Shkrimet e Shenjta
Alma 35


Kapitulli 35

Predikimi i fjalës shkatërron dredhitë e Zoramitëve—Ata përjashtojnë ata që janë kthyer në besim, të cilët bashkohen atëherë me popullin e Amonit në Jershon—Alma dëshpërohet për shkak të ligësisë së njerëzve. Rreth 74 para K.

1 Tani ndodhi që pasi Amuleku mbaroi së thëni këto fjalë, ata u larguan nga turma e popullit dhe shkuan në vendin e Jershonit.

2 Po, dhe vëllezërit e tjerë, pasi predikuan fjalën mes Zoramitëve, gjithashtu shkuan në vendin e Jershonit.

3 Dhe ndodhi që pasi pjesa më e respektuar e Zoramitëve u këshilluan me njëri-tjetrin në lidhje me fjalët që iu predikuan atyre, ata u zemëruan për shkak të fjalës, pasi u shkatërronte dredhitë e tyre; prandaj, nuk do t’ua vinin veshin fjalëve.

4 Dhe ata çuan fjalë që të gjithë njerëzit e atij vendi të mblidheshin së bashku, që të këshilloheshin me ta në lidhje me fjalët që u folën.

5 Tani, sunduesit e tyre dhe priftërinjtë e tyre dhe mësuesit e tyre, nuk ia bënë të ditur popullit dëshirat e tyre; por zbuluan fshehtas mendjet e popullit.

6 Dhe ndodhi që pasi zbuluan mendjet e të gjithë popullit, ata që ishin në favor të fjalëve që u folën nga Alma dhe nga vëllezërit e tij, u dëbuan nga ai vend; dhe ata qenë shumë; dhe ata gjithashtu shkuan në vendin e Jershonit.

7 Dhe ndodhi që Alma dhe vëllezërit e tij u shërbyen atyre.

8 Tani, populli i Zoramitëve u zemërua me njerëzit e Amonit që ishin në Jershon dhe kryesundimtari i Zoramitëve, pasi ishte njeri shumë i keq, u dërgoi fjalë njerëzve të Amonit, se dëshironte që ata të dëbonin nga toka e tyre të gjithë ata që kishin vajtur prej tyre në tokën e tyre.

9 Dhe ai bëri shumë kërcënime kundër tyre. Dhe tani njerëzit e Amonit nuk u frikësuan nga fjalët e tyre; prandaj nuk i dëbuan, por pranuan të gjithë të varfërit e Zoramitëve që shkuan tek ata; dhe ata i ushqyen dhe i veshën, dhe u dhanë toka për trashëgimin e tyre, dhe u shërbyen atyre sipas nevojave të tyre.

10 Tani, kjo gjë i shpuri Zoramitët në zemërim kundër njerëzve të Amonit; dhe ata filluan të përzihen me Lamanitët dhe filluan t’i nxitnin ata gjithashtu në zemërim kundër tyre.

11 Dhe kështu Zoramitët dhe Lamanitët filluan të bëjnë përgatitje për luftë kundër njerëzve të Amonit, si edhe kundër Nefitëve.

12 Dhe kështu mbaroi viti i shtatëmbëdhjetë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.

13 Dhe njerëzit e Amonit u nisën nga toka e Jershonit dhe arritën në tokën e Melekut, dhe bënë vend në tokën e Jershonit për ushtritë Nefite, që të mund të luftonin me ushtritë e Lamanitëve dhe ushtritë e Zoramitëve; dhe kështu filloi një luftë mes Lamanitëve dhe Nefitëve, në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të gjykatësve; dhe këtu më poshtë, do të jepet një rrëfim i luftërave të tyre.

14 Dhe Alma dhe Amoni, dhe vëllezërit e tyre, si edhe dy bijtë e Almës u kthyen në tokën e Zarahemlës, pasi qenë vegla në duart e Perëndisë, që t’i bënin shumë nga Zoramitët të pendohen; dhe aq sa u penduan, aq u dëbuan nga toka e tyre; por ata kanë toka për trashëgimin e tyre në tokën e Jershonit dhe morën armët për të mbrojtur veten dhe bashkëshortet e tyre dhe fëmijët, dhe tokat e tyre.

15 Tani Alma, duke qenë i pikëlluar për paudhësinë e popullit të tij, po, për luftërat dhe për gjakderdhjet dhe për grindjet që bëheshin mes tyre; dhe pasi shkoi për të njoftuar fjalën ose pasi çoi për të njoftuar fjalën mes gjithë njerëzve në çdo qytet; dhe duke parë se zemrat e njerëzve filluan të ngurtësoheshin dhe që ata filluan të fyhen për shkak të rreptësisë së fjalës, zemra e tij u pikëllua shumë.

16 Prandaj, ai bëri që djemtë e tij të mblidheshin tok së bashku, që ai të mund t’u jepte veç e veç secilit detyrën e tij, në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me drejtësinë. Dhe ne kemi një rrëfim të urdhërimeve të tij, të cilat ai ua dha, sipas analit të tij.

Shtyp në Letër