Shkrimet e Shenjta
Enosi 1


Libri i Enosit

Kapitulli 1

Enosi lutet me fuqi dhe fiton një falje të mëkateve të tij—Zëri i Zotit vjen në mendjen e tij duke premtuar shpëtim për Lamanitët në një ditë të ardhshme—Nefitët kërkojnë të rikthejnë Lamanitët—Enosi gëzohet në Shëlbuesin e tij. Rreth 420 para K.

1 Vini re, ndodhi që unë, Enosi, duke ditur se ati im ishte një burrë i drejtë—pasi ai më mësoi mua në gjuhën e tij dhe gjithashtu në kujdesin dhe këshillën e Zotit—dhe bekuar qoftë emri i Perëndisë tim për këtë—

2 Dhe unë do t’ju tregoj për përleshjen që unë pata para Perëndisë, para se unë të merrja një heqje të mëkateve të mia.

3 Vini re, unë shkova për të gjuajtur kafshë në pyje; dhe fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, më hynë thellë në zemrën time.

4 Dhe shpirti im ishte i uritur; dhe unë u gjunjëzova para Krijuesit tim dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim; dhe gjithë ditën unë iu përgjërova atij; po, dhe kur ra nata, unë e ngrita akoma zërin tim lart, saqë ai arriti qiejt.

5 Dhe erdhi një tek unë duke thënë: Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar.

6 Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi.

7 Dhe unë thashë: Zot, si u bë ajo?

8 Dhe ai më tha: Për shkak të besimit tënd në Krishtin, të cilin ti kurrë më parë as e ke dëgjuar, as e ke parë. Dhe shumë vjet kalojnë para se ai të shfaqë veten e tij në mish; prandaj shko, besimi yt të ka bërë ty të shëruar.

9 Tani, ndodhi që kur dëgjova këto fjalë, unë fillova të ndjeja dëshirë për mirëqenien e vëllezërve të mi, Nefitëve; prandaj unë derdha te Perëndia tërë shpirtin tim për ta.

10 Dhe ndërsa unë isha duke u përleshur kështu në shpirt, vini re, zëri i Zotit erdhi në mendjen time përsëri, duke thënë: Unë do t’i vizitoj vëllezërit e tu sipas zellit të tyre në zbatimin e urdhërimeve të mia. Unë u kam dhënë atyre këtë tokë dhe ajo është një tokë e shenjtë; dhe unë nuk e mallkoj, veçse në rast të paudhësisë; prandaj, unë do t’i vizitoj vëllezërit e tu sipas asaj që unë kam thënë; dhe shkeljet e tyre do t’i bëj të bien me pikëllim mbi kokat e tyre.

11 Dhe pasi unë, Enosi, i kisha dëgjuar këto fjalë, besimi im filloi të bëhet i patundur në Zotin; dhe unë iu luta atij me shumë përpjekje të gjata për vëllezërit e mi, Lamanitët.

12 Dhe ndodhi që pasi unë isha lutur dhe kisha punuar me gjithë zell, Zoti më tha: Unë do të të jap sipas dëshirave të tua për shkak të besimit tënd.

13 Dhe tani vini re, kjo ishte dëshira që unë dëshiroja nga ai—që në qoftë se do të ndodhte që populli im, Nefitët, të binin në shkelje dhe nga ndonjë mënyrë të shkatërroheshin dhe Lamanitët të mos shkatërroheshin, që Zoti Perëndi do të ruante një anal të popullit tim, Nefitëve; qoftë edhe nëpërmjet fuqisë së krahut të tij të shenjtë, që ato të mund t’u shkonin një ditë të ardhshme Lamanitëve, që ndoshta ata të mund të silleshin në shpëtim—

14 Pasi tani përpjekjet tona për t’i sjellë ata në besimin e vërtetë ishin të kota. Dhe ata u betuan në zemërimin e tyre se, po të ishte e mundur, ata do të shkatërronin analet tona dhe ne, dhe gjithashtu të gjitha traditat e etërve tanë.

15 Kështu që, unë duke ditur se Zoti Perëndi ishte në gjendje të ruante analet tona, iu përgjërova atij vazhdimisht, pasi ai më kishte thënë: Çfarëdo gjëje që ti do të kërkosh në besim, duke besuar se do ta marrësh, në emrin e Krishtit, ti do ta marrësh atë.

16 Dhe unë kisha besim dhe iu përgjërova Perëndisë, që ai të ruante analet; dhe ai bëri me mua besëlidhje se ai do t’i nxirrte në dritë për Lamanitët, në kohën e tij të përshtatshme.

17 Dhe unë, Enosi, e dija se do të ishte sipas besëlidhjes që ai kishte bërë, prandaj shpirti im u qetësua.

18 Dhe Zoti më tha: Etërit e tu ma kërkuan gjithashtu këtë gjë; dhe ajo do t’u bëhet atyre sipas besimit të tyre; pasi besimi i tyre ishte sikurse i yti.

19 Dhe tani ndodhi që unë, Enosi, shkova mes popullit të Nefit duke profetizuar për gjërat që do të vinin dhe duke dëshmuar për gjërat që unë kisha dëgjuar dhe kisha parë.

20 Dhe unë dëshmoj se populli i Nefit u përpoq me zell të kthente Lamanitët në besimin e vërtetë në Perëndinë. Por punët tona qenë të kota; urrejtja e tyre ishte e pandryshuar dhe ata udhëhiqeshin nga natyra e tyre e ligë, kështu që ata u bënë të egër dhe të pamëshirshëm dhe një popull gjakatar, plot me idhujtari dhe fëlliqësi; që ushqeheshin me kafshë preje, banonin në çadra dhe bridhnin në vendin e shkretë me një copë lëkure të shkurtër rreth ijeve të tyre dhe me kokë të rruar; dhe aftësia e tyre ishte në përdorimin e harkut dhe të kordhës dhe të sëpatës. Dhe shumë prej tyre nuk hanin gjë tjetër veçse mish të gjallë; dhe ata përpiqeshin vazhdimisht të na shkatërronin ne.

21 Dhe ndodhi që populli i Nefit punonte tokën dhe rriste të gjitha llojet e drithit dhe të frutave dhe të tufave të kopeve, dhe tufa të çdo lloj bagëtie të të gjitha llojeve, dhe dhi, dhe dhi të egra, dhe gjithashtu shumë kuaj.

22 Dhe kishte jashtëzakonisht shumë profetë mes nesh. Dhe njerëzit ishin një popull kokëfortë, të vështirë për t’u kuptuar.

23 Dhe nuk kishte asgjë tjetër, veçse ashpërsi të jashtëzakonshme, predikim dhe profetizim luftërash dhe grindjesh e shkatërrimesh, dhe duke i kujtuar ata vazhdimisht për vdekjen, dhe zgjatjen e përjetësisë, dhe gjykimet dhe fuqinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra—duke i nxitur ata vazhdimisht për t’i mbajtur në frikën Zotit. Unë them se s’kishte asgjë veçse këto gjëra dhe qartësia jashtëzakonisht e madhe e të folurit, do t’i pengonte ata që të mos shkonin shpejt në shkatërrim. Dhe sipas kësaj mënyre, unë shkruaj në lidhje me to.

24 Dhe unë pashë luftëra midis Nefitëve dhe Lamanitëve gjatë ditëve të mia.

25 Dhe ndodhi që unë fillova të plakem dhe njëqind e shtatëdhjetë e nëntë vjet kishin kaluar nga koha që ati ynë Lehi la Jeruzalemin.

26 Dhe pashë se unë duhej të shkoja shpejt në varrin tim, pasi u shtyva nga fuqia e Perëndisë, që unë duhej të predikoja dhe të profetizoja ndaj këtij populli dhe të shpallja fjalën sipas së vërtetës që është në Krisht. Dhe unë e kam shpallur atë në gjithë ditët e mia dhe unë jam gëzuar më tepër në të sesa në atë të botës.

27 Dhe unë së shpejti do të shkoj në vendin e prehjes sime, që është me Shëlbuesin tim; pasi unë e di se në të do të prehem. Dhe unë gëzohem në ditën kur vdekshmëria ime do të vishet me pavdekshmëri dhe do të qëndroj para tij; atëherë unë do të shikoj fytyrën e tij me gëzim dhe ai do të më thotë: Eja tek unë, ti i bekuar; ka një vend të përgatitur për ty në pallatet e Atit tim. Amen.

Shtyp në Letër