Shkrimet e Shenjta
Alma 60


Kapitulli 60

Moroni ankohet pranë Pahoranit për moskokëçarjen e qeverisë për ushtritë—Zoti lejon që të vriten të drejtët—Nefitët duhet të përdorin gjithë fuqinë e tyre dhe të gjitha mjetet e tyre për të shpëtuar nga armiqtë e tyre—Moroni kërcënon se do të luftojë kundër qeverisë, në qoftë se nuk u dërgohen ndihma ushtrive të tij. Rreth 62 para K.

1 Dhe ndodhi që ai i shkroi përsëri guvernatorit të vendit, që ishte Pahorani dhe këto janë fjalët që i shkroi, duke thënë: Vër re, këtë letrën time po ia drejtoj Pahoranit, në qytetin e Zarahemlës, i cili është kryegjykatës dhe guvernator i vendit dhe gjithashtu i të gjithë atyre që janë zgjedhur nga ky popull, që të qeverisin dhe të mbarështojnë punët e kësaj lufte.

2 Pasi vini re, unë kam diçka për t’u thënë për t’i dënuar; pasi vini re, ju vetë e dini se ju jeni të ngarkuar që të mblidhni njerëz dhe t’i armatosni me shpata dhe me kordha dhe me gjithfarë armësh të çdo lloji dhe t’i çoni kundër Lamanitëve, nga cilado pjesë e vendit tonë që ata të vijnë.

3 Dhe tani vini re, po ju them se unë vetë dhe gjithashtu njerëzit e mi, ashtu dhe Helamani dhe njerëzit e tij, kemi pësuar vuajtje jashtëzakonisht të mëdha; po, madje uri, etje dhe lodhje dhe gjithfarë mjerimesh të çdo lloji.

4 Por vini re, po të mos kishte gjë tjetër nuk do të mërmëritnim, as nuk do të ankoheshim.

5 Por vini re, e madhe ka qenë kërdia mes popullit tonë; po, mijëra prej tyre kanë rënë nga shpata, ndërsa mund të kishte qenë ndryshe, po t’u kishit dhënë ushtrive tona forca të mjaftueshme dhe ndihma për to. Po, e madhe ka qenë mospërfillja juaj për ne.

6 Dhe tani vini re, ne dëshirojmë të dimë shkakun e kësaj mospërfilljeje jashtëzakonisht të madhe; po, ne dëshirojmë të dimë shkakun e gjendjes së moskokëçarjes suaj.

7 A mendoni se mund të uleni në fronet tuaja në një gjendje të shkujdesur shtangësie, ndërsa armiqtë tuaj po përhapin vdekje përreth jush? Po, ndërsa ata po vrasin me mijëra prej vëllezërve tuaj—

8 Po, madje ata që janë mbështetur te ju për mbrojtje, po, që ju kanë vënë në një gjendje që mund t’i kishit mbrojtur, po, ju mund t’u kishit dërguar ushtri për t’i përforcuar dhe të kishit shpëtuar me mijëra prej tyre, që të mos binin nga shpata.

9 Por vini re, kjo nuk është e gjitha—ju ua keni mbajtur furnizimet ushqimore atyre kaq shumë, sa shumë kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për shkak të dëshirave të tyre të mëdha që ata kishin për mirëqenien e këtij populli; po, dhe këtë e kanë bërë kur ishin gati mbaronin nga uria, për shkak të moskokëçarjes suaj jashtëzakonisht të madhe ndaj tyre.

10 Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur—pasi duhet të ishit të dashur; po, dhe ju duhet të ishit më të zellshëm për mirëqenien dhe për lirinë e këtij populli; por vini re, ju nuk i keni përfillur ata, aq sa gjaku i mijërave do të bjerë mbi kokat tuaja për hakmarrje; po, pasi dihen nga Perëndia të gjitha thirrjet e tyre dhe të gjitha vuajtjet e tyre—

11 Vini re, a mund të mendoni se mund të uleni në fronet tuaja dhe për shkak të mirësisë së madhe të Perëndisë të mos bëni asgjë dhe ai do t’ju shpëtojë? Vini re, në qoftë se keni menduar këtë, ju keni menduar më kot.

12 A mos mendoni se kaq shumë prej vëllezërve tuaj janë vrarë për shkak të ligësisë së tyre? Unë po ju them, në qoftë se keni menduar këtë, ju keni menduar më kot; pasi po ju them, ka shumë që kanë rënë nga shpata; dhe vini re, është për dënimin tuaj;

13 Pasi Zoti lejon që të drejtët të vriten, që drejtësia dhe gjykimi i tij të bien mbi të ligjtë; prandaj, ju nuk duhet të mendoni se të drejtët kanë humbur, sepse janë vrarë; por vini re, ata hyjnë në prehjen e Zotit, Perëndisë së tyre.

14 Dhe tani vini re, unë po ju them juve se kam shumë frikë se gjykimet e Perëndisë do të bien mbi këtë popull, për shkak të plogështisë së madhe të tij, po, madje të plogështisë së qeverisë sonë dhe të moskokëçarjes së tyre jashtëzakonisht të madhe ndaj vëllezërve të tyre, po, ndaj atyre që janë vrarë.

15 Pasi, po të mos ishte për ligësinë që filloi së pari nga kryetarët tanë, ne do t’u kishim bërë ballë armiqve tanë, kështu që ata nuk do të kishin fituar epërsi mbi ne.

16 Po, po të mos kishte qenë për luftën që plasi mes nesh; po, po të mos ishte për këta njerëzit e mbretit që shkaktuan kaq gjakderdhje mes nesh; po, atëherë kur po luftonim mes nesh, po të kishim bashkuar forcat tona, sikurse bëmë pastaj; po, po të mos ishte për dëshirën për pushtet dhe autoritet që ata njerëz të mbretit kishin mbi ne; po të kishin qenë besnikë ndaj çështjes së lirisë sonë dhe të ishin bashkuar me ne dhe të kishim shkuar kundër armiqve tanë, në vend që të merrnin shpatat e tyre kundër nesh; që qe shkaku i një gjakderdhjeje kaq të madhe mes nesh; po, po të kishim shkuar kundër tyre me fuqinë e Zotit, ne do t’i kishim shpartalluar armiqtë tanë, pasi ajo do të ishte bërë, sipas përmbushjes së fjalës së tij.

17 Por vini re, tani Lamanitët po vijnë kundër nesh, duke futur në dorë tokat tona, po vrasin popullin tonë me shpatë, po, gratë tona dhe fëmijët tanë dhe gjithashtu i marrin me vete robër, duke u shkaktuar që të pësojnë lloj-lloj vuajtjesh dhe kjo gjë për shkak të ligësisë së madhe të atyre që kërkojnë pushtet dhe autoritet, po, madje ata njerëzit e mbretit.

18 Por, përse duhet të zgjatem në lidhje me këtë çështje? Pasi ne nuk e dimë nëse edhe ju vetë po kërkoni autoritet. Pasi ne nuk e dimë nëse ju jeni gjithashtu tradhtarë të vendit tuaj.

19 A mos është ndoshta se nuk na keni përfillur, ngaqë jeni në zemër të vendit tonë dhe jeni të rrethuar nga siguria, kështu që nuk u interesuat të na dërgonit ushqime si dhe ushtarë për të forcuar ushtritë tona?

20 A i keni harruar urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj? Po, a e keni harruar robërinë e etërve tanë? A e keni harruar sesa shumë herë jemi çliruar nga duart e armiqve tanë?

21 Apo mos mendoni ndoshta se Zoti do të na shpëtojë përsëri, ndërsa qëndrojmë të ulur në fronet tona dhe nuk përdorim mjetet që na ka dhënë Zoti?

22 Po, a doni të qëndroni ulur pa punuar, ndërsa keni përreth jush mijëra nga ata, po, dhe dhjetëra mijëra që qëndrojnë ulur pa bërë gjë, ndërsa ka mijëra rreth e përqark kufijve të vendit që bien nga shpata, po, të plagosur dhe të përgjakur?

23 A mendoni se Perëndia do t’ju konsiderojë të pafajshëm, ndërsa ju qëndroni të palëvizur dhe vini re këto gjëra? Vini re, unë po ju them juve: Jo. Tani do të doja që të mbani mend se Perëndia ka thënë që së pari duhet pastruar brendësia e enës dhe pastaj duhet pastruar edhe pjesa e jashtme.

24 Dhe tani, në qoftë se ju nuk pendoheni për atë që keni bërë dhe të filloni të jeni gati dhe të bëni atë që është e nevojshme për të na dërguar ushqime dhe ushtarë, si neve ashtu dhe Helamanit, që ai të mund të mbajë ato pjesë të vendit tonë që ka rifituar dhe që të mund të shtiem rishtas në dorë edhe mbetjen e zotërimeve tona në këto anë, vini re, do të ishte e përshtatshme të mos luftojmë më me Lamanitët, derisa të kemi pastruar më parë enën nga përbrenda, po, madje edhe kryetarin e madh të qeverisë sonë.

25 Dhe në qoftë se ju nuk më jepni sa kërkoj në letrën time, në qoftë se nuk dilni dhe nuk më tregoni një shpirt të vërtetë lirie dhe nuk përpiqeni të forconi dhe të fuqizoni ushtritë tona, dhe t’u jepni ushqim për t’i mbajtur, vini re, do të lë një pjesë të ushtarëve të mi të lirë, që të mbajnë këtë pjesë të vendit tonë dhe unë do të lë fuqinë dhe bekimet e Perëndisë mbi ta, që asnjë fuqi tjetër të mos mund të veprojë kundër tyre—

26 Dhe kjo për besimin shumë të madh të tyre dhe për durimin e tyre në vuajtjet e tyre—

27 Dhe unë do të vij te ju dhe në qoftë se ka ndonjë mes jush që ka dëshirë për liri, po, dhe në qoftë se ka mbetur madje edhe vetëm një shkëndijë lirie, vini re, unë do të shkaktoj kryengritje mes jush, madje derisa ata që duan të uzurpojnë pushtet dhe autoritet, të shfarosen.

28 Po, vini re, unë nuk kam frikë nga fuqia juaj dhe nga autoriteti juaj, por kam frikë nga Perëndia im; dhe po marr shpatën time në bazë të urdhërimeve të tij, për të mbrojtur çështjen e vendit tim dhe është për shkak të paudhësisë suaj, që pësuam humbje kaq të madhe.

29 Vini re, është koha, po koha është afër, që, në qoftë se nuk lëvizni për të mbrojtur vendin tuaj dhe të vegjlit tuaj, shpata e drejtësisë qëndron pezull mbi ju; po, dhe do të bjerë mbi ju dhe do t’ju vizitojë madje deri në shkatërrimin tuaj të plotë.

30 Vini re, unë pres ndihmë nga ju; dhe në qoftë se nuk na dërgoni ndihma, vini re, unë do të vij te ju, madje deri në tokën e Zarahemlës dhe do t’ju godas me shpatë, aq sa ju nuk do të keni më fuqi ta pengoni përparimin e këtij populli në çështjen e lirisë sonë.

31 Pasi vini re, Zoti nuk do të lejojë që ju të jetoni dhe të shtoni shumë paudhësitë tuaja, që të shkatërroni popullin e tij të drejtë.

32 Vini re, a mos mendoni se Zoti do t’ju kursejë juve dhe të dalë në gjykim kundër Lamanitëve, kur urrejtja e tyre është shkaktuar vetëm nga tradita e etërve të tyre, po, dhe është dyfishuar nga ata që janë shkëputur nga ne, ndërsa paudhësia juaj është për shkak të dashurisë që keni për madhështi dhe për gjërat e kota të botës?

33 Ju e dini se nuk respektoni ligjet e Perëndisë dhe e dini se i shkelni me këmbë. Vini re, Zoti më tha mua: Në qoftë se ata që keni caktuar si guvernatorët tuaj nuk pendohen për mëkatet dhe paudhësitë e tyre, ti do të shkosh të luftosh kundër tyre.

34 Dhe tani vini re, unë, Moroni, jam i detyruar sipas besëlidhjes që kam bërë të zbatoj urdhërimet e Perëndisë tim; prandaj do të doja që ju t’i mbaheni fjalës së Perëndisë dhe të më dërgoni me shpejtësi furnizimet, ushtarët tuaj dhe gjithashtu Helamanit.

35 Dhe vini re, në qoftë se nuk do ta bëni këtë, unë do të vij me shpejtësi te ju; pasi vini re, Perëndia nuk do të lejojë që ne të mbarojmë nga uria; prandaj ai do të na japë nga ushqimi juaj, edhe në qoftë se duhet bërë me shpatë. Tani shikoni që të plotësoni fjalën e Perëndisë.

36 Vini re, unë jam Moroni, kryekapiteni juaj. Unë nuk kërkoj pushtet, por ta hedh poshtë atë. Unë nuk kërkoj për nderimin e botës, por madhështinë e Perëndisë tim dhe lirinë dhe mirëqenien e vendit tim. Dhe kështu e mbyll letrën time.

Shtyp në Letër