Biblioteka
Mësimi 87: Alma 27–29


Mësimi 87

Alma 27–29

Hyrje

Kur lamanitët ishin të pasuksesshëm në sulmet e tyre kundër nefitëve, ata e kthyen zemërimin e tyre drejt anti-nefi-lehitëve. Për shkak të besëlidhjes që anti-nefi-lehitët kishin bërë për të mos derdhur më kurrë gjakun e të tjerëve, ata nuk pranuan t’i merrnin armët për të mbrojtur veten. Amoni i çoi anti-nefi-lehitët në Zarahemla, ku ata morën mbrojtje nga nefitët dhe u bënë të njohur si populli i Amonit. Ndërsa nefitët e mbrojtën popullin e Amonit nga lamanitët, mijëra nefitë dhe lamanitë vdiqën në betejë. Pavarësisht nga hidhërimi që ndien nefitët për vdekjen e të dashurve të tyre, shumë prej tyre gjetën shpresë dhe gëzim në premtimin e Zotit se të drejtët do të “ngrihen për të banuar në krahun e djathtë të Perëndisë, në një gjendje lumturie që nuk mbaron kurrë” (Alma 28:12).

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 27

Amoni e prin popullin e anti-nefi-lehit drejt sigurisë mes nefitëve

U kërkoni studentëve të ngrenë dorën nëse kanë pasur ndonjëherë dikë që u bëri një premtim dhe më pas e shkeli atë premtim. Më pas u kërkoni atyre të ngrenë dorën nëse kanë pasur dikë që bëri një premtim dhe më pas e mbajti atë.

  • Si ndiheni ndaj njerëzve që i mbajnë premtimet e tyre? Përse?

  • Si mendoni se ndihet Zoti rreth atyre që i mbajnë premtimet e tyre ndaj Tij?

Paraqitni Almën 27 duke shpjeguar se, pasi lamanitët u përpoqën pa sukses t’i shkatërronin nefitët, ata sulmuan anti-nefi-lehitët, lamanitët që ishin kthyer në besim nëpërmjet shërbimit të Amonit dhe vëllezërve të tij. U kërkoni studentëve të kujtojnë se çfarë bënë anti-nefi-lehitët për t’i treguar Zotit se ata do ta mbanin besëlidhjen e tyre për të mos i “përdor[ur] kurrë më armët për të derdhur gjak njeriu” (Alma 24:18). (Ata i varrosën armët e tyre të luftës). Për të gjetur se sa të vendosur ishin anti-nefi-lehitët për ta mbajtur premtimin e tyre, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 27:2–3. (Ju mund të sugjeroni gjithashtu që studentët të lexojnë Almën 24:18–19 dhe ta shkruajnë këtë referencë në anën pranë Almës 27:3.)

  • Nëse do të ishit një nga anti-nefi-lehitët, sa e vështirë mund të jetë për ju ta mbani besëlidhjen tuaj dhe të mos shkoni në betejë për të mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 27:4–10, duke kërkuar për atë që propozoi Amoni të bënte për t’i mbrojtur anti-nefi-lehitët dhe për t’i ndihmuar ata t’i mbanin besëlidhjet e tyre. I kërkoni një studenti ta përmbledhë këtë fragment.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 27:11–12 dhe i kërkoni klasës të kërkojë për udhëzimin që mori Amoni nga Zoti. Shpjegoni se anti-nefi-lehitët e ndoqën Amonin për në Zarahemla (shih Alma 27:13–15). (Ju gjithashtu mund të dëshironi ta përmblidhni Almën 27:16–19, duke vënë në dukje që ishte nën këto rrethana që Amoni dhe bijtë e tjerë të Mosias u ribashkuan me Almën, siç tregohet tek Alma 17:1–4).

Shpjegoni se kryegjykatësi i nefitëve i kërkoi popullit nëse ata do t’i lejonin anti-nefi-lehitët të jetonin mes tyre. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 27:22–24, duke kërkuar për përgjigjen e nefitëve ndaj shpalljes së kryegjykatësit.

  • Si thanë nefitët se do t’i ndihmonin anti-nefi-lehitët?

  • Si mendoni ju, përse nefitët ishin të gatshëm t’i mbronin armiqtë e tyre të dikurshëm?

I vini studentët të lexojnë në heshtje Almën 27:26 për të zbuluar se si nefitët filluan t’i quanin anti-nefi-lehitët.

U kërkoni dy ose tre studentëve të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 27:27–30. Bëjeni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar për atë që u bë i njohur populli i Amonit. Ftoni studentë të raportojnë atë çka gjejnë.

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth popullit të Amonit? Përse?

  • Çfarë u mëson Alma 27:27–30 rreth marrëdhënies midis të qenit i kthyer në besim te Zoti dhe mbajtjes së besëlidhjeve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të tregojnë se e kuptojnë të vërtetën e mëposhtme: Kur kthehemi plotësisht në besim te Zoti, ne i mbajmë besëlidhjet që kemi bërë me Të. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë).

  • Kush ka qenë një shembull i këtij parimi në jetën tuaj?

Alma 28

Nefitët i shpartallojnë lamanitët në një betejë të madhe

Vini në dukje që, edhe pse shumë prej nefitëve ishin besnikë, ata përsëri u ndeshën me sprova të vështira.

Shpjegoni se Presidenti Tomas Monson ndau tregimin e mëposhtëm për një përvojë që pati në rininë e tij. Pasi dëgjoi se shoku i tij, Artur Pejtën, kishte vdekur në Luftën II Botërore, i riu Tomas Monson shkoi të vizitonte nënën e Arturit, e cila nuk ishte anëtare e Kishës. Më vonë ai kujtoi:

“Një dritë u shua në jetën e zonjës Pejtën. Ajo kërkonte kuturu në errësirë të plotë dhe dëshpërim të thellë.

Me lutje në zemrën time, iu afrova rrugës së njohur për në shtëpinë e zonjës Pejtën, duke pyetur veten se çfarë fjalësh ngushëllimi mund të dilnin nga buzët e një djali të thjeshtë.

Dera u hap dhe zonja Pejtën më përqafoi sikur të isha djali i saj. Shtëpia u bë një kishë ndërsa një nënë e pikëlluar dhe një djalë i pasigurt u gjunjëzuan në lutje.

Ndërsa u çuam nga lutja, zonja Pejtën më foli duke më vështruar drejt e në sy: ‘Tomi, unë nuk i përkas ndonjë kishe, por ti po. Më thuaj, a do të jetojë përsëri Arturi?’” (“Zonja Pejtën – Historia Vazhdon”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 22).

  • Si do t’i përgjigjeshit pyetjes së zj. Pejtën?

Lexoni përgjigjen e Presidentit Monson:

“Me sa mirë që dita, i dëshmova asaj se Arturi me të vërtetë do të jetonte përsëri” (“Zonja Pejtën – Historia Vazhdon”, f. 22).

  • Si e ndryshon dija e planit të shpëtimit perspektivën e atyre, të dashurit e të cilëve kanë vdekur?

U kërkoni dy ose tre studentëve të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 28:1–3. Vëreni klasën të kërkojë çmimin që paguan nefitët për ta ndihmuar popullin e Amonit ta mbante besëlidhjen e tyre. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 28:4–6, duke kërkuar mënyrën se si ndikuan te nefitët kaq shumë vdekje. U kërkoni studentëve të shikojnë Almën 28:11–12 për arsyet përse disa njerëz mund të përjetojnë frikë kur u vdesin të afërmit e tyre, ndërkohë që të tjerët mund të ndiejnë shpresë.

  • Përse disa njerëz mund të përjetojnë frikë kur iu vdesin njerëz të dashur?

  • Përse disa njerëz janë në gjendje të ndiejnë shpresë kur u vdesin njerëzit të dashur? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin që, kur kemi besim në Jezu Krisht dhe në premtimet e Zotit, ne mund të kemi shpresë dhe gëzim në kohë vdekjeje.)

Shkruani fjalinë vijuese të paplotë në tabelë: Dhe kështu ne shohim …

U kërkoni studentëve se si do ta plotësonin fjalinë bazuar në atë që keni studiuar tek Alma 28.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’u përgjigjur, ftojeni një student të lexojë Almën 28:13–14. I bëni studentët t’i krahasojnë përgjigjet e tyre me parimet që u mësohen në këto vargje. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “dhe kështu ne shohim” sa herë që shfaqet në këto vargje. Shpjegoni se Mormoni shpesh e përdori këtë frazë për të paraqitur mësime të rëndësishme që mund t’i mësojmë nga tregimet në Librin e Mormonit).

  • Çfarë keni lexuar tek Alma 27–28 që i mbështet thëniet e Mormonit “dhe kështu ne shohim”?

  • Kur keni parë dikë ta përballojë me shpresë vetë vdekjen e tij ose të saj, apo vdekjen e një njeriu të dashur, për shkak të besimit në Jezu Krishtin?

  • Si do ta shpjegonit ringjalljen për ta ndihmuar dikë të ketë shpresë kur është duke u përballur me vetë vdekjen e tij ose të saj, apo vdekjen e një njeriu të dashur?

Alma 29

Alma ngazëllehet në sjelljen e shpirtrave te Perëndia

U thoni studentëve se Alma 29 përmban shprehjen e Almës për dëshirën e tij për të qenë një mjet në duart e Zotit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 29:1–3. E bëni klasën të kërkojë atë që do të kishte bërë Alma, në qoftë se ai mund të kishte pasur “dëshirën e zemrës [së tij]”. (Ai do të kishte “[thirrur] pendim në çdo popull”.)

I bëni studentët të lexojnë në heshtje Almën 29:4–5, duke kërkuar për atë që Zoti u jep atyre që kanë dëshira të drejta. (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të vini në dukje frazën “unë e di se ai u jep njerëzve sipas dëshirës së tyre”. Shpjegoni se, nëse dëshirojmë gjëra të drejta, Zoti do të na bekojë sipas atyre dëshirave. Vini në dukje që, në qoftë se të gjitha dëshirat tona të drejta nuk përmbushen në këtë jetë, ato do të përmbushen në përjetësitë).

I vini studentët të shikojnë në mënyrë individuale Almën 29:10, 14, 16, duke kërkuar për bekimin që mori Alma, ndërsa i ndihmoi të tjerët të vinin te Krishti. U kërkoni studentëve të tregojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë fjale përdori Alma për të përshkruar se si u ndje, kur i ndihmoi të tjerët të vinin te Krishti? (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë çdo përdorim të fjalës gëzim në këto vargje).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e Almës që i ndihmoi të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Jezu Krishti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të tregojnë se e kuptojnë parimin vijues: Ne vërtet do të përjetojmë gëzim kur i ndihmojmë të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Jezu Krishti.)

  • Kur e keni ndier gëzimin që vjen ngaqë i ndihmoni të tjerët të vijnë te Krishti?

I nxitni studentët të kërkojnë mundësi për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti. Merrni parasysh të ndani një përvojë misionare të gëzueshme nga vetja juaj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 28:11-12. Gjetja e paqes kur ndodh vdekja

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth mënyrës se si veprimet tona në këtë jetë mund të na sjellin paqe kur ndodh vdekja:

“Vëllezër e motra, ne jetojmë për të vdekur dhe ne vdesim për të jetuar – në një mbretërim tjetër. Nëse jemi të përgatitur siç duhet, vdekja nuk sjell tmerr. Prej një këndvështrimi të përjetshëm, vdekja është e parakohshme vetëm për ata që nuk janë të përgatitur për ta takuar Perëndinë.

Tani është koha për t’u përgatitur. Kështu, kur vdekja vjen, ne mund të ecim përpara drejt lavdisë çelestiale që Ati Qiellor ka përgatitur për fëmijët e Tij besnikë. Ndërkohë, për njerëzit e dashur, të hidhëruar, që janë lënë pas … gjembi i vdekjes zbutet nga një besim i patundur në Krishtin, një shkëlqim i përsosur i shpresës, një dashuri për Perëndinë e për gjithë njerëzit dhe një dëshirë e thellë për t’u shërbyer atyre” (“Now Is the Time to Prepare”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 18).

Plaku Uilford W. Andersen, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi se si disa miq u përballën me vdekjen e babait të tyre:

“Kohët e fundit, një miku im i shtrenjtë ndërroi jetë nga kanceri. Ai dhe familja e tij janë njerëz me besim të madh. Është frymëzuese të shohësh se si besimi i tyre i mbarti përmes kësaj kohe shumë të vështirë. U mbushën me një paqe të brendshme, që i mbështeti dhe i forcoi ata. Me lejen e tyre do të dëshiroja të lexoja nga letra e një pjesëtareje të familjes, e shkruar vetëm disa ditë para se ati i saj të ndërronte jetë:

‘Pak ditët e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira. Natën e shkuar, kur u mblodhëm pranë shtratit të babit, Shpirti i Zotit ishte i dukshëm dhe vërtet veproi si një ngushëllues për ne. Ne jemi në paqe. Ka qenë gjëja më e vështirë që ka përjetuar cilido prej nesh, por ne ndiejmë paqe në dijen se … Ati ynë në Qiell ka premtuar se ne vërtet do të jetojmë së bashku si një familje përsëri. Pasi mjeku i tha babit në spital se nuk mbetej asgjë për t’u bërë, ai na pa të gjithëve me besim të përsosur dhe pyeti me guxim: ‘Ndonjëri në këtë dhomë a ka ndonjë problem me planin e shpëtimit?’ Ne … jemi mirënjohës për një atë dhe një nënë që na kanë mësuar të kemi mirëbesim të përsosur tek plani’” (“Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 17).