Shkrimet e Shenjta
Alma 36


Urdhërimet e Almës drejtuar birit të tij Helamanit.

Përfshin kapitujt 36 dhe 37.

Kapitulli 36

Alma i dëshmon Helamanit për kthimin e tij në besim, pasi pa një engjëll—Ai vuajti dhembjet e një shpirti të mallkuar; ai thirri në emrin e Jezusit dhe atëherë lindi nga Perëndia—Gëzimi i ëmbël mbushi shpirtin e tij—Ai pa grupe engjëjsh duke i thurur lavdi Perëndisë—Shumë të kthyer në besim shijuan dhe panë, ashtu sikurse ai shijoi dhe pa. Rreth 74 para K.

1 Biri im, vëru veshin fjalëve të mia; pasi të betohem se derisa ti do të zbatosh urdhërimet e Perëndisë, do të përparosh në tokë.

2 Unë doja që ti të bësh sikurse kam bërë unë, duke kujtuar robërinë e etërve tanë, pasi ata qenë në robëri dhe askush nuk mund t’i çlironte përveçse të ishte Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit; dhe ai me siguri i çliroi ata nga fatkeqësitë e tyre.

3 Dhe tani, O biri im Helaman, vër re, ti je në rininë tënde dhe prandaj unë të lutem shumë, që ti të dëgjosh fjalët e mia dhe të mësosh prej meje; pasi unë e di se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit.

4 Dhe nuk do të doja që ti të mendosh që këto gjëra i di nga vetja ime—jo materialisht, por shpirtërisht, jo nga mendja e mishit, por nga Perëndia.

5 Tani, vër re, unë të them ty, po të mos kisha lindur nga Perëndia, unë nuk do t’i dija këto gjëra; por Perëndia më bëri t’i di këto gjëra nëpërmjet gojës së engjëllit të tij të shenjtë, megjithëse unë nuk isha i denjë për to;

6 Pasi, unë shkoja me të bijtë e Mosias, duke u përpjekur të shkatërronim kishën e Perëndisë; por vër re, Perëndia dërgoi engjëllin e tij të shenjtë, që të na ndalonte gjatë udhës.

7 Dhe vër re, ai na foli si të ishte zëri i një rrufeje dhe e gjithë toka u drodh nën këmbët tona; dhe ne të gjithë ramë përdhe, pasi frika e Zotit erdhi mbi ne.

8 Por vër re, zëri më tha mua: Ngrihu. Dhe unë u ngrita dhe qëndrova më këmbë, dhe pashë engjëllin.

9 Dhe ai më tha mua: Në qoftë se ti do që të shkatërrosh vetveten, mos kërko më të shkatërrosh kishën e Perëndisë.

10 Dhe ndodhi që unë rashë përdhe dhe për hapësirën e tri ditëve dhe tri netëve nuk mund të hapja gojën, as që mund të lëvizja gjymtyrët e mia.

11 Dhe engjëlli më tha edhe gjëra të tjera që u dëgjuan nga vëllezërit e mi, por unë nuk i dëgjova ato, pasi kur unë dëgjova fjalët—Në qoftë se ti do që të shkatërrosh vetveten, mos kërko më të shkatërrosh kishën e Perëndisë—unë u godita nga një frikë dhe çudi kaq e madhe që ndoshta unë do të shkatërrohesha, saqë rashë përdhe dhe nuk dëgjova më.

12 Por unë u torturova nga një mundim i përjetshëm, pasi shpirti im qe ngacmuar në shkallën më të lartë dhe brengosur nga të gjitha mëkatet e mia.

13 Po, m’u kujtuan të gjitha mëkatet dhe paudhësitë e mia për të cilat unë po mundohesha me dhimbjet e ferrit; po, unë pashë se isha rebeluar kundër Perëndisë tim dhe se nuk kisha zbatuar urdhërimet e tij të shenjta.

14 Po, dhe se kisha vrarë shumë prej fëmijëve të tij, ose më mirë të them i kisha udhëhequr ata drejt shkatërrimit; po, dhe në fund, kaq të mëdha kishin qenë paudhësitë e mia, saqë vetëm mendimi se do të dilja në praninë e Perëndisë tim, torturonte shpirtin tim me një tmerr të papërshkrueshëm.

15 Oh, mendoja, sikur mund të dëbohesha dhe të shuhesha si në shpirt ashtu dhe në trup, që të mos dilja të qëndroja në praninë e Perëndisë tim, për t’u gjykuar për veprat e mia.

16 Dhe tani, për tri ditë dhe tri net u torturova, madje edhe me dhembjet e një shpirti të mallkuar.

17 Dhe ndodhi që ndërsa isha ashtu i torturuar me mundim pasi isha ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia të shumta, vini re, m’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës.

18 Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam vrerin e hidhësirës dhe që jam rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes.

19 Dhe tani vini re, kur mendova këtë nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; po, nuk isha më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia.

20 Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë; po, shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime!

21 Po, unë të them ty biri im se nuk mund të ketë asgjë aq therëse dhe aq të hidhur, sa ishin dhembjet e mia. Po, dhe po ta them përsëri, biri im, se nga ana tjetër, nuk mund të ketë asgjë kaq të mrekullueshme dhe kaq të ëmbël, sa ishte gëzimi im.

22 Po, mendova se pashë, madje sikurse ati ynë, Lehi, pa Perëndinë të ulur në fronin e tij të rrethuar nga grupe të panumërta engjëjsh, duke kënduar dhe lavdëruar Perëndinë e tyre; po, dhe shpirti im donte që të ishte aty.

23 Por vër re, gjymtyrët e mia morën përsëri fuqinë e tyre dhe unë u ngrita më këmbë dhe u tregova njerëzve se kisha lindur nga Perëndia.

24 Po, dhe që atëherë madje deri tani, unë kam punuar pa pushim që të sjell shpirtra në pendim; që të mund t’i sjell të shijojnë prej gëzimit të jashtëzakonshëm të cilin unë shijova; që edhe ata të lindin nga Perëndia dhe të mbushen me Frymën e Shenjtë.

25 Po, dhe tani vër re, O biri im, Zoti më jep një gëzim jashtëzakonisht të madh në frytin e punëve të mia;

26 Pasi për shkak të fjalës që ai më dha, vër re, shumë kanë lindur nga Perëndia dhe kanë shijuar, sikurse kam shijuar unë, dhe kanë parë me sytë e tyre, sikurse kam parë unë; prandaj ata i dinë këto gjëra, për të cilat kam folur, sikurse i di unë dhe njohuria që kam është e Perëndisë.

27 Dhe jam përkrahur në sprova dhe në shqetësime të çdo lloji, po, dhe në të gjitha llojet e fatkeqësive; po, Perëndia më shpëtoi nga burgu, nga robëria dhe nga vdekja; po, dhe unë vë besimin tim në të dhe ai gjithnjë do të më çlirojë.

28 Dhe e di se ai do të më ngrejë në ditën e fundit, që të banoj me të në lavdi; po, dhe do ta lavdëroj atë përgjithmonë, pasi ai i nxori etërit tanë nga Egjipti dhe ai i përpiu Egjiptianët në Detin e Kuq; dhe ai i udhëhoqi ata nëpërmjet fuqisë së tij në tokën e premtuar; po, dhe ai i çliroi ata nga skllavëria dhe robëria herë pas here.

29 Po, dhe ai gjithashtu i nxori etërit tanë nga toka e Jeruzalemit; dhe ai gjithashtu i çliroi ata nëpërmjet fuqisë së tij të pafundme, nga robëria dhe nga skllavëria, nga koha në kohë, madje deri në ditën e sotme; dhe unë e kam mbajtur gjithnjë në kujtesë skllavërinë e tyre; po ashtu dhe ti duhet ta mbash në kujtesë, sikurse unë, skllavërinë e tyre.

30 Por vër re, biri im, kjo nuk është e gjitha; pasi ti duhet të dish, sikurse e di unë, që për aq sa ti do të zbatosh urdhërimet e Perëndisë, ti do të përparosh në tokë; dhe duhet të dish gjithashtu se për aq sa ti nuk do të zbatosh urdhërimet e Perëndisë, ti do të përjashtohesh nga prania e tij. Tani, kjo është sipas fjalës së tij.

Shtyp në Letër