Shkrimet e Shenjta
Alma 24


Kapitulli 24

Lamanitët shkojnë kundër popullit të Perëndisë—Anti-Nefi-Lehitët gëzohen në Krisht dhe vizitohen nga engjëjt—Ata zgjedhin të vuajnë më mirë vdekje, sesa të mbrojnë veten—Më shumë Lamanitë janë kthyer në besim. Rreth 90–77 para K.

1 Dhe ndodhi që Amalekitët dhe Amulonitët dhe Lamanitët që ishin në tokën e Amulonit, si edhe në tokën e Helamit, të cilët kishin qenë në tokën e Jeruzalemit dhe më në fund në të gjithë tokën rreth e përqark që nuk ishin kthyer në besim dhe që nuk kishin marrë mbi vete emrin Anti-Nefi-Lehi, u nxitën nga Amalekitët dhe nga Amulonitët, që të zemëroheshin kundër vëllezërve të tyre.

2 Dhe urrejtja e tyre u bë jashtëzakonisht e madhe kundër tyre, madje derisa ata filluan të ngrenë krye kundër mbretit të tyre, kaq shumë, sa ata nuk donin që ai të ishte mbreti i tyre; prandaj ata morën armët kundër popullit Anti-Nefi-Lehi.

3 Tani mbreti ia dha mbretërinë të birit dhe e quajti me emrin Anti-Nefi-Lehi.

4 Dhe mbreti vdiq në po atë vit, kur Lamanitët filluan të bënin përgatitje për luftë kundër popullit të Perëndisë.

5 Tani, kur Amoni dhe vëllezërit e tij dhe të gjithë ata që kishin ardhur me të, panë përgatitjet e Lamanitëve për të shkatërruar vëllezërit e tyre, ata shkuan në tokën e Midianit dhe aty Amoni takoi të gjithë vëllezërit e tij; dhe prej aty ata shkuan në tokën e Ishmaelit, që të mbanin një këshill me Lamonin dhe gjithashtu me vëllanë e tij Anti-Nefi-Lehi se ç’duhej të bënin për të mbrojtur veten nga Lamanitët.

6 Tani, nuk kishte asnjë shpirt mes gjithë njerëzve që ishin kthyer në besim te Zoti, që të merrte armët kundër vëllezërve të tyre, jo, ata as nuk do të bënin ndonjë përgatitje për luftë; po, dhe gjithashtu mbreti i tyre i urdhëroi që nuk duhej të bënin.

7 Tani, këto janë fjalët që ai i tha popullit në lidhje me këtë çështje: Unë falënderoj Perëndinë tim, populli im i dashur, që Perëndia ynë i madh na ka dërguar në mirësi këta vëllezërit tanë, Nefitët, që të predikojnë mes nesh dhe të na bindin mbi traditat e etërve tanë të ligj.

8 Dhe vini re, unë falënderoj Perëndinë tim të madh që na ka dhënë një pjesë të Shpirtit të tij për të zbutur zemrat tona, që ne kemi filluar marrëdhënie me këta vëllezër, Nefitët.

9 Dhe vini re, unë gjithashtu falënderoj Perëndinë tim, se duke pasur këto marrëdhënie ne u bindëm për mëkatet tona dhe për vrasjet e shumta që kemi bërë.

10 Dhe unë gjithashtu falënderoj Perëndinë tim, po, Perëndinë tim të madh që na dha mundësi të pendohemi për këto gjëra dhe gjithashtu, që ai na i ka falur këto mëkatet tona të shumta dhe vrasjet që ne kemi bërë dhe që e ka nxjerrë fajin nga zemrat tona, nëpërmjet meritave të Birit të tij.

11 Dhe tani vini re, vëllezërit e mi, e gjitha që ne mund të bënim, (pasi ne ishim populli më i humbur i të gjithë njerëzimit) ishte të pendoheshim për të gjitha mëkatet dhe vrasjet tona të shumta që kishim bërë dhe të bënim që Perëndia të na i hiqte ato nga zemrat tona, pasi kjo ishte e gjitha që mund të bënim që të pendoheshim mjaftueshëm para Perëndisë, që ai të hiqte njollën tonë—

12 Tani, vëllezërit e mi të dashur, meqë Perëndia na i hoqi njollat tona dhe shpatat tona u bënë të shkëlqyera, atëherë le të mos i njollosim më shpatat tona me gjakun e vëllezërve tanë.

13 Vini re, unë po ju them juve, jo, le t’i mbajmë shpatat tona të panjollosura me gjakun e vëllezërve tanë; pasi ndoshta, po t’i njollosim shpatat tona përsëri, ato nuk do të mund të lahen më dhe nuk do të bëhen të shkëlqyera nëpërmjet gjakut të Birit të Perëndisë sonë të madh, që do të derdhet për shlyerjen e mëkateve tona.

14 Dhe Perëndia i madh pati mëshirë për ne dhe na i bëri të ditura këto gjëra, që ne të mos mbaronim; po, dhe ai na i bëri të ditura këto gjëra që më parë, sepse ai i do shpirtrat tanë, ashtu si do dhe fëmijët tanë; prandaj, në mëshirën e tij, na vizitoi me anë të engjëjve të tij, që plani i shpëtimit të bëhet i njohur prej nesh, si edhe prej brezave të ardhshëm.

15 Oh, sa i mëshirshëm është Perëndia ynë! Dhe tani vini re, pasi është bërë aq shumë sa ne mund të bënim që të hiqeshin njollat prej nesh dhe që shpatat tona të bëheshin të shkëlqyera, le t’i fshehim ato, kështu që të qëndrojnë të shkëlqyera, si një dëshmi ndaj Perëndisë sonë në ditën e fundit, ose në ditën që do të sillemi të qëndrojmë para tij për t’u gjykuar, se ne nuk i njollosëm shpatat tona në gjakun e vëllezërve tanë, që kur ai na dha fjalën e tij dhe me anë të saj na bëri të pastër.

16 Dhe tani vëllezërit e mi, në qoftë se vëllezërit tanë kërkojnë të na shkatërrojnë, vini re, ne do t’i fshehim shpatat tona, po, madje ne do t’i varrosim thellë në tokë, që ato të mbahen të shkëlqyera, si një dëshmi që ne kurrë nuk i përdorëm ato, në ditën e fundit; dhe në qoftë se vëllezërit tanë na shkatërrojnë, vini re, ne do të shkojmë te Perëndia ynë dhe do të shpëtohemi.

17 Dhe tani ndodhi që kur mbreti mbaroi së thëni këto fjalë dhe të gjithë njerëzit ishin mbledhur së bashku, ata i morën shpatat e tyre dhe të gjitha armët që përdoreshin për gjakderdhjen e njeriut dhe i varrosën thellë në tokë.

18 Dhe këtë ata e bënë, sipas mendimit të tyre, si një dëshmi ndaj Perëndisë, ashtu dhe ndaj njerëzve se ata nuk do t’i përdornin kurrë më armët për të derdhur gjak njeriu; dhe këtë gjë e bënë, duke garantuar dhe duke besëlidhur me Perëndinë se ata më mirë do të hiqnin dorë nga jeta e tyre, sesa të derdhnin gjakun e vëllezërve të tyre; dhe se më mirë do t’i jepnin një vëllai, sesa të merrnin prej tij; dhe se më mirë do të punonin rëndë me duart e tyre, sesa të kalonin ditët në përtaci.

19 Dhe kështu ne shohim se, kur këta Lamanitë arritën në pikën që të besonin dhe të dinin të vërtetën, ata ishin të vendosur dhe më mirë do të vuanin madje deri në vdekje, sesa të bënin mëkat; dhe kështu shohim se ata i varrosën armët e tyre të paqes, ose varrosën armët e luftës, për paqe.

20 Dhe ndodhi që vëllezërit e tyre, Lamanitët, bënë përgatitje për luftë dhe erdhën në tokën e Nefit, me qëllim që të shkatërronin mbretin dhe të vendosnin një tjetër në vend të tij, dhe gjithashtu, që të shkatërronin popullin e Anti-Nefi-Lehit në atë vend.

21 Tani, kur njerëzit panë se ata po vinin kundër tyre, u dolën para që të takoheshin me ta dhe u shtrinë përdhe para tyre dhe filluan të thërrisnin në emrin e Zotit; dhe kështu, ata ishin në këtë gjendje, kur Lamanitët filluan të binin mbi ta dhe filluan t’i vrisnin me shpatë.

22 Dhe kështu, pa takuar ndonjë qëndresë, ata vranë një mijë e pesë prej tyre; dhe ne e dimë se ata janë të bekuar, pasi kanë shkuar të banojnë me Perëndinë e tyre.

23 Tani, kur Lamanitët panë se vëllezërit e tyre nuk po iknin nga shpata, as nuk po ktheheshin nga një anë, nga e djathta ose nga e majta, por u shtrinë përdhe, që mbaronin dhe lavdëruan Perëndinë, madje, edhe në çastin kur po mbaronin nën shpatë—

24 Tani, kur Lamanitët e panë këtë gjë, ata u përmbajtën që të mos i vrisnin; dhe pati shumë prej tyre që iu mbushën zemrat për vëllezërit e tyre të vrarë nga shpata, pasi u penduan për gjënë që kishin bërë.

25 Dhe ndodhi që ata hodhën poshtë armët e tyre të luftës dhe se nuk do t’i merrnin më në dorë, pasi ata u tronditën për vrasjet që bënë; dhe ranë përdhe, madje, sikurse vëllezërit e tyre, duke u bazuar në mëshirën e atyre, krahët e të cilëve u ngritën për t’i vrarë.

26 Dhe ndodhi që atë ditë popullit të Perëndisë iu shtuan edhe më shumë sesa numri i atyre që u vranë; dhe ata që u vranë ishin njerëz të drejtë; prandaj ne nuk kemi shkak të dyshojmë se ata nuk u shpëtuan.

27 Dhe nuk pati asnjë njeri të keq të vrarë mes tyre; por pati më shumë se një mijë që u sollën në njohurinë e së vërtetës; kështu ne shohim se Zoti vepron në shumë mënyra për shpëtimin e popullit të tij.

28 Tani, numri më i madh i atyre Lamanitëve që vranë kaq shumë prej vëllezërve të tyre ishin Amalekitë dhe Amulonitë, numri më i madh i të cilëve bënte pjesë në urdhrin e Nehoritëve.

29 Tani, mes atyre që u bashkuan me popullin e Zotit, nuk pati asnjë që të ishte Amalekit ose Amulonit, ose që të ishte i urdhrit të Nehorit, por ata ishin pasardhës të vërtetë të Lamanit dhe Lemuelit.

30 Dhe kështu ne mund të dallojmë qartë se pasi një popull të jetë ndriçuar një herë nga Shpirti i Perëndisë dhe të ketë pasur njohuri të madhe të gjërave që kanë lidhje me drejtësinë dhe pastaj të bjerë në mëkat dhe në shkelje, ai bëhet më i ashpër dhe kështu gjendja e tij bëhet e keqe, sesa po të mos i kishte njohur kurrë këto gjëra.

Shtyp në Letër