Shkrimet e Shenjta
Alma 26


Kapitulli 26

Amoni ngazëllehet në Zotin—Besnikët forcohen nga Zoti dhe atyre u jepet dituri—Nëpërmjet besimit njerëzit mund të sjellin mijëra shpirtra në pendim—Perëndia ka të gjithë fuqinë dhe i kupton të gjitha gjërat. Rreth 90–77 para K.

1 Dhe tani këto janë fjalët e Amonit te vëllezërit e tij, të cilat thonë kështu: Vëllezërit e mi dhe shokët e mi, vini re unë ju them juve se ç’arsye të madhe kemi për t’u gëzuar; pasi, a mund të kishim marrë dot me mend kur u nisëm nga toka e Zarahemlës se Perëndia do të na kishte dhënë bekime kaq të mëdha?

2 Dhe tani, unë pyes, çfarë bekimesh të mëdha na ka dhënë? A mund të thoni?

3 Vini re, unë përgjigjem për ju; pasi vëllezërit tanë, Lamanitët ishin në errësirë, po, madje në humnerën më të errët, por vini re, sa prej tyre janë sjellë që të vërejnë dritën e mrekullueshme të Perëndisë! Dhe ky është bekimi që na është dhënë që ne u bëmë mjete në duart e Perëndisë për të plotësuar këtë punë të madhe.

4 Vini re, mijëra prej tyre gëzohen dhe janë sjellë në vathën e Perëndisë.

5 Vini re, fusha qe gati dhe të bekuar jeni ju, se i vutë drapërin dhe e korrët me fuqinë tuaj, po, gjatë gjithë ditës ju punuat; dhe vini re numrin e duajve tuaj! Dhe ata do të mblidhen në hambarë, që të mos shkojnë kot.

6 Po, ata nuk do të hidhen përdhe nga stuhia në ditën e fundit; po, as nuk do të prishen nga vorbullat e erës; por, kur të vijë stuhia, ata do të mblidhen tok në vendin e tyre, që stuhia të mos jetë në gjendje të depërtojë tek ta; po, as nuk do të hidhen nga erërat e forta në çfarëdo drejtimi që kërkon t’i çojë armiku.

7 Por vini re, ata janë në duart e Zotit të të korrave dhe ata janë të tijtë; dhe ai do t’i ngrejë në ditën e fundit.

8 Qoftë i bekuar emri i Perëndisë tonë; le t’i këndojmë lavdisë së tij, po, le t’i japim falënderime emrit të tij të shenjtë, pasi ai punon me drejtësi përgjithnjë.

9 Pasi, po të mos ishim larguar nga toka e Zarahemlës, këta vëllezërit tanë të dashur që na kanë dashur kaq shumë, do të ishin akoma të munduar nga urrejtja kundër nesh, po, dhe do të ishin gjithashtu të huaj për Perëndinë.

10 Dhe ndodhi që kur Amoni tha këto fjalë, vëllai i tij Aaroni e qortoi duke thënë: Amon, kam frikë se gëzimi yt po të shpie në mburrje.

11 Por Amoni i tha atij: Unë nuk po mburrem në fuqinë time, as në urtësinë time; por vini re, gëzimi im është i plotë, po, zemra ime është plot e përplot me gëzim dhe unë do të ngazëllehem në Perëndinë tim.

12 Po, unë e di se nuk jam asgjë; pasi nga fuqia ime jam i dobët; prandaj nuk do të mburrem për veten time, por do të krenohem për Perëndinë tim, pasi në fuqinë e tij unë mund të bëj të gjitha gjërat; po, vini re, shumë mrekulli të fuqishme kemi bërë në këtë vend, për të cilat ne do të lavdërojmë emrin e tij përgjithnjë.

13 Shikoni sa mijëra prej vëllezërve tanë ka liruar ai nga vuajtjet e ferrit; dhe janë sjellë t’i këndojnë dashurisë shëlbuese dhe kjo për shkak të fuqisë së fjalës së tij që është te ne, prandaj, a nuk kemi shkak të madh të gëzohemi?

14 Po, ne kemi arsye që ta lavdërojmë atë përgjithnjë, pasi ai është Perëndia Më i Lartë dhe ka liruar vëllezërit tanë nga zinxhirët e ferrit.

15 Po, ata ishin rrethuar nga errësira dhe shkatërrimi i përhershëm; por vini re, ai i solli në dritën e tij të përhershme, po, në shpëtimin e përhershëm; dhe ata janë rrethuar nga dashuria e madhe e tij e pashembullt; po, dhe ne kemi qenë mjete në duart e tij, në bërjen e kësaj pune të madhe dhe të mrekullueshme.

16 Prandaj, le të ngazëllehemi, po, do të ngazëllehemi në Zotin; po, do të gëzohemi, pasi gëzimi ynë është i plotë; po, ne do ta lavdërojmë Perëndinë tonë përgjithnjë. Vini re, kush mund të krenohet tepër për Zotin? Po, kush mund të flasë tepër për fuqinë e tij të madhe dhe për mëshirën e tij dhe për vuajtjet e tij të mëdha për fëmijët e njerëzve? Vini re, unë ju them juve, unë nuk mund të tregoj as pjesën më të vogël të asaj që ndiej.

17 Kush mund ta kishte menduar se Perëndia ynë do të kishte qenë kaq i mëshirshëm, sa të na kapte për të na nxjerrë nga gjendja jonë e tmerrshme, mëkatare dhe e fëlliqtë?

18 Vini re, ne shkuam atje madje në zemërim, me kërcënime të rrepta, për të shkatërruar kishën e tij.

19 Oh, atëherë, pse nuk na dorëzoi ai në një shkatërrim të tmerrshëm, po, pse nuk lëshoi ai shpatën e drejtësisë së tij, që të binte mbi ne dhe të na dënonte në dëshpërim të përjetshëm?

20 Oh, shpirti im, gati më ikën nga ky mendim. Vini re, ai nuk ushtroi drejtësinë e tij mbi ne, por në mëshirën e tij të madhe na çoi matanë asaj humnere të përhershme vdekjeje dhe mjerimi, madje në shpëtimin e shpirtrave tanë.

21 Dhe tani, vini re vëllezërit e mi, çfarë njeriu natyror gjendet, që t’i dijë këto gjëra? Unë ju them juve se nuk ka asnjë që t’i dijë këto gjëra, përveç të penduarit.

22 Po, ai që pendohet dhe që ushtron besim dhe që bën vepra të mira, dhe që lutet vazhdimisht pa pushim—atij i jepet të dijë misteret e Perëndisë; po, atij do t’i jepet të zbulojë gjëra që nuk janë zbuluar kurrë më parë; po, dhe atij do t’i jepet të sjellë mijëra shpirtra në pendim, madje ashtu sikurse na është dhënë ne, që t’i sjellim këta vëllezërit tanë në pendim.

23 Tani, a e mbani mend, vëllezërit e mi, se u thamë vëllezërve tanë në tokën e Zarahemlës se po shkonim në tokën e Nefit, që t’u predikonim vëllezërve tanë, Lamanitëve dhe ata qeshën me përbuzje?

24 Pasi ata na thanë: A mendoni ju se mund t’i sillni Lamanitët në njohurinë e së vërtetës? A mendoni se ju mund t’i bindni Lamanitët për pasaktësinë e traditave të etërve të tyre, duke qenë njerëz kokëfortë ashtu sikurse janë; zemrat e të cilëve gëzohen në derdhjen e gjakut; ditët e të cilëve kalohen në padrejtësinë më të madhe; udhët e të cilëve kanë qenë udhët e një shkelësi që nga fillimi? Tani, vëllezërit e mi, ju e mbani mend se kjo ishte gjuha e tyre.

25 Dhe, përmbi të tjera ata thanë: Të rrokim armët kundër tyre, që t’i shkatërrojmë ata dhe paudhësinë e tyre nga kjo tokë, përndryshe do të na pushtojnë dhe do të na shkatërrojnë.

26 Por, vini re vëllezërit e mi të dashur, ne erdhëm në vendin e shkretë jo me qëllim që të shkatërronim vëllezërit tanë, por me qëllim që ndoshta mund të shpëtonim ndonjë prej shpirtrave të tyre.

27 Tani, kur zemrat tona ishin të dëshpëruara dhe ishim gati të ktheheshim prapa, vini re, Zoti na ngushëlloi dhe tha: Shkoni mes vëllezërve tuaj, Lamanitëve dhe mbani me durim vuajtjet tuaja dhe unë do t’ju jap juve sukses.

28 Dhe tani vini re, ne kemi ardhur dhe kemi qenë mes tyre; dhe kemi qenë të duruar në vuajtjet tona dhe ne kemi vuajtur çdo heqje të drejte; po, ne kemi udhëtuar nga shtëpia në shtëpi, duke u mbështetur në mëshirat e botës—jo vetëm në mëshirat e botës, por në mëshirat e Perëndisë.

29 Dhe ne kemi hyrë në shtëpitë e tyre dhe i mësuam; dhe i mësuam në rrugët e tyre; dhe i mësuam mbi kodrat e tyre; dhe ne kemi hyrë gjithashtu në tempujt e tyre dhe në sinagogat e tyre dhe i mësuam ata; dhe ne u dëbuam dhe ata u tallën me ne, dhe pështynë mbi ne, dhe na kanë goditur në faqe; dhe na kanë zënë me gurë dhe na kanë kapur, dhe na kanë lidhur me litarë të fortë, dhe na kanë futur në burg; dhe nëpërmjet fuqisë dhe urtësisë së Perëndisë ne shpëtuam përsëri.

30 Dhe ne vuajtëm të gjitha llojet e fatkeqësive dhe e gjithë kjo, që ndoshta ne të mund të ishim mjetet e shpëtimit të ndonjë shpirti; dhe ne menduam se gëzimi ynë do të ishte i plotë, në qoftë se ndoshta ne do të mund të bëheshim mjetet e shpëtimit të disave.

31 Tani vini re, ne mund të shikojmë përpara dhe të shohim frytet e punëve tona; dhe a janë ato të pakta? Unë ju them juve, Jo, ato janë të shumta; po, dhe ne mund të dëshmojmë për çiltërsinë e tyre, për shkak të dashurisë së tyre ndaj vëllezërve të tyre dhe gjithashtu ndaj nesh.

32 Pasi vini re, ata më mirë sakrifikonin jetën e tyre, sesa të merrnin jetën e armikut të tyre; dhe ata i varrosën armët e tyre të luftës thellë në tokë, për shkak të dashurisë së tyre ndaj vëllezërve të tyre.

33 Dhe tani vini re, unë ju them juve, a ka pasur dashuri kaq të madhe në gjithë këtë tokë? Vini re, unë ju them juve, Jo, nuk ka pasur, madje as mes Nefitëve.

34 Pasi vini re, ata do të kishin marrë armët kundër vëllezërve të tyre; ata nuk do të kishin lejuar që të vriteshin. Por, vini re, sa prej tyre dhanë jetën; dhe ne e dimë se ata shkuan te Perëndia i tyre, për shkak të dashurisë së tyre dhe të urrejtjes së tyre ndaj mëkatit.

35 Tani, a nuk kemi shkak të gëzohemi? Po, unë ju them juve se nuk pati kurrë njerëz që të kishin shkak kaq të madh të gëzoheshin sa ne, që kur filloi bota; po, dhe gëzimi im më ngre, madje deri në mburrje në Perëndinë tim; pasi ai ka gjithë fuqinë, gjithë diturinë dhe gjithë zgjuarsinë; ai kupton të gjitha gjërat dhe është një Qenie e mëshirshme, derisa të shpëtojë ata që do të pendohen dhe do të besojnë në emrin e tij.

36 Tani, në qoftë se kjo është mburrje, kështu unë do të mburrem; pasi kjo është jeta ime dhe drita ime, gëzimi im dhe shpëtimi im dhe shëlbimi im nga një mjerim i përhershëm. Po, i bekuar është emri i Perëndisë tim që është kujdesur për këtë popull që është një degë e pemës së Izraelit dhe që ka humbur nga trungu i tij në një vend të huaj; po, unë them i bekuar qoftë emri i Perëndisë tim që është kujdesur për ne, endacakë në vend të huaj.

37 Tani, vëllezërit e mi, ne shohim se Perëndia kujdeset për të gjithë njerëzit, në çdo vend që të ndodhen; po, ai numëron njerëzit e tij dhe zemra e tij e mëshirës është mbi gjithë tokën. Tani, ky është gëzimi im dhe falënderimi im i madh; po, dhe unë do t’i jap falënderime Perëndisë tim përgjithmonë. Amen.

Shtyp në Letër