Shkrimet e Shenjta
Alma 28


Kapitulli 28

Lamanitët shpartallohen gjatë një beteje të tmerrshme—Me dhjetëra mijëra vriten—Të ligjtë caktohen në një gjendje mjerimi të pafund; të drejtët fitojnë lumturi që nuk mbaron kurrë. Rreth 77–76 para K.

1 Dhe tani ndodhi që pasi populli i Amonit u vendos në tokën e Jershonit dhe një kishë u vendos gjithashtu në tokën e Jershonit dhe ushtritë e Nefitëve u vendosën rreth e përqark tokës së Jershonit, po, në të gjithë kufijtë rreth e përqark tokës së Zarahemlës; vini re, ushtritë e Lamanitëve i ndoqën vëllezërit e tyre për në vendin e shkretë.

2 Dhe kështu ndodhi një betejë e tmerrshme; po, madje një betejë e tillë që nuk ishte dëgjuar kurrë më parë në gjithë popullin e asaj toke, që nga koha që Lehi u largua nga Jeruzalemi; po, dhe dhjetëra mijëra Lamanitë u vranë dhe u shpërndanë.

3 Po, dhe u bë një kasaphanë e madhe mes popullit të Nefit; megjithatë, Lamanitët u dëbuan dhe u shpërndanë; dhe njerëzit e Nefit u kthyen përsëri në tokën e tyre.

4 Dhe tani, kjo qe një kohë zie e madhe dhe vajtimi që dëgjohej në të gjithë vendin, mes të gjithë njerëzve të Nefit—

5 Po, thirrja e të vejave që mbanin zi për bashkëshortët e tyre dhe gjithashtu e etërve që mbanin zi për bijtë e tyre dhe bija për vëllanë, po, vëllai për atin; dhe kështu thirrja e vajtimit u dëgjua mes gjithë atyre që vajtonin për farefisin e tyre që ishte vrarë.

6 Dhe tani, sigurisht që kjo qe një ditë brenge e madhe; po një kohë solemne dhe një kohë me shumë agjërim dhe lutje.

7 Dhe kështu mbaron viti i pesëmbëdhjetë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit;

8 Dhe ky është rrëfimi i Amonit dhe i vëllezërve të tij, udhëtimet e tyre në vendin e Nefit, vuajtjet e tyre në atë vend, pikëllimet e tyre dhe mjerimet e tyre dhe gëzimi i paimagjinueshëm i tyre, dhe pritja, dhe shpëtimi i vëllezërve në tokën e Jershonit. Dhe tani, Zoti, Shëlbuesi i të gjithë njerëzve, bekoftë shpirtrat e tyre përgjithnjë.

9 Dhe ky është rrëfimi i luftërave dhe i grindjeve mes Nefitëve dhe gjithashtu i luftërave mes Nefitëve dhe Lamanitëve; dhe viti i pesëmbëdhjetë i mbretërimit të gjykatësve mbaroi.

10 Dhe nga viti i parë e deri në vitin e pesëmbëdhjetë ndodhi shkatërrimi i shumë mijëra jetëve; po, ndodhi një skenë e tmerrshme gjakderdhjeje.

11 Dhe trupat e shumë mijërave janë varrosur poshtë në tokë, ndërsa trupat e shumë mijërave po kalben në grumbuj mbi faqen e dheut; po, dhe shumë mijëra po mbajnë zi për humbjen e farefisit të tyre, sepse kanë arsye të frikësohen, sipas premtimeve të Zotit, se janë dorëzuar në një gjendje mjerimi të pafund.

12 Ndërsa shumë mijëra të tjerë, me të vërtetë vajtojnë humbjen e farefisit të tyre, por gëzohen dhe ngazëllehen në shpresë dhe madje e dinë, sipas premtimeve të Zotit, që ata do të ngrihen për të banuar në krahun e djathtë të Perëndisë, në një gjendje lumturie që nuk mbaron kurrë.

13 Dhe kështu ne shohim sesa e madhe është pabarazia e njeriut për shkak të mëkatit dhe shkeljes dhe fuqisë së djallit, e cila vjen nga planet dinake që ai ka bërë për të futur në kurth zemrat e njerëzve.

14 Dhe kështu ne shohim thirrjen e madhe që u është bërë njerëzve, që të jenë të zellshëm për të punuar në vreshtat e Zotit; dhe kështu ne shohim arsyen e madhe të pikëllimit dhe gjithashtu të gëzimit—pikëllim për shkak të vdekjes dhe shkatërrimit mes njerëzve dhe gëzim për shkak të dritës jetëdhënëse të Krishtit.

Shtyp në Letër