Shkrimet e Shenjta
Alma 22


Kapitulli 22

Aaroni i mëson atit të Lamonit rreth Krijimit, rënies së Adamit dhe planit të shëlbimit nëpërmjet Krishtit—Mbreti dhe të gjithë njerëzit e shtëpisë së tij kthehen në besim—Shpjegohet ndarja e tokës mes Nefitëve dhe Lamanitëve. Rreth 90–77 para K.

1 Tani, ndërsa Amoni po mësonte vazhdimisht popullin e Lamonit, ne do të kthehemi te rrëfimi i Aaronit dhe i vëllezërve të tij; meqë pasi u nis nga toka e Midonit, ai u udhëhoq nga Shpirti për në tokën e Nefit, madje deri te shtëpia e mbretit që ishte mbi të gjithë tokën, me përjashtim të tokës së Ishmaelit; dhe ai qe ati i Lamonit.

2 Dhe ndodhi që ai shkoi tek ai, brenda në pallatin e mbretit me vëllezërit e tij dhe u përul para mbretit dhe i tha atij: Vër re, O mbret, ne jemi vëllezërit e Amonit, që ti lirove nga burgu.

3 Dhe tani, O mbret, në qoftë se ti do të na falësh jetën, ne do të jemi shërbëtorët e tu. Dhe mbreti u tha atyre: Ngrihuni, pasi unë do t’jua fal jetën dhe nuk do të lejoj që ju të jeni shërbëtorët e mi; por unë do të ngul këmbë që ju të më administroni; pasi kam qenë disi i shqetësuar në mendje, për shkak të bujarisë dhe të madhështisë së fjalëve të vëllait tuaj Amon; dhe dëshiroj të di arsyen përse ai nuk ka dalë nga Midoni me ju.

4 Dhe Aaroni i tha mbretit: Vër re, Shpirti i Zotit e ka thirrur gjetiu; ai ka shkuar në tokën e Ishmaelit, për të mësuar popullin e Lamonit.

5 Tani mbreti u tha atyre: Ç’është kjo gjë që thatë në lidhje me Shpirtin e Zotit? Vini re, kjo është gjëja që më shqetëson.

6 Dhe gjithashtu, ç’është kjo që Amoni tha— qoftë se ju do të pendoheni, do të shpëtoheni dhe në qoftë se nuk do të pendoheni, ju do të flakeni tej në ditën e fundit.

7 Dhe Aaroni iu përgjigj dhe i tha atij: A beson ti se ka një Perëndi? Dhe mbreti tha: Unë di se Amalekitët thonë se ka një Perëndi dhe unë u kam dhënë leje të ndërtojnë vende të shenjta, që të mblidhen së bashku për ta adhuruar atë. Dhe tani, në qoftë se ti thua se ka Perëndi, vër re, unë do të besoj.

8 Dhe tani, kur Aaroni dëgjoi këtë, zemra e tij filloi të gëzohej dhe tha: Vër re, aq me siguri sa je gjallë ti, O mbret, aq ka një Perëndi.

9 Dhe mbreti tha: A është Perëndia ai Shpirti i Madh që nxori etërit tanë nga toka e Jeruzalemit?

10 Dhe Aaroni i tha atij: Po, ai është ai Shpirti i Madh dhe ai krijoi të gjitha gjërat, qoftë në qiell, ashtu edhe në tokë. A e beson ti këtë?

11 Dhe ai tha: Po, unë besoj se Shpirti i Madh krijoi të gjitha gjërat dhe dëshiroj që ti të më tregosh në lidhje me të gjitha këto gjëra dhe unë do t’u besoj fjalëve të tua.

12 Dhe ndodhi që kur Aaroni pa se mbreti do t’u besonte fjalëve të tij, ai filloi që nga krijimi i Adamit, duke i lexuar mbretit shkrimet e shenjta—sesi Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij dhe se Perëndia i dha atij urdhërime dhe se për shkak të shkeljes, njeriu ra.

13 Dhe Aaroni i shpjegoi atij shkrimet e shenjta që nga krijimi i Adamit, duke i paraqitur atij rënien e njeriut dhe gjendjen e tij të mishit dhe gjithashtu planin e shëlbimit, që ishte përgatitur që nga krijimi i botës, nëpërmjet Krishtit, për të gjithë ata që do të besonin në emrin e tij.

14 Dhe që kur njeriu ra, ai nuk mund të meritonte asgjë për veten e tij; por vuajtjet dhe vdekja e Krishtit shlyejnë për mëkatet e tyre, nëpërmjet besimit, pendimit dhe kështu me radhë; dhe se ai këput rripat e vdekjes, që varri të mos ketë fitore dhe thumbi i vdekjes të gëlltitet në shpresat e lavdisë; dhe Aaroni ia shpjegoi të gjitha këto gjëra mbretit.

15 Dhe ndodhi që pasi Aaroni ia shpjegoi këto gjëra, mbreti tha: Çfarë duhet të bëj që të mund të kem këtë jetë të përjetshme, për të cilën fole? Po, çfarë duhet të bëj që të mund të lind nga Perëndia, duke shkulur këtë shpirt të keq nga gjoksi im dhe të marr Shpirtin e tij, që të jem plot gëzim, që të mos përjashtohem në ditën e fundit? Vër re, tha ai, unë do të heq dorë nga çdo gjë që kam, po, unë do ta braktis mbretërinë time, që të mund të marr këtë gëzim të madh.

16 Por Aaroni i tha: Në qoftë se ti e dëshiron këtë gjë, në qoftë se ti do të përulesh para Perëndisë, po, në qoftë se ti do të pendohesh për të gjitha mëkatet e tua dhe do të përulesh para Perëndisë dhe të thërrasësh emrin e tij me besim, duke besuar se do të marrësh, atëherë do të marrësh shpresën që dëshiron.

17 Dhe ndodhi që kur Aaroni i tha këto fjalë, mbreti u përul para Zotit në gjunjë; po, madje u shtri përdhe dhe thirri fuqishëm, duke thënë:

18 O Perëndi, Aaroni më ka thënë se ka një Perëndi dhe në qoftë se ka një Perëndi dhe në qoftë se ti je Perëndia, a do të më shfaqesh dhe unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur dhe që të mund të ngrihem së vdekuri dhe të shpëtohem në ditën e fundit. Dhe tani, kur mbreti i tha këto fjalë, ra përdhe sikur të ishte i vdekur.

19 Dhe ndodhi që shërbëtorët e tij vrapuan që t’i thoshin mbretëreshës të gjithë atë që i kishte ndodhur mbretit. Dhe ajo erdhi te mbreti; dhe kur e pa të shtrirë sikur të kishte vdekur dhe pa gjithashtu Aaronin dhe vëllezërit e tij duke qëndruar, sikur të kishin qenë ata shkaku i rënies së tij, ajo u zemërua me ta dhe u dha urdhër shërbëtorëve të saj, ose shërbëtorëve të mbretit, që t’i kapnin dhe t’i vrisnin.

20 Tani shërbëtorët e panë shkakun e rënies së mbretit, prandaj nuk guxonin të vinin dorë mbi Aaronin dhe vëllezërit e tij; dhe iu lutën mbretëreshës, duke thënë: Përse na jep urdhër që t’i vrasim këta njerëz, kur vër re, njëri prej tyre është i fuqishëm se të gjithë ne? Prandaj, ne do të biem para tyre.

21 Tani, kur mbretëresha pa frikën e shërbëtorëve, edhe ajo vetë filloi të frikësohej shumë, se mos vinte ndonjë e keqe mbi të. Dhe ajo urdhëroi shërbëtorët e saj që të shkonin dhe të thërrisnin popullin, që ata të mund të vrisnin Aaronin dhe vëllezërit e tij.

22 Tani, kur Aaroni pa vendosmërinë e mbretëreshës, ai, duke ditur edhe ngurtësinë e zemrave të popullit, pati frikë se një turmë njerëzish mund të mblidheshin së bashku dhe do të bëhej një grindje e madhe dhe një trazirë mes tyre; prandaj, ai shtriu dorën, e ngriti mbretin nga toka dhe i tha atij: Qëndro. Dhe ai qëndroi në këmbët e tij, duke marrë fuqinë e tij.

23 Tani kjo u bë në prani të mbretëreshës dhe të shumë shërbëtorëve. Dhe kur ata e panë këtë gjë, u çuditën shumë dhe filluan të frikësohen. Dhe mbreti qëndroi përpara dhe filloi t’u predikonte atyre. Dhe ai u predikoi kaq shumë, sa e gjithë shtëpia e tij u kthye në besim te Zoti.

24 Tani, një shumicë njerëzish ishin mbledhur së bashku, për shkak të urdhërimit të mbretëreshës; dhe filluan të bëheshin shumë pëshpëritje mes tyre për shkak të Aaronit dhe vëllezërve të tij.

25 Por mbreti shkoi mes tyre dhe i ndihmoi të kuptonin. Dhe ata u qetësuan kundrejt Aaronit dhe atyre që ishin me të.

26 Dhe ndodhi që kur mbreti pa se populli ishte qetësuar, ai bëri që Aaroni dhe vëllezërit e tij të qëndronin në mes të turmës dhe t’u predikonin atyre fjalën.

27 Dhe ndodhi që mbreti dërgoi një shpallje në tërë tokën, mes gjithë njerëzve të tij që ishin në të gjithë tokën e tij, që ishin në të gjitha krahinat rreth e përqark, që ishin madje edhe në kufi me detin, nga lindja dhe nga perëndimi dhe që ishin ndarë nga toka e Zarahemlës me anë të një rripi të ngushtë shkretëtire, që shkonte nga deti në lindje, madje deri në det nga perëndimi dhe rreth e përqark kufijve të bregdetit dhe të kufijve të vendit të shkretë, që ishte nga veriu pranë tokës së Zarahemlës, nëpërmjet kufijve të Mantit, në krye të lumit Sidon, që rrjedh nga lindja në drejtim të perëndimit—dhe kështu ndaheshin Lamanitët nga Nefitët.

28 Tani, pjesa më përtace e Lamanitëve jetonte në vendin e shkretë dhe banonte në çadra; dhe ishin përhapur në vendin e shkretë në perëndim, në tokën e Nefit; po, dhe gjithashtu në perëndim të tokës së Zarahemlës, në kufijtë gjatë bregdetit dhe nga perëndimi në tokën e Nefit, në vendin e trashëgimit të parë të etërve të tyre dhe kështu duke u kufizuar përgjatë bregdetit.

29 Dhe kishte gjithashtu shumë Lamanitë në lindje pranë bregdetit, ku i kishin shpënë Nefitët. Dhe kështu, Nefitët ishin pothuajse të rrethuar nga Lamanitët; megjithatë, Nefitët kishin marrë në zotërim të gjitha pjesët veriore të tokës që kufizohej me vendin e shkretë, në krye të lumit Sidon, nga lindja në perëndim, rreth e përqark në anën e vendit të shkretë; në veri, madje derisa ata arritën në vendin që e quajtën Begati.

30 Dhe kufizohej me tokën që ata e quajtën Shkretim, pasi ajo ishte kaq në veri, sa binte në tokën që kishte qenë e populluar dhe ishte shkatërruar, për kockat e të cilëve kemi folur, që u zbulua nga populli i Zarahemlës, pasi ishte vendi ku ata zbritën pari.

31 Dhe ata erdhën që andej lart për në jug të vendit të shkretë. Kështu toka në veri u quajt Shkretim dhe toka në jug u quajt Begati, pasi ishte vendi i shkretë që është plot me të gjitha llojet e kafshëve të egra të çdo forme, një pjesë e të cilave kishin ardhur nga tokat e veriut për ushqim.

32 Dhe tani, largësia nga deti lindor në detin perëndimor, në vijën midis Begatisë dhe tokës Shkretim, ishte vetëm prej një dite e gjysmë udhëtimi për një Nefit; dhe kështu toka e Nefit dhe toka e Zarahemlës ishin pothuajse të rrethuara nga uji, pasi kishte një istëm të vogël toke mes tokës së veriut dhe tokës së jugut.

33 Dhe ndodhi që Nefitët kishin banuar në tokën Begati, madje nga lindja deri në detin perëndimor dhe kështu Nefitët, në mençurinë e tyre, me rojat e tyre dhe me ushtritë e tyre, kishin bllokuar Lamanitët nga jugu, kështu që të mos ishin në gjendje të kishin më toka në veri dhe të mos ishin në gjendje të pushtonin tokën në veri.

34 Prandaj Lamanitët nuk mund të kishin më zotërime veçse në tokën e Nefit dhe në vendin e shkretë rreth e përqark. Tani kjo ishte gjë e urtë nga ana e Nefitëve—pasi Lamanitët ishin një armik për ta, ata nuk donin të vuanin fatkeqësi nga çfarëdolloj drejtimi dhe gjithashtu, që të kishin një vend ku mund të iknin sipas dëshirave të tyre.

35 Dhe tani unë, pasi e thashë këtë, kthehem përsëri te rrëfimi i Amonit dhe Aaronit, i Omnerit dhe Himnit dhe vëllezërve të tyre.

Shtyp në Letër