Shkrimet e Shenjta
Alma 27


Kapitulli 27

Zoti e urdhëron Amonin t’i prijë popullit të Anti-Nefi-Lehit për në një vend të sigurt—Kur takohet me Almën, gëzimi ia shteron Amonit fuqinë—Nefitët u japin Anti-Nefi-Lehitëve tokën e Jershonit—Ata quhen populli i Amonit. Rreth 90–77 para K.

1 Tani ndodhi që kur ata Lamanitë që kishin shkuar për të luftuar kundër Nefitëve, pas shumë përpjekjeve të tyre për t’i shkatërruar ata, zbuluan se ishte e kotë që të kërkonin shkatërrimin e tyre, ata u kthyen përsëri në tokën e Nefit.

2 Dhe ndodhi që Amalekitët për shkak të humbjes së tyre, u zemëruan jashtëzakonisht. Dhe kur panë se nuk mund të hakmerreshin kundër Nefitëve, ata filluan të nxitnin popullin në zemërim kundër vëllezërve të tyre, popullit të Anti-Nefi-Lehit; prandaj ata filluan përsëri t’i shkatërronin.

3 Tani ky popull nuk pranoi përsëri të merrte armët dhe lejuan që të vriteshin sipas dëshirave të armiqve të tyre.

4 Tani, kur Amoni dhe vëllezërit e tij panë këtë vepër shkatërrimi mes atyre të cilët i kishin dashur kaq shumë dhe mes atyre që ishin dashur kaq shumë prej tyre—pasi i trajtuan sikur të ishin engjëj të dërguar nga Perëndia, për t’i shpëtuar nga shkatërrimi i përjetshëm—prandaj, kur Amoni dhe vëllezërit e tij panë këtë vepër të madhe shkatërrimi, u prekën nga mëshira dhe i thanë mbretit:

5 Le ta mbledhim së bashku këtë popull të Zotit dhe të shkojmë në tokën e Zarahemlës tek vëllezërit tanë Nefitë dhe të ikim nga duart e armiqve tanë, që të mos shkatërrohemi.

6 Por, mbreti u tha atyre: Vini re, Nefitët do të na shkatërrojnë, për shkak të vrasjeve dhe të mëkateve të shumta që kemi bërë kundër tyre.

7 Dhe Amoni tha: Unë do të shkoj dhe do të pyes Zotin dhe në qoftë se ai na thotë, shkoni te vëllezërit tuaj, a do të shkoni?

8 Dhe mbreti i tha atij: Po, në qoftë se Zoti na thotë të shkojmë, ne do të shkojmë te vëllezërit tanë dhe do të jemi skllevërit e tyre, derisa të ndreqim vrasjet dhe mëkatet e shumta që kemi bërë kundër tyre.

9 Por Amoni i tha atij: Është kundër ligjit të vëllezërve tanë, që u vendos nga ati im, që të ketë ndonjë skllav mes tyre; prandaj, le të shkojmë aty dhe të mbështetemi në mëshirën e vëllezërve tanë.

10 Por, mbreti i tha atij: Pyet Zotin dhe në qoftë se na thotë të shkojmë, ne do të shkojmë, përndryshe do të mbarojmë në tokë.

11 Dhe ndodhi që Amoni shkoi dhe pyeti Zotin; dhe Zoti i tha atij:

12 Nxirre këtë popull nga ky vend, që të mos mbarojë; pasi Satani i ka pushtuar shumë zemrat e Amalekitëve të cilët nxitin Lamanitët, që të zemërohen kundër vëllezërve të tyre, që t’i vrasin; prandaj, dilni nga ky vend; dhe të bekuar qofshin këta njerëz të këtij brezi, pasi unë do t’i ruaj ata.

13 Dhe tani ndodhi që Amoni shkoi dhe i tha mbretit të gjitha fjalët që Zoti i tha atij.

14 Dhe ata bashkuan tok të gjithë njerëzit e tyre, po, të gjithë njerëzit e Zotit dhe mblodhën të gjitha grigjat dhe kopetë e tyre dhe u nisën nga ai vend, dhe arritën në vendin e shkretë që ndante tokën e Nefit nga toka e Zarahemlës dhe arritën në kufijtë e tokës.

15 Dhe ndodhi që Amoni u tha atyre: Vini re, unë dhe vëllezërit e mi do të shkojmë në tokën e Zarahemlës dhe ju do të qëndroni këtu, derisa të kthehemi ne; dhe ne do të provojmë zemrat e vëllezërve tanë, në qoftë se pranojnë që ju të shkoni në vendin e tyre.

16 Dhe ndodhi që ndërsa Amoni po shkonte në atë tokë, ai dhe vëllezërit e tij takuan Almën në atë tokë, për të cilin është folur; dhe vini re, ky qe një takim i gëzueshëm.

17 Tani, gëzimi i Amonit qe kaq i madh, madje sa u mbush plot; po, ai u përpi nga gëzimi për Perëndinë e tij, madje derisa humbi fuqinë e tij dhe ra përsëri përdhe.

18 Tani, a nuk qe ky një gëzim tepër i madh? Vini re, ky është një gëzim që askush nuk e merr, vetëm i penduari i vërtetë dhe kërkuesi i përulur i lumturisë.

19 Tani, gëzimi i Almës kur takoi vëllezërit e tij qe me të vërtetë i madh dhe gjithashtu gëzimi i Aaronit, i Omnerit dhe i Himnit; por vini re, gëzimi i tyre nuk qe aq sa të kalonte fuqinë e tyre.

20 Dhe tani ndodhi që Alma i çoi vëllezërit e tij në tokën e Zarahemlës; madje edhe në shtëpinë e tij. Dhe ata shkuan dhe i thanë kryegjykatësit të gjitha gjërat që u kishin ndodhur atyre në tokën e Nefit, midis vëllezërve të tyre, Lamanitëve.

21 Dhe ndodhi që kryegjykatësi dërgoi një shpallje në të gjithë tokën, duke dëshiruar zërin e popullit në lidhje me pranimin e vëllezërve të tyre që ishin njerëzit e Anti-Nefi-Lehit.

22 Dhe ndodhi që zëri i popullit erdhi duke thënë: Vini re, ne do të heqim dorë nga toka e Jershonit që ndodhet në lindje të detit, që bashkohet me tokën Begati, që gjendet në jug të tokës Begati; dhe kjo tokë e Jershonit, është toka që do t’u japim vëllezërve tanë për trashëgim.

23 Dhe vini re, ne do të vendosim ushtritë tona mes tokës së Jershonit dhe tokës së Nefit, që të mund të mbrojmë vëllezërit tanë në tokën Jershon; dhe këtë ne e bëjmë për vëllezërit tanë, për shkak të frikës së tyre për të marrë armët kundër vëllezërve të tyre, pasi mund të bëjnë mëkat; dhe kjo frikë e madhe u erdhi për shkak të pendimit të tyre të thellë që patën, për shkak të vrasjeve të tyre të shumta dhe të ligësisë së tyre të tmerrshme.

24 Dhe tani, vini re, këtë do ta bëjmë për vëllezërit tanë, që ata të mund të trashëgojnë tokën Jershon; dhe ne do t’i ruajmë nga armiqtë e tyre me ushtritë tona, me kusht që ata të na japin një pjesë të pasurisë së tyre, që të na ndihmojnë në mbajtjen e ushtrive tona.

25 Tani ndodhi që kur Amoni dëgjoi këtë, u kthye te njerëzit e Anti-Nefi-Lehit dhe Alma bashkë me të, në vendin e shkretë, ku ata kishin ngritur çadrat e tyre dhe ua bënë të ditur të gjitha këto gjëra. Dhe Alma u tregoi gjithashtu bisedën e tij me Amonin dhe Aaronin dhe me vëllezërit e tij.

26 Dhe ndodhi që kjo shkaktoi gëzim të madh mes tyre. Dhe ata shkuan në tokën e Jershonit dhe morën në zotërim tokën e Jershonit; dhe ata u quajtën nga Nefitët populli i Amonit; prandaj, ata u dalluan me atë emër nga ajo ditë e tutje.

27 Dhe ata qenë mes popullit të Nefit dhe u numëruan gjithashtu mes njerëzve që ishin të kishës së Perëndisë. Dhe ata u dalluan gjithashtu për zellin e tyre ndaj Perëndisë, si edhe ndaj njerëzve; pasi ishin krejtësisht të ndershëm dhe të drejtë për çdo gjë; dhe ishin vendosur në besimin e Krishtit, madje deri në fund.

28 Dhe ata shikonin mbi derdhjen e gjakut të vëllezërve të tyre me urrejtjen më të madhe; dhe nuk qe kurrë e mundur që të bindeshin të merrnin armët kundër vëllezërve të tyre; dhe ata kurrë nuk panë mbi vdekjen me ndonjë farë tmerri, për shkak të shpresës dhe pikëpamjeve të tyre ndaj Krishtit dhe ndaj ringjalljes; prandaj, vdekja për ta qe zhdukur për shkak të fitores së Krishtit mbi të.

29 Prandaj, ata pranuan vdekjen në mënyrën më të keqe dhe më të tmerrshme që mund të shkaktohej nga vëllezërit e tyre, para se ata të merrnin shpatën ose kordhën për t’i qëlluar.

30 Dhe kështu, ata qenë një popull i zellshëm dhe i dashur, një popull shumë i favorizuar nga Zoti.

Shtyp në Letër