ka dhënë?

  • Jakobi 4:10. Cilët janë disa shembuj se si një person mund të “mos kërko[jë] të këshillo[jë] Zotin, por [të marrë] këshilla nga dora e tij”?

  • Jakobi 4:11–13. Siç përmendet në mësimin 35, fjala pajtoj do të thotë të sjellësh në përputhje. Si na ndihmon Shlyerja për të ardhur në harmoni me Atin tonë Qiellor? Jakobi na kujtoi për rëndësinë e mësimdhënies rreth Shlyerjes, duke pyetur: “Pse të mos flasim për shlyerjen e Krishtit … ?” Si mundemi ta ndjekim këtë parim kur ndajmë dëshmitë tona me të tjerët dhe kur ne kemi mundësi të tjera për të dhënë mësim ungjillin? Kur ndajmë dëshmitë tona, përse është e rëndësishme ta bëjmë këtë në një mënyrë që njerëzit të jenë në gjendje të kuptojnë? Në çfarë mënyrash na ndihmon Shpirti që ta përmbushim këtë?

Si përfundim për këtë diskutim, sigurohuni që e vërteta vijuese të jetë e qartë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të mbushemi me shpresë dhe ta pajtojmë veten me Perëndinë.

Shprehni ndjenjat tuaja të mirënjohjes për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij. Dëshmoni që Jezu Krishti është “shenja” mbi të cilën ne duhet të përqendrojmë jetën tonë. Për ta përfunduar mësimin, kërkojuni studentëve të marrin parasysh atë që do të bëjnë për t’u përqendruar te Shpëtimtari gjatë ditëve vijuese. Ju mund t’u sugjeroni që t’i shkruajnë planet e tyre në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Merrni parasysh të ftoni disa prej tyre për t’i treguar klasës çfarë planifikojnë të bëjnë.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Përsëritja i ndihmon studentët të kujtojnë vendin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Një mënyrë për të nxitur përsëritjen është të përdoren karta të zotërimit të shkrimit të shenjtë (numri i materialit 32335; gjithashtu i gjindshëm në format PDF në si.lds.org). Nëse nuk keni qasje te kartat, ndihmojini studentët të krijojnë kartat e tyre, me fjalë kyç nga fragmenti në njërën anë të secilës kartë dhe referencë në anën tjetër. Ndajini studentët në çifte. Vërini të kalojnë disa minuta duke pyetur njëri-tjetrin me kartat. Për shembull, një student mund të lexojë fjalë kyç ndërsa studenti tjetër përcakton referencën e shkrimit të shenjtë. Ftojini studentët t’i përdorin shpesh këto karta për të pyetur veten dhe njëri-tjetrin.

Shënim: Kohëzgjatja e këtij mësimi mund t’i lejojë kohë veprimtarisë së mëposhtme të përsëritjes për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund ta kryeni veprimtarinë në fillim të orës mësimore, si një pushim midis pjesëve të mësimit ose në fund të orës mësimore. Mos e zgjatni veprimtarinë që të lini kohë për mësimin. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shihni shtojcën në këtë manual.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakobi 4:4. Profetët e Dhiatës së Vjetër dëshmuan për Jezu Krishtin

Më shumë se 400 vjet para lindjes së Jezu Krishtit, Jakobi tha se të gjithë profetët para tij patën dëshmuar për Shpëtimtarin (shih Jakobi 4:4). Disa mund ta pyetin veten përse Dhiata e Vjetër nuk përmban më shumë rreth Jezu Krishtit. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, citoi shpjegimin e Nefit rreth “gjëra[ve] të qarta dhe të çmueshme të hequra” nga Bibla (shih 1 Nefi 13:26–29) dhe pastaj vërejti:

“Sigurisht më të qartat dhe më të çmueshmet nga të gjitha të vërtetat e hequra nga Bibla, veçanërisht Dhiata e Vjetër, janë thëniet e qarta dhe të prera për misionin e Jezu Krishtit, rolin e tij të parashuguruar si Mesia e Shpëtimtar i botës dhe elementët e besëlidhjes të ungjillit të tij, që janë dhënë mësim nga Adami e më tej gjatë secilës periudhë ungjillore pasuese. Kështu, qëllimi më i lartë i Librit të Mormonit është të rivendosë në familjen universale të Perëndisë atë njohuri vendimtare për rolin e Krishtit në shpëtimin e çdo burri, gruaje dhe fëmije që jeton tani, që ka jetuar ndonjëherë, apo edhe që do të jetojë mbi tokë” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 6–7).

Jakobi 4:5. Adhurojeni Atin në emër të Jezu Krishtit

Shkrimet e Jakobit japin një thellim të rëndësishëm në ligjin e Moisiut dhe në Dhiatën e Vjetër. Te Jakobi 4:5, ne mësojmë se profetët para kohës së Jakobit e adhuronin Atin Qiellor në emër të Jezu Krishtit, duke treguar se i njihnin Atin dhe Birin si individë të veçantë. Fjalët e Jakobit tregojnë se ligji i Moisiut ishte shumë më tepër se thjesht një grup urdhërimesh dhe kodesh ligjore të rrepta, siç pretendojnë disa studiues bashkëkohorë. Ligji i Moisiut dëshmonte për Jezu Krishtin dhe i çoi të drejtët në shenjtërim nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Jakobi 4:10. “Merrni këshilla nga dora e tij”

Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, shpjegoi rëndësinë e njohjes dhe ndjekjes së këshillës së Zotit:

“Nuk mendoj se shumë anëtarë të Kishës i [ndjekin] vetëdijshëm bindjet e njerëzve apo këshillat e veta në vend që të marrin parasysh ato të Zotit. Gjithsesi, kur nuk e mbajmë veten nën këshillën që është e Zotit, ne jemi të prirur ta zëvendësojmë të Tijën me tonën. Në fakt, nuk ka gjë tjetër që mund të bëjmë veçse të ndjekim vetë këshillën tonë kur nuk i njohim udhëzimet e Zotit” (“Seek Not to Counsel the Lord”, Ensign, gusht 1985, f. 5).