Shkrimet e Shenjta
Alma 50


Kapitulli 50

Moroni fortifikon tokat e Nefitëve—Ata ndërtojnë shumë qytete të reja—Luftëra dhe shkatërrime bien mbi Nefitët në ditët e ligësisë dhe neverive të tyre—Moriantoni dhe disidentët e tij shpartallohen nga Teankumi—Nefiha vdes dhe i biri, Pahorani, zë fronin e gjykimit. Rreth 72–67 para K.

1 Dhe tani ndodhi që Moroni nuk i ndaloi përgatitjet për luftë, apo që të mbronte popullin e tij nga Lamanitët; pasi bëri që ushtritë e tij duhej të fillonin në fillim të vitit të njëzetë të mbretërimit të gjykatësve, që ata duhej të fillonin të gërmonin dhe të ngrinin bregore dheu rreth e përqark të gjitha qyteteve në gjithë vendin që zotërohej nga Nefitët.

2 Dhe mbi këto bregore prej dheu rreth e përqark qyteteve, ai bëri që të kishte lëndë druri, po, vepra prej druri të ndërtuara në lartësi, sa lartësia e njeriut.

3 Dhe bëri që mbi këto vepra prej druri, të kishte një ndërtim piketash, të ndërtuar mbi këto lëndë druri rreth e përqark; dhe ato ishin të forta dhe të larta.

4 Dhe ai bëri që të ngriheshin kulla që mbikëqyrnin këto vepra druri dhe që mbi ato kulla të ndërtoheshin vende sigurie ku gurët e shigjetat e Lamanitëve nuk mund t’i plagosnin ata.

5 Dhe ata ishin përgatitur që prej andej të mund të hidhnin gurë sipas kënaqësisë së tyre dhe fuqisë së tyre dhe të vrisnin atë që do të përpiqej t’u afrohej mureve të qytetit.

6 Kështu Moroni përgatiti fortesa kundër ardhjes së armiqve të tyre, rreth e përqark çdo qyteti, në gjithë vendin.

7 Dhe ndodhi që Moroni bëri që ushtritë e tij të shkonin në pjesën lindore të vendit të shkretë; po, dhe ato shkuan dhe dëbuan të gjithë Lamanitët që ishin në pjesën lindore të vendit të shkretë, në tokat e tyre, që ishin në jug të tokës së Zarahemlës.

8 Dhe toka e Nefit shtrihej në vijë të drejtë nga deti lindor në perëndim.

9 Dhe ndodhi që kur Moroni dëboi të gjithë Lamanitët nga pjesa lindore e vendit të shkretë, që ishte në veri të tokave që ishin pronë e tyre, ai bëri që banorët, që ishin në tokën e Zarahemlës dhe në tokën përreth, duhej të shkonin në pjesën lindore të vendit të shkretë, madje deri në kufijtë në bregdet dhe të zotëronin tokën.

10 Dhe ai vendosi ushtri edhe në jug, në kufijtë e zotërimeve të tyre dhe bëri që ata të ngrinin fortifikata, që ata të mund të siguronin ushtritë e tyre dhe popullin e tyre, nga duart e armiqve të tyre.

11 Dhe kështu i veçoi të gjitha fortesat e Lamanitëve në pjesën lindore të vendit të shkretë, po, ashtu edhe në perëndim, duke fortifikuar vijën mes Nefitëve dhe Lamanitëve, mes tokës së Zarahemlës dhe tokës së Nefit, nga deti perëndimor, duke kaluar pranë burimit të lumit Sidon—Nefitët duke qenë zotërues, sipas dëshirës së tyre, të të gjithë tokës në veri, po, madje të të gjithë tokës që ishte në veri të vendit Begati.

12 Kështu Moroni, me ushtritë e tij, që shtoheshin çdo ditë për shkak të sigurisë së mbrojtjes që ndërtimet e tij u sollën atyre, kërkoi që të priste fuqinë dhe pushtetin e Lamanitëve në tokat e zotërimeve të tyre, kështu që të mos kishin më pushtet mbi tokat e zotërimit të tyre.

13 Dhe ndodhi që Nefitët filluan themelin e një qyteti dhe ata e quajtën qytetin me emrin Moroni; që ishte pranë detit lindor dhe ishte në jug pranë vijës së zotërimeve të Lamanitëve.

14 Dhe ata filluan gjithashtu të ndërtonin një qytet mes qytetit të Moronit dhe qytetit të Aaronit, duke bashkuar kufijtë e Aaronit dhe Moronit; dhe e quajtën qytetin, ose tokën, Nefiha.

15 Dhe ata filluan po atë vit të ndërtonin shumë qytete në veri, njërin në mënyrë të veçantë që e quajtën Lehi që ishte në veri gjatë kufijve të bregdetit.

16 Dhe kështu mbaroi viti i njëzetë.

17 Dhe në këto rrethana të begatshme ishin njerëzit e Nefit, në fillim të vitit të njëzetenjëtë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.

18 Dhe ata përparuan jashtëzakonisht dhe u bënë jashtëzakonisht të pasur; po, dhe u shumëzuan dhe u bënë të fuqishëm në tokë.

19 Dhe kështu ne shohim sa të mëshirshme dhe të drejta janë të gjitha punët e Zotit në plotësimin e të gjitha fjalëve të tij ndaj fëmijëve të njerëzve; po, ne mund të shohim se fjalët e tij janë vërtetuar, madje deri në këtë kohë kur i foli Lehit, duke thënë:

20 Qofshi të bekuar, ti dhe fëmijët e tu; dhe ata do të jenë të bekuar për aq sa të zbatojnë urdhërimet e mia dhe do të përparojnë në tokë. Por, mos harro, se për aq sa ata nuk do të zbatojnë urdhërimet e mia, ata do të përjashtohen nga prania e Zotit.

21 Dhe ne shohim se këto premtime iu vërtetuan popullit të Nefit; pasi kanë qenë grindjet e tyre dhe luftërat e tyre, po, vrasjet e tyre dhe plaçkitjet e tyre, idhujtaria e tyre, lavirësitë e tyre dhe neveritë e tyre që u bënë mes tyre, që u shkaktuan atyre luftërat e tyre dhe shkatërrimet e tyre.

22 Dhe ata që qenë besnikë në zbatimin e urdhërimeve të Zotit, u çliruan në çdo rast, ndërsa mijëra vëllezër të tyre të ligj përfunduan të ishin në robëri, ose të mbaronin nga shpata, ose të binin në mosbesim dhe të përziheshin me Lamanitët.

23 Por, vini re, nuk pati kurrë një kohë më të lumtur mes popullit të Nefit që nga ditët e Nefit, sesa në ditët e Moronit, po, madje në këtë kohë, që është viti i njëzetenjëtë i mbretërimit të gjykatësve.

24 Dhe ndodhi që viti i njëzetedytë i mbretërimit të gjykatësve mbaroi gjithashtu në paqe; po, gjithashtu edhe viti i njëzetetretë.

25 Dhe ndodhi që në fillim të vitit të njëzetekatërt të mbretërimit të gjykatësve, do të kishte pasur gjithashtu paqe mes popullit të Nefit, po të mos ishte për një grindje që ndodhi mes tyre në lidhje me tokën e Lehit dhe tokën e Moriantonit që ishin gjatë kufirit të Lehit; që të dyja ishin pranë kufijve të bregdetit.

26 Pasi vini re, populli që zotëronte tokën Morianton pretendonte një pjesë të tokës së Lehit; prandaj filloi të zhvillohej një grindje e rreptë mes tyre, aq sa populli i Moriantonit mori armët kundër vëllezërve të tij dhe ishte i vendosur që t’i vrisnin me shpatë.

27 Por vini re, populli që zotëronte tokën e Lehit iku në kampin e Moronit dhe i bënë thirrje atij për ndihmë; pasi vini re, ata nuk ishin në gabim.

28 Dhe ndodhi që kur njerëzit e Moriantonit, që udhëhiqeshin nga një njeri i quajtur Morianton, zbuluan që njerëzit e Lehit kishin ikur në kampin e Moronit, i zuri një frikë e tmerrshme, se ushtria e Moronit do të vinte mbi ta dhe do t’i shkatërronte.

29 Prandaj, Moriantoni i bindi në zemër që të iknin në tokën që ishte në veri, e cila ishte e mbuluar me sipërfaqe të mëdha uji dhe të bëheshin zotërues të tokës që ishte në veri.

30 Dhe vini re, ata do ta kishin zbatuar këtë plan (që do të kishte qenë një shkak për ankime), por vini re, Moriantoni, ishte njeri i rrëmbyer, prandaj u zemërua me një nga shërbëtoret e tij, ra mbi të dhe e rrahu keq.

31 Dhe ndodhi që ajo iku dhe vajti në kampin e Moronit, dhe i tha Moronit çdo gjë në lidhje me çështjen dhe gjithashtu në lidhje me qëllimet e tyre për të ikur në tokën në veri.

32 Tani vini re, njerëzit që ishin në vendin Begati ose më mirë Moroni, kishin frikë se ata do t’i dëgjonin fjalët e Moriantonit dhe do të bashkoheshin me popullin e tij; dhe kështu ai do të merrte në dorë ato pjesë të vendit, gjë që do të krijonte një bazë për pasoja të rënda mes popullit të Nefit, po, pasoja që do të çonin në zhdukjen e lirisë së tyre.

33 Prandaj Moroni dërgoi një ushtri me çadrat e tyre, që të arrinin njerëzit e Moriantonit t’u prisnin udhën e ikjes drejt tokës në veri.

34 Dhe ndodhi që ata nuk i zunë derisa arritën në kufijtë e vendit Shkretim; dhe aty i arritën në shtegun e ngushtë që të çonte pranë tokës veriore, po, pranë detit, në perëndim dhe në lindje.

35 Dhe ndodhi që ushtria që u dërgua nga Moroni, e cila kishte në krye një njeri emri i të cilit ishte Teankum, u takua me njerëzit e Moriantonit; dhe kaq kokëfortë ishin njerëzit e Moriantonit, (meqë ishin frymëzuar nga ligësia dhe nga fjalët lajkatare të tij), saqë mes tyre filloi një luftë gjatë së cilës Teankumi vrau Moriantonin dhe mundi ushtrinë e tij dhe i mori robër, dhe u kthye në kampin e Moronit. Dhe kështu mbaroi viti i njëzetekatërt i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.

36 Dhe kështu, populli i Moriantonit u kthye prapa. Dhe pasi bënë besëlidhje për të mbajtur paqen, u rivendosën në tokën e Moriantonit dhe u bë një bashkim mes tyre dhe njerëzve të Lehit; dhe ata gjithashtu u rivendosën në tokat e tyre.

37 Dhe ndodhi që po atë vit që u rivendos paqja mes popullit të Nefit, Nefiha, kryegjykatësi i dytë vdiq, pasi kreu detyrën në fronin e gjykimit me drejtësi të plotë para Perëndisë.

38 Megjithatë, ai i kishte refuzuar Almës të merrte në dorëzim ato anale dhe ato gjëra që konsideroheshin nga Alma dhe nga etërit e tij se ishin shumë të shenjta; prandaj Alma ia dha të birit, Helamanit.

39 Vini re, ndodhi që i biri i Nefihas u caktua të zinte fronin e gjykimit në vend të të atit; po, ai u caktua kryegjykatës dhe guvernator i popullit, me një betim dhe me një ordinancë të shenjtë për të gjykuar drejtësisht dhe për të mbajtur paqen dhe lirinë e popullit dhe për t’u dhënë atyre privilegjet e tyre të shenjta, që të adhurojnë Zotin, Perëndinë e tyre, po, për të përkrahur dhe ruajtur çështjen e Perëndisë në të gjitha ditët e tij dhe për të gjykuar të ligjtë sipas krimeve të tyre.

40 Tani vini re, emri i tij ishte Pahoran. Dhe Pahorani zuri karrigen e të atit dhe filloi mbretërimin e tij në fund të vitit të njëzetekatërt mbi popullin e Nefit.

Shtyp në Letër