Shkrimet e Shenjta
4 Nefi 1


Nefi i Katërt

Libri i Nefit
I Cili Është Biri i Nefit—Një nga Dishepujt e Jezu Krishtit

Një rrëfim i popullit të Nefit, sipas analit të tij.

Kapitulli 1

Të gjithë Nefitët dhe Lamanitët kthehen në besimin te Zoti—Ata kanë të gjitha gjërat e përbashkëta, bëjnë mrekulli dhe përparojnë në tokë—Pas dy shekujve ndodhin përçarje, të liga, kisha të rreme dhe persekutime—Pas treqind vjetësh si Nefitët ashtu dhe Lamanitët bëhen të këqij—Amaroni fsheh analet e shenjta. Rreth 35–321 pas K.

1 Dhe ndodhi që kaloi viti i tridhjetekatërt dhe gjithashtu i tridhjetepestë dhe vini re, dishepujt e Jezusit kishin formuar një kishë të Krishtit në të gjitha tokat rreth e përqark. Dhe të gjithë ata që erdhën me ta dhe që u penduan me të vërtetë për mëkatet e tyre, u pagëzuan në emër të Jezusit; dhe ata morën gjithashtu Frymën e Shenjtë.

2 Dhe ndodhi që në vitin e tridhjetegjashtë, i gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti, mbi tërë faqen e dheut, si Nefitë ashtu dhe Lamanitë; dhe nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit trajtonin me drejtësi njëri-tjetrin.

3 Dhe ata kishin të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre; prandaj nuk kishte të pasur dhe të varfër, skllevër dhe të lirë, por ata të gjithë ishin bërë të lirë dhe pjesëmarrës të dhuratës hyjnore.

4 Dhe ndodhi që kaloi edhe viti i tridhjeteshtatë dhe gjithnjë vazhdonte të kishte paqe në tokë.

5 Dhe nga dishepujt e Jezusit u bënë vepra të mëdha dhe të mrekullueshme, kaq sa ata shëruan të sëmurët dhe ngritën të vdekurit dhe bënë të çalët të ecnin, dhe të verbërit të merrnin dritën e syve, dhe të shurdhët të dëgjonin, dhe bënë të gjitha llojet e mrekullive mes fëmijëve të njerëzve; dhe të gjitha këto mrekulli i bënë në emrin e Jezusit.

6 Dhe kështu kaloi viti i tridhjetetetë dhe i tridhjetenëntë, dhe i dyzetenjëtë, dhe i dyzetedytë, po, madje derisa dyzet e nëntë vjet kaluan dhe gjithashtu i pesëdhjetenjëtë dhe i pesëdhjetedytë; po, dhe madje, gjersa kaluan pesëdhjetë e nëntë vjet.

7 Dhe Zoti i begatoi ata në tokë jashtëzakonisht; po, kaq sa ndërtuan përsëri qytete, aty ku kishte pasur qytete që ishin djegur.

8 Po, madje ata rindërtuan rishtas qytetin e madh Zarahemla.

9 Por, pati shumë qytete që ishin fundosur dhe ujërat mbuluan vendet ku kishin qenë ato; prandaj këto qytete nuk mund të rindërtoheshin.

10 Dhe tani, vini re, ndodhi që populli i Nefit u bë i fortë dhe u shtua jashtëzakonisht shpejt dhe u bë një popull jashtëzakonisht i bardhë dhe i këndshëm.

11 Dhe ata u martuan dhe martuan, dhe qenë të bekuar sipas premtimeve të shumta që u kishte bërë Zoti.

12 Dhe ata nuk ecën më sipas kryerjeve dhe ordinancave të ligjit të Moisiut; por ata ecën sipas urdhërimeve që kishin marrë nga Zoti dhe Perëndia i tyre, duke vazhduar në agjërim dhe lutje, duke u mbledhur shpesh së bashku qoftë për t’u lutur, si dhe për të dëgjuar fjalën e Zotit.

13 Dhe ndodhi që nuk pati grindje mes gjithë njerëzve, në gjithë vendin; por u bënë mrekulli të mëdha mes dishepujve të Jezusit.

14 Dhe ndodhi që kaloi viti i shtatëdhjetenjëtë, po ashtu dhe viti i shtatëdhjetedytë, po, dhe në fund gjersa viti i shtatëdhjetenëntë kaloi; po, madje njëqind vjet kaluan dhe dishepujt e Jezusit, që ai kishte zgjedhur, kishin shkuar të gjithë në parajsën e Perëndisë, me përjashtim të atyre të treve që do të rrinin; dhe pati dishepuj të tjerë që u shuguruan në vend të tyre; dhe gjithashtu shumë prej atij brezi kishin vdekur.

15 Dhe ndodhi që nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.

16 Dhe nuk pati zili, as luftime, as trazira, as lavirësi, as gënjeshtra, as vrasje, as ndonjë lloj ndyrësie; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.

17 Nuk kishte as vjedhës, as vrasës, as nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë.

18 Dhe sa të bekuar ishin ata! Pasi Zoti i bekoi në të gjitha veprimet e tyre; po, madje, ata qenë të bekuar dhe përparuan derisa kaluan njëqind e dhjetë vjet; dhe brezi i parë pas Krishtit kishte vdekur dhe nuk kishte grindje në gjithë vendin.

19 Dhe ndodhi që Nefi, ai që mbajti këtë anal të fundit (dhe ai e mbajti atë në fletët e Nefit) vdiq dhe i biri, Amosi, e mbajti në vend të tij; dhe ai e mbajti gjithashtu në fletët e Nefit.

20 Dhe ai e mbajti atë tetëdhjetë e katër vjet dhe kishte gjithnjë paqe në tokë, përveçse një pjesë e vogël e popullit që ishte revoltuar kundër kishës dhe morën mbi vete emrin e Lamanitëve; prandaj filloi të kishte përsëri Lamanitë në tokë.

21 Dhe ndodhi që edhe Amosi vdiq (dhe qe njëqind e nëntëdhjetë e katër vjet nga ardhja e Krishtit) dhe biri i tij, Amosi, mbajti analin në vend të tij; dhe ai gjithashtu e mbajti atë në fletët e Nefit; dhe u shkrua gjithashtu në librin e Nefit, që është ky libër.

22 Dhe ndodhi që kaluan dyqind vjet dhe i gjithë brezi i dytë kishte vdekur, me përjashtim të disave.

23 Dhe tani unë, Mormoni, dua që ju të dini se njerëzit ishin shtuar kaq shumë, sa ishin përhapur mbi gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin bërë jashtëzakonisht të pasur, për shkak të përparimit të tyre në Krisht.

24 Dhe tani, në këtë vit të dyqindenjëtë, filloi të ketë mes tyre nga ata që u ngritën në kryelartësi, duke veshur rroba të shtrenjta dhe lloj-lloj margaritarësh mjaft të mirë dhe gjërash të shtrenjta nga bota.

25 Dhe që atëherë e tutje ata nuk i kishin më bashku mes tyre të mirat e tyre dhe mallrat e tyre.

26 Dhe ata filluan të ndaheshin në klasa; dhe filluan të ndërtonin kisha për vete për fitime dhe filluan të mohonin kishën e vërtetë të Krishtit.

27 Dhe ndodhi që kur kaluan dyqind e dhjetë vjet kishte në tokë shumë kisha; po, kishte shumë kisha që pretendonin se njihnin Krishtin, por nga ana tjetër mohonin pjesët më të mëdha të ungjillit të tij, aq sa pranonin çdo lloj ligësie dhe u shërbenin atë që ishte e shenjtë atyre që u ishte ndaluar, për shkak të padenjësisë.

28 Dhe kjo kishë u rrit jashtëzakonisht, për shkak të paudhësisë dhe për shkak të fuqisë së Satanit që futi në dorë zemrat e tyre.

29 Dhe përsëri, kishte një kishë tjetër që mohonte Krishtin; dhe ata persekutonin kishën e vërtetë të Krishtit, për shkak të përulësisë së tyre dhe të besimit të tyre në Krisht; dhe i urrenin ata për shkak të shumë mrekullive që u bënë mes tyre.

30 Prandaj, ata ushtruan fuqi dhe autoritet mbi dishepujt e Jezusit që kishin qëndruar me ta dhe i futën në burg; por nga fuqia e fjalës së Perëndisë, që ishte në ta, burgjet u çanë më dysh dhe ata vazhduan të bënin mrekulli të fuqishme mes tyre.

31 Megjithatë, pavarësisht nga gjithë këto mrekulli, njerëzit ngurtësuan zemrat e tyre dhe kërkuan t’i vrisnin, madje, ashtu sikurse Judenjtë në Jeruzalem kërkuan të vrisnin Jezusin, sipas fjalës së tij.

32 Dhe i hodhën në furra plot zjarr dhe ata dolën andej pa pësuar gjë.

33 Dhe i hodhën edhe në gropa bishash të egra dhe ata luajtën me bishat e egra, ashtu sikurse luan madje një fëmijë me një qengj; dhe dolën së andejmi pa pësuar gjë.

34 Megjithatë njerëzit ngurtësuan zemrat e tyre, pasi ata udhëhiqeshin nga shumë priftërinj dhe nga profetë të rremë për të ndërtuar shumë kisha dhe të bënin çdo lloj paudhësie. Dhe ata goditën popullin e Jezusit; por populli i Jezusit nuk i goditi prapë. Dhe kështu ranë në mosbesim dhe në ligësi nga viti në vit, madje, gjersa kaluan dyqind e tridhjetë vjet.

35 Dhe tani ndodhi që në atë vit, po, në vitin dyqind e tridhjetë e një, u bë një ndarje e madhe mes njerëzve.

36 Dhe ndodhi që në atë vit u ngrit një popull i quajtur Nefitë, që ishin besimtarë të vërtetë të Krishtit; dhe mes tyre ishin edhe ata që quheshin nga Lamanitët—Jakobitë dhe Jozefitë, dhe Zoramitë;

37 Prandaj, besimtarët e vërtetë në Krishtin dhe adhuruesit e vërtetë të Krishtit, (mes të cilëve ishin edhe tre dishepujt e Jezusit që do të qëndronin) u quajtën Nefitë dhe Jakobitë dhe Jozefitë, dhe Zoramitë.

38 Dhe ndodhi që ata që hodhën poshtë ungjillin u quajtën Lamanitë dhe Lemuelitë dhe Ishmaelitë; dhe ata nuk kishin rënë në mosbesim, por ngritën krye qëllimisht kundër ungjillit të Krishtit; dhe u mësuan fëmijëve të tyre se nuk duhet të besonin, sikurse madje etërit e tyre, që nga fillimi.

39 Dhe kjo qe për shkak të ligësisë dhe të neverisë së etërve të tyre, sikurse qe madje në fillim. Dhe atyre iu mësua të urrenin fëmijët e Perëndisë, madje, sikurse u qe mësuar Lamanitëve që në fillim të urrenin fëmijët e Nefit.

40 Dhe ndodhi që kishin kaluar dyqind e dyzet e katër vjet dhe e tillë ishte gjendja e popullit. Dhe pjesa më e ligë e popullit u forcua dhe u bë jashtëzakonisht më e madhe në numër, sesa ishin njerëzit e Perëndisë.

41 Dhe ata vazhduan të ndërtonin gjithnjë kisha për vete dhe i stolisën gjithashtu me të gjitha llojet e gjërave të çmuara. Dhe kështu kaluan dyqind e pesëdhjetë vjet dhe gjithashtu dyqind e gjashtëdhjetë vjet.

42 Dhe ndodhi që pjesa e ligë e popullit filloi përsëri të krijonte betimet dhe lidhjet e fshehta të Gadiantonit.

43 Dhe gjithashtu, edhe njerëzit që quheshin populli i Nefit filluan të bëheshin kryelartë në zemrat e tyre, për shkak të pasurisë së jashtëzakonshme që kishin dhe u bënë mendjemëdhenj, sikurse vëllezërit e tyre, Lamanitët.

44 Dhe që nga kjo kohë dishepujt filluan të brengosen për mëkatet e botës.

45 Dhe ndodhi që pasi kaluan treqind vjet, si populli i Nefit ashtu dhe Lamanitët u bënë jashtëzakonisht të ligj, sa njëri ashtu dhe tjetri.

46 Dhe ndodhi që hajdutët e Gadiantonit u përhapën në gjithë faqen e vendit; dhe nuk kishte asnjë që të ishte i drejtë me përjashtim të dishepujve të Jezusit. Dhe ata grumbulluan me shumicë ar dhe argjend dhe bënë tregti në të gjitha llojet e tregtisë.

47 Dhe ndodhi që pasi kaluan treqind e pesë vjet (dhe populli akoma kishte mbetur në ligësi) Amosi vdiq dhe i vëllai, Amaroni, mbajti analin në vend të tij.

48 Dhe ndodhi që pasi kaluan treqind e njëzet vjet, Amaroni duke qenë i shtyrë nga Fryma e Shenjtë, i fshehu analet që ishin të shenjta—po, madje të gjitha analet e shenjta që kishin kaluar nga brezi në brez, që ishin të shenjta—madje deri, në vitin treqind e njëzet nga ardhja e Krishtit.

49 Dhe ai i fshehu për Zotin, që ato të mund t’i kalonin përsëri mbetjes së shtëpisë së Jakobit, sipas profecive dhe premtimeve të Zotit. Dhe kështu është fundi i analit të Amaronit.

Shtyp në Letër