Shkrimet e Shenjta
Alma 25


Kapitulli 25

Agresionet e Lamanitëve përhapen—Fara e priftërinjve të Noeut vdes sikurse profetizoi Abinadi—Shumë Lamanitë kthehen në besim dhe bashkohen me njerëzit Anti-Nefi-Lehi—Ata besojnë në Krisht dhe zbatojnë ligjin e Moisiut. Rreth 90–77 para K.

1 Dhe vini re, tani ndodhi që ata Lamanitë ishin më të zemëruar, sepse ata vranë vëllezërit e tyre; prandaj u betuan se do të hakmerreshin kundër Nefitëve; dhe nuk u përpoqën më të vrisnin njerëzit e Anti-Nefi-Lehit në atë kohë.

2 Por ata morën ushtritë e tyre dhe shkuan në kufijtë e tokës së Zarahemlës dhe ranë mbi popullin që ishte në tokën e Amonihas, dhe i shkatërruan.

3 Dhe pas kësaj, ata patën shumë beteja me Nefitët, gjatë të cilave u dëbuan dhe u vranë.

4 Dhe mes Lamanitëve që u vranë, ishin pothuajse e gjithë fara e Amulonit dhe e vëllezërve të tij, që kishin qenë priftërinj të Noeut dhe ata u vranë nga duart e Nefitëve;

5 Dhe pjesa që mbeti, pasi ia mbathi në lindje të vendit të shkretë dhe pasi uzurpuan pushtetin dhe autoritetin mbi Lamanitët, bënë që shumë prej Lamanitëve të mbaronin nga zjarri për shkak të besimit të tyre—

6 Meqë shumë prej tyre, pasi pësuan humbje të mëdha dhe kaq shumë pikëllime, filluan të kujtonin fjalët që Aaroni dhe vëllezërit e tij predikuan në tokën e tyre; prandaj ata filluan të mos besonin në traditat e etërve të tyre dhe të besonin në Zotin dhe se ai u dha fuqi të madhe Nefitëve; dhe kështu pati shumë prej tyre që u kthyen në besim në vendin e shkretë.

7 Dhe ndodhi që ata sundimtarë që ishin mbetja e fëmijëve të Amulonit, bënë që ata të vriteshin, po, të gjithë ata që besonin në këto gjëra.

8 Tani, ky martirizim bëri që shumë prej vëllezërve të tyre të nxiteshin në zemërim; dhe filloi të kishte grindje në vendin e shkretë; dhe Lamanitët filluan të ndiqnin ata të farës së Amulonit dhe të vëllezërve të tyre dhe filluan t’i vrisnin; dhe ata ikën në lindje të vendit të shkretë.

9 Dhe vini re, ata ndiqen edhe sot e kësaj dite nga Lamanitët. Kështu u vërtetuan fjalët e Abinadit, që ai tha në lidhje me farën e priftërinjve, që shkaktuan që ai të pësonte vdekje nga zjarri.

10 Pasi ai u tha atyre: Çfarë ju do të më bëni mua, do të jetë një simbol i gjërave që do të vijnë.

11 Dhe tani, Abinadi qe i pari që pësoi vdekje nga zjarri për shkak të besimit të tij në Perëndi; tani, kjo është se ç’deshi të thoshte, që shumë do të pësonin vdekje nga zjarri, sikurse kishte pësuar ai.

12 Dhe ai u tha priftërinjve të Noeut se fara e tyre do të bënte që shumë të vriten, në të njëjtën mënyrë sikurse ai dhe se do të shpërndaheshin kudo dhe do të vriteshin, madje si një dele pa bari që vihet në ikje dhe që shqyhet nga kafshët e egra; dhe tani vini re, këto fjalë u vërtetuan, pasi ata u vunë para nga Lamanitët dhe u ndoqën dhe u goditën.

13 Dhe ndodhi që kur Lamanitët panë se nuk ishin në gjendje t’i mundnin Nefitët, ata u kthyen përsëri në tokën e tyre; dhe shumë prej tyre shkuan për të banuar në tokën e Ishmaelit dhe në tokën e Nefit dhe u bashkuan me popullin e Perëndisë, që ishte populli i Anti-Nefi-Lehit.

14 Dhe ata varrosën gjithashtu armët e tyre të luftës, sikurse kishin bërë vëllezërit e tyre dhe filluan të jenë një popull i drejtë; dhe ecën në udhët e Zotit dhe respektuan të mbanin urdhërimet e tij dhe statutet e tij.

15 Po, dhe ata iu përmbajtën ligjit të Moisiut; pasi ishte e nevojshme atëherë që t’i përmbaheshin ligjit të Moisiut, pasi nuk ishte plotësuar i gjithi. Por, pavarësisht nga ligji i Moisiut, ata pritnin me padurim ardhjen e Krishtit, duke marrë parasysh se ligji i Moisiut ishte një simbol i ardhjes së tij dhe duke besuar se duhej t’u përmbaheshin atyre rregullave të jashtme, deri kur ai do t’u shfaqej atyre.

16 Tani, ata nuk mendonin që shpëtimi do t’u vinte nëpërmjet ligjit të Moisiut, por ligji i Moisiut u shërbeu që të përforconin besimin e tyre në Krisht dhe kështu ata mbajtën një shpresë me anë të besimit, për shpëtimin e përjetshëm, duke u mbështetur në shpirtin e profecisë që fliste për ato gjëra që do të vinin.

17 Dhe tani vini re, Amoni dhe Aaroni dhe Omneri, dhe Himni, dhe vëllezërit e tyre u gëzuan jashtëzakonisht për suksesin që patën mes Lamanitëve, duke parë se Zoti i kishte plotësuar lutjet e tyre dhe se ua kishte vërtetuar gjithashtu fjalën e tij në çdo hollësi.

Shtyp në Letër