Shkrimet e Shenjta
Alma 8


Kapitulli 8

Alma predikon dhe pagëzon në Melek—Ai nuk pranohet në Amoniha dhe largohet—Një engjëll e urdhëron atë të kthehet dhe t’i thërrasë popullit për pendim—Ai pranohet nga Amuleku dhe të dy së bashku predikojnë në Amoniha. Rreth 82 para K.

1 Dhe tani ndodhi që Alma u kthye nga toka e Gideonit, pasi i mësoi popullit të Gideonit shumë gjëra që nuk mund të shkruhen, pasi vendosi urdhrin e kishës, ashtu sikurse kishte bërë më parë në tokën e Zarahemlës, po, ai u kthye në shtëpinë e tij në Zarahemla për të pushuar nga punët që ai kishte kryer.

2 Dhe kështu mbaroi viti i nëntë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.

3 Dhe ndodhi që në fillim të vitit të dhjetë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit, Alma u largua prej andej dhe nisi udhëtimin e tij për në tokën e Melekut, në perëndim të lumit Sidon, pranë kufijve perëndimorë të vendit të shkretë.

4 Dhe ai filloi t’i mësonte njerëzit në tokën e Melekut sipas urdhrit të shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai u thirr; dhe ai filloi të mësonte njerëzit në të gjithë tokën e Melekut.

5 Dhe ndodhi që njerëzit shkuan tek ai nga të gjithë kufijtë e vendit, që ishte nga ana e vendit të shkretë. Dhe ata u pagëzuan në të gjithë vendin;

6 Kështu që kur mbaroi punën e tij në Melek, ai u largua prej andej dhe udhëtoi për tri ditë në veri të tokës së Melekut; dhe arriti në një qytet që quhej Amoniha.

7 Tani qe zakon i popullit të Nefit që t’i quanin tokat e tyre, dhe qytetet e tyre, dhe fshatrat e tyre, po, madje të gjithë fshatrat e vegjël të tyre me emrin e atij që i pari i zotëroi ato; dhe kështu qe me tokën e Amonihës.

8 Dhe ndodhi që kur Alma arriti në qytetin e Amonihës, ai filloi të predikonte fjalën e Perëndisë tek ata.

9 Tani Satani i kishte fituar zemrat e njerëzve të qytetit Amoniha; prandaj ata nuk donin të dëgjonin fjalët e Almës.

10 Megjithatë Alma luftoi shumë në shpirt, duke u përpjekur me Perëndinë, në lutje të fuqishme, që ai të derdhte Shpirtin e tij mbi njerëzit që ishin në qytet; që ai gjithashtu të bënte që të mund t’i pagëzonte ata në pendim.

11 Megjithatë, ata ngurtësuan zemrat e tyre, duke i thënë atij: Vër re, ne e dimë se ti je Alma; dhe ne e dimë se ti je kryeprift i kishës që ti ke vendosur në shumë pjesë të vendit, sipas traditës tënde; dhe ne nuk jemi të kishës tënde dhe nuk besojmë në tradita të tilla të marra.

12 Dhe tani ne e dimë se duke mos qenë të kishës tënde, e dimë se ti nuk ke fuqi mbi ne; dhe se ia ke dhënë fronin e gjykimit Nefihas; prandaj ti nuk je kryegjykatës mbi ne.

13 Tani, kur njerëzit e thanë këtë dhe nuk pranuan të gjitha fjalët e tij dhe e shanë dhe pështynë mbi të, dhe bënë që të dëbohej nga qyteti i tyre, ai u largua prej andej dhe mori udhën e tij drejt qytetit që quhej Aaron.

14 Dhe ndodhi që ndërsa ai po udhëtonte në atë drejtim, duke qenë i rënduar me dhimbje, duke kaluar nëpërmjet shumë fatkeqësish dhe ankthesh të mëdha të shpirtit, për shkak të ligësisë së njerëzve që ishin në qytetin e Amonihës, ndodhi që ndërsa Alma ishte i rënduar me dhimbje, vini re, një engjëll i Zotit iu shfaq, duke thënë:

15 Qofsh i bekuar, ti, Alma; prandaj, ngrije kokën dhe gëzohu; pasi ti ke arsye të madhe të gëzohesh; pasi ti ke qenë besnik në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë, që nga koha që ti more njoftimin e parë prej tij. Vër re, unë jam ai që ta solli atë ty.

16 Dhe vër re, unë jam dërguar që të të urdhëroj të kthehesh në qytetin e Amonihës dhe të predikosh përsëri mes popullit të qytetit; po, predikoju atyre. Po, thuaju atyre që nëse nuk pendohen, Zoti Perëndi do t’i shkatërrojë ata.

17 Pasi vër re, në këtë kohë ata po mendojnë që të shkatërrojnë lirinë e popullit tënd, që është (pasi kështu thotë Zoti) kundër statuteve dhe gjykimeve dhe urdhërimeve që ai i ka dhënë popullit të tij.

18 Tani ndodhi që pasi Alma mori njoftimin nga engjëlli i Zotit, ai u kthye me të shpejtë në tokën e Amonihës. Dhe ai u fut në qytet nga një udhë tjetër, po, nga udha që është në jug të qytetit të Amonihës.

19 Dhe kur hyri në qytet, ai ishte i uritur dhe i tha një njeriu: A do t’i japësh një shërbëtori të përulur të Perëndisë diçka për të ngrënë?

20 Dhe njeriu i tha atij: Unë jam një Nefit dhe unë e di se ti je një profet i shenjtë i Perëndisë, pasi ti je njeriu për të cilin një engjëll më tha në një vegim: Ti do ta pranosh. Prandaj, eja me mua në shtëpinë time dhe unë do të të jap nga ushqimi im; dhe unë e di se ti do të jesh një bekim për mua dhe për shtëpinë time.

21 Dhe ndodhi që njeriu e mori në shtëpinë e tij; dhe njeriu quhej Amulek; dhe ai i solli bukë dhe mish dhe i shtroi para Almës.

22 Dhe ndodhi që Alma hëngri bukë dhe u ngop; dhe ai bekoi Amulekun dhe shtëpinë e tij dhe i dha falënderime Perëndisë.

23 Dhe pasi hëngri dhe u ngop, i tha Amulekut: Unë jam Alma dhe jam kryeprifti mbi kishën e Perëndisë në tërë vendin.

24 Dhe vër re, unë u thirra që të predikoj fjalën e Perëndisë mes gjithë këtij populli, sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë; dhe unë isha në këtë vend dhe ata nuk më pranuan, por ata më dëbuan dhe unë isha gati t’i ktheja shpinën përgjithnjë kësaj toke.

25 Por vër re, unë u urdhërova që të kthehesha përsëri dhe t’i profetizoja këtij populli, po, dhe të dëshmoj kundër tyre në lidhje me paudhësitë e tyre.

26 Dhe tani Amulek, për shkak se ti më ushqeve dhe më pranove në shtëpi, qofsh i bekuar; pasi unë qeshë i uritur, pasi kisha agjëruar për shumë ditë.

27 Dhe Alma qëndroi shumë ditë me Amulekun para se të fillonte t’i predikonte popullit.

28 Dhe ndodhi që paudhësitë mes popullit u rritën edhe më shumë.

29 Dhe fjala i erdhi Almës, duke thënë: Shko; dhe gjithashtu thuaji shërbëtorit tim Amulek të shkojë dhe t’i profetizojë këtij populli, duke thënë—Pendohuni, pasi kështu thotë Zoti, pasi në qoftë se nuk pendoheni, unë do ta vizitoj këtë popull me zemërimin tim; po, dhe unë nuk do ta largoj zemërimin tim të rreptë prej tij.

30 Dhe Alma shkoi dhe gjithashtu Amuleku, mes popullit, për t’u shpallur atyre fjalët e Perëndisë; dhe ata ishin mbushur me Frymën e Shenjtë.

31 Dhe ata kishin fuqi që iu ishte dhënë atyre, aq sa nuk mund të futeshin në burg; as nuk ishte e mundur që ndonjë njeri të mund t’i vriste ata; megjithatë, ata nuk e ushtruan fuqinë e tyre, derisa u lidhën me rripa dhe u hodhën në burg. Tani, kjo u bë që Zoti të mund të vinte në dukje fuqinë e tij në ta.

32 Dhe ndodhi që ata shkuan dhe filluan t’i predikonin dhe t’i profetizonin popullit, sipas shpirtit dhe fuqisë që Zoti u kishte dhënë atyre.

Shtyp në Letër